Kujtimet e ish oficerit të lartë të Mbrojtjes Kundërajrore Bejo Hoxhaj- Vizita e Hysni Kapos në shkollën e oficerëve ishte mbresëlënëse

Intervista

Kujtimet e ish oficerit të lartë të Mbrojtjes Kundërajrore Bejo Hoxhaj- Vizita e Hysni Kapos në shkollën e oficerëve ishte mbresëlënëse

Nga: Albert Z. Zholi Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 16:33
Bejo Hoxhaj

-Si përgatitëm shtratin e topit për të vënë arkivolin e Enver Hoxhës dhe Myslym Pezës

-Si e gjeta Sazanin në vitin 1953 kur u emërova komandant baterie.

- Në ishullin e Sazanit kishte dy kodra, kodra Stalin dhe kodra Salvadore.

- U caktova si komandant baterie në kodrën Salvadore.

- Në Krime shkova me një vapor, që kishte ardhur Hrushovi në Shqipëri dhe quhej “Pompjeta

Ai ka mbajtur vazhdimisht shënime. I ka lënë ashtu në vite, pasi jeta e tij është e mbushur me ngjarje. Qysh në rininë e tij filloi shkollën për oficer kundërajror dhe më pas disa kurse në B.S, për raketa dhe për artileri kundërajrore. Kur rrëfen ai herë pas here hesht që të mbledhë mendimet. I ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, që nga Sazani e deri në Shkodër. Më shumë në repart se sa në shtëpi. Reparti për të ishte shtëpia e parë. Në reparte kaloi moshën më të bukur të jetës. Por ai tregon bukur udhëtimet për në Krime, qëndrimin në Stamboll dhe për më tej stërvitja një vjet e gjysmë në Siberinë e largët, ku shihje vetëm akull. Asnjëherë nuk e kishte besuar se do të jetonte mbi një vit në një vend ku temperatura ishte minus 30 gradë dhe ku ishe i detyruar të pije çerek litër konjak ose vodkë. Por një nga ditët më të bukura të tij mbetet viti 1973 kur në Hamallaj, zhvilluan qitjen e parë me raketa V 750, si në kushte lufte. Dolën shkëlqyer. Ai veçon se raketat kundërajrore V 750 ishin raketa shumë cilësore, por që donin përgatitje dhe gatishmëri të lartë. Në punën e tij, një detyrë të veçantë quan atë të Komandantit të Garnizonit të Tiranës. Mendoi se do ishte më mirë, pro gaboi. Probleme pa fund. Në këtë garnizon përgatiti dhe shtratin e topit ku u vendos arkivoli i Enver Hoxhës. Por në të gjithë bisedën ai veçon për rëndësinë që i kishte dhënë partia mbrojtjes kundër ajrore. Ajo ishte një mbrojtje e fortë, unike dhe e shkallëzuar në gjashtë nivele, apo lartësi.

Labëria është krahina me më shumë oficerë ndër vite. Po ju kur e filluat shkollën si oficer dhe ccfarë mbani mend nga ajo shkollë? Kush nga udhëheqësit e kohës ka ardhur aty?

Kjo është e vërtetë. Labët e kanë pasur profesion të parë të qenit oficer. Shkollën e fillova në vitin 1950 dhe e mbarova në vitin 1952. Shkova në Shkollën e Bashkuar Enver Hoxha. Atëhere ashtu ishte shkolla 2 -vjeçare pasi kishte shumë nevojë për kuadro. Komandant Shkolle kishim Qazim Kapisyzi. Kërkesat ishin të mëdha, disiplina e madhe. Por ne ishim të privilegjuar në atë kohë. Ka ardhur Hysni Kapo. Ai gëzonte respekt të madh. Kur erdhi ne e pritëm me nderime dhe me parakalime. Hysniu na tha se ju jeni ata që do keni fatet e atdheut në dorë. Pasi bëri përshëndetjen ai shkoi me komandantët e shkollës për të biseduar. Unë në atë kohë isha 20 vjeç.

Ku të emëruan kur mbarove shkollën?

Kur mbarova shkollën na dhanë një muaj pushim dhe në muajin tetor unë u paraqita në Vlorë tek Komanda e Brigadës aty. Kur u paraqita më thanë se që nga Shkolla e Bashkuar je caktuar në Sazan, pra në Ishull, konkretisht në kodrën Salvadore. Në ishullin e Sazanit kishte dy kodra: kodra Stalin dhe kodra Salvadore. Unë megjithë një shokun tim Petro Markon (jo shkrimtarin, por oficer). Në atë kodër italianët kishin lënë një bateri 756 mlm prodhim të tyre. Ajo pikë ishte dominuese, ku në mëngjes aty mund të shikoje Barin, kaq e lartë ishte. Por ishte dhe pikë strategjike, pasi kishte lartësi dhe mund të vrojtoje dhe mund të hapje zjarr lehtësisht. Por ne i hoqëm topat italianë 76 mlm dhe vendosëm topat 20 mlm gjerman. Ne vendosëm topat 20 mlm pasi topat 76 mlm nuk kishim kunjat për zmbrapsje. Kishin vështirësi në zmbrapsje që mund të sillnin dëmtime edhe të vetë ushtarëve.

Sa vjet qëndrove dhe si ishte ndërtuar aty regjimi i oficerëve?

Unë aty qëndrova dy vjet 1952-1954. Aty ishim shumë të kufizuar. Ishte garnizon më vete. Aty kishte më shumë ushtarakë, por kishte dhe civilë. Pjesa perëndimore ishte e thepisur ku thellësia e detit arrinte deri në 100 metër. Por ajo pjesë ishte e minuar dhe kishte shumë shenja xheniere, ku thuhej “Kujdes, zonë e minuar”. Ne aty thuajse jetonim në repart me ushtarët. Aty rrinim, aty hanim, aty luanim. Ishim në kulmin e rinisë dhe asgjë nuk kishim për argëtim. Thuajse ishim në gjendje lufte. Unë isha komandant toge. Kushte të vështira. Ushqimet vinin me traget nga Vlora. Vetëm ti mirrje ushqimet nga anija ishte shumë e vështirë. Por kryesorja ishte mungesa e ujit. Uji vinte nga Vlora me cisterna dhe as mund te flitej për ujë të freskët. Italianët kishin bërë cisterna dhe mblidhnin nëpërmjet kanalizimeve ujin në cisterna prej betoni, ku e filtronin. Ne shumë herë pinim dhe ujë jo të pijshëm. Në Sazan kishte dhe shumë lepuj, por nuk na linin t’i vrisni, por fshehurazi edhe i vrisnim. Pesë muajt e parë ne nuk lëvizëm nga Sazani. Një ditë vjen Petrit Dume. Ne i ngritëm si problem që duam dhe pushim. Ai na tha që njëherë në muaj të shkoni me traget në Vlorë. Pra për dy vjet mund të kem dalë 10 herë në Vlorë ku takoja njerëzit e mi dhe shokët.

Ku shkove pas vitit 1954?

Më erdhi transferimi ku do të shkoja tek Rrapi Treshit në Tiranë ku do të jepja mësim tek shkolla e instruksionit, pra për kundërajror. Aty gjeta topa 76 mlm prodhim çek, kishte topa 37 mlm, 12, 7 mlm dhe 20 mlm. Unë isha përgatitur për të gjitha kalibrat. Kështu unë dhashë mësim një vit deri në vitin 1955. Aty kishte kushte më të mira, por dhe kontrolle të shpeshta nga Ministria. Pas një viti më vjen transferimi për të shkuar komandant baterie aty afër dhe pa mbushur muajin më del bursa për në B.S., Tashmë kishte hyrë viti 1956. Ishim rreth 16 veta nga kundërajrori që shkuam në shkollë në B.S., në Krime, në një qytet të vogël të tij, qytet bregdetar.

Me se shkuat në Krime?

Shkuam me një vapor që kishte ardhur Hrushovi në Shqipëri. Ishte viti 1956. vapori quhej “Pompjeta”. Ishte vapori më i mirë i B.S., së asaj kohe. Kur erdhi në Durrës u shkulën të gjithë që ta shihnin. Kur shkuam, qëndruam pak në Stamboll dhe në Rumani. Stambolli na habiti. Një mrekulli. E shikonim dhe nuk ngopeshim. U nisëm për Sevastopol. Në Sevastopol na pritën me disa mikrobusë dhe na çuan tek vendi ku do mësonim. Paraprakisht na çuan tek një muzeum “Panomama” ku kishte qindra piktura dhe shfaqeshin filma nga lufta e parë dhe e dytë botërore. Në shkollë na priti një kolonel, i cili na ndau në dhoma katërshe. Ishin kushte shumë të mira, nuk krahasoheshin me shkollën e Bashkuar. Kishte rregull dhe pastërti.

Përse mësove aty?

Aty mësuam për topat e rëndë kundërajror të drejtuar, 57 mlm, 100 mlm dhe 130 mlm. Mësimi bëhej me nivel. Deri në vitin 1957 qëndruam këtu dhe më pas na çuan në Siberi. Kështu ishte planifikuar.

Përse ju çuan në Siberi?

Atje duhet të mësonim për raketa kundërajrore tokë ajër. Ato ishin instaluar aty për efekt sigurie dhe ruajtje sekreti. Aty ishin raketa V-750. Ishin raketat e fundit ruse shumë të mira. Këtu qëndruam një vit e gjysmë. Aty ishte 30 gradë nën zero. S’kishim ku të shkonim. Ishim si në burg. Aty kishte vetëm akull. Ndaj ju përkushtuam më shumë mësimeve. Veshja ishte veshje ariu. Të mbuluar kokë dhe këmbë. Nuk dallohej se kush ishte grua dhe kush burrë. Pasi dukeshin të gjithë njëlloj. Aty kishte nga të gjithë vendet ish komuniste. Për një vit e gjysmë ne mësuam shumë gjëra për raketat. Por mësimin e bënim brenda në auditorë. U kthyem në vitin 1959. Kur u ktheva më caktuan në shkollën e instruksionit në Pezë Helmës për raketat. Do jepja mësim për frekuencën e ulët. Këto frekuenca kishin kabina më vete. Ushtarët ishin të gjithë me shkollë të mesme ose që kishin ngelur në shkollën e lartë. Akoma tek ne nuk kishin ardhur raketat, por stërvitja bëhej njëlloj. Kishte shumë kërkesë llogarie.

Kur erdhën për herë të parë raketat?

Raketat për herë të parë erdhën në vitin 1960, dy grupe të prodhimit rus. Plani i vendosjes së tyre ishte i ndryshëm. Një grup u vendos ne Grec në kodrat e Pezës së Madhe, ndërsa grupi i dytë në Sukth mësimore. Ishin raketa tokë ajër V 750. Këto e kishin rrezen e veprimit 35 klm. Ndërsa si lartësi deri në 20 klm. Unë në këtë kohë u caktova të shkoj në Krujë, në malin e lartë, por u kthye, pasi motorët aty nuk punonin mirë nga të ftohtit dhe u kthyen në Sukth. Këtu shkova unë, tek mësimoret. Në Sukth qëndrova një vit dhe më vonë në vitin 1961 shkova në Grec të Pezës së madhe ku u caktova Komandant i Baterisë Radioteknike. Në këtë kohë krijova familje. Isha 28 vjeç. Këtu xhenjua kishte bërë disa shtëpi për ushtarakët. Në Grec shkova si Shef Shtabi i Grupit dhe më vonë Komandant Grupi. Këtu qëndrova deri në vitin 1967, këtu linda dhe fëmijët.

Kush ka qenë Komandant i Mbrojtjes Kundërajrore dhe a kishit shumë gatishmëri të lartë?

Komandant kishim Arif Haskon, shumë i përgatitur, shumë i aftë, shumë ushtarak i zoti. Ne ishim më shumë në gatishmëri se në shtëpi. Kushtet më të këqija i kishim për ujë. Më shumë rrinim në repart se në shtëpi. Në vitin 1968 ne ikim nga Grec- Pezë dhe vijmë në Petrelë.

Si shkuat dhe përse shkuat në Petrelë?

Duhej një pozicion më i lartë, më i madh. Para se të shkonim në Petrelë ne shkuam dhe bëmë rikonicion me helikopter. Shikuam në gjithë zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Ato donin 6 dynym tokë, pasi ajo ishte një uzinë më vete. Aty në Petrelë pamë një kodër, kodrën më të madhe të zonës. Aty e vendosëm grupin. Aty ulëm kodrën 15 metër. Por edhe me këto ndryshime ne vendosëm 4 shtretër lëshimi raketash, dy i lamë mënjanë. Nuk i vumë në gatishmëri luftarake, por ia lamë gjysmë në gatishmëri. Njërin e lamë për stërvitje. Këtu qëndrova deri në vitin 1973 si komandant grupi. Zhvilluam disa stërvitje të rëndësishme. Gatishmëria ishte maksimale.

A keni bërë qitje në këtë kohë me raketë, ku e bëtë dhe cili ishte vlerësimi?

Po, bëmë një qitje luftarake me raketë luftarake në Hamallaj. Ishte viti 1973. Unë isha Komandant Grupi i raketave në Petrelë. Rraketa ishte V 750 dhe e graduam asgjësimin në 20 klm. Bëmë një qitje të shkëlqyer. Ishte një qitje që askush nuk e besonte. Në qitje erdhi Hito Çako. Hito na falënderoi dhe tha se këtë rezultat do ia raportoj Enver Hoxhës. Nqs nuk do pëlciste në 20 klm kjo raketë do përshkonte rrugën mbi 35 klm dhe mund të sillte probleme, por ne dolëm shkëlqyer.

Pas grupit ku shkove?

Shkova në poligonin e Artilerisë kundërajrore në Rrapin e Treshit ku kishte dy zv/ komandant një për aviacionin dhe një për qitje me raketa. Unë isha zv/komandant i Poligonit për qitje me raketa. Ishte viti 1974. Këtu qëndrova deri në vitin 1976. Në këtë kohë kishin dënuar komandantin e rrugës së Vaut të Dejës dhe më çuan mua. Ishte koha kur vendi im i punës u suprimua. Isha i lirë ndaj më çuan aty. Ishte një front i vështirë. Aty bëra disa muaj. Kur filloi dimri ne si ushtri u larguam. Ishte një detyrë nga më të vështirat.

Kjo do të thotë që u largove nga profesioni?

Jo fill pas kësaj detyre të përkohshme më çuan Komandant regjimenti të raketave në Laç. Nuk e pranova dhe duke pasur parasysh kërkesat e mia më çuan Shef Operativ të Regjimentit në Vorë njëkohësisht dhe Shef i Stërvitjes. Ishte viti 1979 dhe vazhdova deri në vitin 1981. Ky regjiment kundërajror kishte mitraloza 14.5 mlm, topa 100 mlm dhe topa 57 mlm. Ky ishte Regjiment Rezervë i Ministrisë së Mbrojtjes.

Çfarë të veçante bëre në këtë Regjiment?

Aty gjeta shumë shokë të mirë, kuadro të përgatitur. Por aty kishte një mangësi në komandë, ajo nuk ishte shumë e kompletuar. Unë mendova të bëja një vendkomandë që t’i përshtatej vendkomandës së raketave, ku isha më parë (pasi tashmë kishte vetëm topa kundërajror). Kjo donte shumë punë, por dhe lekë. Duheshin shumë materiale elektrike. Më dhanë një ndihmë të madhe. Brenda në komandë oficeri duhej të shikonte dhe komandat me flamur në raste se ndërpritej energjia. Duheshin ca llamba me sinjale të veçanta. Ne bëmë një mësim tregues për këtë. Në këtë mësim tregues erdhi dhe Simon Ballabani. Për këtë racionalizim mua më nderuan me një dekoratë. Njëkohësisht unë bëra dhe një mënyrë komunikimi ndryshe në rast të ndërprerjes së ndërlidhjes që në kushtet e luftës është e mundshme. Unë bëra disa mjete komunikimi të reja të panjohura, nëpërmjet dy flamujve, që do të përdoreshin nga komandantët për shumë komanda të ndryshme. Kjo ide pati shumë sukses. Njëkohësisht hodha idenë dhe të koalidimit të armëve në të thatë, jo me ato procese kornizë. Kjo solli shumë shkurtim kohe në përgatitjen për koalidim, pasi më parë qitjet me armët e këmbësorisë nuk dilnin mirë.

Këto racionalizime a patën jehonë?

Patën. Thash për atë ndryshim të komandës më dekoruan, ndërsa këtë koalidim në të thatë e pashë më vonë në një tekst qitjeje luftarake, por jo me emrin tim. Ndërsa në vitet 1992 kur erdhën ushtarakë të NATOS tek ne pyetën për komandën e Vorës se kush e ka bërë këtë realizim. Oficerët që ishin nuk thanë të vërtetën. Punën time e morën të tjerët.

Më vonë ku të çuan?

Në Tiranë, në garnizonin e Tiranës, aty ku është sot Lulishte 1 Maji. Thashë se do isha më mirë, por dola më keq. Këtu isha Shef i Garnizonit. Këtu ndjenja deri sa dola në pension. Kur e kujtoj nuk e besoj. Garnizoni kishte probleme nga më të ndryshmet. Aty kishte dhe shumë civilë jo vetëm ushtarakë. Nuk kishte ditë pa probleme. Rashë në breshër. Në këtë repart nuk kishte kurrë qetësi. Na thërrisnin edhe në mes të natës për çdo problem. Ishte koha dhe kur ushtria nuk e kishte më atë vigjilencë apo rregull dhe disiplinë. Të dilnin probleme kur nuk e prisje. Pastaj ne ishim në qendër të Tiranës dhe çdo veprim binte në sy.

Historiku i Mbrojtjes Ajrore

Brigada e parë e Mbrojtjes Ajrore ishte e dislokuar në Selitë, Tiranë. Kjo Brigadë ishte arma më e vjetër e FASH, e krijuar që në vitin 1931 me disa topa të prodhimit italian. Më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, Mbrojtja Kundërajrore mori në përdorim rraketa dhe topa KA të tipeve dhe kalibreve të ndryshme. Artileria kundra-ajrore përbëhej nga topa të drejtuar me radar të kalibrave 100mm, 85mm, 57mm, 37mm, 2omm, 14.5 mm si dhe njësi të shumta me mitroloza kundra-ajror 12.7mm. Gjithashtu, radarët e vëzhgimit të largët apo të afërt do të zëvendësoheshin me radar perëndimor të firmës Locheed-Martin . Operacionet e para luftarake të FASH u ndërmorrën nga Regjimenti kundërajror "Ali Demi". Në Gusht të vitit 1948 njësitë KA goditën dhe rrëzuan një avion grek të tipit "Spitfire" që kishte shkelur hapësirën ajrore shqiptare për mision spiunazhi. Avioni grek u shkatërrua dhe piloti u gjet i vdekur. Në gusht të vitit 1949 njësitë KA të po këtij regjimenti goditën dhe rrëzuan një avion tjetër grek gjatë Provokacioneve të gushtit. Avioni Grek, i dëmtuar nga zjarri KA, u detyrua të ulej në fushë ku u kap nga njësitë luftarake shqiptare. Piloti grek u kap dhe u burgos si rob lufte. Njësitë fluturuese të FASH panë aksionin e parë luftarak të tyre në vitin 1957. Më 23 Dhjetor të këtij viti, një avion luftarak amerikan i tipit T-33 shkeli hapësirën ajrore shqiptare. Dy avionë të tipit MiG-15 u ngritën nga baza ajrore e Kuçovës, të pilotuar nga Anastas Ngjela dhe Mahmut Hysa. Avioni amerikan u rrethua dhe u detyrua të ulet në pistën e pambaruar të aeroportit të Rinasit. Avioni u sekuestrua dhe piloti Amerikan u kap rob. Piloti Amerikan u lirua më 11 janar 1958, ndërsa avioni u vendos në muzeun e kështjellës së Gjirokastrës, ku ndodhet edhe sot. Më 31 dhjetor të po këtij viti, vetëm disa ditë më vonë nga ky incident, një avion tjetër i huaj shkeli hapësirën ajrore shqiptare. Ky ishte një avion transporti i tipit DC-7 i Independent Air Travel që po fluturonte nga Gjermania drejt Singaporit. Dy avionë të tipit MiG-15 u lëshuan për ta kapur. Transportuesi u rrethua dhe u detyrua të ulej në aeroportin e Kuçovës.Të 5 pilotët dhe avioni civil u liruan më pas më 4 Janar 1958, mbasi u vendos që ishte vetëm një gabim navigacioni. Më 31 dhjetor 1958, një avion tjetër i huaj u kap nga avionët reaktivë të bazës së Kuçovës. Ky ishte një C-54D "Skymaster" që përdorej nga CIA për të transportuar armë në Indonezi. Avioni u detyrua të ulej në bazën e Kuçovës, dhe më pas pilotët dhe avioni u liruan për t'u kthyer në Angli. Një fitore e rëndësishme kjo e FASH.

Kë ke takuar nga udhëheqësit e asaj kohe?

Takoja vazhdimisht Prokop Murrën dhe Kiço Mustaqin. Prokop Murra ishte korrekt, i aftë dhe shumë serioz. Ai kur jepte një urdhër e çonte në fund. Duke qenë në afërsi të qendrës ai thuajse vinte njëherë në javë. Kontrollonte dhe befasisht. Në atë kohë Kiço Mustaqi ishte Shef I Shtabit të Përgjithshëm. Ishte ushtarak i zoti, shumë serioz. Ishte idealist.

Ju si garnizon kë keni shoqëruar me roje nderi me shtrat topi?

Kryesorja është se ne si garnizon kemi marrë përsipër organizimin e varrimit të Enver Hoxhës. Detyra jonë ishte që të organizonim kortezhin ushtarak. Urdhërin na e dha Kiço Mustaqi. Ne nxorëm shtratin e topit nga vendi ku ishte në ruajtje dhe i bëmë një riparim. Ky shtrat kur kishte vdekur Myslim Peza kishte katër ganxha dy majtas dy djathtas. Këto ganxha ishin mekanike dhe duhej kohë që të sigurohej vendosja e arkivolit sa më shpejt dhe sa më e sigurt. Ganxhat i bëmë automatike dhe më të sigurta. Morëm dhe 12 oficerë nga Shkolla e Bashkuar dhe bënim stërvitje me orë të tjera. Arritëm që ta bënim sa më shpejt vendosjen e arkivolit. Stërvitja u bë me arkivol bosh. Pastaj shkuam në KQ dhe bëmë matjen e arkivolit të Enver Hoxhës. Ajo ditë ishte shumë e rëndë. Vetëm lot shihje në Tiranë. S’kishte oficer që nuk e qau.

Kë ke shoqëruar me shtrat topi?

Enver Hoxhën dhe Myslim Pezën. Këta dy personalitete. Me Msylimin vuajtëm më shumë pasi shtrati i topit ishte mekanik.

Ku ishe kur u vetëvra Mehmet Shehu?

Isha në shtëpi. Më lajmëruan nga Ministria e Mbrojtjes se nesër në garnizon të vijnë të gjithë oficerët e mëdhenj. Na dhanë urdhër që ne nuk do ta shoqëronim arkivolin me shtrat topi dhe ne katër veta do ta shoqëronim me një gaz deri në afërsi të varrezave pastaj do largoheshim. Kështu bëmë. Nuk u bë koment më tepër, por nën zë kishte shumë zëra.

Si ishte mbrojtja kundërajrore e Shqipërisë?

Ishte shumë e mirë, shumë e garantuar. Ne kishim mitraloza, topa, raketa të ët gjitha llojeve. Kishim të gjitha mundësitë për të kundërvepruar në çdo kohë.

Sa shkallë mbrojtje kishim?

Ne kishim gjashtë shkallë mbrojtjeje. Mos të zëmë atë me pushke që në lartësi të vogla të gjitha pushkët duhet të hapin zjarr. Por fillojmë nga mitralozi 12. 7 mlm, pastaj vazhdojmë me 14.5 mlm, 20 mlm, 37 mlm një dhe dy grykësh, 57 mlm , 100 mlm gjysmë automatik dhe raketat VB750. Pra në të gjithë Shqipërinë ishin të përhapura këto shkallë zjarri masive, që ne sot as nuk i mendojmë. Pra kishim gjashtë breza zjarri, që plus armët e këmbësorisë bëheshin shatër breza.

Kjo ishte për Tiranën?

Kryesisht për Tiranën, por edhe për Fierin, Elbasanin, Shkodrën. Ndërsa në periferi ishin 5 shkallë zjarri nga Vermoshi në Konispol. Aty kryesisht kishte mitraloz 12.7 mlm, 14,5, malm, 20 mlm, 37 mlm dhe 57 mlm.

Kush ishte prodhimi më i mirë në armatim, armët ruse apo kineze?

Sigurisht ruse. Ishin më të forta, më të të sigurta.

Ju keni një histori të bukur me vëllain tuaj, Vebi Hoxhaj: Hero i Popullit”, çfarë mund të na thoni për jetën e tij?

Vebiu ka qenë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare përgjegjës i njësiteve guerile të Vlorës. Më vonë kalon përgjegjës i zonës Vlorë- Gjirokastër Në këtë kohë ndodhi fraksioni i Vlorës, i xhepit, i Sadik Premtes. Fraksioni ndodhi pasi Sadik Premtja ishte në Vlorë, por me krijimin e PKSH ai u përjashtua nga Partia, por shumica nuk e dinte këtë dhe ai po prishte punë. Vebiu kishte shumë miqësi me Sadikun, ata madje punonin bashkë, por Sadiku nuk i kishte thënë që ishte përjashtuar. Kur erdhi Enver Hoxha në Vlorë, u sqaruan shumë gjëra. Në organizatën e partisë, kur u diskutuan këto probleme dolën në pah që Sadiku kishte folur ende në emër të partisë. Ky ishte momenti i ndarjes së Sadikut me partinë komuniste. Në të njëjtën kohë vjen në Vlorë, Dushan Mugosha me Liri Gegën. Enveri ishte me Hysni Kapon. Ata si duket kishin folur me Dushanin dhe me Lirinë për Sadik Premten dhe po dilnin nga shtëpia ku banonte Dushani. Kur po dilnin tek dera, hyn Vebiu (vëllai im). Si je i thotë Enveri, a u sqarove për ngjarjet? Po i thotë Vebiu. Për problemet e tjera do të thotë Dushani i thotë Enveri. Ah, ma futën thotë me vete Vebiu. Shkoi brenda. Sa hyri Dushani i tha për gabimet, që janë bërë do shkosh në Brigadë të parë, partizan. Po,- tha Vebiu do shkoj madje partizan i thjeshtë. U nisën që atë ditë për në Vithkuq, së bashku me një korrier. Aty ishte në atë kohë Komanda e Brigadës së Parë me komandant Mehmet Shehun. Ecnim të dy pa folur. Korrieri një herë dilte para meje, njëherë pas. Thashë me vete diku do më vrasë. Por, jo. Pas dy ditësh mbërritëm në Vithkuq dhe takuam Mehmet Shehun. Më caktuan partizan të thjeshtë në batalionin e katërt. Pas një muaji më caktojnë komandant kompanie. Në historikun e Brigadës së parë është shkruar kompania heroike. Në shkurt të 1943 kjo kompani u shkëput në Gjirokastër pas një lufte. Filloi bora dhe humbën rrugës. Rastësisht shkuan në Konispol. Aty gjermanët kishin burgosur shumë partizanë ku midis të tjerëve disa i kishin brenda në një makinë. Kompania bëri një sulm, liroi të burgosurit dhe mori shumë armë. Pas ca ditësh u bashkua sërishmi me Brigadën e Parë. Më vonë Vebiu u bë komandant batalioni deri në çlirimin e Shqipërisë.

Po pas çlirimit ku shkoi?

Pas çlirimit për merita në luftë e caktuan Komandant Regjimenti në Vlorë. Regjiment Këmbësorie. Më vonë shkon në Gjirokastër dhe më vonë në Tiranë. Mbaroi dy Akademi në BS me rezultate të larta. Me dënimin që i bënë Shefit të Zbulimit Teme Sejko, e caktojnë drejtor në Drejtorinë e Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Pra në vend të Teme Sejkos. Më vonë caktohet Drejtor i Drejtorisë së Stërvitjes dhe Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Më vonë caktohet Komandant Korpusi në Burrel dhe më vonë Komisar i Korpusit të Veriut në Shkodër. Në atë kohë u dha një urdhër të kalohej Buna në dimër. Asnjë ushtar dhe oficer s’po e zbatonte urdhrin. Ishte viti 1968. Atëhere Vebiu u zhvesh dhe u fut vetë i pari. Pas tij u futën të gjithë. Pas këtyre rezultateve ai erdhi Komandant i Akademisë Ushtarake. Ai ishte njeri i thjeshtë. Këtu bëri disa herë kërkesë për të dalë në lirim, por Mehmet Shehu i’a ktheu tre herë kërkesën, pasi ishte i zoti. Për ta mbajtur në ushtri e caktuan këshilltar të gjeneralëve në Ministrinë e Mbrojtjes.

Jo më kot e lashë për në fund. Nuk e rroka më parë këtë pyetje. Po Enver Hoxhën e ke takuar direkt?

Edhe mua më bëri çudi se si nuk e bërë këtë pyetje. Ndoshta se kishe ndërmend, por dhe unë ju përmbajta pyetjeve në tërë përgjigjet e mia. Unë Enver Hoxhën e kam takuar dy herë. Mund të them se ishin dy takime interesante, pasi në atë kohë kush nuk donte ta takonte Enver Hoxhën? Të gjithë donin, paçka që sot gjërat kanë ndryshuar dhe kanë dalë në pah shumë të meta që nuk i kishim njohur kurrë. Figura e Enver Hoxhës ishte mbushur me mister. Atë të gjithë e mendonin gjeni dhe të paarrirë. Por njeriu më shumë njihet në punë dhe në lidhjet e drejtpërdrejta. Nejse. Të kalojmë tek përgjigjet. Enver Hoxhën e kam takuar për herë të parë në vitin 1957. Atëhere isha komandant baterie në Laprakë. Në atë kohë do të hapej një ekspozitë për ushtrinë tek salla e Fushës së Aviacionit në Laprakë. Qysh kur na thanë se do vinte Enver Hoxha filluam të bëjmë përgatitje të madhe. Në atë kohë miti i Enver Hoxhës kishte arritur kulmin. Ardhja e tij tek ne ishte një ngjarje e madhe. Mua më caktuan të paraqisja forcën. Ditën që do hapej ekspozita Enveri erdhi në fushën e aviacionit me gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Figura e tij të imponohej, i gjatë simpatik, por që fliste dhe bukur. Ai takoi oficerët kryesor dhe i ndjekur nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo u fut në ekspozitë. Kur do ikte ai mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm për ushtrinë. Midis të tjerave ai theksoi se duhet t’i doni dhe t’i stërvitni mirë. Mbrojtja e atdheut varet tek aftësitë dhe tek përgatitja juaj. Gjithë fusha e aviacionit shpërtheu në brohoritje. Për ne ai takim u diskutua ditë të tëra në repart.

Po takimi i dytë kur u zhvillua?

Takimi i dytë u zhvillua në vitin 1960, kur erdhën raketat tokë ajër V750 nga BS. Këto raketa u instaluan në Pezë -Helmës ( në një fshat aty afër ku e kemi përmendur më lart). Gëzimi i atij takimi ishte i shumëfishtë për vetë arsyen se për herë të parë vinin raketa në Shqipëri dhe, së dyti në ardhjen e tyre do të vinte vetë Enver Hoxha. U bë një takim shumë i përzemërt. Enveri foli shkurt dhe na dha porosi t’i ruanim si sytë e ballit raketat. Ato janë për mbrojtjen e atdheut dhe pakujdesia mund të shkaktojë shumë dëme,-theksoi ai. Në të dy takimet, pashë se ai ishte i lidhur shumë me ushtrinë dhe i jepte përparësi shumë ushtrisë. Ndaj e kishte të theksuar parullën “Mbrojtja e atdheut detyrë mbi detyrat”.

Në raport me armët e tjera a ishte moderne arma e artilerisë kundërajrore tek ne?

Të gjitha armët tona i kishin në përdorim edhe shtetet perëndimore. Armatimi pas viteve 1950 ishte armatim i kohës, i cili kishte dhënë shumë rezultate në qitje. Ne i kishim të gjithë kalibrat që i kishte dhe Greqia dhe Italia. Përpos këtyre raketat V750 ishin ndër më të mirat e asaj kohe. Ishin raketa që dhe vetë NATO kishte konsideratë. Në atë kohë raketat sovjetike ishin shumë të mira madje kishin përparësi nga vendet e tjera.

Disa ngjarje historike të Mbrojtjes Kundërajrore (arkivi Telegraf)

Në 21 korrik 1967 një incident i rëndë ndodhi mbi hapësirën ajrore shqiptare. Një avion jugosllav i tipit F-84 "Thunderjet", i armatosur me rraketa të padrejtuara dhe bomba, shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë në afërsi të Dibrës duke fluturuar në drejtimin Peshkopi-Martanesh-Tiranë. Avioni jugosllav me numër regjistrimi 11 ishte i dislokuar në aerodromin ushtarak të Zemunit, rreth 15-20 km në veri-perëndim të Beogradit. Avioni pilotohej nga Boidar Vojevic dhe detyra e tij ishte të fluturonte për në aerodromin ushtarak të Kumanovës, Maqedoni, ku do të merrte pjesë në stërvitje. Shërbimet e radarit nuk arritën të diktonin shkeljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë për shkak se avioni jugosllav fluturonte ulët duke ndjekur relievin. Avioni u diktua vetëm kur ai iu afrua bazës së Forcave Ajrore në Rinas. Pilotë të gatshëm ishin Koço Biku dhe Roland Sofroni. 3 avionë reaktivë të tipit MiG-19, të komanduar nga pilotët Koço Biku,Mahmut Hysa dhe Gëzdar Veipi, u ngritën nga baza ajrore e Rinasit për të interceptuar avionin jugosllav. Avioni jugosllav u rrethua dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Rinasit. Mbas uljes piloti jugosllav deklaroi se ai kishte humbur orientimin gjatë fluturimit. Avioni dhe piloti u kthyen në Jugosllavi, mbas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.Disa incidente dhe operacione luftarake të tjera u kryen mbi Shqipëri në vitet 60-70, për të cilët nuk dihet shumë. Në vitet 60, dy avionë të Forcave Ajrore Italiane të tipit F-84 "Thunderjet" u ulën në bazën ajrore të Rinasit në rrethana të panjohura (sipas një versioni tjetër, flitet vetëm për një F-84 Italian, që u ul në Rinas). Në vitet 70, një avion i vogël civil grek u kap mbi Vlorë nga një MiG-15. Ai u detyrua të ulej në pistën ajrore të Vlorës, ku piloti, një shtetas grek, u arrestua. Gjithashtu, në fund të viteve 70 një avion shqiptar i tipit MiG-21F-13 gabimisht shkeli hapësirën ajrore Jugosllave gjatë një stërvitjeje. Avioni shqiptar, i pilotuar nga Luto Sadikaj, u kap nga 2 avionë Jugosllavë të tipit MiG-21. Avioni shqiptar u rrethua dhe u detyrua të ulej në një aerodrom në Kosovë. Por piloti shqiptar, në momentin kur avioni bëri kontakt me pistën e aerodromit, e futi në forsazh avionin dhe u ngrit përsëri, duke lënë prapa dy avionët jugosllavë, që tashmë kishin hapur parashutat e frenimit. Luto Sadikaj iu drejtua Shqipërisë me shpejtësi të madhe dhe u kthye në atdhe. Fatkeqësisht, Sadikaj vdiq në një aksident me po të njëjtin avion në vitin 1982. Që nga viti 1948, njësitë KA dhe ajrore të FASH kanë arritur 8-9 fitore kundër avionëve të huaj mbi hapësirën shqiptare pa pësuar humbje. Ky fakt flet për aftësitë operacionale dhe gatishmërinë e lartë të pilotëve të FASH.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat