Kryetari i Rahovecit synon edhe një mandat, flet për sfidat e vendit dhe pritjet nga zgjedhjet lokale

Intervista

Kryetari i Rahovecit synon edhe një mandat, flet për sfidat e vendit dhe pritjet nga zgjedhjet lokale

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 11 korrik 2021 Në ora: 16:20
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi në një intervistë për “Bota sot”, ka shpalosur punën që ka bërë dhe që do të bëjnë edhe në të ardhmen nëse fiton zgjedhjet komunale edhe pse ai ka thënë që po punojmë për t’i fituar zgjedhjet e 17 tetorit.

Ai thotë se AAK do të jetë fituese e zgjedhjeve në Rahovec, pa marrë parasysh që Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet nacionale, duke shtuar se i besojnë punës së tyre që e kanë bërë në interes të qytetarëve të Rahovecit.

Ai si sfidë kryesore e përmend dialogun që sipas tij kërkon angazhim maksimal, pastaj edhe Gjykatën Speciale ku thotë se kërkohet vëmendje.

Po ashtu, sa i përket punës së qeverisë e cila edhe ashtu ka arritur 100 ditëshin e saj, ka thënë se arritjet ende nuk po shihen.

Sipas tij, në 100 ditë kemi parë vetëm përpjekjen e Qeverisë për t’i paraqitur në mënyra të ndryshme kinse ndryshimet e mëdha, mirëpo veprimet e qeverisë, duken pak kozmetike e të kamufluara, pak me mjeshtri e me stil.

Intervista e Plotë:

Image
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi

“Bota sot”: Jeni sërish kandidat për kryetar të Rahovecit në zgjedhjet lokale, çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Smajl Latifi: Po, jam kandidat dhe po punojmë t’i fitojmë zgjedhjet.

“Bota sot”: Pse qytetarët e Rahovecit duhet t’ua besojnë edhe një mandat?

Smajl Latifi: Qytetarët e kanë parë punën tonë të madhe dhe përkushtimin e plotë për të qenë në shërbim të tyre. Ata i vlerësojnë arritjet tona, transparencën dhe performancën e qeverisjes sonë dhe mbështetjen që ua kemi dhënë qytetarëve në plotësimin e nevojave dhe kërkesave të tyre. Ata besojnë në ne, sepse e dinë se qeverisja jonë është dinjitoze, e përgjegjshme dhe në shërbim të plotë të qytetarëve.

“Bota sot”: Cilat janë gjasat që AAK të fitoj komunat në të cilat ka kandidat?

Smajl Latifi: AAK-ja punon që të fitojë nëpër të gjitha komunat ku kemi kandidatë. Modeli i AAK-së në qeverisje lokale është dëshmuar i mirë dhe i suksesshëm, sepse vizioni ynë është të qeverisim me qytetarët dhe në interesin e tyre. Gjasat janë të mëdha dhe reale, e gjatë ditëve e javëve në vazhdim, do të bëjmë punë edhe më shumë që të fitohet besimi i qytetarëve nga çdo kandidat i AAK-së për Kryetar Komune.

“Bota sot”: Cilat janë punët e mira që keni bërë gjatë qeverisjes suaj?

Smaj Latifi: Vlerësimet e organizatave të ndryshme që e renditin komunën tonë si komuna më transparente në Kosovë, vlerësimet dhe notimi si komuna e dytë në Kosovë për performancë dhe për grantin e performancës komunale, poashtu, sepse kemi bërë shumë investime në infrastrukturën publike, rrugë e rrugica, kanalizim të ujërave të zeza e ndriçim publik. Kemi realizuar dhe funksionalizuar projektin e vonuar mbi 10 vjet të palestrës sportive në qytet, kemi ndërtuar një objekt modern në QKMF - objektin Emergjenca, jemi në përmbyllje të ndërtimit të tri çerdheve të reja për fëmijë (Krushë e Madhe, Xërxë dhe Ratkoc), në prag të përurimit të objekteve bashkëkohore të 4 shkollave të reja (Retijë, Hoçë e Vogël/Brestoc, Fortesë dhe Koznik), poashtu jemi në prag të përurimit edhe të shkollës fillore në Krushë të Madhe e të shkollës fillore në Rahovec, kemi investuar në nyje sanitare e eficiencë të energjisë në shumë shkolla e në instalimin e ngrohjeve qendrore në objekte shkollore, kemi ndërtuar fusha sportive e mjedise rekreative, kënde të lojërave për fëmijë. Gjithashtu, përkrahja e madhe dhe direkte që ua kemi dhënë fermerëve prodhues e përpunues: me mekanizëm bujqësor, serra, stalla etj, konsulencë falas e lehtësira të shumta për ta. Rrugët fushore dhe mirëmbajtja e tyre është investim shumë i rëndësishëm dhe me shumë interes për bujqit, perimtarët e vreshtarët. Gjithashtu, komplekset përkujtimore për dëshmorët e të rënët në luftë, kullat, muzetë e monumentet natyrore, pastaj investime në turizëm me shumë shtigje të ecjes etj. Numri i projekteve është shumë i madh, ndërsa ndikimi i tyre në rritjen e mirëqenies së qytetarëve është i dukshëm.

“Bota sot”: Çfarë ka mbetur pa u realizuar gjatë mandatit tuaj?

Smajl Latifi: Kemi realizuar shumë projekte, madje, edhe ato që nuk i kishim përmendur fare në fushatën e vitit 2017. Gjithsesi, jemi duke punuar që t’i përmbyllim disa projekte të rëndësishme e jemi në pritje të nisjes së projekteve të reja që kanë ndikim të jashtëzakonshëm, siç është p.s8h ndërtimi i sheshit qendror të qytetit, projekti më i madh urbanistik në historinë e komunës sonë. Kolektorët e mëdhenj dhe impianti i madh për ujëra të zeza, që kanë vlera dhjetëra milionësh, ende na mungojnë, e që janë sfida dhe qëllimi ynë i madh, të cilat kërkojnë përkrahje direkt nga qeveria dhe donatorët e jashtëm, pavarësisht se ne përmes trajtimit të shtretërve të shumtë të lumenjve dhe përrenjve po vendosim kolektorë të ujërave të zeza, pra, edhe pse kanalizimi i ujërave të zeza pothuaj është i mbuluar 99% në gjithë komunën, mirëpo trajtimi dhe përpunimi i tyre, ende mbetet sfidë dhe problem i madh në komunën tonë.

“Bota sot”: VV doli fitimtare në zgjedhjet e përgjithshme, sa mendoni se mund të fitojë edhe në zgjedhjet lokale, veҫanërisht në Rahovec?

Smajl Latifi: AAK do t’i fitojë zgjedhjet në Rahovec, ne i besojmë punës tonë të madhe që e kemi bërë në interes të qytetarëve tanë, arritjeve të shumta e të dukshme që janë vulë e suksesit tonë, po ashtu, i besojmë komunikimit dhe bashkëpunimit të gjerë e të thellë që kemi me qytetarët, që janë dëshmi e plotë e forcimit të vazhdueshëm të besimit në një fitore bindëse e të merituar, për të qeverisur mirë dhe suksesshëm edhe për 4 vjet.

“Bota sot”: Si qëndron situata pandemike në komunën tuaj?

Latifi: Ka kohë që nuk kemi asnjë rast pozitiv me COVID 19 në komunën tonë dhe po bëjmë gjithçka që është e mundshme që të vazhdojmë me vaksinimin e qytetarëve, ku rreth 8500 janë vaksinuar deri më sot, e vaksinimi po vazhdon. Kemi pasur pasoja në njerëz, ku mbi 70 kanë humbur betejën me COVID 19, po ashtu, edhe humbje të mëdha në ekonomi.

“Bota sot”: Në AAK muajt e fundit ka pasur largime nga partia, pse mendoni se ka ndodh kjo?

Smajl Latifi: Anëtarësimi në parti është në baza vullnetare, pra është përcaktim i lirë, pra vullnetar dhe i lirë është edhe angazhimi në parti, por edhe largimi nga ajo. AAK- ja është parti e vlerave, që ka traditë dhe vizion, plot qytetarë të profileve e të shtresave të ndryshme shoqërore po na bashkohen për të rrugëtuar drejt fuqizimit të mëtjemë të rolit dhe rritjes së fuqisë ndikuese të AAK-së në vend. Kemi edhe prurje të reja në vazhdimësi. Ecim përpara.

“Bota sot”: Në përgjithësi, si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend?

Smajl Latifi: Nuk është aspak e lehtë, sfidat janë serioze. Kërkohet vëmendje e shtuar si në planin e brendshëm politik, po ashtu edhe në aspektin e fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Dialogu është sfidë që kërkon angazhim serioz, përgjegjshmëri dhe shumë kujdes, pastaj, Gjykata Speciale është mjaft sfiduese, ku kërkohet të kemi shumë vëmendje.

“Bota sot”: Si e keni parë 100 ditëshin e kryeministrti Kurti?

Smajl Latifi: Pritjet për ndryshim nga votuesit ishin të mëdha, por arritjet ende nuk shihen. Duket se më shumë ka veprime të zhurmshme që tërheqin edhe median dhe opinionin, për të krijuar disa efekte, por jo edhe veprime sistematike që do të duhej të bënte një qeveri që i shërben ndryshimeve pozitive në dobi të qytetarëve. Këto 100 ditë pamë përpjekjen e Qeverisë për t’i paraqitur në mënyra të ndryshme kinse ndryshimet e mëdha, mirëpo veprimet e qeverisë, duken pak kozmetike e të kamufluara, pak me mjeshtri e me stil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat