Eksperti i sigurisë: Kryeministri dhe presidenti ta zgjedhin shefin e AKI-së, të krijohen katër mekanizma për sigurinë në vend

Intervista

Eksperti i sigurisë: Kryeministri dhe presidenti ta zgjedhin shefin e AKI-së, të krijohen katër mekanizma për sigurinë në vend

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 mars 2021 Në ora: 13:04
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Siguria është një nga fushat më të rëndësishme të një shteti.

E për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, hallka kryesore që e determinon procesin e stabilitetit të sigurisë nacionale të vendit, është siguria politike.

Duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimet ekonomike janë tri sfera që mekanizmat aktual të sigurisë janë duke ngecur në përmbushjen e detyrimeve që derivojnë nga ligjet e Kosovës.

Sipas tij, për të përmbyllur arkitekturën e sigurisë në Kosovë, duhet krijuar katër mekanizma, që janë 1. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar; 2. Agjencia për Mbrojtjen e Sulmeve Kibernetike; 3. Agjencia për Zbulim dhe Kundër-Inteligjencë; dhe 4. Agjencia (Byroja) Nacionale e Hetimeve.

Sa i përket AKI-së e cila prej tre muajsh ende nuk ka drejtorin e ri dhe funksionon me U.D të drejtorit, sipas Shalës kjo ka ndikuar në humbjen e kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të institucioneve mike të AKI-së. E për këtë, ai ka thënë se kryeministri Kurti dhe presidenti i vendit, sa më shpejt duhet ta zgjedhin drejtorin e ri të këtij institucioni, që duhet të jetë i pavarur politikisht.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka folur edhe për provokimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për të cilat ka thënë se pas qëndron Rusia, e cila po e përdor situatën ne Ballkan për interesat e saj gjeostrategjike.

Intervistë e plotë:

Image
Drizan Shala

“Bota sot” Z.Shala, si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë aktualisht?

Drizan Shala: Siguria e Kosovës i ka dy komponentë kryesor të cilat e determinojnë procesin e stabilitetit të sigurisë nacionale të vendit, pra siguria politike është komponenti kryesor apo më mirë të themi hallka e cila krijon stabilitet të institucioneve të sigurisë sepse në 5 vitet e fundit Kosova ka çaluar të krijojë një siguri politike, duke mos arritur të përfundojë cikël të plotë zgjedhor 4 vjeçar të institucioneve. Ndërsa komponenti i dytë është ai që ndërrimet e shpeshta në sferën politike kanë ndikuar në institucionet vitale të sigurisë së shtetit, duke mos i stabilizuar përmes ndërrimeve të shpeshta të bartësve të atyre institucioneve. Pra siguria aktuale në vend mund të themi që është e monitorueshme në tërë territorin e vendit edhe nga institucionet vendore po edhe nga institucionet ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

“Bota sot” Cilët do të ishin hapat sipas jush që duhet të marrë Kosova për të forcuar sigurinë e vendit?

Drizan Shala: Kosova ka krijuar institucione të ndryshme të cilat ndërlidhen me hallkën e sigurisë por bazuar në raportet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar që vlerësojnë punën e gjitha institucioneve vendore, është paraqitur që krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimet ekonomike, janë tri sfera që mekanizmat aktuale të sigurisë janë duke ngecur në përmbushjen e detyrimeve që derivojnë nga ligjet e Kosovës.

Pra në Kosovë duhet që të krijohen katër mekanizma të sigurisë të cilat do ta përmbyllnin arkitekturën e sigurisë së Republikës se Kosovës dhe të cilat janë:

1. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar;

2. Agjencia për Mbrojtjen e Sulmeve Kibernetike;

3. Agjencia për Zbulim dhe Kundër-Inteligjencë;

4. Agjencia (Byroja) Nacionale e Hetimeve.

“Bota sot”: Ka kaluar kohë dhe AKI ka mbetur pa drejtor, si e komentoni këtë?

Drizan Shala: Ka afro 3 muaj që institucioni më i veçantë i shtetit ka mbetur me U.D dhe si pasojë e situatës politike është krijuar një pasqyrë jo e mirë në arenën ndërkombëtare të institucioneve mike të AKI-së, që është duke humbur kredibiliteti i punës së këtij institucioni si rezultat i lirimeve nga detyra dhe shkarkimeve të drejtorëve të këtij mekanizmi. Qeveria e z.Kurtit me Presidentin e vendit sa më parë duhet të ndërmarrin hapa konkret për të zgjedhur drejtorin e ri të këtij institucioni, i cili duhet të jetë i pavarur në aspektin politik dhe me integritet të lartë profesional por edhe atij kombëtar.

“Bota sot”: Si i komentoni kërcënimet e vazhdueshme nga presidenti serb ndaj Kosovës?

Drizan Shala: Shteti i Serbisë është duke vazhduar politikën e saj hegjimoniste në rajonin e Ballkanit, respektivisht është shumë më shumë e theksuar kundër Kosovës dhe Malit të Zi dhe Bosnjës, për të kërkuar që ta destabilizojë funksionalizimin e shteteve nga brenda përmes krijimit të subjekteve politike të cilat ndjekin politikën e Beogradit zyrtar. Serbia në 4 vitet e fundit është duke modernizuar sektorin e saj të mbrojtjes ku një pjesë e këtij modernizimit vjen si donacion nga Rusia e cila është duke përdorur situatën ne Ballkan për interesat e saj gjeostrategjike duke pozicionuar Serbinë si Kali i Trojës në mes BE-së dhe SHBA-ve dhe saj. Pra, nëse i referohemi statistikave nga mungesa e stabilitetit politik të brendshëm që ka Serbia, kjo e fundit do të tentojë që të krijojë vatra të krizave jashtë territorit të saj, për ta përqendruar opinionin nacionalist serb nga zhvillimet e brendshme dhe kështu politika e Vuçiçit të mbijetojë.

Vendosja e flamurit të Serbisë mbi hartën e Kosovës është një nga ato veprime të cilat më shumë duhet të shihen si lirim nga presioni i brendshëm dhe ndikim për procesin e vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë që priten të rifillojnë nga pjesa e dytë e vitit 2021.

“Bota sot”: A rrezikohet Kosova nga terrorizmi?

Drizan Shala: Terrorizimi më të cilin është ballafaquar Kosova nga viti 2012 e me theks të veçantë 2014-2019 mund të themi që ka monitoruar me suksese aktivitetet e grupeve potenciale terroriste në vend duke parandaluar edhe sulme të përgatitura nga këto grupe, siç është i njohur rasti i kombëtares se futbollit nga shteti i Izraelit.

“Bota sot”: Po me pandeminë në Kosovë, a e vlerësoni se është ndër shkaqet për dhunë në familje?

Drizan Shala: Pandemia në Kosovë është zhvilluar në dy faza, atë të 2020 dhe faza tjetër e 2021. Me vendosjen e masave restriktive të izolimit filluan që këto masa të ndikojnë në jetën familjare ku nga një jetë dinamike fillojë të ndalet çdo gjë dhe kjo ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejt në shtimin e dhunës në familje në njërën anën e në anën tjetër zvogëlimin e shkallës se krimeve ordinare. Ndërsa faza e dytë e 2021 e pandemisë fillojë me zvogëlimin e statistikave të dhunës në familje dhe rritjen e sferës tjetër të veprave penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat