Zyrtari i LDK-së: Presim fitore në zgjedhje

Intervista

Zyrtari i LDK-së: Presim fitore në zgjedhje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 dhjetor 2020 Në ora: 19:20
LDK

Zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Engelbert Zefaj, njëherit zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë me dije se kjo parti është gjithmonë e gatshme për zgjedhje.

Zefaj në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se presin fitore nga këto zgjedhje, që pritet të mbahen brenda pak javëve.

Kurse, sa i përket vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, Zefaj shprehet se ajo duhet respektuar edhe kur vendimet e saj nuk janë në favor.

Image
Engelbert Zefaj

Zëvendësministri në detyrë në këtë intervistë ka folur edhe për mënyrën se si ka qeverisur kryeministri Hoti. Ai ka theksuar se shefi i ekzekutivit ka punuar shumë mirë dhe ka arritur të korrigjojë gabimet e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt, të cilët, sipas tij, e kishin izoluar tërësisht Kosovën dhe të cilët i dëmtuan rëndë raportet me shtetet mike.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë intervistë, ka folur edhe për Gjykatën Speciale, për ish-nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, dhe për zgjedhjen e presidentit të ri.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Gjykata Kushtetuese, konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, dhe pas këtij vendimi, Kosova shkon në zgjedhje të reja. Si e keni parë ju këtë vendim?

Engelbert Zefaj: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet respektuar edhe kur ato nuk janë në favor. Edhe në ketë rast unë e respektoj këtë mendim edhe pse jam i bindur se ka pasur mundësi që interpretimi të jetë më ndryshe dhe pa e dëmtuar drejtësinë kushtetuese. Por, gjithsesi duhet të presim se si do të jenë arsyetimet e gjykatës, të cilat pritet të shkruhen në ditët në vijim.

“Bota sot”: A është e gatshme Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhje të reja?

Engelbert Zefaj: Lidhja Demokratike e Kosovës është gjithmonë e gatshme për zgjedhje sepse i ka strukturat e veta që janë gjithmonë të mobilizuara dhe të cilat burojnë nga proceset zgjedhore. Kontaktimi dhe komunikimi me strukturat e LDK-së është i vazhdueshëm dhe konkret kështu që në këto raste edhe mobilizimi dhe organizimi për veprim është i shpejtë dhe konkret.

“Bota sot”: Cili është disponimi i përgjithshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Engelbert Zefaj: Duke marrë parasysh situatën që po kalojmë të shkaktuar nga virusi COVID-19, jemi të shqetësuar se mos po rrezikohet jeta e qytetarëve tonë, por, sa i përket punës dhe angazhimit për fitore, gatishmëria dhe entuziazmi po rritet çdo minutë. Do të punojmë për fitore dhe do të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet që priten të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm?

Engelbert Zefaj: Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë angazhohet dhe punon për fitore, kështu që ne presim fitore.

“Bota sot”: A besoni se do të ketë pajtim mes partive politike, për të gjetur një formulë edhe për zgjedhjen e presidentit të ri?

Engelbert Zefaj: Kjo varet shumë nga partitë tjera të cilat deri tani nuk janë treguar konstruktive në këtë drejtim. Nëse partitë tjera tregohen më objektive dhe janë më shumë të të fokusuara në të mirën e vendit dhe të qytetarëve ka mundësi të gjendet një zgjidhje përndryshe nëse partitë tjera vazhdojnë të mendojnë vetëm për interesat e tyre partiake, atëherë do të jetë e vështirë.

“Bota sot”: Si zëvendësministër në detyrë dhe zyrtar i LDK-së, çfarë vlerësimi keni për punën e Qeverisë Hoti?

Engelbert Zefaj: Kosova ka pasur nderin që të ketë në pozitën e kryeministrit një njeri kompetent dhe të ndershëm. Ai ka punuar shumë mirë dhe ka arritur të korrigjojë gabimet e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt të cilët e patën izoluar tërësisht Kosovën dhe i patën dëmtuar rëndë raportet me shtetet mike. Pastaj, në aspektin ekonomik ka marrë vendime shumë racionale, prandaj edhe është shënuar një rritje e të hyrave në doganë dhe është rritur transporti (informata zyrtare të Doganës).

Ka menaxhuar shumë mirë me pandeminë dhe Kosova ndodhet në mesin e tri vendeve më të suksesshme të Evropës për menaxhimin e pandemisë. Është treguar kujdes i veçantë për ekonominë e vendit, duke menaxhuar me pandeminë pa e mbyllur totalisht siç e kishte bërë Albini, kështu që bizneset kanë pasur mundësi të veprojnë dhe të shpëtojnë nga kriza.

Ka treguar kujdes të veçantë për sportin, kulturën dhe rininë duke i ndarë fonde ekstra për t’i ndihmuar në kohë pandemie.

Ka treguar kujdes për punonjësit që kanë mbetur pa punë dhe për kategoritë sociale të vendit. I ka ndihmuar bujqit dhe fermerët e shumtë duke i rritur grantet për ta. Ka bërë shumë gjëra të dobishme në një kohë të pa kohë dhe duke u ballafaquar me politika destruktive të opozitës e shpesh edhe të partnerëve të koalicionit.

“Bota sot”: Si i keni parë deklaratat e ish-nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani, në drejtim të Isa Mustafës, kryetar i LDK-së?

Engelbert Zefaj: Aspak korrekte, znj. Osmani ka qenë e respektuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga vetë kryetari Isa Mustafa. Ajo sot i drejton dikasteret kryesore të shtetit fal mbështetjes dhe besimit që i ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Isa Mustafa.

“Bota sot”: Mendoni se ka vend që mund të diskutohet rikthimi i saj në LDK?

Engelbert Zefaj: Angazhimi në një parti është zgjedhje personale. Znj. Osmani e ka zgjedhur rrugën e vetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ja mbyllë derën askujt, por nga secili anëtarë kërkohet që ta respektojë statutin dhe rregullat e partisë.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka bërë edhe arrestimet e para. A prisni që kjo gjykatë të zbardhë të vërtetën për vrasjet e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Engelbert Zefaj: Nuk e di se cilat janë çështjet që do t’i trajtojë Gjykata Speciale, por, besojë se secilën çështje që do ta trajtojë edhe do ta ndriçojë poashtu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat