Sistemi i drejtësisë në gjendje të rëndë, avokati Gjoshi flet për sfidat e qeverisë Kurti në këtë fushë

Intervista

Sistemi i drejtësisë në gjendje të rëndë, avokati Gjoshi flet për sfidat e qeverisë Kurti në këtë fushë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 gusht 2021 Në ora: 10:54
Qeveria Kurti

Sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet një nga sfidat për qeverinë Kurti.

Dalja nga korrupsioni është një nga premtimet që Kurti ka bërë para fushatës zgjedhore dhe vazhdon ta potencojë edhe tash, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo, qeverisja e PAN për 20 vjet ka arritur që të sjellë dëme të mëdha në vend sidomos në fushën e drejtësisë.

Në lidhje me gjendjen e sistemit të drejtësisë, ka folur në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, avokati Adrian Gjoshi.

Avokati shprehet që sistemi i drejtësisë është në gjendje të rëndë, pasi ka mungesë të stafit dhe ngarkesa me lëndë është shumë e madhe.

Ai thotë se qeveria është vënë në lëvizje duke qenë mjaftë aktive që të bëjë reforma në drejtësi, por që reformat duhet të jenë rrënjësore dhe normalisht që kërkohet kohë.

Avokati ka folur edhe për Vettingu-n e që thotë se nevoja për një projekt të tillë është i domosdoshëm për sistemin e drejtësisë.

Pa u përmendur nuk mbeti edhe një nga temat që juristët kanë trajtuar kohët e fundit, përkthimi i materialëve për ish-krerët e UÇK-së nga Specialja, Gjoshi thekson që përkthimi i materialëve në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar dhe e njëjta duhet të zbatohet.

Ndërsa për Asociacionin e komunave serbe, avokati potencon që një Asociacion i tillë me vet faktin se është në konflikt më kushtetutën e vendit është e dëmshme dhe nuk duhet kaluar e pranuar në këtë formë e përmbajtje.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Adrian Gjoshi: Pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve që po bëhen nga ana e opozitës, situata politike duket stabile. Një mazhorancë të cilën e ka aktualisht qeveria Kurti 2, i jep pushtetit komoditet, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi për të çuar përpara premtimet e dhëna.

“Bota sot”: Ju si avokat tashmë shihni për afër sistemin e drejtësisë, në çfarë gjendje është?

Adrian Gjoshi: Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Mungesa e sundimit të ligjit po ndikon negativisht në besimin publik edhe ashtu të lënduar për një sistem të drejtë dhe efikas. Duhet punë për krijuar një sistem drejtësie që brenda vetes ka punonjës me integritet, kompetencë dhe që është imun ndaj korrupsionit.

Image
Avokati, Adrian Gjoshi

“Bota sot”: A ka arritur qeveria Kurti të minimizoj problemet siç është korrupsioni dhe kapjen e shtetit nga PAN?

Adrian Gjoshi: Është shumë heret që qeverinë Kurti ta lavdërojmë apo kritikojmë për qasjen e saj në raport me sundimin e ligjit. Megjithatë, duket se qeveria është vënë në lëvizje dhe është mjaft aktive që të bëjë reforma në drejtësi. Në kuadër të rishikimit funksional të legjislacionit, Ministria e Drejtësisë ka takuar të gjitha grupet e interesit dhe ka propozuar një sërë projektligjesh, të cilat pritet të sjellin efekte pozitive.

“Bota sot”: Një nga ankesat e shumta nga gjykatësit, prokurorët dhe juristët është mungesa e stafit në Gjykata, gjë që po mungon edhe në trajtimin e shumë lëndëve, si duhet të veprojë qeveria?

Adrian Gjoshi: Është e vërtetë, njëra nga ankesat kryesore e të gjithë neve është se ka mungesë alarmante të stafit në sistemin e drejtësisë. Mungesa të tilla ka duke filluar nga punonjësit e administratës e deri tek gjyqtarët e prokurorët. Në njërën anë, ngarkesa me lëndë është shumë e madhe, e në anën tjetër, ka mungesë të prokurorëve e gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional. Këto dhe probleme të tjera mund të zgjidhen duke pasur vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive problemet dhe pengesat që ndikojnë në mosvënie të drejtësisë.

“Bota sot”: Vettingu është një projekt i jashtëzakonshëm që si prioritet strategjik ka përmirësimin e integritetit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, sa shpejt mund të realizohet një projekt i tillë?

Adrian Gjoshi: Kontrollimi i tërësishëm i sistemit të drejtësisë, është domosdoshmëri shtetërore për të pasur sundim të mirëfilltë të ligjit. Madje, them se ky kontroll, duhet përveç se të jetë gjithëpërfshirës, duhet të jetë edhe rrënjësor, në kuptimin që duhet marrë masa të ashpra për të pasur një reformë efektive.

“Bota sot”: Gjithashtu një temë tjetër që po diskutohet është Asociacioni i komunave serbe, sa mund të jetë i dëmshëm për vendin nëse lejohet një veprim i tillë?

Adrian Gjoshi: Asociacioni i komunave serbe i është referuar gjykatës kushtetuese dhe e njëjta e ka dhënë vendimin e saj duke e konsideruar si kundërkushtetues në shumë pika të saj. Pa u ndal në efektet negative politike, një asociacion i tillë me vet faktin se është në konflikt më kushtetutën e vendit është e dëmshme dhe nuk duhet kaluar e pranuar në këtë formë e përmbajtje.

“Bota sot”: Kohët e fundit një nga temat që u diskutua ishte edhe përkthimi i materialëve nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së, sa mund të ndikoj në proces mungesa e përkthimeve të materialëve për të akuzuarit?

Adrian Gjoshi: E drejta në përkthim dhe interpretim është e drejtë e garantuar me konventa ndërkombëtare dhe po ashtu sipas nenit 20 të Ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar dhe rregullit 8 të Rregullores së procedurës dhe provave, ku sipas tyre gjuhë zyrtare të punës janë gjuha shqipe, angleze dhe serbe. Prandaj, ‘Gjykata Speciale’ është e obliguar edhe të përkthejë gojarisht për të pandehurit por edhe t’i përkthejë materialet përkatëse, për të mundësuar një gjykim të drejtë. Mungesa e materialeve në gjuhën shqipe, pamundëson përgatitjen dhe mbrojtjen e duhur të të pandehurve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat