Besa Gaxherri: Shkuarja në zgjedhje është hipokrizi, Kosova nuk do të jetë e sigurt nëse nuk e udhëheq LDK-ja

Intervista

Besa Gaxherri: Shkuarja në zgjedhje është hipokrizi, Kosova nuk do të jetë e sigurt nëse nuk e udhëheq LDK-ja

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 mars 2021 Në ora: 10:42
Besa Gaxherri

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka bërë me dije se kryetari i ri i LDK-së dhe Kryesia e re do të punojnë maksimalisht që t’i kthejnë votuesit në shtëpinë e tyre.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ish deputetja e LDK-së ka folur edhe për postin e presidentit, gjersa ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit i takon të zgjidh këtë çështje, derisa ka shtuar se nuk është mirë që një parti t'i ketë të gjitha pushtetet.

Gaxherri ka vlerësuar se Kosova nuk e ka luksin në asnjë aspekt që të shkojë përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas saj, shkuarja në zgjedhje është hipokrizi, paaftësi dhe papërgjegjësi e partisë fituese.

Në këtë intervistë ajo është shprehur se partia e saj mbetet subjekti dhe alternativa e vetme që t’i ofrojë vendit stabilitet politik, duke vënë standarde për rrugëtimin e Kosovës përpara.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ka folur edhe për reformat e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zgjedhjet lokale, për mënyrën e dorëzimit të pushtetit nga ana e zyrtarëve të LDK-së dhe për Qeverinë Kurti 2.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: LDK më 14 mars ka mbajtur Kuvendin e brendshëm zgjedhor. Cili është vlerësimi juaj për këtë proces dhe garën e zhvilluar mes kundërkandidatëve?

Besa Gaxherri: Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekt politik avangardë për konkurrencën politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe me gjerë. Rrugëtimi jonë mbi tri dekada ka sfidat, vështirësitë, sakrificat e krenarinë për rrugëtimin e saj, gjithmonë në shërbim të vendit. Sa herë jemi dobësuar në aspektin elektoral, kostoja ka qenë ecja përpara e proceseve për Kosovën.

Kuvendi i 14 marsit të vitit 2021, është edhe një standard i lartë për politikën kosovare, se si duhet të demokratizohen partitë politike. Gara ka qenë fer dhe demokratike në mes njerëzve që bartin vlera e kontribute për LDK-në, dhe Kosovën. Ecuria e punës dhe përmbyllja e këtij Kuvendi, edhe njëherë dëshmoi shkëlqimin e vlerave të LDK-së.

“Bota sot”: Znj. Gaxherri, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka kryetarin e ri të saj. Sa besoni ju se z. Lumir Abdixhiku do të arrijë ta rikthejë votuesin e humbur?

Besa Gaxherri: Duhet ta vlerësojmë situatën dhe gjendjen reale të LDK-së aktualisht. Lidhja Demokratike e Kosovës, asnjëherë në rrugëtimin e saj nuk ka qenë më keq se tani në aspektin elektoral. Kryetari Abdixhiku dhe Kryesia e re kanë një mision të vështirë, por jo të pamundur para vetes. Do mundohemi dhe do punojmë që votuesit e LDK-së të kthehen në shtëpinë e tyre.

“Bota sot”: Partia juaj ka edhe Kryesinë e re, ku edhe ju bëni pjesë. Por, si i keni parë emrat e rinj që janë bërë pjesë e LDK-së dhe çfarë mendon për emrat e vjetër që janë lënë jashtë kryesisë?

Besa Gaxherri: Çdo proces zgjedhor apo reformë bart me vete ndryshimet pozitive, por edhe pakënaqësitë eventuale, por ky është ekipi i propozuar nga kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili është votuar nga Këshilli i Përgjithshëm. Për emrat e rinj nuk dua të flas, ata duhet të jenë vlerë e shtuar në LDK dhe duhet të na dëshmojnë me punën e tyre këtë vlerë, ndërsa për emrat apo personalitet e LDK-së të cilët kësaj radhe nuk janë në Kryesi të LDK-së, pres angazhimin e tyre edhe më të madh për LDK-në. Çdo veprimtar duhet të vlerësohet dhe të angazhohet këto ditë. Mesazhi i kryetarit dhe Kryesisë së re duhet të përcillet te secili anëtar i LDK-së, se kudo qofshin, ata janë të rëndësishëm dhe të vlerësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni se këto reforma brenda LDK-së është dashur të ndodhin para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, dhe nëse po, a mendoni se edhe rezultati zgjedhor do mund të ishte ndryshe?

Besa Gaxherri: Padyshim se ka pasur mundësi që të bëhen jo vetëm reforma, por shumë veprime e procese të jenë ndryshe në LDK dhe rezultati pritshëm nuk do ishte ky, por vlerësimi i rezultatit elektoral i fundit është më kompleks se sa shihet apo thuhet.

“Bota sot”: Kosova tashmë ka qeverinë e re, mirëpo ajo që shihet si problematike është zgjedhje e presidentit të ri. Për këtë post, një pjesë e opozitës ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e znj. Vjosa Osmanit për presidente, ndërsa partia juaj ende nuk ka një qëndrim të qartë. Sipas jush, si duhet të veprohet lidhur me këtë çështje?

Besa Gaxherri: Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e kanë dërguar LDK-në në opozitë. Në aspektin politik elektoral dhe aspektin teknik, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishte dashur fare të merret me procesin e zgjedhjes së presidentit. Kjo është përgjegjësi e fituesit të zgjedhjeve. Një gjë duhet ta kuptojnë partitë politike e më theks të veçantë Lëvizja Vetëvendosje, se në demokraci një votë bën diferencën, si dhe në sistemin demokratik është e pashëndetshme që një subjekt politik t’i ketë të gjitha vendet e pushtetit në posedim, e sidomos kur është në pyetje një parti si VV-ja me prirje të larta diktatoriale, por kur analizojmë situatën në vend që për një vit kemi tri qeveri, në kushte të pandemisë, me probleme shëndetësore, ekonomike, sociale, politike e diplomatike, atëherë padyshim se kërkohet reflektim, maturi e veprim nga të gjitha partitë politike për t’i krijuar stabilitet vendit. E kush mbetet për të ofruar ketë stabilitet?

Vetëvendosje kurrë se ka ofruar potencialin e saj për stabilitet të vendit. PDK-ja kalkulon si gjithmonë elektoralisht. AAK-ja gjithmonë kërkon të përfitojë nga procesi dhe LDK-ja mbetet prapë subjekti i vetëm që kudo qoftë, në pozitë apo opozitë, të jetë alternativë e vetme që t’i ofrojë vendit, stabilitet politik, duke venë standarde për rrugëtimin e Kosovës përpara.

Ne gjithmonë e patëm dhe do ta kemi Kosovën në rend të parë, por askush mos të mendojë apo pretendojë se mund ta nënshtrojë, shantazhojë apo përdorë LDK-në. Do mundohemi të japim shembull dhe zgjidhje të problemeve, por do të jemi gjithmonë të gatshëm, edhe për zgjedhje të cilat mund të provokohen nga papërgjegjësia e fituesit të zgjedhjeve. Ne tani jemi në proces, vendimin do e marrin organet e partisë dhe pres që vendimi i cili merret me shumicë duhet të respektohet.

“Bota sot”: A mendoni se duhet të shkojë vendi në zgjedhje, në rast të dështimit të zgjidhjes së presidentit? Në këtë rast, sa është e përgatitur LDK-ja?

Besa Gaxherri: Siç e theksova më lartë, Kosova nuk e ka luksin në asnjë aspekt që të shkojë në zgjedhje. Shkuarja në zgjedhje është hipokrizi, paaftësi dhe papërgjegjësi e partisë fituese, por mosgatishmëria për të bërë zgjidhje natyrshëm provokohen zgjedhjet. Sidoqoftë, LDK-ja është e sigurt se do dali më mirë në zgjedhje se sa rezultati aktual, por kjo ka pak relevancë karshi problemeve dhe kërkesave që kanë qytetarët e që kërkojnë urgjencë dhe përgjegjësi në veprim, duke mos i krijuar vendit anarki, jo stabilitet, humbje kohe dhe humbje financiare.

“Bota sot”: Testi i parë për kryetarin e ri dhe Kryesinë e re të LDK-së do të jenë zgjedhjet lokale. Cilat janë pritjet tuaja nga këto zgjedhje? A do të arrijë t’i mbajë partia juaj komunat me të cilat është duke qeverisur?

Besa Gaxherri: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të ketë vetëm pritje, por do të punojë dhe të ofrojë alternativë të pranueshme për komunat e Republikës së Kosovës, jo vetëm t’i mbajë ato komuna të cilat janë shembull i qeverisjes në Kosovë, si; Peja, Lipjani, Vitia, Gjilani, Fushë Kosova e më radhë, por duhet t’i kthejë shumë komuna në qeverisjen e mirë të LDK-së.

Ne kemi argumente për t’u krahasuar në qeverisje lokale. Nuk është shembull i mirë qeverisja në; Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë apo Ferizaj. Ne kemi kapacitete, përvojë, e dëshmi për mirëqeverisje.

“Bota sot”: Ajo çfarë u diskutua shumë këto ditë është mënyra se si ish-zyrtarët qeveritarë nga LDK-ja e bënë dorëzimin e pushtetit tek qeveria e re? A ishte kjo një shkollë për partitë tjera?

Besa Gaxherri: Kjo është LDK. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është vetëm numra, është aset e brend unik i Kosovës. Gjithmonë jemi munduar dhe kemi vepruar me punë, e veprime pafjalë, duke e kuptuar misionin tonë se këtu jemi për të zhvilluar vendin, për ta demokratizuar dhe edukuar klasën politike, jo gjithmonë këto veprime na jenë përkthyer në votë, sepse partitë konkurrente duke mos qenë të përgjegjshme, veprimet tona i kanë kalkuluar, intriguar e shantazhuar në mënyrën më të ulët duke pendor të gjitha mjetet populiste, propagandën, shpifjen, krimin deri të dhuna verbale e fizike, paqarë kokën se çka po humb Kosova ,dhe kjo është shqetësuese. Presim që qytetarët ta ndajnë mashtrimin nga realiteti, Kosova nuk do jetë e sigurt, e në rrugë të mbarë edhe disa vite kur nuk e udhëheq LDK-ja.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja për Qeverinë e re, të cilën e udhëheqë Albin Kurti?

Besa Gaxherri: Tjera janë pritjet dhe tjetër është dëshira për qeverinë e vendit tim, pa marrë parasysh kush e udhëheq. Premtimet të cilat i ka dhënë kjo qeveri të pa formalizuara kurrë në programe, qoftë gjatë fushatës, qoftë tani në prezantim para Kuvendit janë mashtrim dhe t’ju them të vërtetën, duke i njohur kapacitetet e tyre, duke pasur shembullin e qeverisjes Kurti dhe duke parë komunat e menaxhuara nga Lëvizja Vetëvendosje, si; Prizreni, Mitrovica e Prishtina, janë argumente të mjaftueshme se nuk kemi pritje pozitive. Ne si opozitë do të jemi këtu që të kërkojmë çdo ditë që premtimet e tyre të realizohen, ose të dalin para qytetarëve dhe t’ju kërkojnë falje se i mashtruan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat