Abazi për përfshirjen e Surroit dhe Shalës në dialog: Shkolla e të majtës jugosllave duhet të largohet nga këtu

Intervista

Abazi për përfshirjen e Surroit dhe Shalës në dialog: Shkolla e të majtës jugosllave duhet të largohet nga këtu

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 maj 2021 Në ora: 10:20
Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë me qasje të transformuar dhe me Kosovën si palë e barabartë me Serbinë.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka kërkuar që dialogu të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në Evropë, pasi sipas tij, Kosova është lënë jashtë strategjisë së BE-së për zgjerim.

Në një intervistë me shkrim për gazetën “Bota sot”, Abazi ka thënë se në ekipin dialogues me Serbinë, nuk duhet të përfshihen njerëz me mendësi të përçarjes që ishin vendimmarrës deri në proceset e tanishme.

Abazi ka komentuar edhe dokumentet jo-zyrtare për ndryshim kufijsh në Ballkan, duke thënë se ngutia për të paraqitur këto opsione pa u bërë publike autorësia, çojnë në drejtimin e burimeve dhe gjeneruesve të idesë për ndarje të Kosovës dhe shkëmbimit territorial, që ishte lansuar nga Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Në intervistë, deputeti ka folur edhe për raportet e tij me kryeministrin Albin Kurti.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Abazi, cilat janë prioritetet e juaja si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë?

Haki Abazi: Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka peshë dhe rëndësi të madhe në përbërjen dhe funksionet e Kuvendit. Në veçanti, Komisioni merret me mbikëqyrjen dhe monitorimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, miratimin e ligjeve dhe amandamenteve ligjore të kësaj fushe, përfshirë dhënien e sugjerimeve dhe rekomandimeve specifike për ekzekutivin në funksion të zbatimit të legjislacionit përkatës në fuqi, por edhe koordinimin dhe harmonizimin e punëve me angazhimet e Kryetarit të Kuvendit në Punët e Jashtme dhe Diasporë, dhe institucionet tjera shtetërore që kanë përgjegjësi në artikulimin dhe ekzekutimin aktiviteteve dhe legjislacionit përkatës.

Përbrenda këtij fushëveprimi, prioritetet e mia janë: Ndërtimi i kohezionit të Komisionit për punë të përbashkët me të gjithë anëtarët, përfshirë edhe koordinimin dhe bashkërendimin me Kryetarin e Kuvendit; vendosja e sistemit të arkivimit dhe fajlimit për komisionin, kornizimi strategjik i punës së komisionit dhe përcaktimi i formave dhe qasjes së komunikimit me Komisionet e Punëve të Jashtme të shteteve që e kanë njohur dhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit.

“Bota sot”: Cilat janë problematikat e politikës së jashtme të Kosovës?

Haki Abazi: Nga perspektiva ku qëndroj unë, problemet e politikës së jashtme janë shumë dimensionale dhe të thella. E para, Ligji Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës është i mangët dhe ka nevojë urgjente për rishikim dhe plotësim-ndryshim; e dyta, profesionalizmi dhe trajnimi i stafit diplomatik, krijimi i udhëzimeve të qarta për ambasadat bazuar në politikat dhe strategjitë e mirë analizuara me prioritete dhe objektiva të qarta, të mençura, realiste dhe që mund të maten në periudha të caktuara kohore. Mendoj që forma klasike e organizimit të shërbimit diplomatik nuk është adekuate për Kosovën që ka resurse të limituara njerëzore, financiare dhe traditë relativisht të re. Riorganizimi gjithashtu duhet të bëhet në mënyrë kreative, duhet të fillojmë me të deleguar të posaçëm që ngarkohen me detyra specifike sidomos për realizimin e njohjeve të reja e me fokus në pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Çfarë nuk ka ndodhur ose minimalisht është punuar në drejtim të forcimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet që e kanë njohur pavarësinë për identifikimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, ekonomike, arsimore, ushtarake dhe formave tjera të përfitimeve direkte nga këto vende. Të gjitha këto duhet të bëhen në përputhje të plotë me politikat zhvillimore dhe prioritare të brendshme dhe ky proces kërkon sinkronizim të plotë e të vazhdueshëm në vijat horizontale dhe ato vertikale të funksioneve institucionale.

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar në ekipin për dialog Veton Surroin dhe Blerim Shalën? A duhet të jenë ata pjesë e këtij ekipi?

Haki Abazi: Institucionet e krijuara nga rezultati i zgjedhjeve të fundit janë derivate të vullnetit qytetar për ndryshim dhe transformim të plotë të qasjeve, metodologjive dhe njerëzve që kanë qenë vendimmarrës apo në një formë ose tjetër i kanë kontribuar situatës së krijuar si pasojë e asaj mendësie dhe funksionimi të një sistemi që ishte instaluar. Duhet kuptuar se për Kosovën, Muri i Berlinit ka rënë më 14 shkurt 2021. Lidhja me njerëzit që i takojnë të kaluarës, mendësisë së vjetër, antagonizmave politik nga e kaluara, dhe që kanë përfituar edhe financiarisht duke dizajnuar apo mbrojtur dhe ekzekutuar vendimet e gabuara që nga viti 1999 e këndej, por sidomos pas shpalljes së pavarësisë, nuk kanë vend dhe nuk do të duhej të përfshiheshin në proceset e tanishme. Vota e 14 shkurtit ka pensionuar të gjithë atë klasë dhe kthimi tek ta, kushdo qoftë ai apo ajo është vazhdimësi e një tranzicioni që do të duhej të përfundojë. Kjo është dekada e tretë e shekullit 21, ne jemi 30 vite mbrapa Evropës Qendrore. Koha e liderëve, qoftë edhe mendimtarëve disidentë ka kaluar, tani është kohë e punëve dhe udhëheqjes me vizion për të ardhmen dhe për përfshirje jashtë mendësisë se përçarjeve të bazuara në interesa personale. Shkolla e të majtës jugosllave duhet të largohet nga këtu. Përveç që është treguar gjithmonë inferiore ndaj Beogradit, është edhe ushqyese e urrejtjes dhe ndasive në Kosovë dhe mes shqiptarëve.

“Bota sot”: Çfarë zhvillimesh mund të priten në lidhje me dialogun pas ndryshimit të përbërjes së qeverisë në Kosovë?

Haki Abazi: Dialogu duhet të vazhdohet, por me qasje të transformuar. Nuk duhet mjaftuar me shkuarjet në Bruksel e as edhe me interpretime dualiste të asaj se çfarë do të ndodhë atje. Dialogu duhet të bëhet ndërmjet palëve të barabarta me një përkufizim kohor të qartë dhe duhet insistuar që dialogu të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në Evropë. Kosova nuk ka urgjencë për dialog me Serbinë. Ne jemi lënë jashtë strategjisë së BE-së për zgjerim, nuk kemi liberalizim të vizave dhe metodologjia e re e BE-së për zgjerim nuk është duke u aplikuar në rastin e Kosovës. Unë shoh disa probleme thelbësore në formatin dhe dinamikën e deritanishme.

a). Kosova nuk është e barabartë përderisa Serbia vazhdon hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE me Kosovën si pjesë e Kushtetutës së saj.

b). Kosova nuk është e barabartë në dialog përderisa BE deklarohet si neutrale ndaj statusit, kjo nuk do të duhej të qëndronte as edhe si artikulim politik, meqë BE asnjëherë nuk është palë vendimmarrëse për njohjen e pavarësisë, atë e bëjnë shtetet anëtare.

c). Problemi thelbësor ka të bëjë me definimin e rolit të BE-së, ky rol duhet ngritur nga lehtësuesi në ndërmjetësues dhe garantues të zbatimit të marrëveshjeve.

ç). Problemi tjetër ka të bëjë me fuqinë detyruese të BE-së. Nëse BE nuk ka arritur të mbajë premtimin për liberalizim të vizave dhe po ashtu nuk ka arritur të bind pesë anëtaret e veta që të njohin Kosovën, shtrohet pyetja se në çfarë forme do të bindin Serbinë që të zbatojë marrëveshjet?! Jam shumë skeptik që dialogu do të prodhojë rezultatet e pritura, pikërisht për shkak se prolongimi dhe sabotimi i implementimit të marrëveshjeve është bërë pikërisht nga ana e Serbisë, sepse kjo e mban relevante Serbinë në relacionin BE-Rusi dhe kjo u pa qartë në rastin e vaksinave e që nuk është hera e parë, sepse Serbia po ashtu nuk ka zbatuar vendimet e BE-së, duke refuzuar që të zbatojë sanksionet me Rusinë. Jo për hatrin e Kosovës, por për idenë e përmbylljes së ombrellës së sigurisë dhe zbatimit të politikës së jashtme të BE-së, në këtë drejtim Serbisë duhet t’i bëhet e qartë që mund të vetizolohet nëse vazhdon të krijojë pengesa për Kosovën dhe të shkaktojë jostabilitet, duke interferuar në secilën prej vendeve fqinje me qëllim të subordimimit të fqinjësisë me qëllim të dominimit në rajon.

“Bota sot”: Presioni për dialog ndaj kryeministrit Kurti sa vjen e rritet, a duhet të heq dorë ai nga “dialogu me parakushte”?

Haki Abazi: Presioni për dialog është evident dhe do të vazhdojë, por përkundër presionit dhe urgjencës së paraqitur, janë shpenzuar 8 vite me një rezultat minimal dhe një proces të degraduar që ekspozon pafuqinë e BE-së dhe fakteve ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë ka kontaminuar hapësirën sidomos duke rritur justifikimin për mosnjohje të Kosovës nga shtetet e ndryshme që po presin që dialogu të prodhojë një epilog të ri, ku Serbia do të ndahej e kënaqur. Kjo gjë i shkon në favor vetëm Serbisë, sepse duke vonuar procesin ngadalëson dhe ngulfat njohjet e reja, e zhvendos fokusin e reformave të brendshme në çështjen e Kosovës dhe sa herë që i hyn në punë e paraqet veten si lojtar i rëndësishëm dhe e kapitalizon atë sidomos në raport me Rusinë dhe Kinën. Dialogu nuk ka asnjë urgjencë, Kosova ka punët e pakryera në shtëpi për të përmbyllur shtetndërtimin dhe për të siguruar jetë të dinjitetshme, drejtësi dhe mbrojtje për qytetarët. Serbia po ashtu ka probleme të jashtëzakonshme të brendshme që duhet adresuar sidomos për të dalë nga faza e mohimit të së kaluarës, të bëjë reformë institucionale, dhe në fund BE nuk është gati për zgjerim e as edhe për një proces të dinamizuar të angazhimit në zbatimin e Marrëveshjeve të Stabilizim Asocimit. Kemi rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që në momentin e fundit për shkak të vetos së Bullgarisë, edhe Maqedonia e Veriut e çuditërisht edhe Shqipëria janë duke u mbajtur peng në një proces që BE-ja kishte premtuar se do të fillojë së paku një vit më parë. Andaj, shtrohet pyetja, pse është gjithë ky insistim për një dialog të një formati që ka prodhuar shumë pak e ndonjëherë ka thelluar problemet përtej asaj që ka qenë në fillim.

“Bota sot”: Po flitet për një dokument të përhapur nga qeveria sllovene, që parasheh ndryshim kufijsh në Ballkan. A mund të vijë ky propozim në tavolinën e negociatave?

Haki Abazi: Non-papers që janë paraqitur kinse nga Sllovenia dhe kjo e fundit nga Franca dhe Gjermania, janë tentim për të rikthyer angazhimet për ndarje dhe rivizatim të kufijve. Nëse analizohen tekstet në thellësi, këto janë dokumente që në njërën anë matin temperaturën e faktorëve ndërkombëtarë për këtë çështje, si dhe në anën tjetër duan që të paraqesin një situatë të re para së cilës si akt të kryer duhet të ballafaqojnë institucionet e brishta ende të pakonsoliduara plotësisht të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Ngutia për të paraqitur këto opsione pa u bërë publike se kush po i bën, të çojnë në drejtimin e burimeve dhe gjeneruesve të idesë për ndarje të Kosovës dhe shkëmbimit territorial që ishte lansuar nga Thaçi dhe Vuçiq. E vetmja gjë pozitive e non-paper, e ashtuquajtur Slloven, është sinqeriteti i plotë i arritjes së qëllimit dhe për herë të parë, për më shumë se një dekadë dikush e ka thënë haptas që qëllimi i Serbisë është që të zhdukë Bosnje Hercegovinën dhe të hendikepojë Kosovën, duke i marrë pjesët vitale dhe resurset kryesore. Letra me ose pa qëllim paraqet qëllimin e rifreskuar të Serbisë për të qenë dominonte, duke arritur qëllimet e luftërave të bëra në 90-ta, por me instrumente të reja dhe me përkrahje nga ata që në rajon mund të kenë probleme me ligjin.

“Bota sot”: Flitet se raportet tuaja me kryeministrin Kurti janë “ftohur”, cili është komenti juaj?

Haki Abazi: Raportet tona me Kryeministrin Kurti kanë qenë profesionale, vazhdojnë të jenë profesionale dhe të tilla do të jenë. Ftohja për të cilën po flisni ju mund të ketë të bëjë me percepsionin për sezonin e dimrit dhe temperaturave të ulëta. Është vetëm fillimi i qeverisë dhe nuk do të kishte as kuptim që të kishte kritikë konstruktive më shumë se kaq para se të bëheshin 100 dite qeverisëse, por avancimi i projekteve, realizimi i premtimeve të bëra në fushatë, duhet të jetë rezultat i diversifikimit të ideve dhe pikëpamjeve dhe unë nuk hezitoj asnjëherë që ato t’i paraqes hapur dhe me argumentim dhe të mbështetura në fakte dhe parime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat