Akuzat e Speciales, ja çka thotë ish-kryeprokurori i EULEX-it

Intervista

Akuzat e Speciales, ja çka thotë ish-kryeprokurori i EULEX-it

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 20:32
John Clint Williamson

Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, ish kryeprokurori i EULEX, John Clint Williamson komenton atë çfarë po ndodh me gjyqin e ish krerëve të UÇK-së në Hagë.

Williamson nënvizon gjatë intervistës së tij se, akuzat ndaj individëve duhet të ndahen nga akuzat ndaj një populli të tërë.

Pjesë nga intervista

Zoti Williamson, faleminderit që ju bashkuat kësaj interviste në televizionin Ora në Tiranë, Shqipëri! 

John Clint Williamson: Kënaqësia është imja!

Zoti Williamson a shikoni ju një lidhje mes aktakuzave të prokurorit special dhe raportit tuaj të hetimit?

John Clint Williamson: Po, konfirmimi i aktakuzës është padyshim një zhvillim i rëndësishëm dhe një tregues që prokurori pati prova të mjaftueshme për ta dërguar çështjen në gjyq. Nga leximi që i kam bërë aktakuzës, shikoj se përmban informacione të ngjashme me çfarë ne menduam se provat do të tregonin në momentin që unë bëra deklaratën fillestare, mbi gjetjet tona hetimore nga investigimi i vitit 2014. Kështu që mendoj se është një konfirmim i punës që kemi bërë, kur isha kryeprokuror i task forcës hetimore. Por, është e rëndësishme të thuhet se në këtë pikë akuzat duhen vërtetuar në gjyq dhe pala e akuzuar do të ketë mundësi të paraqesë mbrojtjen e saj. Ata prezumohen të pafajshëm dhe vetëm në rastin kur ka një verdikt që thotë të kundërtën, ata do të shpallen fajtorë.

A është shumë vonë për këtë proces gjyqësor, pasi tashmë kanë kaluar 22 vjet, që nga koha e luftës?

John Clint Williamson: Ka marrë shumë kohë për të arritur në këtë pikë në të cilën ne gjendemi tani, dhe besoj se asnjeri nuk është i lumtur për këtë gjë. Por ne shpesh kemi parë raste që përfshijnë akuza për krime lufte që duan vite e vite për t’i sjellë çështjet në gjyq. Këtë gjë e pamë me disa nga çështjet, si për shembull me rojet e kampeve naziste që përfunduan në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në shtete të tjera europiane. Këta persona nuk u ndoqën penalisht për dekada të tera pasi i kishin kryer krimet. Për Kmerët e Kuq në Kamboxhia procesi nisi pasi kishin kaluar më shumë se 30 vjet nga kryerja e krimeve. Fatkeqësisht është natyra e këtyre lloj krimesh që kërkon kohë për t’i hetuar dhe shpeshherë qasja në prova, varet mbi të gjitha nga vullneti politik për të ecur përpara.

Patjetër, por a është e mundur të hetosh dhe të gjesh prova për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pasi kanë kaluar gati dy dekada nga lufta?

John Clint Williamson: Sigurisht që është e mundur. Shumica e dëshmive vjen nga deklaratat e dëshmitarëve okularë, por duhet të jesh në gjendje t’i përpunosh këto dëshmi dhe t’i kryqëzosh me njëra-tjetrën. Ka nevojë për prova mbështetëse. Disa herë ato vijnë në formën e dokumenteve, herë të tjera vijnë nga pamje video që mund të jenë xhiruar nga kameramanë lajmesh, apo nga hapja e varreve masive. Ka shumë lloje provash që mund të gjenden dhe pas 10-20-30 vjetësh. Pra, nuk është e pamundur të bëhet, por më e vështirë me kalimin e kohës.

A mund të bazohen këto akuza vetëm tek rrëfimet e dëshmitarëve?

John Clint Williamson: Unë mendoj se këto akuza do të bazohen kryesisht në dëshmitë e mbledhura, por siç e thashë, ata (prokurorët) nuk do të marrin vetëm dëshminë e një dëshmitari dhe të sjellin akuza në këtë mënyrë. Patjetër që nevojitet të ketë bashkëpunim, që mund të vijë në formën e disa dëshmitarëve të tjerë që flasin për atë që kanë parë, kështu shikohet dhe nëse historitë e tyre përputhen. Një mënyrë tjetër është që të përfshihen prova të dokumentuara të cilat përmbajnë urdhra të lëshuar gjatë asaj periudhe. Ka disa lloje provash të mbledhura që mund të përdoren, për të vërtetuar se çfarë një dëshmitar okular po thotë. Nuk ka gjasa që akuzat të ngrihen vetëm bazuar në dëshminë e një dëshmitari të vetëm.

A janë këto dëshmitarë të besueshëm dhe efikas për hetimin?

John Clint Williamson: Në çdo hetim penal kjo është pyetja kryesore. Çdo person që udhëheq hetimin duhet të vërtetojë që ai që po jep dëshminë është i besueshëm. Duhet të kalosh në një numër të caktuar hapash që ta vërtetosh këtë gjë. Dhe siç e thashë më përpara, është e rëndësishme të shikohet se cilat janë provat e tjera që mbështesin dëshminë e marrë. Nëse dëshmitari ka dhënë një dëshmi direkt pasi ngjarja ka ndodhur, këtë dëshmi mund ta këtë marrë një ushtar i NATO-s ose një punonjës i të drejtave të njeriut që mund të ketë qenë duke mbledhur prova. Në rast se gjenden elementë të tjerë për të mbështetur dëshminë, atëherë ajo bëhet më e besueshme. Por në fund të fundit ky është një vendim që merret nga gjyqtarët gjatë procesit. Gjykatësit do t’i dëgjojnë dëshmitë, ata do t’i vlerësojnë nëse janë të besueshme. Në fund gjykatësit do të vendosin nëse do t’i besojnë apo jo dëshmitarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat