Imet Rrahmani: LDK do të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve

Intervista

Imet Rrahmani: LDK do të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 12 shkurt 2021 Në ora: 10:26
Imet Rrahmani

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Imet Rrahmani, shprehet i bindur se partia e tij do të jetë fituesja më e madhe e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas tij, do të fitoj normaliteti politik, qeverisja stabile dhe forcimi i shtetit.

Rrahmani në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se është i befasuar nga gatishmëria e qytetarëve për të qenë aktiv në zgjedhje.

Gjithashtu, ish ministri i Shëndetësisë ka folur edhe për menaxhimin e Covid19 në vend, si dhe për tubimet e partive politike gjatë periudhës së pandemisë.

Më tej, ai ka përmendur edhe fushatën që është bërë ndaj LDK-së nga kundërshtarët politikë.

Për ish nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmanin ka thënë se ajo e ka ndarë mendjen më herët me politikat e partisë.

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet politike në vend?

Imet Rrahmani: Kosova ka nevojë për rrethana shumë më stabile politike. Tash jemi në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat pothuajse janë bërë të zakonshme, sepse asnjë legjislaturë nuk po e mbyll mandatin e plotë. Thënë të drejtën, kjo edhe mund të ketë të mirat e saj, por arsyeja për çka po ndodhin është shqetësuese.

“Bota sot”: Të flasim pak për Qeverinë Hoti. Cili është vlerësimi i juaj në përgjithësi për punët e saj gjatë kësaj periudhe?

Imet Rrahmani: Mendoj se Qeveria Hoti, edhe pse e ka marr qeverisjen në kohë shumë të rëndë, ka arritur që shpejt qeverisjen ta kthej në normalitet, kujdesshëm të menaxhoj pandeminë, të mbaj një lloj ekuilibri ekonomik e social dhe çka është shumë e rëndësishme për vendin, të rikthej besimin e SHBA-ve në Qeverinë e Kosovës. Thënë shkurt, qeverisje normale në rrethana aspak normale, disa të krijuara nga arroganca dhe papjekuria qeverisëse e kryeministrit paraprak, e disa nga rrethanat e pandemisë.

“Bota sot”: Ju keni zhvilluar takime të shumta në gjatë kësaj kohe, cili është disponimi i përgjithshëm për zgjedhje?

Imet Rrahmani: Unë jam i befasuar nga gatishmëria e qytetarëve për të qenë aktiv në zgjedhje, për të qen pjesëmarrës në takime dhe për t`i kontribuar procesit. Qytetarët e vendit me të drejtë herë-herë kanë abstenuar nga proceset e shpeshta zgjedhore, por në këto zgjedhje atmosfera është ndryshe nga ajo që pritej e prezantohej në media e debate. Pra ka një mirëkuptim.

“Bota sot”: A do të jetë LDK-ja fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Imet Rrahmani: Një kohë të gjatë është bërë një kampanjë mediatike kundër LDK-së, edhe me debate të porositura që shpesh po quhen “komerciale”, edhe me një fushatë brutale, të egër dhe aspak civilizuese nga militantë dhe njerëz të paguar të VV kundër çdo gjëje që përfaqëson LDK. U krijua percepcioni se kinse LDK është në nivelet e saja më të ulta sa i përket numrave, por dalja në teren, komunikimi me votuesin dhe oferta shumë serioze programore dhe përfaqësuese në listën për deputet, e ka thyer këtë percepcion.

Zhvillimet e fundit po demaskojnë rrenën e madhe që ka ngritur kampi i kuq kundër LDK-së. U demaskua edhe mashtrimi rreth marrëveshjes së Uashingtonit, u pa sa janë patriot edhe në veri të Mitrovicës edhe në Shtërpcë, u pa sa janë të interesuar me i ofru votuesit përfaqësim dinjitoz me futjen në listën për deputet plot njerëz të dënuar apo me aktakuza, etj.etj

Pra, LDK do të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve me 14 Shkurt, por mbi të gjitha do të fitoj normaliteti politik, qeverisja stabile dhe forcimi i shtetit. 14 Shkurti do të jetë dita e rikonfirmimit të rrugës së Kosovës ka perëndimi dhe jo nga lindja e cila gjithmonë popullit shqiptar i ka shkaktuar vuajtje dhe mjerim.

“Bota sot”: Si e komentoni largimin e Vjosa Osmanit nga partia e juaj, a do të ndikoj kjo në zvogëlimin e votave elektorale në këto zgjedhje?

Imet Rrahmani: Vjosa ka nda mendjen më herët me politikat e LDK-së. E ka pa veten diku tjetër. Unë, si ish kolege mundem vetëm me i urua shëndet.

“Bota sot”: Si e shihni menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Hoti, përkatësisht të ministrit Armend Zemaj?

Imet Rrahmani: Menaxhim i kujdesshëm, pa ndërhyrje të pamatura, koordinim i mirë me institucionet profesionale shëndetësore, koordinim i mirë me donator. Diçka që është brenda asaj çka po bëjnë edhe vendet për rreth dhe Evropa.

“Bota sot”: A do të ndikojë në rritjen e numrit të infektuarve nga Covid19 takimet e shumta gjatë fushatës zgjedhore?

Imet Rrahmani: Unë si mjek jam tejet i shqetësuar për shkak të tubimeve. Unë kam prit rritje të madhe të numrit. Shpresoj kjo të mos ndodh. Nëse nuk ndodh diçka e mirë dhe në heshtje ka ndodh me këtë popull. Të shohim.

“Bota sot”: Ju jeni mjek me profesion, cila janë mundësit e Kosovës në luftën me pandeminë? A mund të arrijë Kosova imunitetin e masës, apo duhet patjetër të vaksinohen qytetarët?

Imet Rrahmani: E thash, nëse nuk do të kemi rritje të rasteve unë besoj te imunizimi në masë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat