“Fitues pa balotazh”/ Xhafer Gashi ‘tronditi’ AAK-në, me Iniciativën e tij Qytetare synon përsëri Obiliqin

Intervista

“Fitues pa balotazh”/ Xhafer Gashi ‘tronditi’ AAK-në, me Iniciativën e tij Qytetare synon përsëri Obiliqin

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 10 gusht 2021 Në ora: 17:07
Xhafer Gashi

Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, pas dorëheqjes nga AAK-ja ku ishte më herët, tashmë ka krijuar një Iniciativë Qytetare, me të cilën do të synoj përsëri kreun e kësaj komune në zgjedhjet e tetorit.

Gashi në një intervistë për gazetën “Bota sot”, tregon se, Iniciativa Qytetare e Obiliqit në të gjitha sondazhet është duke pri.

Sipas tij, në Obiliq pritet të fitojë pa balotazh.

Gashi ka përmendur edhe disa nga projektet e kësaj komune të cilat janë përfunduar me sukses.

Ai thotë se Obiliqi është kampion si komunë sa i përket subvencionimit në të gjitha fushat.

Gashi ka folur edhe për gjendjen pandemike të kësaj komune, ku ka potencuar se edhe në Obiliq ka filluar rritja e numrit të rasteve pozitive me Covid-19, dhe se të gjithë mekanizmat antiCovid janë në gatishmëri për një situatë të menaxhueshme dhe nën kontroll.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Çfarë rezultate prisni nga këto zgjedhje?

Xhafer Gashi: Zgjedhjet shënojnë aktin më të lartë demokratik, në të cilin qytetarët vlerësojnë punën, përkushtimin dhe angazhimin që kemi treguar në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës, andaj në këto zgjedhje pritshmëritë për vlerësimin nga ana e qytetarëve janë të mëdha dhe shpresojmë që zgjedhja e tyre të jetë e drejtë.

“Bota sot”: Ku do të jeni më shumë i fokusuar në këto zgjedhje?

Xhafer Gashi: Zgjedhjet i paraprijnë aktiviteteve të ndryshme të fushatës zgjedhore, ne do te kemi në fokus vazhdimësinë e punës dhe angazhimit të dëshmuar sikur deri me tani. Ne, kemi krijuar një standard të ri saj përket zhvillimeve në komunën e Obiliqit, secili qytetarë është afër me zhvillimet që ndodhin, si dhe, projektet bashkë i zgjedhim, bashkë i mbikëqyrim dhe së bashku i gëzojmë!

“Bota sot”: Muaj më parë keni dhënë dorëheqje nga AAK, a mendoni se kjo do të ndikojë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Xhafer Gashi: Ne, pas dorëheqjes kemi krijuar Iniciativën Qytetare për Obiliq, një nismë e re e cila i takon qytetarëve të Obiliqit dhe me krijimin e saj interesimi i qytetarëve që të bashkohen në këtë rrugëtim politikë ka qenë i jashtëzakonshëm, numërojmë mbi 800 aktivistë të cilët janë të aktivizuar nëpër struktura, qoftë ne degë, qoftë në Rininë e Iniciativës apo tek grupi i grave, kështu qe rezultati zgjedhor është një vlerësim i qytetarëve të Obiliqit për punën që kemi bërë në qytetin tonë, kurse saj përket ndikimit mbetet të shihet në zgjedhje.

“Bota sot”: A mendoni t’i bashkoheni ndonjërës nga partitë politike?

Xhafer Gashi: Ne tashmë kemi zgjedhur një rrugë politike, atë të Iniciativës Qytetare për Obiliq, e për të cilën presim shumë shpejtë që të bëhet certifikimi i saj nga ana e KQZ-së, sepse kemi dorëzuar dokumentacionet e kompletuara. Iniciativa Qytetare për Obiliq, në zgjedhjet e muajit tetor 2021 do të garojë me kandidatë për kryetar dhe me listën për asamble komunale me profile të fushave përkatëse për të përfaqësuar denjësisht qytetarin e Obiliqit.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga projektet e juaja për komunën e Obiliqit?

Xhafer Gashi: Në Obiliq është punuar shumë, që nga marrja e mandatit të parë ne jemi fokusuar në secilin sektor veç e veç. Duke patur parasysh faktin se Obiliqi ka qenë një qytet industrial i ndërtuar në vite te hershme brenda tij ka patur shumë objekte te vjetruara, të cilat kemi rrënuar dhe në ato hapësira në bashkëpunim gjithmonë me qytetaret e Obiliqit kemi ndërtuar projekte madhore. Kemi ndërtuar ura, parqe e sheshe publike, shkolla dhe anekse te reja shkollore, salla sportive për nxënësit, jemi në ndërtim të Bibliotekës së Qytetit. Kemi funksionalizuar Palestrën Sportive “Adem Jashari” dhe kemi ndërtuar shumë fusha të hapura sportive. Kemi ndërtuar Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” dhe shumë projekte të tjera në fushën e artit e kulturës. Jemi komunë kampione saj përket subvenconimit në të gjitha fushat. Kur kam marrë mandatin tim të parë, në komunën e Obiliqit kanë qenë vetëm 13 bursa, ndërsa tani aktualisht shpërndajmë mbi 1000 bursa e kartela për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për student dhe nxënësit e komunës së Obiliqit, jemi komuna e parë që bëjmë subvenvcionimin e studimeve post-diplomike. Në bujqësi vetëm gjatë vitit të fundit kemi ndarë 512 mijë euro subvencione për bujqit, në shëndetësi kemi fillu subvencionimin e grave lehona me nga 150€, si dhe për të gjithë të infektuarit me Covid-19 ndajmë 100€, ndërsa për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre në këtë betejë ndajmë 300 €.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeveris Kurti deri më tani?

Xhafer Gashi: Edhe në përgjigjet e lartcekura kam theksuar se vlerësimin e punës së një ekzekutivi qoftë në nivel qendror apo atë lokal e bëjnë qytetarët, andaj edhe në këtë rast për punën e nivelit qendror vlerësohet nga ana e qytetarëve. Si institucion komunal, ne po vazhdojmë të ndërtojmë një urë bashkëpunimi me nivelin qendror të qeverisjes, sepse kemi shumë tema dhe projekte të cilat meritojnë përkrahjen e Qeverisë dhe normalisht që bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe lokal është shumë i domosdoshëm.

“Bota sot”: A mendoni se prapë do të zgjidheni për kryetar të kësaj komune?

Xhafer Gashi: Unë kam shpallur kandidaturën time për kryetar komune, e cila është aprovuar edhe në mbledhjen e fundit të këshillit drejtues të Iniciativës Qytetare për Obiliq. Bashkë me qytetarët e Obiliqit unë vlerësoj se do të vazhdojmë punën, angazhimin dhe përkushtimin edhe për një mandat qeverisës, këtë e thotë edhe tereni dhe çdo bashkëbisedim që kam me qytetarët si dhe në bazë të informatave çdo sondazh i realizuar nga partitë politike deri më tani në Obiliq e nxjerr Iniciativën Qytetare për Obiliq dhe kandidaturën time për kryetar, fituese pa balotazh. Me lejoni ta theksoj se jam shumë i gatshëm që së bashku me qytetarët e Obiliqit të materializojë dhe të realizojë vizionin e përbashkët në të mirën e qytetit të Obiliqit, ashtu siç e kemi dëshmuar për këto 8 vite qeverisje.

“Bota sot”: Si është gjendja pandemike në këtë komunë?

Xhafer Gashi: Edhe në Obiliq ka filluar rritja e numrit të rasteve pozitive me Covid-19, aktualisht kemi 14 raste aktive. Të gjithë mekanizmat antiCovid-19 janë në gatishmëri për një situatë të menaxhueshme dhe nën kontroll.

“Bota sot”: Derisa rastet janë rritur me Covid dhe rreziku nga varianti Delta, sa ekziston rreziku i një izolimi tjetër dhe si duhet vepruar për ta shmangur?

Xhafer Gashi: Ne në vazhdimësi jemi në koordinim me institucionet e nivelit qendror dhe me IKSHPK-në, për të gjitha aktualitetet lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19, rreziku ndaj këtij virusi ekziston ende andaj unë i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve e veçmas qytetarëve të Obiliqit që të lajmërohen pranë Qendrës për Vaksinim dhe të vaksinohen ndaj këtij virusi, si një mundësi për të shmangur izolimin e vendit duke e ditur se izolimi do të shkaktoj dëme në sferën ekonomike e sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat