Flet për “Bota sot” deputeti që po “dridh” Kuvendin e Serbisë, tregon detaje nga përballja me Vuçiqin e Daçiqin

Intervista

Flet për “Bota sot” deputeti që po “dridh” Kuvendin e Serbisë, tregon detaje nga përballja me Vuçiqin e Daçiqin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 qershor 2021 Në ora: 21:03
Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur “frikacak” e “oportunist” presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiqin. Sipas tij, Vuçiqi mbetet një kopje e dështuar dhe qesharake e idhujve të tij.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se është kënaqësi që është i vetëm kundër të gjithëve në Kuvendin e Serbisë, i cili sipas tij, është ahistorik dhe totalitar.

Teksa ka pranuar se ka marrë kërcënime për deklaratat e tij, ku ka përmendur gjenocidin serb në Kosovë, Kamberi ka thënë se është motiv i jashtëzakonshëm përballja me figurat e larta shtetërore atje.

Ai ka folur edhe për vështirësitë e shqiptarëve në Serbi, duke akuzuar Vuçiqin se nuk i do shqiptarët si pjesë të shtetit.

Kamberi i ka vlerësuar si pozitive disa vendime të qeverisë Kurti për Kosovën Lindore.

Derisa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, deputeti ka theksuar se Vuçiq nuk është i gatshëm ta njoh Kosovën.

Sipas tij, ai po e përdor dialogun me Kosovën dhe propagandon kinse vullnetin e tij për kompromis më shumë për konsum të brendshëm.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Kamberi, jeni deputet shumë i zëshëm në Kuvendin e Serbisë. Vazhdimisht dhe madje edhe në seancën e fundit, ju keni përmendur në sy të presidentit Vuçiq krimet serbe në Kosovë. A keni marrë kërcënime për këto deklarata?

Shaip Kamberi: Kundërshtimet e deputetëve mazhoritarë dhe qeveritarëve pas fjalimeve të mia janë të pritshme, në një Serbi me një pushtet të tillë njëpartiak dhe autoritar. Mohimi i krimeve të luftës krahas glorifikimit të kriminelëve të dënuar është bërë pjesë e pandashme e politikës zyrtare në Serbi. Prandaj, edhe kundërshtimet e tyre janë të ashpra, secilën herë që përmendi krimet e shtetit të Serbisë. Marr kërcënime kryesisht nga profile të rrejshme në rrjete sociale dhe denigrime nga tabloidet dhe mediat e kontrolluara nga regjimi. Tipike për regjime autoritare. Mungesa e kërcënimeve direkte prej zyrtarëve të Serbisë ndaj meje nuk është potencial i tyre demokratik ose mirësjellje ndaj meje, por është pjesë e strategjisë politike se janë të vetëdijshëm se pushteti i tyre është autoritar dhe kanë nevojë për ta krijuar imazhin e rrejshëm demokratik. Pra, nuk e kanë problem se jam shqiptar. Madje iu pëlqen se ka ndonjë deputet shqiptar, përderisa është në funksion të krijimit të një demokracie të rrejshme. Por, ata duan deputet shqiptar ose të margjinalizuar, ose të heshtur, ose të nënshtruar ndaj tyre. E unë nuk jam i tillë. Prandaj, po pengoj. Por, sidoqoftë, regjimi serb po demanton vetveten. U pa edhe në seancën kur bëri ekspozeun e tij Presidenti i Serbisë. Ato pamje ku një parlament i tërë e ku madje ishin sjellë edhe politikanët serbë të Kosovës për t’i duartrokitur liderit të tyre suprem, ishte një kopje qesharake e Koresë së Veriut. Madje edhe Sllobodan Millosheviqi kujdesej të kishte pak zëra kundërshtues dhe opozitarë që mos të duket si ai parlamenti atë ditë. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime politike dhe publike. Kënaqësi e madhe për mua të isha pothuajse i vetëm kundër të gjithëve në atë sallë. Jo për shkak timin, por për shkak se ky parlament është ahistorik dhe totalitar. Ai do të mbahet në mend në historinë e Serbisë si një Kuvend i turpit të Serbisë. Vuçiqi po dëshiron të paraqitet brenda opinionit serb si lider i popullarizuar dhe i fuqishëm, por realisht po shpërfaqet çdo ditë e më shumë si një lider frikacak e oportunist që nuk ka guxim të veprojë dhe të marrë vendime për të ardhmen e Serbisë, porse mendon vetëm për veten e tij, edhe në dëm të Serbisë. Sado që dëshiron të duket si inkarnim modern i idhujve të tij politik dhe historik të Serbisë, Vuçiqi mbetet një kopje e dështuar dhe qesharake e tyre.

“Bota sot”: A ishin të vështira ballafaqimet tuaja me kryeparlamentarin Ivica Daçiq dhe presidentin Vuçiq?

Shaip Kamberi: Pavarësisht atmosferës së tendosur që mbretëron në seancat parlamentare, ku grupi ynë parlamentar prej 6 deputetëve është i vetmi opozitar nga 250 deputetë sa ka parlamenti, pavarësisht se ballafaqimet po bëhen me figurat më të larta në hierarkinë shtetërore (me kryekuvendarin Daçiq, me kryeministren Bërnabiq dhe Presidentin Vuçiq), ne jemi në anën e së vërtetës dhe të demokracisë. Ky është motivim i jashtëzakonshëm.

“Bota sot”: A ndjeheni të rrezikuar pas shfaqjes së flamurit shqiptar dhe deklaratave tuaja në Kuvendin e Serbisë?

Shaip Kamberi: Sigurisht se në një Serbi të tillë, rreziku ekziston gjithmonë. Por, unë kam zgjedhur të jem deputet, rrjedhimisht të përfaqësoj vullnetin e zgjedhësve të mi dhe bindjet e mia politike. Kjo është detyrë e imja. Ky është mandati im.

“Bota sot”: A mund të na tregoni ndonjë detaj nga ballafaqimi me Vuçiqin, a ju ka thënë ndonjë gjë jashtë seancës së fundit?

Shaip Kamberi: Nuk kam pasur rast ta takoj Presidentin Vuçiq jashtë seancës parlamentare. Hyrja në sallë për zyrtarët e lartë shtetëror nuk është e njëjtë nga ajo që kemi si deputetë.

“Bota sot”: Me cilat vështirësi po përballeni gjatë procedimit të çështjeve që përmirësojnë jetën e shqiptarëve në Serbi?

Shaip Kamberi: Mungesa e vullnetit politik në Qeverinë e Serbisë nuk është ndonjë risi. Siç e kemi theksuar shumë herë, me Serbinë zyrtare, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë tri marrëveshje të nënshkruara (2001, 2009, 2013), të cilat nuk po zbatohen nga Beogradi. Pra, vështirësitë janë të njëjtat nga një politikë diskriminuese, e cila nuk i do shqiptarët si pjesë të shtetit. Dallimi tani është se regjimi i Vuçiqit po përkëdhelet nga kryeqendrat botërore për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Bota sot”: Si i vlerësoni përpjekjet e Qeverisë Kurti për ndihmë ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore?

Shaip Kamberi: Ka disa vendime të para pozitive, si ai për ta ndihmuar komunën e Preshevës pas vërshimeve. Pastaj, është pozitive që Kryeministri Kurti ka ngritur çështjen e shqiptarëve të Serbisë (bashkë me atë të boshnjakëve) në tavolinën e dialogut në Bruksel me Vuçiqin, si dhe ka shpërfaqur asimetrinë në të drejta midis shqiptarëve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Besojmë se do të ketë një plan dhe program konkret qeveritar të Kosovës për Luginën e Preshevës. Ky institucionalizim i çështjes së Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës do të ishte tregues i pjekurisë politike të shtetit të Kosovës. Kur Qeveria e Serbisë ka organ dhe plan e program të veçantë për Luginën e Preshevës e madje edhe për Kosovën, pse mos ta kenë një të tillë edhe Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë?

“Bota sot”: Si prisni që të rrjedh procesi i dialogut Kosovë-Serbi me kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurti përballë Vuçiqit?

Shaip Kamberi: Realisht, nuk po shoh ndonjë gatishmëri të Presidentit Vuçiq që ta njoh Republikën e Kosovës. Ai po e përdor dialogun me Kosovën dhe propagandon kinse vullnetin e tij për kompromis më shumë për konsum të brendshëm dhe për ta ruajtur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Problemi është te pala e Serbisë. Përderisa Serbia nuk tregon gatishmëri për ta njohur pavarësinë e Kosovës si parakusht për kompromis me Kosovën, nuk besoj se mund të kemi marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

“Bota sot”: A duhet të pranojë Kosova formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, në këmbim të njohjes reciproke?

Shaip Kamberi: Nuk mund të flas në emër të Kosovës. Për Kosovën vendosin të zgjedhurit e saj. Por, mendoj se duhet të orientohemi drejt ndërtimit të shteteve funskionale. Shpesh përdoret me të drejtë shembulli i Bosnjës si referencë për disfunksionalitet shtetëror. Por nëse e shihni, Serbia mund të jetë më stabile, por nuk është funksionale në kuptimin e zhvillimit të saj demokratik dhe socio-ekonomik. Shtetet ku shkelen të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe ku ka centralizim socio-ekonomik, po dëshmohen se janë pa perspektivë afatgjate.

“Bota sot”: Çfarë mendoni ju për të ashtuquajturit non-paper’s slloven dhe francezo-gjerman, që flasin për një rregullim të ri me ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën?

Shaip Kamberi: Si “balona testuese” për të matur reagimet politike e qytetare nga qarqet e ndryshme lobuese të afërta ose jo me qeveri të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat