Deputeti i VV-së: Partitë tjera iu frikësuan qeverisjes Kurti e po iu frikësohen edhe zgjedhjeve

Intervista

Deputeti i VV-së: Partitë tjera iu frikësuan qeverisjes Kurti e po iu frikësohen edhe zgjedhjeve

Nga: Albulena Muji Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 08:02
Fitim Haziri

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka vlerësuar se situata politike në Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë, për këtë ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës dhe partive politike, si pozitës dhe opozitës.

Po ashtu, deputeti Haziri ka folur për “Bota sot” edhe për postin e presidenti, duke ritheksuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, se vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

 Përveç  se është deputete, ai vjen edhe nga fusha e mjekësisë, kur ka folur për menaxhimin e pandemisë në vend. Haziri cilëson se është duke menaxhuar në mënyrë të dobët, duke i parë edhe vdekshmërinë nga COVID-19.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Fitim Haziri: Situata politike në vend është jashtëzakonisht e rëndë. E kemi një qeveri e cila përveç faktit që nuk e ka legjitimitetin qytetar, çdo ditë e më shumë, përballet me skandale të njëpasnjëshme dhe dështime në pothuajse të gjitha sferat. Përtej kësaj, partnerët e kësaj qeverie, me paturpësinë më të madhe, luftojnë për poste e për tenderë. Në anën tjetër, e kemi PDK-në e cila nga pozita e "opozitës" i shërbejnë pushtetit.

“Bota sot”: Si e shihni punë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Hoti?

Fitim Haziri: Qe nga dita e parë kur e vodhën pushtetin, ne e kemi ditur e tani po e dinë edhe ata vetë, që kanë dështuar në secilin segment. Po e përsëris në secilin segment. Përveç faktit për mënyrën si e morën qeverinë e deri te personat që u përzgjodhën për të udhëhequr me ministri, është skandaloze. Në kohën më delikate botërore, udhëheqës i shëndetësisë u vendos një jurist, këshilltar të tij, persona që përveç që nuk kanë lidhje me këtë sektor, nuk kanë përgatitje profesionale më shumë se shkolla e mesme. Në ministri të Punëve të Brendshme, një person që absolutisht nuk e ka dijen e as vullnetin për të udhëhequr me të. Njerëz pa diploma, u vendosën nëpër ministri të Arsimit dhe shumë gjëra tjera. Prandaj i kemi këto rezultate që i kemi. Gjendja e tmerrshme në menaxhimin e COVID-19, është dështimi më i madh i kësaj qeverie, e deri tek mosdija dhe mosgatishmëria e tyre për t'iu ndihmuar qytetarëve në përballimin sa më të lehtë të gjendjes së krijuar me COVID-19. Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, dhënia e tenderit mbi 5 milionë euro për ministrin e Zhvillimit Ekonomik e deri tek ndarja e milionave nga buxheti i shtetit për oligarkë e biznesmenë të pasur, teksa qytetarët po vuajnë për bukë, në këtë kohë të vështirë. Qeveria Hoti me një fjalë është qeveri e hajnive, oligarkëve, e asfaltit e jo e qytetarit.

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet e tuaja në mandatin tuaj si deputet?

Fitim Haziri: Prioriteti im jo vetëm nga momenti kur kam marrë besimin qytetar, por që nga momenti kur kam hyrë në politikë, ka qenë dhënia e kontributit për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme ekonomike, shëndetësore dhe arsimore në vendin tonë. Si mjek me profesion, kam shprehur gatishmërinë dhe do ta shprehi gjithmonë që të mund të jap sadopak kontributin tim për përmirësimin e gjendjes së tmerrshme shëndetësore dhe jo vetëm. Si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij, besoj që kam dëshmuar që fillimisht kam vullnet dhe dëshirë që të kontribuoj për qytetarët, sidomos në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19. Si deputet i Kuvendit, kam propozuar amendament për ndarjen e një buxheti të caktuar shtesë nga buxheti i shtetit, për t'iu dalë në ndihmë qytetarëve të prekur me COVID-19, në blerjen e barnave për shërim nga ky virus, por edhe që gjërat ushqimore të mbulohen nga shteti për familjet e prekura me këtë pandemi, pasi që ata po mbesin pa punë dhe rrjedhimisht pa të ardhura, përveç faktit e kostos së lartë që po u kushton shërimi nga COVID-19. Ky propozim i imi nuk ka gjetur mbështetje tek qeveria aktuale e as tek PDK - të cilët kanë votuar kundër këtij propozimi - për shkak që për ta nuk është e rëndësishme qytetari por oligarkët.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë preh e sulmeve si nga pozita e opozita, çfarë do të thotë kjo për ty?

Fitim Haziri: Kjo do të thotë qe Lëvizja Vetëvendosje! është në rrugë të drejtë. Nuk ka dëshmi më të madhe sesa fakti se si kanë qeverisur këta persona e këto parti tash e mbi 20 vjetët e pasluftës. Shto kësaj edhe argumentin mbi mënyrën se si e rrëzuan nga pushteti Qeverinë Kurti. Po ta dinin këta që ne do qeverisnim sikur ta, do na linin në pushtet, për të na thënë më vonë se edhe këta janë sikurse ne. E po ashtu, do guxonin të shkojmë në zgjedhje. Mirëpo, këta e dinë që ne nuk qeverisin si ta, andaj edhe iu frikësuan qeverisjes Kurti e po i frikësohen zgjedhjeve të parakohshme.

“Bota sot”: Fitorja në Komunën e Besianës, a e ndryshoj  rrjedhën politike në vend?

Fitim Haziri: Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! në Besianë, i vulosi dy gjëra: E para është që Lëvizja Vetëvendosje! vazhdon të jetë shpresa e vetme në Kosovë dhe së dyti e vulosi faktin e pamohueshëm se qeveria aktuale po qeverisë keq. Ama shumë keq. Po të qeverisnin mirë, nuk do ta humbisnin Besianën. Tjetra, sa i përket ndryshimit në rrjedhën politike, ajo që ndodhi me 29 nëntor, po e frikëson secilën parti tjetër që të rikthehemi për legjitim tek qytetarët.

“Bota sot”: Pas kësaj fitore, a është rritur më shumë Vetëvendosja?

Fitim Haziri: Lëvizja Vetëvendosje po rritet çdo ditë. Kjo gjë u dëshmua edhe me fitoren në Besianë, e po dëshmohet dita-ditës. Asgjë nuk jemi rritur se çka do të rritemi në zgjedhjet e ardhshme. Këtë e dinë edhe ata që tmerrohen nga ky fakt.

“Bota sot”: Një çështje që po diskutohet shumë është edhe zgjedhja e presidentit, cili është qëndrimi i juaj në këtë temë?

Fitim Haziri: Qëndrimi i ynë është që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje të reja. Nuk mund të presësh zgjidhjen e presidentit, nga një qeveri e cila nuk i posedon as minimumin e votave për të kaluar ligje të thjeshta në Kuvend. Se sa legjitime është qeveria aktuale, mund t'i shohim faktet e dëshmitë të shumicës së ligjeve që propozohen nga ana e tyre e veçmas dështimit të shumëfishtë për kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Le të shkojmë në zgjedhje, lë të merret legjitimimi qytetar përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend dhe pastaj Kuvendi i ri të zgjedh presidentin e ri. E vetmja zgjidhje për këtë gjë janë zgjedhjet.

“Bota sot”: Si mendoni që po menaxhohet pandemia?

Fitim Haziri: Në mënyrën më të dobët të mundshme. Mjafton t'i shohim shifrat e viktimave, të infektuarve dhe përgjigja vjen vetvetiu.  Përtej kësaj, menaxhimi i pandemisë duhet te hetohet edhe nga Prokuroria. Muaj më parë, 5 persona vdiqën në mënyrë të dyshimtë brenda Klinikës Infektive. Dyshimi është që vdekja e tyre u shkaktua nga mungesa e oksigjenit. Pastaj kemi raportime me dëshmi të bollshme që Ministria e Shëndetësisë ka përdorur oksigjen industrial në vend të atij medicinal, gjë që ka mundur të shkaktohen pasoja vdekjeprurëse për pacientët e prekur me virus. Prandaj, në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar politikisht, sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor duhet t'i hetojnë këto çështje. Sepse përgjegjësi politike këta nuk japin.

“Bota sot”: Si i shihini masat e marra nga Qeveria Hoti për luftimin e pandemisë?

Fitim Haziri: Përkundër që janë munduar të marrin masa, të njëjtat nuk kanë dhënë as edhe një efekt të vetëm. Në këtë drejtim, nga këto masa është rritur vetëm numri i komunave në zonën e kuqe, por prapë se prapë, numri i të vdekurve dhe i atyre pozitive ka qenë vazhdimisht duke u rritur.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka filluar punën e saj, si e komentoni këtë?

Fitim Haziri: Ne si Lëvizje Vetëvendosje që nga dita e parë kemi qenë kundër kësaj gjykate dhe vazhdojmë të jemi. Gjykata Speciale është e padrejtë ndaj shqiptarëve dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bota sot”: Akuzat ndaj ish luftëtareve të UÇK-së, a mund të ndikojë në njollosjen e imazhit të luftës së pastër për çlirimin e vendit?

Fitim Haziri: Absolutisht unë besoj në pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne si Vetëvendosje e kemi shefin e Grupit Parlamentar, zotërinë Rexhep Selimi, padrejtësisht duke u gjykuar nga kjo gjykatë e padrejtë dhe jo vetëm ai. Por, e ri-përsëris që lufta çlirimtareve e shqiptarëve të Kosovës për liri ka qenë e drejtë dhe ndihem krenar që gjendem në partinë politike që nga dita e parë ka qenë kundër kësaj gjykate, përkundër të tjerave. E mbi të gjitha ndihem krenar që brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi personalitete që kanë dhënë kontribut të madh e të pazëvendësueshëm për çlirimin e vendit e kundër formimit të Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat