Politikani më i zëshëm shqiptar tregon përse ia ‘përplasi’ të gjitha krimet në fytyrë Daçiqit në ditën e votimit të qeverisë serbe

Intervista

Politikani më i zëshëm shqiptar tregon përse ia ‘përplasi’ të gjitha krimet në fytyrë Daçiqit në ditën e votimit të qeverisë serbe

Më: 3 janar 2021 Në ora: 16:17
Shaip Kamberi

Shaip Kamberi, ka qenë shumë i zëshëm në Kuvendin e Serbisë, për sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në këtë shtet.

Për herë të parë në histori, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë arritur që t’i fitojnë tre mandate në Kuvendin e Serbisë.

Janë Shaip Kamberi, Nadije Beqiri dhe Argjend Bajrami, deputetët që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvendin e Serbisë.

Mirëpo, që nga konstituimi i Kuvendit të Serbisë dhe votimi i qeverisë së re, ka qenë deputeti Shaip Kamberi, i cili është treguar shumë i zëshëm.

Madje në ditën kur u votua Ivica Daçiq si kryetar i Kuvendit të Serbisë, Kamberi u tregua mjaftë i zëshëm dhe kishte një paraqitje brilante, ku ia përmendi të gjitha krimet një nga një që ka kryer Sllobodan Millosheviq në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe luftën dhe krimet që kanë kryer në Kosovë.

E për të gjitha këto, ka folur vetë protagonisti. Shaip Kamberi, në një intervistë për lajmin ka treguar arsyen përse ka zgjedhur ditën e votimit të Qeverisë së Serbisë, që t’ua thotë të gjitha krimet që kanë bërë në Kosovë e ish-Jugosllavi.

Në këtë intervistë, Kamberi flet edhe për “selamet” që Vuçiq ia dërgon pas çdo fjalimi të tij, e që padyshim janë kërcënime indirekte ndaj tij.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi:

Zotëri Kamberi, këtë vit prej kur jeni zgjedhur deputet në Kuvendin e Serbisë, keni qenë mjaftë i zëshëm për të drejtat e pakicave, e në veçanti të shqiptarëve?

Kamberi: Në gjithë angazhimin tim, në kuadër të grupit tonë parlamentar, po mundohem që në mënyrë sa më besnike të reprezentoj zgjedhësit e mi dhe të koalicionit Lugina e Bashkuar, respektivisht, të prezantoj sa më objektivisht problemet e përditshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Jeni deputeti i parë shqiptarë që në Kuvendin e Serbisë ia keni përmendur Daçiqit të gjitha krimet që kanë bërë në Kosovë por edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. A ndjeheni i rrezikuar pas gjithë këtyre deklaratave që keni bërë?

Kamberi: Po, ishte momenti kur nga ne kërkohej të japim votën tonë për kryetarin e parlamentit. Votimin kundër kandidatit Ivica Daçiq e arsyetova me pak fjali, ndër të cilat përmenda faktin e pakontestueshëm se ai ka qenë pjesë e elitave politike që kanë shkaktuar luftërat dhe krimet e shumta në ish-Jugosllavi por, edhe në Kosovë. E di se të flasësh të vërtetën mund të jetë punë që nuk u pëlqen të ‘fuqishmëve” në serbi, por, unë jam aty për të përfaqësuar shqiptarët  e Luginës së Preshevës dhe qëndrimet e tyre ndaj dukurive në këtë shoqëri, prandaj e kam ndier si obligim moral dhe politik të theksoj arsyet e votimit kundër, po ashtu,  jam i vetëdijshëm se jetoj dhe veproj në një shoqëri që ka vrarë kryeministrin e vet, por, rreziku nga e vërteta nuk është arsye që unë të hezitoj për të paraqitur qëndrimet.

Gjatë kohës sa ju keni shfaqur flamurin kombëtar shqiptar në seancën parlamentare, ka qenë kryeparlamentari Daçiq por edhe kryeministrja Bërnabiq që ju kanë kundërshtuar dhe Daçiq ka kërkuar ta largoni flamurin shqiptar. A ka pasur ndonjë “tërheqje” e vërejtjes nga Daçiq apo Bërnabiq?

Kamberi: Paraqitja publike e flamurit kombëtar krahas atij shtetërorë, ka pasur qëllim të dyfishtë: së pari për të dëshmuar diskriminimin që shqiptarëve i bëhet duke iu mohuar një pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar, por, kjo më vete ka pasur edhe ftesën publike për të ndërtuar barazi rajonale në respektimin e komuniteteve. Nga  Daçiq dhe Bërnabiq që janë kreatorët e politikës aktuale të diskriminimit nuk është pritur reagim tjetër pos atij që e patën. Unë kam shfrytëzuar të drejtat e mia si deputet. Vërejtje, tjera veç atyre konfrontimeve në parlament nuk kam pasur, por, parlamenti ka aprovuar një dokument të veçantë të titulluar Kodi i mirësjelljes së deputeteve që ndalon përdorimin e “simboleve të shteteve tjera’. Kjo është një dëshmi tjetër e tentativave të vazhdueshme për të ngulfatur lirinë e shprehjes.

E dimë që për të drejtat e shqiptarëve keni qenë i zëshëm edhe gjatë kohës sa keni qenë kryetar i Bujanocit, tani që jeni deputet, a po keni më shumë komunikim me partnerët ndërkombëtar rreth kësaj çështje?

Kamberi: Po, kam kontakte edhe me faktorë ndërkombëtarë, por, problemet që po sjell pandemia dhe pamundësinë  e takimeve të drejtpërdrejta, besoj duhet kompensuar në muajt e ardhshëm kur pritet të lirohen masat e pandemisë.

Mund të themi se këtë vit shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bërë një revolucion për sa i përket politikës, për shkak se për herë të parë shkuat me një listë të përbashkët në zgjedhje të përgjithshme, e më pas në Bujanoc për herë të parë udhëheqin vetëm shqiptarët. Sa jeni falënderues ndaj ministrit Cakaj për iniciativën që e kishte ai për listën e përbashkët?

Kamberi: E kam theksuar vazhdimisht se pa ministrin Cakaj do të kishte qenë e vështirë të ndërtohet lista jonë parlamentare. Prandaj edhe roli i tij, angazhimi dhe këmbëngulësia që ka treguar qoftë në Tiranë, qoftë kur ishte për vizitë në Luginë të Preshevës, ka sjellë këtë rezultat të rëndësishëm.

Gjatë tërë kësaj kohe, cili ka qenë momenti më i vështirë për t’u ballafaquar me Daçiqin apo një ballafaqim të tillë e keni pritur dhe ëndërruar prej kohësh?

Kamberi: Gjatë veprimtarisë sime kam pasur shumë raste për tu përballur me zyrtarët serb, edhe me vetë Ivica Daçiqin dhe Aleksandar Vuçiqin kur ishte kryeministër, por, mendoj se paraqitja ime në ditën e zgjedhjes së Qeverisë së Serbisë, ishte mundësia më e mirë, për shkak edhe të vëmendjes më të madhe që i paraprinë akti i zgjedhjes së saj,  që gjithë Serbisë t’i përplaset e vërteta e hidhur për ta. Jam i lumtur që mu dha mundësia për ta shfrytëzuar një rast të këtillë. Kjo i ka dhënë peshë edhe grupit tonë parlamentar edhe mua personalisht.

A keni pasur kërcënime direkte apo edhe indirekte nga kundërshtarët tuaj politik, por edhe nga udhëheqësit shtetëror serb?

Kamberi: Drejtpërdrejtë jo, por nëse gjithmonë kur paraqiteni në parlament, pasojnë shkrimet e shtypit të verdhë serb që ju cilësojnë si “provokator”, “shkatërrues i shtetit” dhe shumë e shumë epitete tjera, apo kur presidenti i shtetit ju dërgon selam se për “fjalime të tilla në rajon do të burgosej autori”, mund të konsiderohet si një proces i vazhdueshëm i “kërcënimeve” që kanë për qëllim të ndikojnë në paraqitjet tuaja të ardhshme. Por, them se unë bëj punën time, le ta bëjnë ata të veten.

A do të kërkoni ndihmë nga institucionet serbe për mbrojtje  në rast se do të përballeshit me kërcënime apo do të ndjeheshit të kërcënuar?

Kamberi: Nëse do të kem kërcënime të drejtpërdrejta, është e qartë se prapa tyre do të qëndrojë shteti, prandaj do të ishte jologjike të kërkosh ndihmë nga një shtet i këtillë.

Zotëri Kamberi, cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët për vitin 2021, por në veçanti për shqiptarët e Luginës?

Kamberi: Uroj që bashkërisht të tejkalojmë sa më mirë sfidat, dëshiroj që viti tjetër të sjellë më shumë stabilitet politik në hapësirat shqiptare. Shpresoj që viti tjetër të sjellë edhe përmbylljen e procesit të shtetndërtimit të Kosovës duke anëtarësuar Kosovën në OKB. Uroj gjithë për mbarësi në vitin tjetër!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat