Driton Jakupi: Kauza e Haradinajt për President të vendit po përkrahet fuqishëm edhe tek populli

Intervista

Driton Jakupi: Kauza e Haradinajt për President të vendit po përkrahet fuqishëm edhe tek populli

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 shkurt 2021 Në ora: 17:57
Ramush Haradinaj dhe Driton Jakupi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Driton Jakupi ka treguar arsyen pse ka vendosur të hyjë në skenën politike. Ai ndër të tjera foli edhe për gjendjen aktuale politike në vend.

Jakupi thotë që gjendja në vend në përgjithësi është stabile edhe pse gjendemi në prag të zgjedhjeve dhe në një kohë pandemie. Duke shtuar që zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë kanë qenë në kohë jo të duhur për shkak se gjendemi në një kohë pandemie dhe situatat e fundit me aktakuzat kanë rënduar situatën politike në vend.

Kandidati për deputet tregon se arsyeja që e ka nxitur të hyjë në politik ka qenë gjendja aktuale në vend dhe kontributin që mund të jap për vend pasi që Jakupi ka kontribuar në skenën artistike më herët e AAK-ja ishte e vetmja parti që i ka jepur mundësi të rinjve të jenë pjesë e saj, duke mos lënë anash as kontributin që Haradinaj dhe familja e tij kanë dhënë gjatë luftës.

Gjithashtu, Jakupi thotë do të jetë zëri i secilit qytetarë në Kuvendin e Kosovës dhe se emri I duhur për postin e presidentit për vendin tonë do të jetë Ramush Haradinaj.

Ndërsa në lidhje me vijat e kuqe të AAK-së me partitë e tjera ai shton që AAK-ja gjithmonë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe lehtësimin e situatës politike në vend.

Mesazhi i kandidatit për deputet për të gjithë votuesit është që të dalin të gjithë të votojnë dhe t’i votojnë njerëzit me vlera, dhe më të mirët që ata mendojnë se janë nëpër listat e subjekteve politike.

Mirëpo që një President me kredibilitet të lartë siç është z. Haradinaj do t’i duhet vendit më shumë se kurrë më parë që t’u prijë proceseve të rëndësishme, drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale politike në vend?

Driton Jakupi: Situata politike në vend në përgjithësi mendoj se është stabile, pavarësisht që tanimë gjendemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe rivalitetet në mes partive politike veçse kanë filluar në këtë kohë fushate, e sigurisht: kush më shumë e kush më pak, po i ofrojnë zgjidhjet më të mira të problemeve të vendit dhe mendoj që nuk vërehet ndonjë tensionim i madh politik në vend, pavarësisht disa incidenteve të vogla që mund t’i shohim në teren!

“Bota sot”: A ishin opsion i duhur zgjedhjet në këtë kohë pandemie?

Driton Jakupi: Personalisht mendoj që zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat janë shpallur, dhe do të mbahen në këtë fillim vit, më së paku iu kan dashur Kosovës, sepse vitin që shkoi kishim një situatë mjaft të rëndë në të gjitha aspektet për shkak të pandemisë Covid-19, dhe mendoj që viti që shkoi ishte një vit i mbrapsht për të gjithë botën normalisht, e për Kosovën veçanërisht, duke e ditur se në çfarë situate gjendet populli ynë në aspektin ekonomik! Zgjedhjet të cilat pritet të mbahen së shpejti, pra me 14 shkurt 2021, nuk iu kanë dashur Kosovës aspak, mirëpo për shkak të rrethanave të krijuara, ku kishim një qeverisje fillimisht të luhatur, pastaj të rrëzuar, e më pastaj një qeveri të formuar, e që nga gjykatat vendore u shpall si qeveri jolegjitime, zgjidhja e vetme ishin zgjedhjet! Pastaj nuk duhet harruar që situata politike në vend veç se u përkeqësua edhe më, pas aktakuzave të ngritura ndaj krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, dhe mendoj që nuk mbeti zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve. Pra, mendoj që zgjedhjet nuk janë në momentin e duhur në këtë kohë pandemie, por gjithashtu mendoj se ishin të domosdoshme. Vendi mbeti me ushtrues detyre të presidentit e pa qeverisje, prandaj detyrimisht u deshtë që vendi të shkoj në zgjedhje. Nuk mbeti opsion tjetër!

“Bota sot”: Cila ishte arsyeja që vendosët të hyni në skenën politike!

Driton Jakupi: T’u them të drejtën asnjëherë gjerë më tani nuk kam menduar se do të jem njeri i politikës, për arsye sepse ndoshta kam qenë më shumë tip shkencëtari, e pastaj veten time më herët e kam parë edhe si artist më shumë, sepse për një kohë të gjatë i kam shërbyer edhe artit në qytetin tim, dhe më gjerë, dhe ja, erdhi momenti dhe u kyça në politikë! Arsyeja pse vendosa të futem në politikë ka shumë, mirëpo duke e pare veten se mund të jap kontribut edhe në aspektin politik, vendosa të kyçem, edhe pse në një moment mjaft të vështirë dhe delikat, sepse koha është shumë e shkurtër për të treguar rezultate të larta! Gjithashtu mendoj që një ndër arsyet kryesore pse vendosa të hy në politikë, është sepse mund të jap një kontribut të çmuar, dhe më të gjerë për veten dhe qytetarët në përgjithësi, pavarësisht sfidave të cilat më presin.

“Bota sot”: Pse pikërisht AAK-ja, ishte zgjedhja e juaj?

Driton Jakupi: Duke e vlerësuar lart figurën emblematike të Ramush Haradinajt, dhe familjes së tij në përgjithësi, si dhe duke u bazuar në sakrificat e tij prej para luftës, gjatë luftës, dhe pasluftës, pra duke e parë vendosmërinë e tijë si një njeri i pathyeshëm në çdo proces që e ka kaluar Kosova, vendosa që t’i bashkohem presidentit në ardhje dhe subjektit të tij politik! Arsye tjetër mund të them lirisht që është edhe hapësira e mjaftueshme që iu është dhënë njerëzve të rinj për të treguar njohuritë profesionale të çfarëdo profesioni që i takojnë. Gjithashtu nëse e marrim arsyen tjetër pse i jam bashkuar pikërisht AAK-së, është sepse 70% e listës së kandidatëve janë të gjeneratave të reja, dhe që asnjëherë më parë nuk kanë qenë pjesë e politikës, apo ndonjë subjekti tjetër politik. Pra këto janë disa nga arsyet, për të mos u zgjatur më shumë në arsyet e mia!

“Bota sot”: Zëri i kujt do të jeni nëse zgjidheni deputet i Kuvendit të Kosovës?

Driton Jakupi: Unë mendoj se do të jem zëri i secilit qytetarë të Republikës së Kosovës pa dallime, por njëri ndër fokuset kryesore të mia, do të jenë rinia normalisht, si dhe njerëzit me kualifikime të larta, sepse deri në këto momente që tani jam kandidat për deputet, kam qenë dhe do të jem si çdo i ri vendit tim, por tani me një kandidaturë të shpallur me pretendime për t’u bërë deputet i Kuvendit të Republikës tonë, dhe për ta ngritur zërin për secilin qytetarë të vendit tim, për tema të ndryshme me rëndësi…

“Bota sot”: A ka biseduar AAK me ndonjë subjekt për koalicion paszgjedhorë?

Driton Jakupi: Me aq sa kam njohuri, nuk kam dëgjuar ose mê mirë them se nuk kam njohuri të sakta, se a kanë biseduar nga AAK me ndonjë subjekt për koalicione paszgjedhore, mirëpo mendoj që zotëri Haradinaj nuk do të merr vendime të gabuara për bërjen e koalicionit paszgjedhorë.

“Bota sot”: A ka vija të kuqe AAK-ja me partitë tjera politike për koalicione?

Driton Jakupi: Gjerë më tani nuk kam hasur në ndonjë qëndrim të prerë nga njerëzit kryesorë të AAK-sê, se nuk do të bëjmë koalicione me këtë ose me atë subjekt politik, pra nuk kam hasur në qëndrime të prera, por gjithashtu mendoj që, në momentin që kërkohet ndihmë rreth formimit të qeverisë nga AAK-ja, kryesia dha kryetari i AAK-së, mendoj që jenë për të lehtësuar rrethanat politike për formimin e qeverisë së re, sepse pavarësisht trumbetimeve të partive tjera politike, se jo do marrim kaq %, jo aq % të votave, AAK-ja e ka një stabilitet të elektoratit, dhe sivjet presim të ketë edhe rritje për një përqindje të caktuar, që mendoj se është edhe në të mirën e vendit për lehtësimin e rrethanave politike.

“Bota sot”: A mendoni se Haradinaj është emri i duhur për postin e presidentit?

Driton Jakupi: Po, gjithsesi që mendoj se pikërisht emri i Z.Haradinaj është emri më i duhur për postin e presidentit të vendit, për shkak se gjatë gjithë këtyre viteve të z. Haradinaj në politikë, e ka dëshmuar vetën se është njeri i cili mund të bëj shumë për Kosovën! Ishte njeri i dëshmuar në luftë, e ashtu edhe në paqe. 100 ditëshi i qeverisjes së tij gjatë mandatit të parë, kur ishte president i ndjeri Ibrahim Rugova, edhe sot e asaj dite mbahet në mend, pastaj edhe gjatë qeverisjeve të mëvonshme si Kryeministër i vendit dy herë radhazi, e ka dëshmuar vetën se është njeri i unifikuar dhe vendimmarrës për procese shumën të rëndësishme. Gjithashtu nuk duhet harruar ta përmendim formimin e Ushtrisë së Kosovës, si një ndër shtyllat kryesore të shtetit tonë gjatë qeverisjes së tij, gjithashtu ligji për Trepçën, ligji për Prishtinën, e nuk duhet harruar as vendosja entakses 100% ndaj produkteve serbe. Pra ka shumë faktorë që na bindin që është i vetmi emër i duhur për President të vendit z. Haradinaj.

Këtu, duhet mos të harrojmë që edhe dërgimi në Hagë i krerëve të UÇK-së, disi na ka dobësuar si popull në përgjithësi, dhe i vetmi njeri që mund ta përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i përfaqësuar edhe ata të cilët gjenden nëpër gjykata është z. Haradinaj.

Prandaj është njeriu i duhur në momentin e duhur për President të vendit, duke mos harruar edhe zotimin e z.Haradinaj, se nëse nuk anëtarësohemi në OKB, NATO e BE brenda 4 viteve, atëherë do ta marr iniciativën për shpalljen e referendumit për bashkim kombëtarë me Shqipërinë, pavarësisht pozicionit në të cilin gjendem, dhe kjo është porosi e qartë për të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga këto zgjedhje!

Driton Jakupi: Pritshmëritë e mija nga këto zgjedhje janë të mira në përgjithësi, sepse unë mendoj se do ta kemi një qeveri stabile dhe afatgjate, shpresoj me mandat të plotë, sepse edhe populli është mjaft i lodhur me zgjedhje të shpeshta parlamentare dhe komunale. Pse po e them këtë, është sepse mendoj që kombinimi më I mirë dhe më real është që në këto zgjedhje do të bëhet edhe zgjedhja e Presidentit të vendit në krye me z.Haradinaj, si dhe mendoj që do ta kemi edhe kryeministrin e dalur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Prandaj kauza e z. Haradinaj për President të vendit po përkrahet fuqishëm edhe tek populli, pavarësisht frustrimit të tyre për një ndryshim rrënjësorë të pushtetit, dhe përkrahja për kauzën e tij për President veç sa ka shtuar shpresat për një përfaqësim të dinjitetshëm të shtetit tonë, si në aspektin e brendshëm politik ashtu edhe në aspektin e jashtëm, pra diplomatik.

“Bota sot”: Cilin është mesazhi juaj për të gjithë votuesit e zgjedhje të 14 shkurtit?

Driton Jakupi: Mesazhi im për të gjithë votuesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, është që të dalin masivisht në zgjedhje, dhe ta shfrytëzojnë këtë momentum mjaft të rëndësishëm për vendin, si dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej sovrani, t’i votojnë njerëzit me vlera, dhe më të mirët që ata mendojnë se janë nëpër listat e subjekteve politike. Kosovën e presin procese shumë të rëndësishme politike në muajt dhe vitet në vazhdim, prandaj zgjedhjet janë mesazhi më i mirë se kush duhet të udhëheqë me vendin. Unë mendoj se me një President me kredibilitet të lartë siç është z.Haradinaj do t’i duhet vendit më shumë se kurrë më parë që t’u prijë proceseve të rëndësishme, drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB, dhe Kosova duhet të ketë stabilitet të brendshëm politik fillimisht, pastaj në këtë mënyrë do të respektohet edhe nga vendet mike, dhe dalim me ballë hapur edhe para vendeve jo mike (armike).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat