Zyrtari i LDK-së: Do të ngadhënjejmë fuqishëm në këto zgjedhje

Intervista

Zyrtari i LDK-së: Do të ngadhënjejmë fuqishëm në këto zgjedhje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 dhjetor 2020 Në ora: 14:32
LDK

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm, dhe njëherit kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Bajrush Hoti, ka thënë se ky subjekt politik e respekton vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Bota sot”, ai ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhjet që priten të mbahen së shpejti.

Sa i përket sondazhit të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka thënë ky sondazh është i porositur dhe se nuk e tregon realitetin në teren. Sipas Hotit, partia e tij do të ketë vetëm rritje në zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Bajrush Hoti, në këtë intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur edhe për ish-nënkryetaren Vjosa Osmani, si dhe për zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të këtij subjekti nga Gjykata Speciale.

Image
Bajrush Hoti

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Tashmë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Qeveria e Avdullah Hotit është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, dhe pas këtij vendimi, Kosova shkon në zgjedhje të reja. Cili është komenti juaj për këtë vendim?

Bajrush Hoti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton. Pra, Lidhja Demokratike e Kosovës në përgjithësi i respekton të gjitha vendimet e drejtësisë, e lërë më tash të Gjykatës Kushtetuese, që është një vendim i formës së prerë.

Këtë vendim e ka respektuar edhe Kryesia qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëjtë kemi vepruar edhe ne kryetarët e degëve. Andaj, është i respektueshëm si vendim.

“Bota sot”: Përkundër problemeve me të cilat ballafaqohet LDK-ja, a mendoni se është e gatshme partia e juaj për këto zgjedhje?

Bajrush Hoti: Përkundër propagandës së madhe dhe zërave se Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënie apo diçka tjetër, një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron, për shkak se kjo parti ka një strukturë të organizuar mirë, dhe se është një parti e përgatitur jashtëzakonisht mirë, me një traditë 31 vjeçare, gjë për të cilën jam i bindur se në këto zgjedhje që pritet të mbahen brenda pak muajve do të ngadhënjejmë fuqishëm.

Kështu do të ndodhë në çdo palë zgjedhje, si për këto të përgjithshmet, gjithashtu edhe për ato lokale.

“Bota sot”: Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti janë shprehur tejet të sigurt se do të dalin si partia e parë në zgjedhjet që priten të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Si e shihni ju këtë?

Bajrush Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës, strukturat, dhe anëtarësia e saj është jashtëzakonisht e bindur për fitore. Ne nuk do ta kemi asnjë problem që të dalim partia e parë.

Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta dëshmojë këtë edhe tani se është parti e madhe, dhe se këto zgjedhje do t’i fitojmë me një rezultat, dhe me një përqindje shumë të mirë.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet e reja?

Bajrush Hoti: Besoj shumë se strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mobilizohen. Ato tashmë veçse kanë filluar punën në teren dhe janë shumë aktive. Duke filluar nga kryetarët e nëndegëve, kryetarët e degëve, Këshilli i Përgjithshëm, dhe strukturat e Kryesisë Qendrore. Që të gjithë bashkërisht të unifikuar do t’ia dalim shumë mirë edhe në këto zgjedhje.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar së fundi një sondazh, ku partinë e tyre e rendisin si të parën me 55 deputetë, kurse LDK-në si të tretën me 18 deputetë, pas PDK-së. Si e komentoni këtë sondazh?

Bajrush Hoti: Partitë politike janë duke bërë sondazhe sipas dëshirës, dhe jo sipas realitetit në teren.

Jam shumë i bindur se këto sondazhe nuk qëndrojnë aspak, pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të ketë rënie, mirëpo, përkundrazi, do të ketë vetëm rritje në këto zgjedhje, pasi që është një subjekt i organizuar mirë dhe i mobilizuar si asnjëherë më parë.

“Bota sot”: A mendoni se është momenti i fundit që LDK-ja dhe Vjosa Osmani të gjejnë një gjuhë të përbashkët?

Bajrush Hoti: Jo. Definitivisht rrugët janë të ndara. Vjosa Osmani e ka rrugën e saj, do ta bëjë edhe logon e saj, le t’i merr pas vetes edhe zhurmagjitë, dhe lë të ecën nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që ajo vetes nuk i ka lënë vend në këtë parti. Ky është mendimi im personal, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, por edhe si kryetar i degës së LDK-së në Malishevë. Absolutisht, Vjosa Osmani nuk ka më vend në këtë subjekt.

“Bota sot”: A prisni që Gjykata Speciale të zbardhë vrasjet e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Bajrush Hoti: Kërkesë e vazhdueshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë edhe zbardhja e vrasjeve dhe krimeve që kanë ndodhur në Kosovës pas përfundimit të luftës, kryesisht ndaj aktivistëve të saj, personaliteteve të shquara të LDK-së.

Vrasjet janë një barrë e rëndë për shtetin e Kosovës, prandaj këtë barrë vendi ynë e heq vetëm atëherë kur do t’i zbardhë të gjitha vrasjet me karakter politik që kanë ndodhur gjatë luftës dhe pasluftës.

Kjo është një ngarkesë e madhe për shtetin e Kosovës, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka kërkuar dhe insistuar nga institucionet e vendit që të merren me këtë çështje, në mënyrë që të ndodhë përfundimisht edhe zbardhja e tyre.

Andaj, ne shpresojmë shumë që do të zbardhet e vërteta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat