U largua nga AKR-ja dhe iu bashkua Vjosa Osmanit: Do ta çojmë përpara amanetin e Ibrahim Rugovës

Intervista

U largua nga AKR-ja dhe iu bashkua Vjosa Osmanit: Do ta çojmë përpara amanetin e Ibrahim Rugovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 shkurt 2021 Në ora: 20:15
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Rejhan Vuniqi është anëtarja e re Listës së Vjosa Osmanit e cila në këto zgjedhje garon së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo në një intervistë për “Bota sot” ka shpjeguar për kalimin e saj në Listën e Osmanit dhe largimin nga Aleanca Kosova e Re.

Poashtu ka folur për veçantitë e Listës dhe rolin e saj në atë parti.

Derisa, Qeverinë e Hotit e ka komentuar si të dështuar në mungesë të një strategjie të mirëfilltë dhe mungesë të politikave të duhura për ta tejkaluar situata, atë me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërsa sa për postin e Presidentit, Vuniqi thotë se ajo tash është realitet dhe shpjegon se po merr drejtimin e duhur.

Image
Rejhan Vuniqi

“Bota sot”: Ju ishit në AKR, u larguat dhe pastaj shkuat në Listën e Vjosa Osmanit, pse?

Rejhan Vuniqi: Kam qenë pjesë e AKR që nga viti 2007, d.m.th nga dita e parë kur edhe ka filluar aktivitetin e saj si parti politike në Kosovë, tashmë është bërë një vit që unë nuk jam më pjesë e AKR-së. Duke i parë zhvillimet e fundit politike dhe iniciativën e Vjosës për të sjellë diçka të re në skenën politike, e sidomos për ta rikthyer frymën Rugoviane e cila po i mungon Kosovës dhe qytetarëve të saj, vendos t’i bashkohem kësaj iniciative dhe ta mbështes në të gjitha format e saj.

“Bota sot”: Cili do të jetë roli juaj në atë parti?

Rejhan Vuniqi: Ne kemi filluar me procedurat e regjistrimit të partisë e cila fatkeqësisht nuk mundi të marr jetë para zgjedhjeve, por që shumë shpejt do të fillojë të funksionojë si parti politike e regjistruar me të gjitha strukturat dhe degët e saja anë e mbanë Kosovës. Është akoma herët të flitet për role dhe pozita brenda partisë por një gjë është shumë e sigurt, janë njerëzit më kredibil dhe të dinjitetshëm që do të jenë zëri dhe zemra e kësaj partie, ekspertë të fushave të ndryshme, rini e shkolluar dhe anëtarësi lojale dhe e devotshme për të çuar përpara vizionin e lideres së partisë Vjosa Osmani dhe amanetin e Presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Bota sot”: Çfarë mendoni se e bën të veçantë Listën e Osmanit?

Rejhan Vuniqi: Ka shumë elemente që e bëjnë të veçantë Listën e Osmanit, siç e ceka edhe më lartë, përveç vizionit dhe urtësisë që ajo e paraqet dhe përfaqëson, si pasardhëse e Presidentit historik Ibrahim Rugova, ajo do të jetë padyshim ndryshimi kryesor dhe mëse i nevojshëm i skenës politike dhe qytetarëve të Kosovës. Është e vetmja politikane në Kosovë që me fanatizëm dhe dashuri mbajti gjallë frymën dhe vlerat Rugoviane, duke e dëshmuar çdo ditë e më shumë që vetëm me punë, qëndrueshmëri, unitet dhe pajtueshmëri, mund të thyhen barrierat dhe pengesat e kujtdo qofshin ato për të çuar përpara vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për një Kosovë çfarë e duan ata dhe gjeneratat që do vijnë pas.

“Bota sot”: Keni ndonjë parashikim për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit? Deri më tani kemi parë disa sondazhe, por disa subjekte politike i kanë kontestuar?

Rejhan Vuniqi: Fituesi i zgjedhjeve të 14 Shkurtit tashmë po dihet, domethënë përveç që është krijuar fryma për ndryshim dhe kjo është evidente kudo që të shkosh dhe me kënd të flasësh, janë edhe sondazhet e bëra ditëve të fundit e sidomos sondazhi i fundit i bërë nga Albanian Post, e cila e vulosë bindjen dhe kërkesën e qytetarëve për këtë ndryshim, e ky ndryshim ka emër, LVV-Lista Vjosa. Është e kuptueshme dhe shumë normale që partitë politike të mos pajtohen për rezultatet e sondazheve, por kësaj radhe nuk janë vetëm ato treguesi kryesor i fituesit të këtyre zgjedhjeve, janë qytetarët dhe mbështetja e tyre masive që e tregojnë dhe e shfaqin në të gjitha format.

“Bota sot”: Tash që jeni pjesë e Listës së Osmanit, dhe ajo pretendon të bëhet Presidente, sa ka gjasa që ajo të ndodh?

Rejhan Vuniqi: Mendoj se në këtë rast nuk flitet më për gjasa por për një realitet i cili veç ka filluar të marr drejtim. Vjosa Osmani është kandidate për Presidente të Republikës së Kosovës dhe ajo padyshim se do të jetë edhe në pesë vitet e ardhshme. Këtë më së miri do ta tregojnë qytetarët e Kosovës me 14 Shkurt kur edhe masivisht do ta mbështesin dhe do ta përqafojnë këtë kandidaturë me votën e tyre, votë kjo e cila do ta religjitimojë Vjosa Osmanin për Presidente të Kosovës.

“Bota sot”: Të flasim pak për Qeverinë Hoti. Cili është vlerësimi i juaj në përgjithësi për punët e saj gjatë kësaj periudhe?

Rejhan Vuniqi: Qeveria Hoti ka marrë timonin e qeverisë në kohë mjaft të rënda, duke marrë parasysh pandeminë dhe gjendjen e rëndë ekonomike te trashëguar dhe tani të përkeqësuar edhe tutje nga pandemia. Sfida më e madhe që kishte kjo qeveri ishte, menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike. Në të dyja rastet dështoi duke mos pasur strategji të mirëfilltë dhe mungesë të politikave të duhura për ta tejkaluar këtë situatë. Shëndetësia vazhdon akoma të jetë në kolaps duke na munguar shërbimet bazë për trajtimin nga COVID-19 dhe duke i detyruar qytetarët e pashpresë që trajtimin dhe shërimin nga ky virus ta bëjnë me mjete vetanake.

“Bota sot”: Prej shpalljes së zgjedhjeve, partitë politike tashmë kanë filluar aktivitetet elektorale në terren. Si po e shihni ju këtë parafushatë?

Rejhan Vuniqi: Sa më shumë që po i afrohemi ditës së zgjedhjeve të 14 Shkurtit, aq më agresive është duke u bërë edhe gjuha nga një pjesë e partive politike dhe jo vetëm. Akuzat e ndërsjella, ofendimet dhe etiketimet ndaj njëri-tjetrit nuk mund të quhen në asnjë mënyrë normale apo të thuhet se është fushatë dhe çdo gjë lejohet. Incidentet e fundit në veri të Mitrovicës dhe në Skenderaj kalojnë pa dyshim çdo lloj etike të fushatës përveç se në të parën pritej një gjë e tillë! Është gjithashtu e papranueshme që partitë politike ende ndahen me regjione dhe duket sikur ato pjesë i kanë përvetësuar dhe çdo tentim i ndonjë partie për të shpalosur programin e tyre dhe të kërkojnë votën në atë vend, nuk është i mirëpritur dhe mund edhe të sulmohet, siç ishte rasti në Skenderaj. Kosova është e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh bindjeve të tyre partiake.

“Bota sot”: Mendoni se do të sjellin zgjidhje për Kosovën, zgjedhjet e 14 shkurtit?

Rejhan Vuniqi: Ne patëm fatin e keq që brenda një viti të kemi dy herë qeveri te re. Në kushte normale dhe vende të zhvilluara demokratike kjo do të ishte e papranueshme dhe absurde. Zgjedhjet e reja automatikisht nënkuptojnë edhe shpresë e re dhe zgjidhje të problemeve të vjetra. Të dyja qeveritë e kaluara që i patëm gjatë vitit 2020, trashëguan probleme dhe sfida të rënda për shtetin. Asgjë nuk u zgjidh për arsyet që tashmë i dimë të gjithë, por, një është e sigurt, qeveria e re që do të vie, ka para vetes tri sfida të mëdha që kërkojnë zgjidhje të mençur dhe të kujdesshme, e ato janë: pandemia, rimëkëmbja ekonomike dhe dialogu me Serbinë. Kjo e fundit, padyshim se do të jetë temë e nxehtë dhe mjaft e rëndë për qeverinë e re, por shumë e domosdoshme dhe e nevojshme për proceset integruese të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat