Lladrovci i bindur për fitore në Drenas, flet për kandidaturat e PDK-së për kryetar dhe raportet me Lushtakun

Intervista

Lladrovci i bindur për fitore në Drenas, flet për kandidaturat e PDK-së për kryetar dhe raportet me Lushtakun

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 qershor 2021 Në ora: 19:11
Ramiz Lladrovci

Në një intervistë për “Bota sot”, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është shprehur i bindur se do të vazhdojë punën e tij edhe për një mandat, duke pritur fitoren pa balotazh. Lladrovci thotë se ka realizuar zotimet e tij, ka pasur menaxhimin e shkëlqyer dhe duke i shërbyer interesit të qytetarëve, pret që qytetarët e Drenasit ta votojnë edhe për një mandat. I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje mund t’ua marrë Drenasin, duke u bazuar në rezultatin nga zgjedhjet nacionale, Lladrovci thotë se kjo komunë mbetet bastion i PDK-së. Po ashtu, ai ka folur edhe për përplasjet me ish kryetarin e Skenderajt, bashkëpartiakun, Sami Lushtaku. Lladrovci ka folur edhe për kandidaturat për kryetar të PDK-së, derisa ka thënë se e përkrah këdo që zgjidhet në krye të partisë.

“Bota sot”: Ҫfarë pritni nga zgjedhjet lokale që do të mbahen brenda pak muajsh?

Ramiz Lladrovci: Në Drenas, pres fitoren pa balotazh sikur herën e kaluar. Puna ime nuk ka të ndalur dhe besoj se do të fitoj sërish besimin qytetar. Qytetarët shohin, mbajnë mend dhe vlerësojnë, kam besim te ta.

“Bota sot”: Pse qytetarët e Drenasit duhet t’ua besojnë edhe një mandat?

Ramiz Lladrovci: Duhet ta besojnë punën që kam bërë, për zotimet e realizuara, përkushtimin tim shembullor, menaxhimin e shkëlqyer e të vlerësuar në nivel nacional, si dhe zotimin tim se do t’i shërbej interesit të qytetarëve pa dallim. Përkushtimi im jetësor do të mbetet mirëqenia e qytetarëve, sundimi i ligjit dhe barazia para ligjit, me transparencë e llogaridhënie.

“Bota sot”: Tashmë janë bërë të ditur shumë kandidatë të mundshëm për kryetar, kë e shihni si konkurrent për të fituar sërish Drenasin?

Ramiz Lladrovci: Nuk shoh kandidaturë serioze për të tejkaluar as punën time, as angazhimin tim, as zbatimin e ligjit, as barazinë para ligjit sikur gjatë mandatit të parë. Fjalë mund të flas secili qytetar se jemi të lirë të flasim, por punë, ato që unë i kam bërë dhe synoj t’i bëj, janë edhe të pamundshme edhe të paarritshme për të siguruar kushdo tjetër besimin e qytetarëve.

“Bota sot”: Njëri nga anëtarët e PDK-së në Drenas ka shpallur kandidaturën për kryetar, a do të thotë kjo se ka mospajtime ndërmjet anëtarëve të degës?

Ramiz Lladrovci: Partitë politike janë organizata me qëllim të mirë, jo të gjithë mund të jemi të pajtimit me secilin që thotë diçka, andaj, kandidaturat i shoh si sharm të demokracisë, e begatojnë ambientin tonë politik dhe japin vlerë duke bërë dallimin mes fjalëve dhe veprave, punës së mirë dhe demagogjisë.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje doli fitimtare në zgjedhjet e përgjithshme, sa mendoni se mund të fitojë edhe në zgjedhjet lokale, veҫanërisht në Drenas?

Ramiz Lladrovci: Drenasi ka qenë, është dhe mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së, ashtu sikur dje që ishte bastion i UÇK-së. Në zgjedhjet nacionale, vota jonë u ruajt fuqishëm dhe do të ruhet fuqishëm edhe në zgjedhjet lokale, sepse, ne punojmë, ne e duam punën, ne i duam qytetarët tanë. Ne nuk i mashtrojmë qytetarët as mbjellim përçarje.

“Bota sot”: Së shpejti do të mbahen zgjedhjet brenda PDK-së, kë e mbështetni ju për kryetar partie?

Ramiz Lladrovci: Për mua që nuk kam asnjë ambicie politike, kushdo propozohet dhe zgjidhet kryetar, e mbështes dhe përkrah. Nuk kam preferenca por, punën e secilit duhet çmuar. Kryetari do të fuqizojë unitetin dhe përkushtimin për zgjedhjet lokale, andaj, e përkrah kandidatin që zgjidhet.

“Bota sot”: Kreu i PDK-së me disa bashkëluftëtarë po mbahen në Hagë, a keni kontakte me ta?

Ramiz Lladrovci: Jo, nuk kam kontakt, por, kjo padrejtësi ndaj tyre pres të korrigjohet. Paditë e armiqve tanë nuk mund të jenë pasqyrë as vlerësim për heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Pajtimet apo mospajtimet tona të brendshme nuk guxojnë ta lëkundin besimin tonë të thellë në udhëheqësit tanë të UÇK-së që sulmohen për më shumë se 20 vjet nga një superfuqi dhe argatët e saj në Ballkan.

“Bota sot”: Si mendoni se do duhet dhe si do të jetë verdikti për ta?

Ramiz Lladrovci: Verdikti i drejtë është lirimi nga çdo akuzë, sepse, ata nuk kanë kryer krime, i kanë prirë një lufte të drejtë dhe të zhvilluar në pajtim me konventat ndërkombëtare dhe kanë fituar përkrahjen ndërkombëtare. Lufta jonë ishte çlirimtare, mbrojtëse. Andaj, çdo akuzë ndaj tyre, është e padrejtë dhe sulm ndaj shtetit tonë që e kontestojnë armiqtë tanë të deridjeshëm dhe fqinji ynë verior.

“Bota sot”: Së fundi kemi parë disa ‘përplasje’ tuaja me Sami Lushtakun, cili është raporti ndërmjet ju të dyve?

Ramiz Lladrovci: Raporti im me z. Lushtaku është i mirë, ka mundësi të jetë më i mirë ashtu siç i kishim më herët, raporte të shkëlqyeshme. Secili ka përgjegjësitë dhe detyrat e veta dhe ndjehem mirë, ashtu siç dëshiroj që të jetë mirë edhe z. Lushtaku. Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat