“E vetmja gjuhë që ai e kupton”/ Kurti jep paralajmërimin e rëndë për Vuçiqin: I ka ditët e numëruara!

Intervista

“E vetmja gjuhë që ai e kupton”/ Kurti jep paralajmërimin e rëndë për Vuçiqin: I ka ditët e numëruara!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 korrik 2021 Në ora: 10:47
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka thënë se opozita e tanishme në Kosovë është shumë e dobët dhe e frikësuar nga paralajmërimi i Qeverisë Kurti, se do t’i ndëshkojnë politikanët, të cilët u pasuruan paligjshëm.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Kurti ka thënë se nëse Qeveria Kurti 2 nuk arrin të përmirësojë jetën e qytetarëve, do të ketë fatin e njëjtë si partitë tjera.

Ai e ka vlerësuar si të duhur qasjen e kryeministrit Kurti në dialogun me Serbinë, duke thënë se kryeministri i Kosovës nuk duhet të largohet nga dialogu, pasi faji do t’i mbetet Kosovës.

Image
Faton Kurti

“Kryeministri Kurti kurrë nuk duhet të bjerë në kurthin e Vuçiqit, ai duhet të vazhdojë të shkojë në dialog dhe të mos heqë dorë nga kërkesat tona ndaj Serbisë. Ne nuk kemi asgjë më për t’i dhënë Serbisë, ata duhet të pranojnë realitetin dhe ta pastrojnë të kaluarën e tyre gjenocidale ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Kryetari i Republikanëve të Kosovës ka ndarë lajmin se Aleksandër Vuçiq i ka ditët e numëruara si president i Serbisë. Sipas tij, me ndryshimin që do të ndodhë në Serbi, do të mund të arrihet paqe stabile mes të dyja vendeve.

Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe për “Mini-Shengenin” që tash do të quhet “Open Ballkan”. Sipas Kurtit, qëllimi i Vuçiqit dhe Edi Ramës, është që me krijimin e "Mini-Shengenit" ta dobësojnë pozitën e Kosovës në rajon dhe ta dëmtojnë rrugën evropiane të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Kurti, si e vlerësoni punën e Qeverisë së Albin Kurtit deri tani, në përgjithësi?

Faton Kurti: Performanca e Qeverisë Kurti në muajt e parë të qeverisjes nuk është për t’u nënvlerësuar, sepse për të mbjellë pemë të reja, së pari duhet të pastrohet terreni nga ferrat. Sipas mendimit tim, Qeveria Kurti ka filluar mirë të pastrojë terrenin nga "ferrat" dhe për këtë arsye opozita e tanishme (pushtetarët e djeshëm) është tejet e shqetësuar duke e humbur kontrollin dhe duke bërë një opozitarizëm total destruktiv. Opozita nuk bëhet me shpifje dhe shantazhe të pabazuara ndaj kryeministrit dhe qeverisë e sidomos kur këto akuza vijnë nga ish-qeveritarët dhe politikanët, të cilët nuk lanë asgjë pa bërë për ta pasuruar veten dhe për ta mbajtur pushtetin peng për 20 vite. Këtë lloj politike "turbo folk" e kanë kuptuar edhe pulat e Kosovës. Premtimi i partive opozitare se po ndryshojnë nuk është asgjë tjetër përveçse "shitja e përmbajtjes së njëjtë me një paketim tjetër"! Kjo opozitë e dobët dhe shumë e frikësuar, sepse qeveria Kurti ka paralajmëruar se do t’i ndëshkojnë politikanët, të cilët u pasuruan paligjshëm. Thjeshtë, sot Kosova ka një qeveri të shumicës absolute dhe një opozitë pothuajse inekzistente. Nuk duhet harruar se partia Republikane e Kosovës, është e vetmja alternativë e qendrës së djathtë konservatore në Kosovë, e cila çdo ditë po rritet dhe do ta pasurojë Kosovën me politika të zhvillimit ekonomik dhe gjeostrategjik. Dua t'ju paralajmëroj se brenda disa viteve në Kosovë do të kemi vetëm 2 parti, atë të spektrit të Djathtë dhe atë të spektrit të Majtë. Kosova pa një opozitë reale ia lehtëson punën qeverisë Kurti, për këtë arsye kjo qeveri mund të shkëlqejë nëse tani do t’i përvjelë mëngët dhe do të fillojnë të merren me problemet serioze që ka sot Kosova si: papunësia, ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe ruajtja e ambientit. Nëse edhe kjo qeveri nuk arrin të përmirësojë pikat e lartpërmendura - do ta ketë fatin e njëjtë si partitë e tjera.

“Bota sot”: Kundërshtarët politikë po e quajnë kryeministrin Kurti “antiamerikan”. Si e shihni bashkëpunimin dhe raportet e tij me amerikanët?

Faton Kurti: Nëse kryeministri Kurti i përfaqëson interesat e shtetit të vet dhe jo me servilizëm si ish-qeveritarët, të cilët e kishin "mizën ndër kapuç" - ajo nuk të bën anti-Amerikan. E kam thënë shumë herë më parë se, Amerika nuk është me hajna. Sipas kësaj teorie, kryeministri Kurti i ka punët mirë me Amerikën.

“Bota sot”: Kurti ka treguar se Vuçiq ia ka refuzuar marrëveshjen për paqe dhe librat për tri gjenocidet serbe mbi shqiptarët. A duhet të vazhdojë Kosova me këtë qasje dialogun në Bruksel?

Faton Kurti: Për herë të parë nga pas lufta, Vuçiqi përballet me një Kryeministër të Kosovës, të cilin nuk mund ta shantazhojë, por përkundrazi duhet ta dëgjojë se është president i një shteti që bëri tri herë gjenocid ndaj popullit tonë. Kjo është qasja e duhur ndaj Vuçiqit, sepse kjo është e vetmja gjuhë që ai e kupton. Si njohës i mirë i politikës serbe, mund të garantoj se Vuçiqi kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, sepse e tërë politika e tij është e ndërtuar mbi shovinizmin ndaj shqiptarëve. Njohja e Kosovës do të ishte fundi i tij politik në Serbi. Edhe pse dialogu nuk do të sjellë asnjë rezultat pozitiv, derisa Vuçiq vijon të jetë president i Serbisë, Kryeministri Kurti patjetër duhet të vazhdojë të marrë pjesë në dialogun me Serbinë, sepse Vuçiqi do të provojë të provokojë një ndalje të dialogut nga ana e Kryeministrit Kurti dhe t'ju mbetet faji shqiptarëve. Një lajm të mirë dua ta ndaj me ju se Vuçiqi i ka ditët e numëruara si president i Serbisë. Ndryshimi do të ndodhë edhe në Serbi, pastaj me një qeveri demokrate atje mund të arrihet paqe stabile mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: Si duhet të veprojë kryeministri Kurti, nëse presidenti serb Vuçiq kundërshton vazhdimin e dialogut duke mohuar të kaluarën?

Faton Kurti: Vuçiqi kurrë nuk do të kundërshtojë vazhdimin e dialogut, sepse Serbia gjatë dialogut shumë vjeçar ka përfituar jashtëzakonisht shumë dhe do të tentojë të përfitojë edhe më shumë si Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ai më tepër do ta provokojë një situatë që Kurti të largohet nga dialogu dhe faji t’i mbetet Kosovës. Një koncept, të cilin e kanë përdorur serbët me dekada për të na dëmtuar. Kryeministri Kurti kurrë nuk duhet të bjerë në kurthin e Vuçiqit, ai duhet të vazhdojë të shkojë në dialog dhe të mos heqë dorë nga kërkesat tona ndaj Serbisë. Ne nuk kemi asgjë më për t’i dhënë Serbisë, ata duhet të pranojnë realitetin dhe ta pastrojnë të kaluarën e tyre gjenocidale ndaj shqiptarëve.

“Bota sot”: Po kërkohet që SHBA të dërgojë një të deleguar special për bisedimet Kosovë-Serbi. A mendoni që një gjë e tillë do të përshpejtonte arritjen e marrëveshjes finale mes të dyja vendeve?

Faton Kurti: Nuk do të ketë nevojë që ne të bëjmë kërkesën që SHBA-ja ta dërgojë një të deleguar special për bisedimet Kosovë-Serbi, sepse SHBA-ja do ta bëjë atë gjë vetë pasi që BE-ja do të tregohet prapë e pa aftë ta bëjë një gjë të tillë. Angazhimi i Amerikës dhe presidentit Biden kurrë nuk ka qenë më i madh për ta pastruar Ballkanin nga politikanët e korruptuar dhe diktatorial, një ndër ata është edhe Vuçiq.

“Bota sot”: Si e shihni iniciativën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan që së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, të sigurojnë njohje të reja për Kosovën?

Faton Kurti: Çdokush që do të lobojë për njohje të reja për Kosovën është i mirëseardhur. Vetëm një pyetje ia kisha bërë presidentit turk Erdogan: pasi na quani një popull vëlla, pse atëherë ju investoni me dhjetëra miliarda në Serbi, kurse në Kosovë jo?!

“Bota sot”: A duhet t’i bashkohet Kosova projektit të “Mini-Shengenit”?

 Faton Kurti: Qëllimi i Vuçiqit dhe Ramës, është që me krijimin e "Mini Shengenit "ta dobësojnë pozitën e Kosovës në rajon dhe ta dëmtojnë rrugën evropiane të Kosovës. Ideja e "Mini Shengenit" është një ide e komunistëve jugosllavë prej vitit 1948, që kishte për qëllim shkatërrimin e ekonomisë shqiptare dhe për një kohë të shkurtër e pati arritur qëllimin, por edhe vet diktatori komunist E. Hoxha e kuptoi këtë lojë dhe u largua nga ky Pakt. Çfarë do të eksportojë Rama në Serbi, përveç kanabisit, por ndërkohë Serbia edhe atë e prodhon vet. Serbia, nga ana tjetër do ta mbushë tregun e Shqipërisë me mallra të dobët dhe të lirë, siç e ka mbushur edhe tregun e Kosovës me mallrat serbe me një vlerë prej 600 milionë euro në vit, kurse Kosova eksporton vetëm disa milionë euro në vit në Serbi. Përfituesi më madh në rast se krijohet "Mini Shengeni" do të jetë Serbia, me moton "peshku i madh e han peshkun e vogël". Kur vet qeveritë tona e privilegjojnë Serbinë, po përse atëherë Serbia ta njohë Kosovën?! Për mendimin tim, Kosova dhe Shqipëria së pari duhet t’i heqin barrierat kufitare në mes veti dhe të punojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe prodhimtarisë së përbashkët. Kosova të njihet nga Serbia dhe Bosnja. Kur të arrihen këto pikat të lartpërmendura, atëherë Shqipëria dhe Kosova si dy shtete ekonomikisht të forta do kishin një qasje shumë më të fortë në çfarëdo unioni. Perspektiva e Shqiptarëve është ajo euro-atlantike dhe jo Mini-Jugosllavia e Vuçiqit dhe e Ramës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat