Ish-ambasadori holandez: E rrezikshme bërja e veriut “autonom”, Vuçiq s’e njeh Kosovën derisa ka pas vete këto dy shtete

Intervista

Ish-ambasadori holandez: E rrezikshme bërja e veriut “autonom”, Vuçiq s’e njeh Kosovën derisa ka pas vete këto dy shtete

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 prill 2021 Në ora: 21:17
Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka quajtur të padobishme dy letrat jo-formale, që u publikuan së fundmi në mediat sllovene dhe në mediat e Kosovës.

Duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Bosch ka thënë se bërja e veriut të Kosovës një “vend autonom”, është shumë e rrezikshme. Ndërsa, sipas tij, dokumenti “slloven” synon vendet një-etnike, që nuk mund të arrihet pa vuajtje, dhunë dhe padrejtësi.

Ish-ambasadori ka theksuar se në vend të ndryshimit të territoreve, duhet të bëhet integrimi i plotë i popullsisë serbe në Kosovë dhe se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion mbi Beogradin për këtë çështje.

Bosch ka paralajmëruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, derisa pas tij qëndrojnë fuqishëm Rusia dhe Kina.

Ai ka thënë se për dialogun, ka një presion të jashtëzakonshëm ndaj Qeverisë së Kosovës.

Në intervistë, ish-ambasadori Bosch ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke fajësuar edhe vendin e tij, si një nga kundërshtueset në Këshillin e Evropës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Bosch: Si e komentoni dokumentin non-paper, i cili u botua nga media sllovene e cila flet për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor? Dokumenti parashikon ndryshime në kufijtë e të gjitha vendeve në rajon, përfshirë Kosovën. A mund të ketë vërtet një ndryshim të kufijve në Ballkan?

Robert Bosch: Të dy letrat nuk janë aspak të dobishme. Dokumenti “slloven” synon vendet një-etnike, e cila është e pamundur të arrihet pa shumë vuajtje, dhunë dhe padrejtësi. Megjithëse mund të tingëllojë mirë, është plotësisht e padëshirueshme, sidomos në këtë botë që globalizohet me shpejtësi. Qëllimi duhet të jetë gjithmonë pranimi i tjetrit dhe kompromiset.

“Bota sot”: Po dokumentin, i cili u publikua dy ditë më parë nga media në Kosovë, që parasheh “Distrikt Autonom të Kosovës Veriore”? Cilat mund të jenë pasojat e tij?

Robert Bosch: Letra e ashtuquajtur “gjermano-franceze” është shumë më e rrezikshme, pasi mund të funksionojë në dëm të Kosovës. Bërja e veriut me maksimum 50,000 banorë një rajon autonom në një vend të vogël si Kosova është shumë i rrezikshëm dhe me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nuk do të mbetej shumë nga Kosova. Ajo që duhet të bëhet është integrimi i plotë i popullsisë serbe dhe ndërkombëtarët duhet t'i thonë Beogradit të ndalojë pengimin e kësaj çështjeje.

“Bota sot”: Pas ndryshimit të përbërjes së qeverisë në Kosovë, çfarë zhvillimesh mund të priten në lidhje me dialogun?

Robert Bosch: Ndikimi i qeverisë së re në dialog nuk është i qartë akoma. Ekziston gjithmonë një presion i jashtëzakonshëm, i cili shpesh është i vështirë për t'u rezistuar. Por, do të ishte mirë të kishin qëllime të qarta dhe vija të kuqe dhe të paraqesin sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe menjëherë në Bruksel.

“Bota sot”: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq po këmbëngul që nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, gjatë mandatit të tij. A duhet të ushtrojë më shumë presion BE-ja dhe SHBA-ja në këtë drejtim?

Robert Bosch: Sigurisht që BE-ja duhet t’i bëjë më shumë presion Vuçiqit në lidhje me njohjen, por ai nuk do të lëkundet për sa kohë që ka mbështetje të fortë nga miqtë e tij anti-demokratikë Rusia dhe Kina.

“Bota sot”: Kosova ka kryer obligimet për liberalizim vizash, por ka një ngurrim te shtetet si Holanda dhe Franca. Si të binden ato dhe të shpejtohet ky proces?

Robert Bosch: Lliberalizimi i vizave, ky është një turp i vërtetë për BE-në dhe gjithashtu për vendin tim. Përmbushja e kritereve, të cilat shkojnë shumë përtej asaj që normalisht kërkohet, shih p.sh. Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Nuk është e mjaftueshme për parlamentin holandez, por gjithashtu Franca dhe Danimarka luajnë një rol negativ këtu. Vetëm Gjermania mund të shtynte përpara, por fatkeqësisht nuk e përdori kryesimin e BE-së për ta bërë këtë. Ndoshta këtë mund ta bëjë Sllovenia?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat