Bulliqi flet për projektet dhe sfidat në Podujevë, tregon nëse do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale

Intervista

Bulliqi flet për projektet dhe sfidat në Podujevë, tregon nëse do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 mars 2021 Në ora: 08:08
Shpejtim Bulliqi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi në zgjedhjet lokale të mbajtura në Podujevë, doli fituese i zgjedhjeve, madje pa balotazh.

Ky ishte një sukses i madh për Vetëvendosjen dhe Bulliqin, pasi arritën ta marrin bastionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilin e kishte drejtuar Agim Veliu.

Shpejtim Bulliqi në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, zgjedhjet parlamentare, projektet e komunës dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Bulliqi u shpreh se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ishin shumë fer dhe demokratike, dhe qytetarët me votat e tyre kanë përçuar mesazh të qartë te secili subjekt politik.

Ndërsa, për postin e kryeministrit dhe presidentit, Bulliqi tha se beson fuqishëm se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të jenë udhëheqësit e vendit. Madje, ai paralajmëroi se këtë javë do të kemi institucionet e reja.

Kryetari i Podujevës, nuk e sheh të arsyeshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pasi sipas tij, vendi ka nevojë për institucione të reja që derivojnë nga vullneti popullor.

Bulliqi bëri të ditur se i gjithë fokusi i tij për këtë mandat është shëndetësia, duke treguar edhe ndryshimet që i ka bërë në këtë sektor.

Kurse, lidhur me rikandidimin e tij për kryetar të komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale, theksoi se është ende herët të flas, por vullnetin e ka të vazhdojë të ju shërbejë qytetarëve të Podujevës.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni gjendjen politike në vend, pas zgjedhjeve parlamentare? 

Shpejtim Bulliqi: Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ishin shumë fer dhe demokratike, qytetarët e vendit shprehën vullnetin e tyre shumë qartë, ata kanë përçuar mesazh tek secili subjekt politik dhe unë pres që partitë politike ta respektojnë vullnetin qytetar dhe institucionet të formohen shpejt.  

“Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, a ishte përafërsisht ky rezultat që e keni pritur edhe gjatë fushatës zgjedhore? 

Shpejtim Bulliqi: Rezultati i zgjedhjeve duhet lexuar drejt dhe të respektohet vullneti i qytetarëve. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm. Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi si asnjëherë më parë ndonjë subjekt politik në Kosovë. Përgjegjësia është shumë e madhe, po ashtu edhe pritjet janë tepër të mëdha, por unë besoj se kryeministri i ardhshëm Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij do të bëjnë punë të madhe për të ndryshuar jetën e qytetarëve dhe ç'kapur institucionet.  

“Bota sot”: Z. Bulliqi, ju aktualisht jeni kryetar i qytetit të Podujevës, në çfarë gjendje e keni gjetur këtë qytet? 

Shpejtim Bulliqi: Që nga marrja e detyrës si kryetar i Podujevës jemi ballafaquar me shumë sfida dhe vështirësi, por vullnetin e përkushtimin e kemi të madh për të punuar drejt e vendosur gjërat në binarët e duhur. Situata në Podujevë besoj se ka ndryshuar për të mirë me qeverisjen time për 100 ditë, qytetarët po ndjehen më të lirë, Komuna tash është në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të klaneve/grupacioneve të ndryshme.  

“Bota sot”: Cilat janë synimet që keni për ndryshimin dhe zhvillimin e Podujevës? 

Shpejtim Bulliqi: Ne kemi trashëguar një buxhet nga qeverisja e kaluar ky mandat i fituar është vetëm 9-10 muaj. Jemi duke u  angazhuar maksimalisht të ndryshojmë gjëra, fokusi ynë kryesor për këtë mandat është shëndetësia. Aty e kam koncentruar shumë energjinë e punës sime dhe kanë filluar ndryshimet tash shumë shërbime shëndetësore qytetarët mund t'i marrin në QKMF, QMF dhe AMF. Në secilin dikaster po punojmë që shërbimet të jenë më të mira e jeta e qytetarëve të lehtësohet.  

“Bota sot”: Zgjedhjet lokale, pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, a do jeni prapë ju kandidat për kryetar të kësaj komune? 

Shpejtim Bulliqi: Sa i përket zgjedhjeve lokale në tetor dhe kandidimit tim është ende herët të flas, por vullnetin e kam të vazhdoj të ju shërbej qytetarëve llapjanë.  

“Bota sot”: A mendoi se Albin Kurti do të bëhet kryeministër i Kosovës, pavarësisht se dënimi i tij vazhdon deri në shtator? 

Shpejtim Bulliqi:  Po, Albin Kurti do të bëhet kryeministër i vendit. Sa i përket dënimit, njohësit e kësaj fushe e kanë shpjeguar se nuk e pengon në pozita ekzekutive ta ushtrojë funksionin. Unë besoj se java e ardhshme do të na gjejë me institucione të reja.  

“Bota sot”: Ndërsa, sa i përket postit të presidentit, nëse nuk do të arrihet kuorumi për Osmanin, cili është plani B i VV-së? 

Shpejtim Bulliqi: Unë duke qenë kryetar i Komunës kam koncentruar shumë energjinë time në Podujevë dhe po ballafaqohemi me problemet që i kemi trashëguar si qeverisje komunale. Nuk e di cili është plani B, por unë besoj fuqishëm se zonja Vjosa Osmani do të bëhet presidente, andaj nuk do të ketë nevojë për plan tjetër. Vullneti i qytetarëve ishte kështu dhe partitë politike nuk duhet të krijojnë kriza, por të respektojnë vullnetin e popullit të shprehur më 14 shkurt.  

“Bota sot”: Nëse dështon zgjidhja e presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje. Sa i konvenon vendit që të mbahen sërish zgjedhje kur sapo kemi dalë nga zgjedhjet dhe te tjerat do te mbahen në vjeshtë? 

Shpejtim Bulliqi: Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte shumë i qartë. Vendi ynë nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, ka nevojë për institucione të reja që derivojnë nga vullneti popullor.  

“Bota sot”: Çfarë rezultati pritni në zgjedhjet lokale në vjeshtë? 

Shpejtim Bulliqi: Qytetarët e Llapit na kanë besuar neve si qeverisje komunale për këta 10 muaj, po punojmë maksimalisht që mos t'i zhgënjejmë dhe besimin e tyre ta arsyetojmë me punë e shërbime më cilësore. Sa i përket rezultatit, unë besoj që qytetarët do të na peshojnë drejt dhe saktë në tetorin e këtij viti, ku do të vlerësohet puna dhe përkushtimi ynë e pastaj të fitojmë një mandat të plotë e të fillojnë ndryshimet e mëdha në secilën fushë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat