Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur në lidhje me situatën politike në Kosovë dhe gjendjen e krijuar nga pandemia.
Kuçi u shpreh që gjendja e krijuar nga pandemia ka thelluar krizën ekonomike në vend duke shtuar që me zgjedhjet e reja mund të shpresojmë në një zgjidhje demokratike ndërsa për situatën politike thotë që posti për president ka krijuar rrëmujën e vet në skenën politike.
Gjithashtu Kuçi foli për arrestimet e Speciales ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, e cila u shpreh që kjo gjykatë ka për synim dënimin e luftës çlirimtare të UÇK-së duke thënë që nuk ka në agjendën e Speciales drejtësi sepse nëse do të kishte atëherë do të gjykonte gjenocidin e Serbisë.
E pyetur për masat që qeveria Hoti ka marrë në lidhje me pandeminë u shpreh që kjo qeveri deri më tani ka vepruar me vendime ad-hoc, të atypëratyshme, pa ndonjë plan afatgjatë sesi të menaxhoj situatën me pandeminë.
Pa u prekur nuk mbetë as tema e zgjedhjes së presidentit e SHBA-së, e që Kuçi tha se beson që SHBA-ja do të luajë rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës në nivelin ndërkombëtar.
Zëdhënësja e PSD-së, uron që sa më shpejt të zhvillohen zgjedhjet në Kosovë sepse vendi ka nevojë për një të majtë demokratike, si diskurs dhe si projekt politik.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?
Natyra Kuçi: Ne besojmë që skena politike në Kosovë po gjendet afër një krize institucionale e cila po vjen shkaku i zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Mbi këtë problem, qeveria poashtu nuk ka menaxhuar me efektshmëri pandeminë me COVID-19 e cila pos që po shkakton humbje të jetës së njerëzve më shumë sesa më herët gjithashtu ka thelluar krizën ekonomike në vend. Shumë punëtorë kanë mbetur të papunë shkaku i masave të qeverisë dhe kjo është adresuar nga qeveria duke i ndihmuar bizneset e duke i lënë punëtorët në të njëjtën gjendje. Ne besojmë që vetëm me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe legjitimitet të ri në Kuvend do të mund të shpresojmë në një zgjidhje demokratike si për zgjedhjen e presidentit e të institucioneve të tjera ashtu edhe për menaxhimin më të mirë të pandemisë e zbutjen e krizës ekonomike.
“Bota sot”: Si shihni arrestimet e pjesëtarëve të UÇK-së, nga Specialja?
Natyra Kuçi: Gjykata Speciale është gjykatë etnike që për synim ka dënimin e luftës çlirimtare të UÇK-së. Pra, dënimin e luftës me disa supozime absurde për krime e jo sjelljen e drejtësisë për viktimat e rëna në Kosovë. Po të ishte drejtësia në agjendën e Gjykatës, ajo do të gjykonte gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ne besojmë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri, barazi dhe drejtësi e nuk mund të reduktohet asnjëherë në konflikt etnik e sektar në mes të shqiptarëve e serbëve siç po mundohet ta portretizoj kjo Gjykatë. Drejtësia mund të vjen vetëm për një sistem gjyqësor të pavarur brenda Kosovës e asnjëherë nga një trup gjykues i jashtëm.
“Bota sot”: Posti i presidentit po duket sfidë e vështirë për t'u kaluar, cili është qëndrimi i PSD-së në këtë çështje?
Natyra Kuçi: Nuk ka kuptim që të zgjidhet as të flitet për president pa pasur zgjedhje nacionale. Duhet një Kuvend i ri, një Kuvend me legjitimitet prej të cilit derivon edhe presidenti/ja. Proceset politike në Kosovë që kanë ndodhur kërkojnë me urgjencë zgjedhje të reja
“Bota sot”: A mendoni që brenda mandatit të qeverisë Hoti mund të ndodhë njohja e Kosovës nga shteti i Serbisë?
Natyra Kuçi: Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë do të duhej të përcaktohej me një marrëveshje përfundimtare që për synim ka zgjidhjen e të gjitha problemeve si dhe njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Ne besojmë që cilado qeveri që vjen në pushtet duhet të ketë prioritet në agjenden e tyre arritjen e këtyre pikave.
“Bota sot”: Specialja ka konfirmuar aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të VV-së, Rexhep Selimi dhe Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si i komentoni këto aktakuza?
Natyra Kuçi: Fillimisht, aktakuzat po bëhen për përfaqësuesit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së që të jep për të kuptuar që UÇK-ja, apo siç po e quan kjo gjykatë “Grupi Kriminal i Organizuar”, është duke u akuzuar. Pra, Gjykata po e redukton luftën çlirimtare në konflikt interesash. Ky konstatim i Gjykatës pa kushtetutshmëri e këto akuza janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të kundërshtohen deri në zhbërjen e plotë të kësaj gjykate.
“Bota sot”: Si e komentoni situatën e COVID-19 në Kosovë, sa ka qenë efektive qeveria Hoti në menaxhimin e situatës pasiqë masat u rikthyen pas rritjes së rasteve?
Natyra Kuçi: Qeveria Hoti deri më tani ka vepruar me vendime ad-hoc, të atypëratyshme, pa ndonjë plan afatgjatë sesi të menaxhoj situatën me pandemi. Çka shpërfaq më së miri kjo pandemi është që të pasurit arritën të ruajnë e të shtojnë pasurinë e tyre përderisa krizën ekonomike po e mbajnë mbi supet e tyre të varfërit e punëtorët. Kjo nuk është adresuar fare nga kjo qeveri. Prej një ligji të mangët për rimëkëmbje ekonomike i cili as që po kalon në parlament e deri tek subvencionimi i bizneseve, prej të cilave prapë bizneset e mëdha fitonin shumë më shumë sesa ato të voglat, mund të kuptohet që në planin afatmesëm e afatgjatë kjo qeveri po e mirëmban krizën përderisa punëtorët vazhdojnë të humbasin vendet e tyre të punës e varfëria vazhdon të thellohet. Neve na duhet një ndërhyrje e majtë solidare e cila e merr parasysh nevojën e shumicës dhe ndërton një plan stabil afatgjatë për kalimin e kësaj krize.
“Bota sot”: Muaj më parë është sulmuar kryeparlamentarja Osmani nga ish-bashkpartiakët e saj, si i komentoni veprimet karshi Osmanit e cila pavarësisht pozitës është grua?
Natyra Kuçi: Sulmet e tilla duhet të jenë të papranushme kur ndërmerren ndaj cilit/cilës do. Në anën tjetër, nuk shoh dallim politik as ideologjik të Osmanit me LDK, as për nga mënyra e sjellës në parti. Ne kemi parë anëtare të LDK duke u përjashtuar e larguar fizikisht nga partia, por kjo nuk e pengoi Osmanin që të jetë kandidate për ta fuqizuar këtë parti. Për Osmanin është një moment i përshtatshëm për ngritje nëpër pozita, por ky pushtet nuk bartë asgjë të re në politikë.
“Bota sot”: Dhuna nda gruas në Kosovë po rritet dita ditës duke sjellë edhe vdekje të tyre, mirëpo që karshi këtyre nuk po veprohet asgjë, siç ishte rasti i uljes së dënimit të Pjetër Ndrecaj, ku edhe keni reaguar ju personalisht në një takim të mbajtur nga Hoti, cili do të duhej të ishte hapi i institucionëve të Kosovës?
Natyra Kuçi: Për ndryshime në shoqëri dhe për barazi gjinore, krahas iniciativave ligjore dhe kërkimit të drejtësisë, të cilat janë të domosdoshme, duhet të kemi një përpjekje shoqërore dhe projekt politik i cili ka barazinë qëllim.
“Bota sot”: Amerika ka shpallur fitues të zgjedhjeve, Joe Biden, sa mund të ndikojë zgjedhja e presidentit në Amerikë për shtetin e Kosovës?
Natyra Kuçi: Besoj që SHBA-ja do të luajnë rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës në nivelin ndërkombëtar, ashtu siç kanë qenë të përfshira çdo herë, dhe e mirëpresim bashkëpunimin edhe me administratën e presidentit Biden që të bëjë po të njëjtën gjë.
“Bota sot”: Nëse do të ishit zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, zëri i kujt do të ishit?
Natyra Kuçi: Zëri i bindjeve të mija të cilat i kultivojë në një hapësirë politike, pra në PSD. Ne mendojmë që Kosova ka nevojë për një të majtë demokratike, si diskurs dhe si projekt politik. 11
“Bota sot”: Për fund, si e komentoni deklaratën e Albin Kurtit, i cili iu doli në mbrojtje të akuzuarve nga Specialja?
Natyra Kuçi: Çka duhet të nxjerrim nga reagimi i Kurtit është instrumentalizimi me të cilin funksionon Vetëvendosje. Kjo do të thotë që përballë një teme të caktuar, siç është në këtë rast Gjykata Speciale, qëndrimi yt, për shkak të rolit historik që i ke vendosur vetes, është gjithmonë i saktë, i pandryshuar dhe pa asnjë kontraditë në vete. Pra, për Vetëvendosjen, nuk ka ndryshim ndërmjet deklarimit “Shko Hashim” dhe “Shteti i Kosovës duhet t’i mbroj të akuzuarit” ani pse shumë lehtë mund të shohim ndryshimin në këto dy deklarata. Kjo nuk është e rastësishme aspak por e menduar pikërisht mbi qëndrimet ideologjike mbi të cilat qëndron VV. Natyrisht, një gjë e tillë prej anës së Kurtit mund të shihet poashtu si lojë elektorale për të fituar më shumë vota në zgjedhje pasi që qytetarët po e shohin si të rrezikshme për historikun tonë gjykimin e UÇK-së.