Bajqinovci: Vjosa Osmani do të jetë presidente e Kosovës, partitë tjera e dinë rrezikun nga zgjedhjet e reja

Intervista

Bajqinovci: Vjosa Osmani do të jetë presidente e Kosovës, partitë tjera e dinë rrezikun nga zgjedhjet e reja

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 mars 2021 Në ora: 14:31
Mefail Bajqinovci dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këto zgjedhje ajo la pas vetë partitë e tjera politike, duke ju dhënë kështu një "goditje", për shkak të rënies që ato pësuan.

E për këtë fitore, votat që ai mori, postin e presidentit e shumë të tjera, për gazetën “Bota sot”, ka folur Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka siguruar votat për tu bërë pjesë e Kuvendit.

Ai thotë se situata në vend po shënon një fillim dhe shpresë të re për qytetarët, pasi është LVV ajo që do udhëheqë vendin dhe po i jep fund keqqeverisjes afër dy dekadave.

Sondazh online: Kush duhet të bëhet kryetar i LDK-së?

Bajqinovci doli të jetë njëri ndër deputetët më të votuar nga lista e VV-së, e për këtë ai falënderon qytetarë për besimin e tyre duke ju premtuar se do të jetë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa në lidhje me arritjen e 61 deputetëve për qeverinë Kurti, ai u shpreh se do të ketë përkrahje nga minoritetet mirëpo Bajqinovci nuk la anash përkrahjen e LDK-së dhe PDK-së, duke u shprehur se edhe një palë zgjedhje të reja nuk iu konvenon as njërës e as tjetrës, për shkak të rënies që patën me 14 shkurt.

Në intervistën për “Bota sot”, ai foli edhe për shuarjen e Task-Forcës, për çka ka qenë mjaft i zëshëm, e që për të ai thotë se qeveria Kurti do të analizojë çdo detaj që ka dërguar deri tek shuarja e saj.

Sa i përket zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti, Bajqinovci pret që VV-ja të marrë 75 për qind të komunave të vendit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Mefail Bajqinovci: Situata politike në vend sidomos zgjedhjet e fundit, kanë shënuar fundin keqqeverisjes jo vetëm të qeverisë aktuale por të kastës politike që kanë udhëhequr vendin që dy dekada. Ndërsa po shënon ardhjen dhe fillimin e një shprese të re me qeverisjen e Vetëvendosjes.

“Bota sot”: Z. Bajqinovci, keni dalë ndër më të votuarit në Vetëvendosje, ndonëse ishit me numër 70. Cila mendoni se ishte arsyeja që morët kaq shumë përkrahje nga qytetarët?

Mefail Bajqinovci: Dua t’i falënderoj qytetarët për besimin që më kanë dhënë dhe mendoj se besimi reciprok mes meje dhe qytetarit, ka bërë që të dal mirë i votuar, qytetarët më besuan që të jem zëri i tyre në Kuvend.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje mori rreth 50% në këto zgjedhje, por vetëm 58 deputet. Si do ia arrini t’i bëni 61?

Mefail Bajqinovci: Qeveria Vetëvendosje do t’i ketë mbi 64 deputetë, ku disa prej deputetëve të minoritetëve tashmë e kanë konfirmuar që do t’i bashkangjiten qeverisë Kurti, njejtë siç kanë bërë edhe disa nga legjislaturën e kaluar apo të qeverisë Kurti 1, dhe qeveria jonë do të jetë stabile dhe e pashantazhuar.

“Bota sot”: Keni ngritur në Kuvend disa çështje që kanë prekur ish kryeministrin Hoti sa i përket shuarjes së Task-Forcës. A mendoni që ishte gabim shuarja e saj dhe a mund ta rikthej qeveria juaj?

Mefail Bajqinovci: Qeveria Kurti do ta shqyrtojë shuarjen e Task-Forcës nga qeveria Hoti dhe ne do të hetojmë se pse erdhi deri tek shuarja e saj. Mendoj që ajo Task-Forcë ishte duke hetuar disa veprime të disa zyrtarëve të tjerë të qeverisë Hoti dhe mendoje për këtë arsye erdhi tek shuarja e saj, mirëpo ne do ta analizojmë atë deri në detaje.

“Bota sot”: A i keni votat për ta bërë Vjosa Osmanin presidenti, nëse nuk i keni siguruar ende, a mund të shkojë vendi sërish në zgjedhje?

Mefail Bajqinovci: Vjosa Osmani do të jetë presidente e re e Kosovës, ne nuk i kemi 81 deputetë si Lëvizje Vetëvendosje për ta bërë kuorumin, mirëpo këtë korum do ta bëjnë partitë e tjera mendoj unë, për shkak se ato e kanë parë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk do të rrezikojnë të shkojnë prapë në zgjedhje nëse nuk do të zgjedhet Vjosa Osmani presidente.

“Bota sot”: Si i komentoni skandalet e fundit me vota, të cilat sollën në rinumërim të disa vendeve në Kosovë?

Mefail Bajqinovci: Nuk është befasi vjedhja e votave brenda partive nga kandidatët e partive të vjetra por shqetësuese është manipulimi i votave nga Lista Serbe me kandiadatët për minoritete, kjo përbën një shqetësim të madh dhe rrezikon zgjedhjet demokratike në Kosovë. E përshëndes vendimin e PZAP-së që ato vota të anulohen në tërësi.

“Bota sot”: Duke pasur parasysh zgjedhjet e 14 shkurtit, çfarë prisni nga zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor?

Mefail Bajqinovci: Fryma e Vetëvendosjes tregoi se ne kemi shtrirje në gjithë Kosovën edhe në ato komuna të cilat janë konsideruar bastione të partive të tjera, rasti i Podujevës na tregon se VV mund të fitojë në çdo komunë të Kosovës, ne presim që në zgjedhjet lokale të muajit tetor, LVV t’i fitojë së paku 75% të komunave.

“Bota sot”: Çfarë ka ndodhur me rastin e djegies së veturës suaj, a ka detaje të reja nga policia lidhur me këtë?

Mefail Bajqinovci: Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin nuk mund të flas më shumë për këtë çështje, mendoj se ishte problem teknik, por organet e sigurisë duhet të japin mendimin e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat