Deputetja Bunjaku: Pa LDK-në, Vjosa Osmani nuk mund të ecë përpara

Intervista

Deputetja Bunjaku: Pa LDK-në, Vjosa Osmani nuk mund të ecë përpara

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 dhjetor 2020 Në ora: 08:11
Deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka komentuar situatën politike në vend.

Bunjaku-Rexhepi ka folur për mundësinë e zgjedhjeve në vend të cilen e ka parë si opsion të fundit që duhet të ndodhë, sipas saj zgjedhjet janë për politikanët që mendojnë vetëm për to, ndërsa për postin e presidentit duhet partitë të bëhen bashkë e të gjejnë një emër për të parin e vendit.

Deputetja gjithashtu u shpreh për humbjen e zgjedhjeve në Podujevë e cila tha që ka qenë zgjedhje e qytetarëve dhe se ne duhet ta respektojmë. Mirëpo ajo thotë se edhe qytetarët do ta shohin më vonë që zgjidhja ishte e përkohshme dhe se LDK do të kthehet në pushtet.

E pyetur për largimin e Osmanit nga LDK-ja, deputetja theksoi që ajo nuk do të gjej miq më shumë sesa në LDK dhe shumë shpejtë ajo do të jetë forca kryesore sepse misioni i saj është madhor, pa LDK nuk mundet as Vjosa as Kosova të ecë përpara.

Më tej, deputetja ka folur edhe për arrestimet e ushtarëve të UÇK-së, nga Specialja e cila potencon që imazhin e saj nuk mund ta prish askush sepse ka qenë luftë e pastër.

Në fund, në lidhje me menaxhimin e pandemisë deputetja thotë që Qeveria Hoti dhe ministri Zemaj janë në shërbim të vendit e qytetarëve edhe në situatën me Covid-19 dhe se nuk është politikë angazhimi qeveritar por është përgjegjësi të cilën po e kryejnë mirë në menaxhimin e saj

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Situatës aktuale në vend i paraprinë edhe më tej kujdesi ndaj pandemisë Covid-19 e cila mbetët prioritet i vendëve në gjithë globin e edhe te ne. Në rrafshin politik ende e rëndë, jo çfarë i duhet vendit dhe çfarë e meritojnë qytetarët .

“Bota sot”: Posti i presidentit vazhdon të jetë një temë diskutimi në vendin tonë, cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë çështje?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Kosova aktualisht ka U.D. të presidentes si pasojë e shkuarjës së Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë. Kushtetuta e vendit sqaron qartë afatet kohore dhe procedurat e zgjedhjës së presidentit të ri. Partitë politike e dijnë mirë se pa koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet tyre nuk ka zgjidhje. Andaj nuk ka arsye të zvarriten afatet kohore por duhet ulur, bashkëpunuar dhe vendit t’i japim një president i cili duhet të jetë i pranuar nga të gjithë.

“Bota sot”: A mendoni që zgjedhjet janë opsioni i duhur për vendin?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Zgjedhjet janë opsioni i fundit kur nuk ka zgjidhje. Partitë duhet ta dijnë se të zgjedhurit e tyre kanë marrë besimin për përfaqqsim në kryerjen e obligimëve dhe ato duhet të kenë afate kohore. Nuk mundemi që qytetarët t’i drejtojmë në kutitë e votimit çdohere që ato nuk gjejnë zgjidhje për të cilat janë përgjegjëse. Zgjedhjet janë për politikanët që mendojnë për to më shumë se sa që ata duhet menduar për obligimet që marrin.Tek e fundit ne zgjidhemi për të kryer punë e jo për të menduar vetëm për zgjedhje!

“Bota sot”: Muajin e kaluar LDK-ja humbi zgjedhjet në qytetin e Podujevës, sa mendoni që do të ndikojë kjo tek elektorati i LDK-së në zgjedhjet qëndrore?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Humbja e LDK-së në Podujevë është pasojë e vendimit qytetarë në atë komunë. Ne e respektojmë dhe vlerësojmë verdiktin qytetarë në njërën anë, e duhet analizuar në LDK pse ndodhi ashtu në anën tjetër. Shpresoj që qytetarët e Podujevës të mos bëhen pishman ashtu si u bënë ata në Prizren, Prishtinë e gjetiu. Elektorati ndryshoi pushtetin atje duke reflektuar ndryshim por shpejtë do të binden se kanë gabuar. LDK do ta kthejë pushtetin atje sepse qyetarët e Podujevës do të binden se i dhanë vetëm një mundësi ndryshimit atje për ta rikthyer përsëri LDK në udhëheqje të komunës.

“Bota sot”: Si e shihni largimin e Vjosa Osmanit nga partia e LDK-së, a mendoni që do i’a del në skenën politike pa qenë pjesë e LDK-së?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Vjosa Osmani nuk është përjashtuar nga LDK. Ajo e di mirë që është larguar nga pozita e nënkryetarës dhe anëtares së kryesisë me shumicë votash të KP të partisë. Ajo nuk ka familje më të mirë se aty ku është rritur dhe aty ku është kandiduar për kryeministre të vendt.Vjosa e di mirë se askund nuk ka më shumë miq se në shtëpinë e saj në LDK, themelet e së cilës i vendosi presidenti historik Ibrahim Rugova. Shtëpinë e saj e ndihmoi edhe ajo në shumë forma dhe unë mendoj se duhet ta ruajmë e forcojmë edhe kur kemi furtuna e stuhi me probleme, sulme e çka jo tjetër. LDK është histori në vete dhe tradita e saj nuk mund të humbë edhe pse ajo sulmohet gjithmonë. Shumë shpejtë ajo do të jetë forca kryesore sepse misioni i saj është madhor e në e dijmë këtë mirë sikur e din edhe Vjosa. Pa LDK nuk mundet as Vjosa as Kosova të ecë përpara.

“Bota sot”: A ka vija të kuqe LDK me ndonjë parti politike?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: LDK asnjëhere nuk ka bllokuar proceset madhore për vendin. Gjithmonë ka hapur rrugë për integrime dhe zhvillime pozitive. Ajo nuk nënshtrohet kurrë edhe pse ka qenë e qartë për dallimet dhe afrimet me partitë e tjera. Bashkëpunoi me të gjithë në koalicione qeverisëse por edhe në opozitë. Madje VV- së i mësuam edhe kulturën parlamentare në mandatin e kaluar bashkë në opozitë e PDK-së në qeverisje gjatë mandatit 2014-2017. Bashkëpunimi e angazhimi në interes të vendit është kulturë e LDK-së qoftë në opozitë apo pushtet nga cilado parti qoftë.

“Bota sot”: Përveç postit të presidentit temë aktuale është edhe arrestimet e Speciales, si i shihni këto arrestime?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Arrestimet e Specialës janë produkt i sistemit të dobët të drejtësisë në vendin tonë. Sikur ne të kishim institucione kredibile gjyqësore nuk do të kishim nevojë për Gjykata Ndërkombëtare. Andaj në duhet të punojmë që t’i avansojmë ato dhe të përmbushim kërkesat e ndërkombëtarëve, në të kundërten rrezikojmë edhe më shumë.

“Bota sot”: A mendoni që Gjykata Speciale po krijon një imazh të keq për UÇK-në?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: UÇK është vlerë kombëtare. Është lufta e popullit për çlirim e pavarësi nga okupatori serb. Është pasojë e kohës krahas përpjekjëve paqësore kundrejtë gjenocidit serb.Të gjithë ata që kontribuan edhe me jetë janë heronjë të luftës së pastër. Imazhin e saj nuk mund ta prishin as ata që ishin udhëheqës të saj nëse veprimet e tyre i heton Gjykata Speciale. UÇK në radhët e saj kishte djemtë e vajzat e saja me të mirë që u sublimuan për qëllimin e vendit, çlirimin e saj.

“Bota sot”: Sa e mendoni që po menaxhohet mirë situata me COVID-19 nga qeveria Hoti?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Qeveria Hoti dhe ministri Zemaj janë në shërbim të vendit e qytetarëve edhe në situatën me Covid-19. Pasojat nga pandemia janë shumë më të theksuara edhe në vendet më të zhvilluara. Mjekët janë ushtarët në vijen e parë të frontit dhe kushdo që udhëheqë me vendin ata vetëm u mundësojnë që të kryejnë punën e tyre me përgjegjësi.Të tjerët kanë obligimim vetëm t’u ndihmojnë aq sa munden, nëse jo së paku të mos pengojnë në këtë situatë me këtë virus të rrezikshëm. Nuk është politikë angazhimi qeveritar por është përgjegjësi të cilen po e kryejnë mirë në menaxhimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat