Deputeti i LDK-së: Koalicioni qeverisës është stabil, LDK-ja fiton prapë në bastionin e saj

Intervista

Deputeti i LDK-së: Koalicioni qeverisës është stabil, LDK-ja fiton prapë në bastionin e saj

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 nëntor 2020 Në ora: 17:23
Lidhja Demokratike e Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Ilir Ferati, ka bërë me dije se gjendja në koalicionin qeverisës është stabile.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se debatet e zhvilluara së fundi brenda koalicionit, e përmirësojnë edhe më shumë punën si të kryeministrit Avdullah Hoti, ashtu edhe të partnerëve tjerë.

Duke e vlerësuar punën e deritanishme të shefit të Qeverisë së Kosovës, Ferati ka thënë se vendi ka një kryeministër që udhërrëfyes e ka Kushtetutën e Republikës.

Sa i përket futjes së PDK-së në qeveri, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është shprehur se vendi dhe qytetarët kanë mjaftueshëm probleme, gjë të cilat e pamundësojnë fokusin tek kombinimet politike.

Në këtë intervistë, anëtari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë e Mjedis, dhe njëherit edhe anëtar në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka folur edhe për punët që janë duke u bërë në këto dy Komisione, për zgjedhjet në Podujevë, për raportet mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit, si dhe për kërkesat e Ramush Haradinajt për postin e presidentit.

Intervista e plotë:

Image
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati.

“Bota sot: z. Ferati, si është duke shkuar puna në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, dhe në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-I9” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës?

Ilir Ferati: Puna në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis po ecën në dinamikë të zakonshme, ky Komision ka në mbikëqyrje Ministrinë e Bujqësisë, Infrastrukturës dhe Pjesën e Mjedisit te Ministria tash e Ekonomisë. Kohëve të fundit kemi pas në raportim ministrin Arban Abrashi në lidhje me pikat e marrëveshjes në SHBA, që kanë të bëjnë me pjesën e infrastrukturës, po ashtu kemi themeluar grupe punuese, pjesë e të cilave jam edhe unë si përfaqësues i LDK-së. Grupe që monitorojnë ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari”, po ashtu monitorimin e zbatimit të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Ligjit për Ndërtim. Ndër të tjera kemi edhe agjensione të themeluara nga Kuvendi i Kosovës, dhe që raportojnë pranë Komisionit tonë për punën e tyre.

Sa i përket Komisionit Hetimor, puna është shumë më dinamike, tani jemi në fazën e intervistimit të dëshmitarëve. Ky Komision ka dy çështje kryesore si subjekt hetimi; njëra është vdekja tragjike e të riut Agon Musliut, si dhe tjetra është vendimet e qeverisë së kaluar në lidhje me menaxhimin e pandemisë. Mendoj që themelimi i këtij Komisioni është shumë i qëlluar, sepse do të punojmë shumë në zbardhjen e të vërtetës. Qytetarët tanë kanë të drejtë të dinë të vërtetën e veprimeve apo mosveprimeve të njerëzve që në atë kohë kanë qenë kompetent për marrjen e vendimeve. Po ashtu, po hetojmë edhe dyshimet e ngritura në media për keqpërdorimet e supozuar nga Ish-ministri Vitia në procedurat e prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë, blerjet me çmime shumë të larta, procedurat e përshpejtuara, menaxhimi i qendrës së karantinës, detyrat e vullnetarëve e shumë të tjera me të cilat do të njoftoheni edhe zyrtarisht pas pranimit të raportit përfundimtar.

Kemi angazhuar edhe tre ekspertë në kuadër të Komisionit, të cilët do të asistojnë në përpilimin e raportit, nga tri fusha të ndryshme; ajo e ligjit, të ekonomisë, dhe të shëndetit publik. Komisioni ka mandat 6 mujorë, dhe besoj shumë se pas përfundimit të punës do të dalim me të gjetura të cilat do ta qartësojnë situatën për qytetarët e Kosovës, e poashtu do të ofrojnë informata për organet relevante që po merren me hetime.

“Bota sot: Si është gjendja brenda koalicionit qeverisës? Kohën e fundit AAK-ja ka filluar ta kritikojë kryeministrin Hoti?

Ilir Ferati: Sa i përket koalicionit mendoj që në përgjithësi është stabil, puna e qeverisë po vazhdon me dinamike të kënaqshme, debatet brenda partnerëve konsideroj se janë normale si dhe produktive, poashtu e përmirësojnë punën edhe të kryeministrit Avdullah Hoti, si dhe të partnerëve që udhëheqin me dikasteret e caktuara.

Përgjegjësitë janë të ndara, dhe mendoj që secili prej nesh si partner duhet të jemi të përgjegjshëm në raport me detyrat që kemi marrë me marrëveshjen e koalicionit.

“Bota sot: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë dhe të kryeministrit Avdullah Hoti?

Ilir Ferati: Puna e kryeministrit Hoti mendoj që është shumë e mirë. Republika e Kosovës ka një kryeministër normal, përfaqësues, një kryeministër që udhërrëfyes e ka Kushtetutën e Republikës, që ka marrë detyrën në një situate jo normale, dhe ka arritur që bashkërisht me ministrat ta menaxhojë shkëlqyeshëm.

Edhe situatën me pandeminë, edhe problemet me ekonominë, edhe dialogun me shtetin fqinjë (një nyje e pazgjidhur, që po na përcjellë tash e sa vite si shtet). Kryeministër që me modestinë e tij dhe gjuhen e argumenteve, na përfaqësojë denjësisht edhe para Presidentit të SHBA-ve. Njeri që nuk ka hipoteka politike në arenën ndërkombëtare, e as atë vendore.

“Bota sot: Në vazhdimësi kanë qarkulluar zëra se PDK-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti. Është diskutuar në forumet e partisë kjo çështje?

Ilir Ferati: Mendoj që kemi mjaftueshëm probleme aktualisht si shtet dhe si shoqëri, që na pamundësojnë që ta kthejmë fokusin tek kombinimet politike. Unë jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, dhe nuk kemi pasur ndonjë takim apo diskutim të forumeve në lidhje me këtë çështje.

“Bota sot: A është i nevojshëm zgjerimi i këtij koalicioni? Si e shihni ju?

Ilir Ferati: Pyetje që nuk mund t’i jap përgjigje konkrete. Konsideroj që secila parti e përfaqësuar në Kuvend është e gatshme për zgjedhje, por mendoj që diskutimi duhet të jetë se a është situata e favorshme për organizim të zgjedhjeve, dhe në situatën të cilën gjendemi duke u përballë me pandeminë, a e kemi të drejtën politike e morale që të krijojmë vakuum, duke organizuar zgjedhje, rezultati i të cilave në konfiguracionin e tanishëm politik veçse përafërsisht dihet.

“Bota sot: Presidenti ka vendosur që më 29 nëntor të mbahen zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës. A do ta fitojë LDK-ja përsëri këtë komunë?

Ilir Ferati: Podujeva ka qenë dhe besoj shumë që do të vazhdojë të mbetet bastion demokracisë, i besimit qytetar, pra, besimit në LDK. Ish kryetari Veliu dhe poashtu kryetari i ardhshëm Rudari, konsideroj që kanë bërë një punë të shkëlqyeshme atje. Janë njerëz që i njohin problemet e qytetarëve të Podujevës, dhe po ashtu që 20 vite më radhë po përballen me ofrim të zgjidhjes së atyre problemeve. Por, mendoj se Podujeva do t’i besojë përsëri LDK-së, pra, pres që kandidati ynë Nexhmi Rudari do të jetë fitues i zgjedhjeve në Podujevë.

“Bota sot: A mendoni z. Ferati se ka gabuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani me pozicionimin e saj, karshi kryeministrit dhe qeverisë?

Ilir Ferati: Bashkëpunimi në mes të Kuvendit dhe Qeverisë është detyrë kushtetuese dhe kjo do të duhej të ketë rëndësi më shumë se problemet e natyrave tjera.

“Bota sot: AAK po kërcënon se vetëm Ramush Haradinajn për president, në të kundërtën shkohet në zgjedhje. A është LDK e gatshme për zgjedhje të reja?

Ilir Ferati: Së pari mendoj që ekuacionet politike nuk duhet të kenë bazë kërcënimin as politik, e as të kurrfarë natyre. Numri i deputetëve që secila parti ka në Kuvend është reflektim i besimit qytetar dhe i fuqisë politike që secila parti ka. E thashë këtë sepse mendoj se kjo do të duhej të ishte baza e secilës kërkesë apo ambicie politike e secilit pretendent për pozicione të caktuara kushtetuese.

Partia e z. Haradinaj ka 14 deputetë, dhe mendoj që kërkesat e tij për pozita kushtetuese do të duhej të ishin konform fuqisë politike që ka në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat