“Vetëvendosje do të qeverisë e vetme, Qeveria Kurti II që do t’ua kthejë shpresën qytetarëve”

Intervista

“Vetëvendosje do të qeverisë e vetme, Qeveria Kurti II që do t’ua kthejë shpresën qytetarëve”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 shkurt 2021 Në ora: 11:58
Albin Kurti

Me Lëvizjen Vetëvendosje në Qeveri, qytetarëve do tu kthehet shpresa. Kështu mendon kandidatja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albana Morina Xharra.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ajo ka thënë se nëse merr votat e nevojshme për të qenë deputete, do të shtyjë përpara mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, fuqizimin e grave, kujdesin ndaj ambientit, mbështetjen e prodhimit vendor dhe shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas saj, Qeveria Hoti u formua për ta penguar një qeveri legale dhe me legjitimitet nga populli, që ishte Qeveria Kurti.

Sa i përket sondazheve, mendon se janë të rëndësishme për partitë që do të jenë në vendin e dytë dhe të tretë, pasi VV do të arrijë qeverisjen e shumicës, pa nevojën e partive tjera.

Image
Albana Morina Xharra.

“Bota sot”: Çfarë prisni në përgjithësi nga këto zgjedhje? 

Albana Morina Xharra: Nga këto zgjedhje të shndërruara në referendum pres ndryshim rrënjësor të mënyrës së qeverisjes. Qeverisja Alternative e Vetëvendosje-s, që ka për prioritet punësimin e drejtësinë, kurse në qendër luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, do t’ia kthejë shpresën qytetarëve, e do ta bëjë Kosovën vend më të jetueshëm.  

“Bota sot”: Pse keni vendosur të futeni në garë për deputete dhe pse pikërisht me Vetëvendosjen? 

Albana Morina Xharra: Kandidaturën për deputete ja kam shtuar angazhimit tim politik të deritanishëm. Dua të shtyjë përpara mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, fuqizimin e grave, kujdesin ndaj ambientit, mbështetjen  e prodhimit vendor, dhe shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e Republikës tonë. Këto janë të domosdoshme për zhvillim të qëndrueshëm të vendit, për këto qëndron Lëvizja Vetëvendosje!, dhe për këto do të jem zë në Kuvendin e Republikës.  

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Vetëvendosjes? 

Albana Morina Xharra: Vetëvendosje! është një subjekt demokratik që në rrugëtimin e vet nuk është komprometuar asnjëherë. Ajo i ka qëndruar ballë çdo kundërshtie të paligjshme e të padrejtë që ka provuar ta pengojë drejt pushtetit. Me parimësi e me program ka lexuar e ka përkthyer një alternativ qeverisëse për zhvillimin e vendit. Deri më tani kemi parë 52 ditë qeverisje të saj dhe për aq pak kohë vendit iu kthye shpresa. Tani po shohim mbështetjen më të madhe për të, sepse kjo shpresë po pret të materializohet si e dyfishuar nga qytetarët që në fund të ditës janë vlerësuesit më të saktë.  

“Bota sot”: Ç̧farë mendimi keni për Qeverinë Hoti dhe punën e tij të deritanishme?  

Albana Morina Xharra: Qeveria Hoti, ashtu siç e kemi thënë, ishte qeveri e paligjshme. Qeveri që u formua si e tillë për ta penguar një qeveri legale e me legjitimitet nga populli. Nuk besoj se do të kemi më një qeveri të tillë në Kosovë.  

“Bota sot”: Sondazhet ju vendosin të parët, sa ju besoni ju atyre edhe pse nga partitë tjera kontestohen? 

Albana Morina Xharra: Sondazhet janë bërë të rëndësishme për vendin e dytë e të tretë. Vetëvendosje-s besoj që do arrijë ta krijojë qeverisjen e shumicës pa nevojën e partive të vjetra. 

“Bota sot”: Po fushatën, si po e vlerësoni edhe pse kohë pandemie? 

Albana Morina Xharra: Pandemia e ka vështirësuar fushatën. Në vend të tubimeve tani kemi takime, por mund të them se edhe këto takime janë të ngrohta e produktive. Nga mëngjesi deri në mbrëmje jam në terren por prapë nuk po arrij t’i takoj të gjithë. Për këtë ju kërkoj ndjesë të gjithë qytetarëve që ende nuk pata rastin t’i takoje.  

“Bota sot”: A prisni të zgjedheni deputete dhe cilat do të ishin disa nga çështjet që ju do t'i jepni më shumë zë? 

Albana Morina Xharra: Pres të jem pjesë e legjislaturës së 8-të, e aty më së shumti do ta ngris zërin për të drejtat e punëtorëve, fuqizimin e grave, ambientin dhe prodhimin vendor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat