Deputeti i LDK-së që i shpëtoi atentatit: Gjykata Speciale do ta zbardhë rastin tim dhe vrasjet e tjera që ndodhën në Kosovë

Intervista

Deputeti i LDK-së që i shpëtoi atentatit: Gjykata Speciale do ta zbardhë rastin tim dhe vrasjet e tjera që ndodhën në Kosovë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 janar 2021 Në ora: 08:41
Fetah Rudin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka dhënë një intervistë ekskluzive gazetës "Bota sot".

Ai ka thënë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Avdullah Hotit e respektojnë, dhe se partia e tij gjithmonë ka punuar që Kosova të bëhet shtet, dhe t’i ketë ligjet dhe gjykatat e veta.

Ai gjithashtu është deklaruar edhe për 200 ditëshin e Qeverisë Hoti, që sipas tij, qeverisi në një situatë jo të mirë, puna e tij ishte për çdo lëvdatë, madje duke rregulluar edhe raportet me miqtë ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-të.

Lidhur me çështjen se a është e gatshme partia e tij për zgjedhje e reja, Rudi ka thënë se LDK-ja çdo herë është e përgatitur. Ndërsa, se a mund të jetë e mundshëm që LDK-ja të bëjë koalicione parazgjedhore, sipas Rudit, më mire është që ky subjekt të garojë e vetme.

Deputeti Rudi në këtë intervistë ka folur edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën ka thënë se është e vetmja shpresë që të zbardhet atentati ndaj tij, dhe vrasjet tjera që kanë ndodhur në Kosovë para dhe pasluftës.

“Bota sot”: Gjykata Kushtetuese, konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe shpalli zgjedhje të reja. Si e keni parë ju këtë vendim të Kushtetueses?

Fetah Rudi: Lidhja Demokratike e Kosovës qysh kur është bërë ankesa në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, është shprehur se do ta respektoj çfarëdo vendimi që sjellë Gjykata Kushtetuese, e cila është organi më i lartë juridik në Kosovë. LDK-ja qysh nga themelimi ka punuar që Kosova të bëhet shtet, që Kosova t'i ketë ligjet dhe gjykatat e veta. Andaj ne e respektojmë vendimin e saj, pavarësisht se edhe një vendim i çuditshëm.

“Bota sot”: Qeveria Hoti ishte në krye te vendit për më shumë se 200 ditë. Si i vlerësoni ditët e Hotit në krye të qeverisë?

Fetah Rudi: Kryeministri Avdullah Hoti, e mori qeverisjen në duar në një situatë aspak të lehtë në të cilën ishte vendi. Përballja me pandeminë ishte njëra ndër sfidat kryesore me të cilat u përballë kjo qeveri, por me punën dhe organizimin e mirë, janë për çdo lëvdatë. Qeveria Hoti poashtu rregulloi raportet me miqtë ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën raportet kishin ardhë pothuajse në pikën zero, si pasojë e qeverisjes paraprake dhe qëndrimit të liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili ishte kryeministër.

“Bota sot”: A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Fetah Rudi: LDK çdo herë është e gatshme për zgjedhje. Struktura e LDK-së dhe përkrahja nga elektorati rugovian, padyshim që do të bëjnë që LDK-ja të jetë fituese e zgjedhjeve dhe të arrij suksese.

“Bota sot”: A do të kandidoni sërish për deputet?

Fetah Rudi: Po, padyshim. Janë afër 13 mijë qytetarë që më kanë votuar, dhe shumë punë na kanë mbetur në gjysmë. Unë do të jem përsëri kandidat për deputet, dhe kauzën time do ta vazhdoj përsëri aty ku ka mbet.

“Bota sot”: A do të bëjë LDK-ja koalicione parazgjedhore, apo do hyjë e vetme në zgjedhje?

Fetah Rudi: Kjo i takon të vendos kryesisë së LDK-se dhe Këshillit të Përgjithshëm. Por unë nuk preferoj që LDK-ja të ketë koalicion parazgjedhor. LDK-ja duhet të garojë e vetme në zgjedhje.

“Bota sot”: Vetëvendosje pretendon se do të dalë e para, madje me një rezultat bindës. Cili është komenti juaj për pretendimet e tyre?

Fetah Rudi: Është pretendim i tyre. Lejohet me ëndërrua.

“Bota sot”: A mendoni se Gjykata Speciale do të zbardhë vrasjet e zyrtarëve të LDK-së dhe atentatin ndaj teje?

Fetah Rudi: Padyshim që po, Gjykata Speciale është e vetmja shpresë që të zbardhet atentati ndaj meje dhe vrasjet tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Besoj që Gjykata është në rrugë të mirë që ta arrij një gjë të tillë, pasi deri më tani drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare si UNMIK dhe EULEX kanë dështuar që të bëjnë një gjë të tillë. Presim zhvillimet më tutje.

“Bota sot”: Në rastin e atentatit tuaj, a keni pasur ftesë nga Specialja dhe a mund të na tregoni se çka keni dëshmuar aty?

Fetah Rudi: Nuk kam çfarë te tregoj, pasi nuk kam dëshmuar. Nuk kam pas ftes nga Gjykata Speciale, por e di që atentati ndaj meje është brenda mandatit të Gjykatës Speciale.

 “Bota sot”: A do të jeni të gatshëm në të ardhmen që të dëshmoni në Speciale, nëse kjo e fundit ju thërret?

Fetah Rudi: Patjetër, me kënaqësi. Çdo herë i gatshëm që të dëshmojë të vërtetën, në mënyrë që e vërteta të dal në dritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat