Enver Dugolli tregon sfidat që e presin Qeverinë Kurti, flet dhe për kalimin e deputetes Granica në VV

Intervista

Enver Dugolli tregon sfidat që e presin Qeverinë Kurti, flet dhe për kalimin e deputetes Granica në VV

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 prill 2021 Në ora: 21:52
Enver Dugolli

Me 22 mars u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe formua qeveria e Kosovës me kryeministër, Albin Kurti, shkruan “Bota sot”.

Ndërsa me 4 prill u zgjodh edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Tashmë sfidë për qeverinë Kurti është menaxhimi i pandemisë e cila po vazhdon të rëndohet dita ditës.

Së fundmi qeveria Kurti ndërmori edhe masat e reja anti-Covid e që pritet se në këtë mënyrë të zvogëlohen rastet dhe njëkohësisht përhapja e virusit.

Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend dhe me menaxhimin e pandemisë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

Dugolli fillimisht komentoi situatën aktuale në vend duke u shprehur që tashmë më LVV-në, vendi do të ketë një stabilitet politik i cili i ka munguar shumë kohë më parë. Ai gjithashtu u shpreh që pas fitores së tyre sfidë për ta mbetët situata pandemike e cila po vazhdon të rëndoi shëndetin e qytetarëve mirëpo edhe ekonominë e vendit.

Deputeti i LVV-së, përmendi edhe ngjarjen e fundit për të cilën u diskutua mjaft shumë, pra kalimi i ish-deputetes së PDK-së, Adelina Grainca në LVV, e që sipas tij së pari, votimi nga deputetët për presidenten është një maturi dhe pjekuri politike pasi që ky veprim eliminoi shkuarjen në zgjedhjet e dyta të jashtëzakonshme. Së dyti Dugolli thotë se LVV është e hapur për secilin deputet të cilit i cenohet liria për të vepruar dhe bashkëpunuar në subjektin e tij.

Nga ana tjetër zgjedhja e Osmani si presidente e vendit sipas Dugollit do të jetë shumë frytdhënëse për vendin pasi që pjekuria politike e presidentes dhe bashkëpunimi që ka me partitë politike do të jenë ndryshim për vendin.

Ndërsa për qëllimet e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, Dugolli thotë se do të jetë zëri i arsyes dhe kompetencës në fusha të caktuara duke mos u shkëputur kurrë nga interesat e atyre që i besuan dhe e votuan.

Gjithashtu në lidhje me bashkëpunimin e opozitës me pozitën, deputeti thotë se pret nga ato që të jenë bashkë për çështjet madhore dhe nacionale të vendit.

Në fund, i pyetur për masat e fundit anticovid, Dugolli u shpreh që kanë qenë të nevojshme për shkak se rastet po vazhdojnë të rriten mirëpo që pret që së bashku të kalojnë edhe këtë sfidë mjaftë të rëndë për vendin.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Dugolli, si e komentoni situatën politike në vend, pas formimit të institucioneve të Kosovës?

Enver Dugolli: Kosovës i ka munguar shumë stabiliteti politik dhe institucional, prandaj mendoj që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe certifikimit të rezultateve, në afat rekord janë formuar institucionet e vendit të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e lira dhe demokratike. Gjithsesi që ky fakt është një moment i ri i cili dëshmon një stabilitet dhe qëndrueshmëri të munguar për një kohë të gjatë.

“Bota sot”: Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme LVV doli të ketë një fitore të thellë. Cilat janë sfidat më të mëdha të Qeverisë Kurti?

Dugolli: Fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëm fillimi i ndryshimit. Gjithsesi që na presin punë dhe angazhime të mëdha në jetësimin e ndryshimit të kërkuar nga qytetarët. Sfidat janë të shumta, nga ato bazike deri te kjo e fundit Pandemie, e cila është sfidë globale. Problemet e stresuara kërkojnë qasje dhe zgjidhje të matur duke i dhënë prioritet drejtësisë dhe punësimit. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ketë pa drejtësi ashtu siç nuk mund te ketë punësim pa zhvillim ekonomik. Tani jemi në një situatë tejet të rëndë për shëndetin publik nga pandemia, e cila gjithashtu ka dëmtuar shëndetin ekonomik. Prandaj sfida më e madhe dhe më urgjente është vaksinimi sa më i madh i qytetarëve (sigurimi i vaksinave), në mënyrë që të kthehemi sa më parë në normalitet. Kjo do t’i hapte rrugë edhe çështjeve tjera të cilat gjithashtu janë prioritetet e Qeverisë e cila në fokus do të ketë përmirësimin e jetës së qytetarit me drejtësi e zhvillim.

“Bota sot”: Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, a mendoni që bashkëpunimi do të jetë në nivel të duhur, mes presidentes dhe partive politike?

Enver Dugolli: Zgjedhja e Presidentes ka qenë obligim kushtetues dhe ligjor, prandaj konsideroj se përkundër sfidave që dolën në këtë proces ky hap u përmbyll me shumë sukses. Pjekuria e partive politike dhe deputetëve në veçanti për pjesëmarrje dhe votim në këtë proces, tregon nivelin e lartë të përgjegjësisë së tyre. Unë dhe jam i bindur se pjekuria politike e Presidentes znj. Vjosa Osmani do shkëlqejë edhe në ketë fazë duke ofruar bashkëpunim dhe përkrahje të gjitha forcave politike në vend, pozitë dhe opozitë, gjithnjë në funksion të përmbushjes së obligimeve kushtetuese dhe ligjore për interesat e shtetit dhe qytetarëve të vendit.

“Bota sot”: Z.Dugolli, ju jeni tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës, cilat janë synimet e juaja gjatë këtij mandatit?

Enver Dugolli: Konsideroj se të qenit deputet është një përgjegjësi e madhe, prandaj do mundohem të jem zëri i arsyes dhe kompetencës në fusha të caktuara duke mos u shkëputur kurrë nga interesat e atyre që na besuan dhe votuan. Për interesat madhore të vendit do jem zë unifikues dhe asnjëherë përjashtues. Sjellja dhe veprimet mia si deputet do shkojnë në funksion të përmbushjes së premtimeve dhe zotimeve për një jetë më të mirë dhe më të sigurt dhe më perspektive për qytetarët e vendit pa dallim.

“Bota sot”: Së fundmi ndodhi edhe aderimi i ish-deputetes së PDK-së, Adelina Granica në VV. Si e komentoni veprimin e saj?

Enver Dugolli: Të fillojmë me radhë. Së pari, vendimi i deputetes Garainca për të marrë pjesë në procesin e votimit për formimin e institucioneve, votimin për presidenten e vendit, është një vendim tejet i matur, i pjekur dhe përgjegjshëm. Qytetarët e vendit kanë votuar për formimin e institucioneve dhe nuk kanë votuar që prapë t’i qojmë në zgjedhje. Mos votimi për Presidenten do nënkuptonte që vendi me automatizëm do shkonte sërish në zgjedhje dhe çmimin do paguante qytetari, prandaj të gjithë deputetet që morën pjesë ne këtë proces kanë treguar pjekuri të madhe politike dhe kombëtare duke vendosë në radhë të pare interesin e vendit para atyre grupore apo personale. Tash, veprimet e ngutshme të partive politike dhe inatet karshi ndonjë deputeti që vendosë të votoj ndryshe, apo sipas bindjes se tij /saj për çështje të caktuara, qojnë deri aty sa deputet të caktuar (rasti i znj. Grainca) të mos e sheh mundësinë të veproj dhe punoj me kolegët e partisë/subjektit që kishin garuar në zgjedhje dhe për pasojë bënë zgjedhjen e saj në ndonjë parti apo grupacion tjetër. Të jemi të sinqertë, linçimet dhe sulmet që ju bënë znj. Grainca për pjesëmarrje në votimin e Presidentes se vendit, ja kanë pamundësuar kthimin e saj në PDK. Pra, edhe subjekti politik, cili do qoftë, ka obligim të ruan dinjitetin e deputetëve të vet dhe të mos sillet si padron i tyre sepse tek e fundit qytetaret janë ata qe na kanë votuar e jo partitë.

“Bota sot”: A ka deputetë të tjerë nga partitë e tjera politike, që janë të interesuar të kalojnë në VV dhe a ka vend VV për tillë?

Enver Dugolli: Jo vetëm deputetët, por të gjithë qytetarët pa dallim që përqafojnë konceptin dhe programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe që e shohin vetën aty, janë te mirëseardhur. Të jemi të qartë, rezultati në zgjedhjet 14 shkurtit 50.28% për LVV, nuk na jep neve të drejtën që të mbyllim dyert, përkundrazi na obligon të jemi sa më të hapur dhe bashkëpunues.

“Bota sot”: Opozita vazhdimisht është kundër Qeverisë dhe ishte kundër votimit të Presidentes. Sa prisni që të jenë bashkëpunues me Qeverinë Kurti, për çështje të rëndësishme?

Enver Dugolli: Opozita është vlerë e demokracisë. Nuk do kisha dashur asnjëherë ta shihja vendin tim pa opozitë. Prandaj në këtë rrafsh, mendoj që opozita do i ndihmonte vendit por edhe vetes sikur të udhëhiqej nga parimi e jo nga inatet. Pres që për çështje madhore dhe interesa nacionale të jemi bashkë, ndërsa presim dhe mirëpresim edhe kritika të bazuara në funksion të korrektimit eventual të qeverisjes. Të jemi të sinqertë, me këtë rezultat dhe besim të madh zgjedhor, nuk guxojmë asnjëherë të bëjmë gabime sepse atëherë opozitën më të madhe mund ta kemi qytetarin. Ata që na besuan dhe votuan, të cilët janë mbi 50%, do na shikojnë me llupë dhe ne nuk guxojmë t’i zhgënjejmë.

“Bota sot”: Si i vlerësoni masat e fundit anti-Covid, të marra nga Qeveria e Kosovës?

Enver Dugolli: Janë masa të analizuar dhe të imponuara nga situata në terren. Deri sa ende nuk kemi vaksina të mjaftueshme, nuk guxojmë të sillemi me papërgjegjësi. Në pyetje janë jetët e njerëzve tanë dhe gjithçka tjetër do rikuperohet, por jetët e njerëzve nuk mund të kthehen. Besoj se kjo masë do të jap rezultate në zvogëlimin e rasteve dhe kështu të vazhdohet me përpjekje për sigurimin e vaksinave. Besoj që qeveria do kujdeset edhe për shëndetin ekonomik të vendit, ashtu siç po kujdeset për shëndetin e qytetareve. Së bashku (shteti-qytetari-biznesi) do ja dalim, por askush të mos mendoj se të ndarë do kemi sukses. Kërkohet maturi, durim dhe mirëkuptim.

“Bota sot”: Si mendoni se është menaxhuar pandemia deri tani në Kosovë?

Enver Dugolli: Kjo pandemi ishte e papritur dhe e pa llogaritshme, jo vetëm për ne, por edhe për shtetet më të fuqishme të globit. Prandaj, pa dashur të ndalem në përudha të caktuara, mendoj që menaxhimi ka shënuar skaje të ndryshme. Ka pas momente kur është menaxhuar shkëlqyeshëm por edhe dobët. Dështimi për sigurimin e vaksinave është një element i cili na ka penalizuar më së shumti. Jemi vendi i fundit në rajon që mezi kemi siguruar kontingjentin e parë me vaksina. Shpresoj që Qeveria e re do fokusohet më shumë në këtë drejtim dhe së bashku me masat dhe kujdesin qytetar, t’i japim fund sa më shpejt kësaj pandemie. Ndërsa një konstante që ka qenë gjithmonë në krye të detyrave dhe obligimeve dhe që vlen të përmendet, janë mantel bardhit të cilët kanë kryer një punë të jashtëzakonshme në mbajtjen nën kontroll dhe menaxhimin e kësaj pandemie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat