“LDK ka nevojë për reforma të thella”

Intervista

“LDK ka nevojë për reforma të thella”

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 25 shkurt 2021 Në ora: 20:32
Ramadan Baliu

“Bota Sot”: Më thoni fillimisht, pozita juaj aktuale në LDK, meqenëse e dimë se kohë të gjatë jenë pjesë e saj në Ferizaj?

Ramadan Baliu: Në LDK jam anëtarësuar që nga themelimi i saj në vitin 1990. Kam qenë anëtar i kryesisë së degës së LDK në Ferizaj, si dhe kryetar i nëndegës të pestë LDK në Ferizaj. Pas humbjes së LDK në zgjedhjet e fundit lokale në Ferizaj, kemi kërkuar nga kryetari Muharrem Sfarqa të reflektojë, mirëpo nuk e ka bërë, dhe ne krijuam një grupacion brenda LDK të njohur si “grupi i Sahit Krasniqit” për ta kthyer LDK në drejtim të duhur. Këtë tentuam ta bënim për të mirën e LDK, mirëpo nuk la lejuan të hyjmë në garë, kështu që kryetari Sfarqa, vazhdoi të mbete kryetar, edhe përkundër pakënaqësive tona. Kam udhëhequr komisionin e arsimit, si dhe kam qenë dy herë asambleist.

“Bota Sot”: Si i keni parë zhvillimet e fundit në LDK, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror?

Ramadan Baliu: Faktikisht rënien më të madha të LDK kemi në nivel lokal së në atë qendror, LDK nga 13 mijë vota ka rënie në 4 mijë. Shkaqet janë të ndryshme: në nivel lokal kur kemi pasur komunën, s’kemi punuar me kritere, diku kemi punuar shumë dhe diku pak, dhe me njerëz që s’kanë qenë brumë i LDK-së. Mandej, kryesia e aktuale në LDK e Ferizajt nuk përfaqëson elektoratin, duke mos qenë që degët më të shumta nuk janë të përfaqësuara. Ndërsa tek niveli qendror mendoj se shkaku kryesor është prishja e koalicionit me Vetëvendosjen në kohën më të vështirë në pandemi.

“Bota Sot”: Sipas jush pse LDK ka pasur rezultat kaq të dobët, kush është shkaktari kryesor, dhe a mendoni se ka ardhur koha për reforma?

Ramadan Baliu: Shkaku kryesor është prishja e koalicionit me VV, si dhe ngufatja e kryesisë qendror, duke mos iu dhënë hapësirë të rinjve. Mendoj se duhet reforma të thella, jo vetëm nga kryesia në nivel qendror, por edhe në atë lokal. Të largohet vetëm kryetari, por edhe të gjithë personat tjerë përgjegjës, duke nisur që nga nëndegët. Kryeministri Hoti ka qenë interesuar që ne “grupi i Sahitit” të jemi në kryesinë e degës LDK në Ferizaj, ku unë do të isha nënkryetar, por duket se s’ka pasur gatishmëri në kryesinë e LDK në Ferizaj për një gjë të tillë.

“Bota Sot”: Si e keni parë largimin e disa asamblistëve nga LDK duke u bashkuar me Listën Vjosës?

Ramadan Baliu: LDK-së i janë larguar gjashtë asambleistë, atë ditë që ka ndodhur kjo gjë është dashur që kryesia të jap dorëheqje. Ne kemi kërkuar takim, bile kryetari s’ka dashur të ndijë fare, duke i quajtur që nuk përfaqësojnë dike, edhe pse ata janë zgjedhur me vota të qytetarëve. Edhe pse unë për disa nga ta kam pasur pakënaqësi, pasi u avancuan shpejt në LDK pa asnjë kriter, dhe mund të them se janë përfitues, megjithatë kryetari është dashur me dhanë përgjegjësi, pasi largimi i tyre nënkupton se gjërat nuk janë mirë për LDK në Ferizaj. Personalisht iu dëshiroj punë të mbarë të larguarve, me shpresën se do të kthehen, pasi LDK është shtëpia jonë e përbashkët.

“Bota Sot”: Cili është mesazhi juaj për votuesit e LDK?

Ramadan Baliu: E kuptoj zhgënjimin e votuesve të LDK, por i ftoj që t’i kthehen “shtëpisë së vjetër”, LDK ka njerëz intelektual dhe të devotshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat