“Kurti ia mori nga duart gërshërët Thaçit e Vuçiqit”/ Analisti nga Amerika zbulon planin rus në Ballkan

Intervista

“Kurti ia mori nga duart gërshërët Thaçit e Vuçiqit”/ Analisti nga Amerika zbulon planin rus në Ballkan

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 gusht 2021 Në ora: 10:37
Hashim Thaçi, Albin Kurti

Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike, ku vëmendja kryesore kohëve të fundit është përqendruar te projekti i “Ballkanit të Hapur” dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Lidhur me këto tema, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi.

Bekteshi u shpreh i kënaqur me punën e Qeverisë Kurti II, duke thënë se kjo qeveri po bënë atë që s’e ka bërë asnjë qeveri paraprake. Madje, sipas tij janë disa lëvizje pozitive të kësaj qeverie, shpresat janë të mëdha, pritshmëritë enorme e mundësitë modeste.

Image
Ramazan Bekteshi

Sipas analistit nga Amerika, opozita është irracionale dhe në esencë kritikat e saj nuk mbërthejnë arsyen. Siç theksoi ai, opozita është destruktive sepse qëllimin e kanë si të bllokojnë proceset demokratike.

Në vazhdim, Bekteshi kritikoi ashpër projektin për “Ballkanin e Hapur”.

“Ballkani i hapur është një metafore për Ballkanin e mbyllur, Forumi i Shkupit ishte një trilogji ballkanase për ta promovuar planin rus në Ballkan, për të promovuar monopolin e mallrave serbe, dhe për t’a amnistuar Vuçiqin nga krimet dhe duke ia zgjat jetën politike atij. E pyes Ramën, -pse duhet të devijohet procesi i Berlinit për një Open Balkan pa Kosovën”, deklaroi ai për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai u shpreh se Forumi i Shkupit ia zbuloi fytyrën e vërtetë edhe Ramës edhe projektit të tij ogurzi.

Në fund, opinionisti nga Amerika u shpreh optimist se Presidenti Biden do të emërojë një të dërguar special për dialogun me një agjende agresive dhe të qartë për ta finalizuar punën e nisur para 22 vitesh

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Ramazan Bekteshi: E brishtë por e qëndrueshme; e brishtë për shkak të kryeneçësisë së opozitës jo parimore që s’është mësuar të veprojë nga pozicioni opozitar, ajo s’e ka as kulturën e as pjekurinë politike që të jetë korrektuese e denjë e pozitës nëse shfaqet abuzim me pushtetin apo shkelje të rregullave dhe principeve demokratike. Fatkeqësisht opozita ka zgjedh rrugën e mohimit dhe kritikës joparimore. Ajo nuk është bashkëpunuese edhe për çështje madhore siç është dialogu. E qëndrueshme, për shkak përpjekjeve vetëmohuese të qeverise së re edhe pse pa përvoje, ajo me një përkushtim dhe ndershmëri mundohet të tejkaloj vetveten. Ajo e meriton shansin që e fitoi me votë plebishitare, dhe opozita do ta kuptoj këtë, do ta kuptoj më mire se ku qëndron në zgjedhjet lokale që janë në prag. Qeverisë aktuale do t’i duhen vite të pastroj oborrin nga mbeturinat që lanë qeveritë e kaluara, disa prej tyre si Zajednica do të lënë edhe pasoja nëse nuk eliminohet forma e tashme.

“Bota sot”: Sa ka arritur Qeveria Kurti të minimizojë korrupsionin gjatë këtyre muajve qeverisje?

Ramazan Bekteshi: Përpjekjet i tejkalojnë mundësitë, në të gjitha fushat ka pas abuzime me fondet, me bordet, me drejtorët, me asetet kombëtare, privatizimin etj. për më shumë se dy dekada. Qeveria Kurti e bënë atë që s’e ka bërë asnjë qeveri paraprake. Pritshmëritë janë aq të mëdha sa çdokush shpreson që brenda nate të rregullohet çdo gjë, kjo s’është as reale dhe as që mund të ndodhi. Nuk mund të mbulohen të gjitha gropat e humnerat që ia shkaktuan Kosovës qeveritë paraprake, nuk mund të zbulohen aq shumë kurthe të fshehta, aq shumë marrëveshje të fshehta, aq shumë vjedhje të mbuluara me mjeshtri, plane të fshehta, aleanca të fshehta dhe tradhti kombëtare. Do të marri kohë që së pari të zbulohen të gjitha këto anomali e pastaj të merren masa. Është e rëndësishme se ka filluar lufta kundër korrupsionit dhe dukurive malinje që e bëjnë shtetin tonë jofunksional. Nëse akordohen siç duhet të gjitha shtyllat e shtetit, nëse krijohet një shtet ligjor dhe funksional me ekonomi të qëndrueshme e hapje të vendeve të punës, qe s’ka ndodh më parë, kështu do të ndodhte dhe kthimi i besimit në institucionet tona. Janë do lëvizje pozitive të kësaj qeverie, shpresat janë te mëdha, pritshmëritë enorme e mundësitë modeste shikuar realisht.

“Bota sot”: A mendoni se opozita po vazhdon të kritikojë qeverinë vetëm sa të jetë e zëshme në Kuvend, pasi vazhdimisht po mungojnë argumentet në kritikat e tyre?

Ramazan Bekteshi: Opozita është irracionale dhe shpesh qesharake sepse në esencë kritikat e saja nuk mbërthejnë arsyen, ata janë destruktive sepse qëllimin e kanë si të bllokojnë proceset demokratike, kanë një ëndërr si të marrin pushtetin, sa më shpejtë që është e mundur pa e zgjedhur mjetin ashtu siç ndodhi me grusht shtetin e parë në kohë pandemie. Në të kaluarën e afërte opozita ka qenë shumë e aftë për të orkestruar veprimet për tu bashkuar qoftë edhe me armiqtë vetëm e vetëm për t’ia arrinte qëllimit. Opozita parlamentin e ka shndërruar në një teatër orëellian, me një fjalor denigrues, aty nuk flitet për problemet e qytetarit dhe zgjedhjen e tyre, por aty bëhen gara se kush kënd do t’a sulmoj në mënyrë teatrale e spektakolare kundërshtarin politik, e ligjet që duhet të kalojnë në parlament mbeten sekondare, derisa pjesëmarrja e tyre në punimet parlamentare është shumë e çrregullt.

“Bota sot”: Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë u duk se kishte raporte të mira në mes të dy kryeministrave shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti por e kundërta u vërtetua në Forumin në Shkup ku Rama nuk e kursye Kurtin me deklarata kundër tij. Si i komentoni raportet në mes dy kryeministrave shqiptarë dhe çfarë duhet bërë që ato të përmirësohen?

Ramazan Bekteshi: Shumë e vërtetë, në samitin e Tiranës nuk u vërejtën tensione në mes Ramës e Kurtit bile ky takim la përshtypje miqësore, por Forumi i Shkupit ia zbuloi fytyrën e vërtetë edhe Ramës edhe Forumit të tij ogurzi. Rama është i papërmirësueshëm, shikoni çfarë sistemesh antishqiptare janë instaluar në Shqipëri, aty flitet fare lirisht për teoritë antishqiptare e antikombëtare. Rama është një faqe e zezë e shqiptarisë, ai duhet të ik së bashku me vëllain e tij Vuçiq.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ndryshimin e emrit të minishengenit në Ballkan të Hapur? Sipas jush Ballkani i Hapur a është më shumë një Ballkan i mbyllur me disa shtete?

Ramazan Bekteshi: Ballkani i hapur është një metafore për Ballkanin e mbyllur, Forumi i Shkupit ishte një trilogji ballkanase për ta promovuar planin rus në Ballkan, për të promovuar monopolin e mallrave serbe, dhe për t’a amnistuar Vuçiqin nga krimet dhe duke ia zgjat jetën politike atij. E pyes Ramën, -pse duhet të devijohet procesi i Berlinit për një Open Balkan pa Kosovën.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti deklaroi se kjo ide ishte gatuar në bodrumet e ish Jugosllavisë. A veproi Kosova mirë që refuzoi Minishengenin?

Ramazan Bekteshi: Kryeministri Kurti i kuptoi me kohë sinjalet e rrejshme, ai është shumë i vëmendshëm ndaj gjeo-sistemeve e strategjive të vjetra, elaborateve të akademisë serbe që presin zbatim kur t’u vij koha, por me Kurtin në krye të gjitha këto janë të vdekura ashtu siç ia mori me kohë HTH dhe Vuçiqit gërshërët nga dora.

“Bota sot”: Si mendoni se do të arrihet udhëtimi pa u ndaluar Beograd Tiranë, derisa Kosova nuk është e përfshirë në këtë iniciativë?

Ramazan Bekteshi: Ky Forum ka lind i vdekur, sepse u munduan të bëjnë pazare pa Kosovën dhe disa shtete të tjera. Rama u pa se me ke është më i afërte. Rama e mohoi Kosovën për Serbinë, mohoi KM Kosovar për kryetarin e Serbisë, Vuçiqin, me të kaluar kriminale e që dihen qartë veprimet e tij gjatë luftës së Bosnjës kur tha se do të vrasim 100 myslimanë për një serb, derisa ishte ministër i Millosheviqit dhe bashkëpunëtor çetnikut Sheshel, derisa në Kosovë kryheshin krime makabre që s’i mban mend njerëzimi, duke vra edhe foshnja në bark të nënës e disa në djep, duke i vrarë e pastaj zier kafka shqiptarësh për abazhurë, derisa pas lufte klanet e tij në Serbi gjate sundimit të Vuciqit flitet se kanë bërë hamburgerë nga mishi i kundërshtareve të tij. Por kjo s’e pengon Ramën që t’ia zgjasë jetën politike një krimineli por edhe vetvetes. Një kriminel nuk mundet kurrë të bëhet njeri i paqes, ai vendin e ka në Hagë për krime kundër njerëzimit. Dhe Ramës s’i intereson e tërë kjo histori, as historia e tashme kur instalon baza ruse në Serbi, dhe armatoset me armë ruse e kineze. Jo pra, sepse ky forum lindi i vdekur nga barku i nënës ruse. Open Balkan është një ‘kopil’ që i ka mbet në duar Ramës e ai s’është i aftë që t’a rrisë.

“Bota sot”: Deri tani janë mbajtur dy takime në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me udhëheqjen e dialogut nga kryeministri Albin Kurti. Si e vlerësoni paraqitjen e tij dhe propozimet që i ka bërë Serbisë?

Ramazan Bekteshi: Paraqitjet e Kurtit në Bruksel ia kanë kthyer dinjitetin dialogut dhe Kosovës. Pozita inferiore dhe defensive e ekipit tonë nën udhëheqjen e HTH dhe Isës e kanë dëmtuar rëndë procesin sepse kanë shkuar sipas kërkesave të Serbisë duke e devalvuar dialogun dhe duke e tejkaluar planin e Ahtisarit. Ofshamat dhe ankesat e Vuçiqit dhe Serbisë se me Kurtin do t’a kenë të vështire është një indikacion se serbet nuk janë të lumtur me kërkesat që parashtron Kurti. Me Kurtin, Vuçiqi ka marr rolin defensivë pas kaq kohësh, sepse Kurti ndër të tjera ua ka bë me dije se Serbia ndaj shqiptarëve ka kryer jo një por tre gjenocide. Zërat patetikë të opozitës dhe disa ish-pjesëmarrësve në dialog janë të mjerë kur thonë se Kosova duhet ti japi diçka Serbisë për të marr diçka, se Kosova duhet të bëjë kompromis, por, nëse Kosova e fitoi luftën çfarë kuptimi paska që t’a humbi paqen. Dialogu në duar të Kurtit është më i sigurte se kurrë më parë, por jam skeptik se me Vuciqin do të arrihet ndonjë marrëveshje sepse ai krenohet me të kaluarën e tij kriminale dhe me krye kriminelin, edhe pse jemi të detyruar të bisedojmë me të nuk do të ndodhi asgjë. Edhe rrethanat janë të pafavorshme për ne kështu si janë, BE ka qëndrim neutral ndaj nesh, andaj ne jemi palë e pabarabartë në dialog, dy udhëheqës të dialogut vinë nga vendet që s’e njohin Kosovën po ashtu dhe i treti është një dhëndër Serbie që dorën në zemër roli i tij ka qenë simbolik. Po ashtu, dialogu i udhëhequr paralelisht nga BE e Shtëpia e Bardhe nuk ishte produktiv siç e do interesi ynë kombëtar. Bile edhe Trump me Dash-in ishin ne çakordim të plotë, andaj, ky mossukses për të zgjedhur nyjën ballkanike s’i ndihmoi Trump-it të rizgjidhet president.

“Bota sot”: Është përfolur për përfshirjen e një përfaqësuesi amerikan në dialog. Sa mendoni se do të ishte ndihmë për dialogun dhe a do të mund të ketë ndikim në arritjen e marrëveshjes finale, gjegjësisht sigurimin e njohjes së Serbisë?

Ramazan Bekteshi: Kam shumë shpresë se Presidenti Biden do të emëroj një të dërguar special për dialogun me një agjende agresive dhe të qartë për t’a finalizuar punën e nisur para 22 vitesh. Ai së bashku me Senatorin John McCain me 1999 sponsoruan rezolutën për fushatën ajrore kundër Jugosllavisë. Askush në DC nuk i di hallet tona më mirë se Presidenti Biden. Amerika duhet t’a përmirësoj gabimin Trump/Grenell, që e barazuan viktimën me agresorin, Serbia është fajtorja për tragjedinë Kosovare dhe ajo duhet t’a paguaj dëmin shtrenjtë, sepse flitet për krime makabre ndaj njerëzimit, flitet për gjenocid, që opozita frikohet t’a përdori këtë term tani por edhe kur ishte në pushtet, sikur shqiptarët t’a kishin bërë këtë e jo se ishin viktime vetë. Sa më shumë që e lusim Vuçiqin për njohje aq më larg është ajo. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’a ketë mësuar këtë leksion dhe ai duhet të iki dhe të përgjigjet për krime lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat