Deputeti i VV-së tregon a do të ketë marrëveshje me Serbinë me 25 korrik dhe nga çka varet kjo

Intervista

Deputeti i VV-së tregon a do të ketë marrëveshje me Serbinë me 25 korrik dhe nga çka varet kjo

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 3 korrik 2021 Në ora: 15:56
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Për aktualitetin politik në vend ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu, në një intervistë për “Bota sot”.

Lahu ka thënë deri tani Serbisë i janë bërë koncesione të shumta, por pa rezultat, pra kjo gjë duhet të ndryshohet. Për takimin e 25 korrikut ai ka thënë se nuk pret marrëveshje finale por forcim të pozicionit të Kosovës në tavolinën e bisedimeve.

Ai ka thënë se Kosova tani është në favor pasi ka kryeministrin Kurti në krye të delegacionit.

Image
Vendenis Lahu

Ndërsa, për punën e Qeverisë deri tani, ka thënë se janë shkarkuar ata që kanë keq performuar, madje Lahu paralajmëron se gjëra të tilla do të ndodhin edhe në vazhdim.

I pyetur se a do të ketë liberalizim të vizave gjatë qeverisjes Kurti, ai ka deklaruar se e gjithë kjo tani varet vetëm nga Franca dhe Holanda.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni aktualisht gjendjen e dialogut Kosovë-Serbi?

Vendenis Lahu: Dialogu Kosovë-Serbi është në një fazë mund të themi delikate për shkak të ndryshimeve politike në Kosovë të cilat sigurisht së kanë reflektuar edhe në vetë dialogun. Deri më tani Serbisë i janë bërë mjaft koncesione dhe nuk janë arritur rezultatet e pritura, por përkundrazi vetëm sa i janë rritur apetitet. Kjo duhet të ndryshojë.

“Bota sot”: Si e komentoni punën e Qeverisë Kurti deri më tani?

Vendenis Lahu: Qeveria e re është duke punuar me hapa të sigurt drejt realizimit të objektivave të saj. Në këtë 100 ditëshin e parë janë larguar shumë nga bordet e ndërmarrjeve publike të cilat kanë keq performuar. Por, kjo nuk do të jetë e tëra, shumë punë presim në ditët në vazhdim.

“Bota sot”: Si i komentoni shkarkimet që janë bërë deri tani?

Vendenis Lahu: Të gjitha bordet e shkarkuara deri më tani nëpër raportet e auditorit paraqiten me performancë shumë të dobët. Ka shumë e shumë keqpërdorime e keqmenaxhim të ndërmarrjeve, sa që nuk kishte si të ndodhte ndryshe përveç se të shkarkoheshin. Kjo është mundësi për ato ndërmarrje të fillojnë të marrin frymë lirshëm.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale?

Vendenis Lahu: Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit do të sjellin ndryshim rrënjësor të hartës politike në komuna, duke mundësuar kështu që problemet e përditshme të qytetarit të jenë në fokus të pushteteve të reja komunale. Nga këto zgjedhje fituesi më i madh do të jetë qytetari, pasi do të ketë një bashkëpunim më të madh mes nivelit qendror dhe lokal dhe politikat e qeverisë qendrore do të implementohen lehtësisht përmes pushteteve të reja lokale.

“Bota sot”: Së fundmi ajo që bëri bujë është se ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ua uroi serbëve Vidovdanin në Betejën e Kosovës, ku luftuan popujt e Ballkanit Kundër Perandorisë Osmane. Si e komentoni këtë?

Vendenis Lahu: Ky qëndrim i zotit Grenell është në vazhdën e qëndrimeve të tij të cilat i ka mbajtur që një kohë dhe të them të drejtën nuk jam edhe shumë i befasuar.

“Bota sot”: A mendoni se do të arrihet liberalizimi i vizave në krye me Kurtin në Qeverisë?

Vendenis Lahu: Kosova ka plotësuar të gjitha standardet sa i përket liberalizimit të vizave por për momentin pengesë në këtë proces janë Franca dhe Holanda të cilat nuk janë plotësisht të bindura. Do të varet shumë nga qëndrimi i tyre në ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me reforma.

“Bota sot”: A duhet të formohet Asociacioni i komunave serbe në Kosovë?

Vendenis Lahu: Nuk duhet të këtë asociacione njëetnike.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga takimi i Kurtit me Vuçiqin në Bruksel me 25 korrik?

Vendenis Lahu: Nga takimi i 25 korrikut nuk pres shumë në kuptimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare por pres forcim të pozicionit të Kosovës në tavolinën e bisedimeve sepse mjaft koncesione i janë bërë Serbisë nga qeveritë e mëparshme. Subjektiviteti i Kosovës nuk mund të jetë temë e diskutimit.

“Bota sot”: Sa ka shpresa që të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, me kryeministrin Kurti si përfaqësues i Kosovës në dialog?

Vendenis Lahu: Marrëveshja përfundimtare varet nga shumë faktorë, por Kosova është në një pozicion më të favorshëm me Kryeministër z. Kurtin në tavolinën e bisedimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat