Deputetja e VV-së: Reciprociteti ndaj Serbisë duhet të vendoset, dialogu të bëhet me parime

Intervista

Deputetja e VV-së: Reciprociteti ndaj Serbisë duhet të vendoset, dialogu të bëhet me parime

Nga: Arnita Zeneli Më: 2 qershor 2021 Në ora: 13:24
Arjeta Fejza

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se qasja në politikë, për një 18 vjeçare siç ka qenë në këtë rast edhe vetë znj. Fejza, ka qenë e vështirë, por që sipas saj mbështetja nga populli si dhe përkrahja nga subjekti e ka bërë më të lehtë. Madje ajo tregon se si deputete është e fokusuar në çështjet e fushës së arsimit, si dhe me çështjen që lidhen me të drejtat e punëtorëve.

Fejza ka thënë se reciprociteti duhet të ndodhë, por për datën ajo thotë se vendimi u takon ekspertëve të fushës.

Ajo përmendi edhe disa të arritura gjatë qeverisjes 70 ditëshe të Qeverisë Kurti, që sipas saj janë shkarkimi i Bordit të AKP-së, heqja e homologimit si dhe sigurimi i vaksinave.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka vlerësuar se duhet të jetë dialog mbi parime.

“Bota sot”: Keni qenë mësimdhënëse, pse vendose t'I futesh politikës?

Arjeta Fejza: Realisht unë kam qenë në politikë para se të jem në fushën e arsimit, kam gati dhjetë vite aktivizëm politik. Me funksione të ndryshme, por politika ka qenë pjesë e jetës time që prej moshës 18 vjeçe.

“Bota sot”: A keni pasur vështirësi për t’u qasur në politikë?

Arjeta Fejza: Të jesh vajzë dhe e re në politikë është bukur e vështirë, por mbështetja nga populli ka qenë e jashtëzakonshme. Duhet gjithsesi të përmendet edhe përkrahja nga subjekti. Vajzat dhe gratë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në Kuvend pa ndihmën e kuotës gjinore të gjitha, kjo është edhe falë hapësirës dhe rëndësisë që subjekti i ofron vajzave dhe grave si dhe angazhimit të tyre politik e publik.

“Bota sot”: Në çfarë jeni e fokusuar këtë mandate si deputete?

Arjeta Fejza: Unë jam shumë e interesuar të shtyjë përpara çështje që lidhen me fushën e arsimit, ato gjinore si dhe çështje që lidhen me të drejtat e punëtorëve. Po ashtu do angazhohem në komisionet e Kuvendit, atë për të drejtat të komuniteteve dhe integrime evropiane.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Arjeta Fejza: Mendoj që për herë të parë pas shumë vitesh në vend kemi një stabilitet politik, ky stabilitet po reflekton në siguri dhe një ndjenjë pozitive tek qytetarët. Konsideroj se qytetarët janë të lumtur me realizimin e vullnetit të tyre në institucione. Vendimet e Qeverisë po mirëpriten, por pres që pas rishikimit të buxhetit do të ketë më shumë hapësirë për realizimin e programit qeverisës.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për qeverisjen Kurti në këto 70 ditë? Çfarë duhet të ndryshojë në vazhdimësi?

Arjeta Fejza: Besoj që qeverisja e Albin Kurtit është duke ecur shumë mbarë. Tashmë ka filluar realizimi i programit, kurse programi është i mbështetur në premtimet dhe alternativën e prezantuar në fushatën elektorale, pra besoj që të gjithë jemi dëshmitarë dhe po i prekim direkt këto vendime. Shkarkimi i Bordit të AKP, heqja e homologimit, sigurimi i vaksinave etj. Të gjitha këto janë rezultate të arritura në më pak se 70 ditë.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja nga dialogu me Serbinë, që do të fillojë në qershor?

Arjeta Fejza: Pres një dialog të mirë përgatitur në kuadër të së cilit do të përfaqësohet interesi i shtetit tonë. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se ne jemi për një dialog me parime në kuadër të së cilit do të njihet normaliteti i ri, e në këtë normalitet Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik.

“Bota sot”: A mendoni se së shpejti mund të arrihet marrëveshja finale me njohje reciproke nga Serbia?

Arjeta Fejza: Konsideroj që në këtë çështje, e rëndësishme është forma nëpërmjet të cilës bëhet marrëveshja dhe produkti që sjellë marrëveshja. Në këtë kontekst duhet vendosur parime bazë mbi të cilat ngritet dialogu, pra me parime duhet të rikujtohet historia dhe të këmbëngulet në realitetin objektiv mes shteteve.

“Bota sot”: A duhet të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë, nëse po kur mendoni se do të ndodh kjo?

Arjeta Fejza: Reciprociteti do të thotë barazi mes shtetesh dhe meqë synimet tona janë për integrim evropian si një shtet i cili është demokratik dhe ka vlera evropiane, unë besoj që në kuadër të ndërtimit të këtyre vlerave reciprociteti duhet të ndodhë, për datën mendoj se është një vendim që u takon ekspertëve të fushës.

“Bota sot”: Së fundmi kemi rënie të madhe të rasteve me Covid dhe me thuajse zero vdekje, po ashtu pritet dhe lirimi i masave. Çfarë mendoni se ka ndikuar në uljen e rasteve dhe si e vlerësoni lirimin e masave?

Arjeta Fejza: Mendoj se masat të cilat i ndërmori qeveria Kurti ishin një nga shkaktarët kryesor në rënien e numrit të infektimeve, tani sigurisht që lirimi i masave është i vlerësuar mirë dhe është mirëpritur nga të gjithë qytetarët.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale? A keni caktuar ndonjë kandidat për kryetar në ndonjë nga komunat?

Arjeta Fejza: Besoj që fryma e ndryshimit do të përcillet edhe zgjedhjet lokale. Në Lëvizje për arsye të procedurave të brendshme akoma nuk kemi vendosur për kandidatët për kryetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat