Koalicionet/ Kandidatja për deputete tregon se a ka vija të kuqe PDK-ja

Intervista

Koalicionet/ Kandidatja për deputete tregon se a ka vija të kuqe PDK-ja

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 28 janar 2021 Në ora: 20:12
Enver Hoxhaj

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumturije Bytyqi Hasani, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e saj nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politikë.

Ajo ka folur edhe për rastin e Kadri Veselit i cili gjendet në Hagë de ka treguar se a ka ndikuar mungesa e tij në udhëheqjen e PDK-së.

Kandidatja për deputete ka treguar edhe prioritete e saj, në qoftë se bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Image
Lumturije Bytyqi Hasani

Ndërkaq, ka folur edhe për hapësirën që i është dhënë grave në listat zgjedhore, si dhe rolin e tyre në politikë.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga zgjedhjet e 14 shkurtit?

Lumturije Bytyqi Hasani: Fillimisht uroj të ketë një proces të qetë zgjedhor. Qytetarët e Republikës së Kosovës tashmë e kanë dëshmuar pjekurinë demokratike. Pres të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve për të votuar sepse kështu i japim kuptim edhe më shumë demokracisë dhe legjitimitetit.

“Bota sot”: Nëse merrni besimin e qytetarëve, në cilën fushë do të jetë kontributi juaj?

Lumturije Bytyqi Hasani: Nëse arrij të jem pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës nëpërmjet besimit qytetar, prioriteti im do të jetë mirëqenia e qytetarëve. Shëndetësia dhe sundimi i ligjit janë dy fusha të profesionit tim andaj si zë i qytetarëve do të fokusohem që kontributi im të ndahet në këto dy fusha.

“Bota sot”: Pse vendosët të hyni në këtë garë për deputete?

Lumturije Bytyqi Hasani: Unë jam asambleiste në Kuvendin e Komunës së Lipjanit dhe duke vlerësuar kontributin tim aty, dega e PDK-së në Lipjan ka vlerësuar që unë duhet të jem pjesë e listës së PDK-së. Kjo ka ardhë edhe si rezultat i një kontributi të gjatë nëpër struktura të degës.

"Bota sot": Sa është e vështirë të jesh grua në politike?

Lumturije Bytyqi Hasani: Unë politikën nuk e shoh si arenë ku dominojnë burrat. Çdo grua që është e vendosur për synimin që ka, asnjë barrierë nuk është e pathyeshme. Prandaj, mjafton vullneti dhe vendosmëria jonë dhe çdo gjë bëhet e lehtë. Ne kemi shumë shembuj në politikën vendore që na dëshmojnë që gratë janë potencial në politikë.

“Bota sot”: Gatë publikimit të listave të kandidatëve, a mendoni se i është dhënë hapësirë e mjaftueshme femrave në të gjitha partitë?

Lumturije Bytyqi Hasani: Partitë politike kryesisht kanë respektuar kuotën gjinore si obligim ligjor. Ka nevojë ende për avancim në këtë drejtim sepse deri në barazi gjinore çdo gjë tjetër është jobarazi.

"Bota sot": A do të jeni zëri i fuqishëm i grave në Kuvendin e Kosovës?

Lumturije Bytyqi Hasani: Gratë kanë nevojë për zë të tyre në çdo institucion. Padyshim, që zëri i grave është prioritet mbi prioritete të mia dhe zotim që do të më ndjek në çdo tribunë ku do të dëgjohet zëri im.

“Bota sot”: A është e gatshme PDK-ja edhe për ndonjë koalicion pas zgjedhor?

Lumturije Bytyqi Hasani: PDK asnjëherë nuk ka vendosë vija të kuqe ndaj asnjë partie politike. Ne synojmë të kemi një fitore të thellë por nëse koalicionet janë të pashmangshme janë organet e PDK që do të vendosin se me kënd do të bashkëpunojmë.

“Bota sot”: A ka ndikuar arrestimi i Veselit nga Specialja në udhëheqjen e PDK-së?

Lumturije Bytyqi Hasani: Mungesën e Kryetarit Veseli PDK e ka kthyer në forcë. Ai dhe Presidenti Thaçi janë motivi më i madh i mobilizimit të elektoratit tonë.

“Bota sot”: A mendoni që Specialja po i humbë imazhin UÇK-së?

Lumturije Bytyqi Hasani: Jo vetëm Specialja, por nuk ka forcë dhe autoritet që mund të rishkruaj historinë tonë. Historia jonë tashmë është shkruar dhe dëshmon luftën e pastër të UÇK-së për liri. Epilogu i procesit gjyqësor në Speciale vetëm sa do ta forcojë këtë të vërtetë të patjetërsueshme.

"Bota sot": Në fund a keni ndonjë mesash për anëtarësinë dhe ma konkretisht për votuesit tuaj?

Lumturije Bytyqi Hasani: Mesazhi im për elektoratin është që të mobilizohen sa më shumë, të shfrytëzojë secili të drejtën për votë. Kam një mesazh të veçantë për gratë, votoni sa më shumë kandidatet gra sepse fuqizimi i grave në politikë fillon nga kutia e votimit. Sa më të fuqishme dalin gratë nga zgjedhjet aq më e madhe është mundësia e avancimit të pozitës së grave në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat