Vasfije Krasniqi: Kjo është arsyeja pse zgjodha Vetëvendosjen, paralajmëron kthimin në Kosovë 

Intervista

Vasfije Krasniqi: Kjo është arsyeja pse zgjodha Vetëvendosjen, paralajmëron kthimin në Kosovë 

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 27 janar 2021 Në ora: 19:05
Vasfije Krasniqi-Goodman

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka treguar pse hyri në politik dhe pse pikërisht në Lëvizjen Vetëvendosje. 

Ajo pohon se pati bisedime edhe me PDK-në për të qenë pjesë e listës së tyre, por që në fund kishte vendosur për partinë e Albin Kurtit. 

Krasniqi-Goodman premton se do të jetë fillimisht zëri i të gjitha grave në Kuvend të Kosovës si dhe do të merret me të drejtat e njeriut. 

Ajo ka treguar se për momentin fushatën është duke e zhvilluar nga Amerika, kryesisht me takime online, ndërsa thotë se do të kthehet në Kosovë nëse arrin të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës. 

“Bota sot”: Pse e zgjodhët Lëvizjen Vetevendosje për t’iu bashkuar? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Si aktiviste dhe avokuese e të drejtave të njeriut, përgjatë angazhimit për ta ngritur zërin për krimet e luftës, e në veçanti për dhunimet seksuale të luftës së fundit, kam hetuar që me Lëvizjen Vetëvendosje! na bashkon parimësia dhe qëndrueshmëria për shumë gjëra e në veçanti për drejtësinë e vonuar, padrejtësitë që i janë bërë e po i bëhen popullit tonë shqiptarë.  

“Bota sot”: Memli Krasniqi nga PDK-ja, ka thënë para disa ditësh se ju keni qenë në bisedime me PDK-në për t’iu bashkuar asaj. Mirpo që në fund keni ndërruar mendje. A është e vërtet kjo? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë, i kam përcjellë deklarimet e zyrtarëve nga PDK-ja, dhe është e vërtetë që unë kam biseduar edhe me PDK-në në lidhje me mundësinë që unë të garoja apo kandidoja në listën e PDK-së, dhe unë i jam mirënjohëse zyrtarëve nga PDK për qasjen dhe mundësinë që të përfshihem në listën e tyre, por unë në momente të fundit kam vendosur t’i bashkohem VV-së për arsyet që edhe i ceka më lartë. Por gjithashtu më lejoni te them se deklarimet e tyre kanë qenë të sakta, dhe unë i vlerësojë për korrektësinë. 

“Bota sot”: Si po priteni në takimet që keni këto ditë? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju, e, dini që unë jetoi në SHBA, takime të drejtpërdrejta nuk kam mbajtur, mendoi se disa nga këto takime do t’i realizoj këto ditë, por unë ka kohë që kam praktikuar të bashkëbisedoj përmes metodave të ndryshme, sigurisht më të shpeshtat takimet online. Por ajo që mund të theksojë është se unë kam hezituar për disa arsye t’i rrekem këtij angazhimi, por tani që, është bërë publike dhe nga komunikimet e shumta unë vazhdimisht jam duke marrë mbështetje. 

“Bota sot”: A e vlerësoni të duhur bashkimin e forcave të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë përfaqësuesit që nuk i kanë ndryshuar qëndrimet dhe premtimet e tyre karshi qytetarëve që i kanë votuar. Kjo besnikëri ndaj votuesve, dhe qëndrueshmëria e tyre para shumë sfidave vetëm sa i ngriti edhe më tej në popull. Mendoj që bashkimi u jep atyre shtysën e nevojshme për të qenë shërbyesit që ata synojnë të jenë. Albin Kurti si Kryeministër dhe Vjosa Osmani si Presidente janë dëshira e qytetarëve për një Kosovë më të mirë dhe kjo Kosovë me ta e pas 14 shkurtit padyshim se do të frymojë e ndryshojë për të mirë. 

“Bota sot”: Zëri i kujt do të jeni në Kuvendin e Kosovës? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë, sigurisht, se kurrë nuk do të harrojë rrugën time, të cilën e kam kaluar, ballafaqimin tim, gjatë dhe pas luftës, dhe nisur nga kjo unë do të jem zëri i arsyes, i përkujtesës, i së vërtetës sonë, aty do të jem për të kërkuar drejtësi për gjithë ato viktima të pafajshme, për gjithë ato shkelje masive e brutale nga më të ndryshmet që u aplikuan nga aparati shtetëror i Serbisë në Kosovë, zëri im do të jetë një zë më shumë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

“Bota sot”: Nëse zgjidheni deputete, në çka do të fokusoheni më shumë?  

Vasfije Krasniqi-Goodman: Aktivizimin tim tashmë e njohin të gjithë, por në Kuvend unë do t’i përfaqësojë fillimisht gratë-femrat, pastaj do të jem zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut, duke mos harrur asnjëherë kategoritë e margjinializuara, si dhe jo më pak e rëndësishme do të angazhohem që në rrafshin ndërkombëtar ta paraqes të vërtetën rreth gjenocidit që është kryer nga ana e Serbisë ndaj popullatës në Kosovë, e pastaj gjatë rrugëtimit tonë unë do të fokusohem sikurse në Kuvend ashtu edhe jashtë. 

“Bota sot”: A do të ktheheni përfundimisht në Kosovë për të jetuar, nëse zgjidheni deputete? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: E kaluara ime, është e lidhur ngushtë me Kosovën. Unë që nga viti 2001 jetojë në SHBA, por ndërkohë kam qëndruar dhe jetuar përkohësisht edhe në Kosovë, unë sigurisht kam shprehur vullnetin dhe përkushtimin tim që të kontribuoj për Kosovën, sigurisht përmes aktivizimit tim që tashmë është i njohur për opinionin dhe unë jam e gatshme që të bëjë edhe më shumë në këtë drejtim. Përderisa tani që vajzat janë duke u shkolluar këtu në SHBA, mua më duhet të bëj një zgjidhje, dhe sigurisht se do të jetë të jetuarit në Kosovë.  

“Bota sot”: Cili është parashikimi juaj për zgjidhjet e 14 shkurtit për të gjitha partitë politike? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Më lejoni të them një gjë, unë, nuk jam ndonjë person që kam njohuri për politikën, dhe duke qenë si e tillë nuk kam ndonjë mundësi që unë të bëjë vlerësim apo parashikim objektiv, përderisa dëshira ime dhe kërkesa ime është që ne t’i përgjigjemi me kulturë kërkesave që vijnë nga qytetarët, dhe ato kërkesa janë për subjektet politike që do të jenë të përfaqësuara në Kuvend të punojnë për të mirën e vendit dhe popullatës.  

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për fund për të gjithë elektoratin në Kosovë? 

Vasfije Krasniqi-Goodman: Të gjithë thonë se elektorati është vetëdijesuar dhe tani po mbështet Albinin e Vjosën, por unë do të thosha që ky popull i përvuajtur u ka dhënë rastin e mundësinë të tjerëve të udhëheqin, ka parë rezultatet, dhe tani ka vendosur t’ua jap një shans Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Kjo mbështetje e gjerë për ta, ka ngjallur një kapitull të ri, një optimizëm se Kosova është një vend i jetueshëm, andaj krejt çfarë ka mbetur dhe për çfarë edhe do të apeloja te votuesit është që të angazhohemi e të bëhemi pjesë e këtij kapitulli të ri që fillon me datë 14 shkurt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat