"Shumë zhurmë për asgjë", Drenori vlerëson punën e Lladrovcit, tregon programin që synon fitore në Drenas

Intervista

"Shumë zhurmë për asgjë", Drenori vlerëson punën e Lladrovcit, tregon programin që synon fitore në Drenas

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 gusht 2021 Në ora: 19:16
Xhavit Drenori

Xhavit Drenori do të jetë kandidat për kryetar të Drenasit. Kandidati tjetër është Ramiz Lladrovci i cili edhe është aktualisht është kryetar.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Xhavit Drenori, ka shpjeguar iniciativën e tij, duke thënë se Iniciativa qytetare “Green për Drenasin” do të jetë një iniciativë me thelb për mjedisin në Drenas por duke mos i lënë anash as problemet e sferave tjera shoqërore.

Ai ka folur edhe për programin e tij si “Green për Drenasin”.

Më tej ai theksuar se, qeverisja e tij do të jetë e përcaktuar në mbrojtje të mjedisit, i cili sipas tij, Drenasi lirisht mund të themi edhe në bazë të matjeve se është qyteti prej më të ndoturve në Evropë.

Për punën e kryetarit aktual Ramiz Lladrovci, Drenori e ka krahasurar me titullin e një komedie të Shekspirit-“Shumë zhurmë për asgjë”.

Ai ka thënë se nëse fiton me votat e qytetarëve dhe pa shantazhe, Lladrovci mund të qeverisë edhe 20 vite, por nëse qytetarët duan më mirë, e kanë iniciativën e tij.

Drenori ka komentuar edhe qeverisje e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se Qeveria është në fazën e konsolidimit të qeverisjes, prandaj edhe shohim punë e veprime të mira, njësoj siç ka edhe gabime e lëshime që nuk do të donim të ndodhin.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jeni kandidat për kryetar të Drenasit, çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Xhavit Drenori: Pres së pari zgjedhje fer dhe korrekte, të monitoruara nga ekipe të BE për vëzhgimin e zgjedhjeve. Kësaj radhe konkurroj për kryetar si bashkëthemelues me shumë ekspertë mjedisor, i një Iniciative Qytetare të quajtur “Green për Drenasin”, e cila kryesisht merret me problematikat mjedisore, pa i anashkaluar edhe problemet e sferave tjera shoqërore. Pra, unë si kandidat dhe Iniciativa që më përkrahë, gjithnjë po i ofrojmë diçka të re dhe të vlefshme votuesit drenicakë.

“Bota sot”: Çfarë përmban programi juaj për qeverisje lokale?

Xhavit Drenori: Programi ynë qeverisës është hartuar duke marrë për bazë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Drenasit, si dhe problemet e tyre të përditshme. Është program i hartuar nga ekspertë të Iniciativës nga fusha të ndryshme, duke pasur tri shtylla:

- Problemet akute mjedisore që mund të zgjidhen shpejt

- Masat afatgjata për përmirësimin e situatës

- Veprimet dhe aktivitetet në lëmitë tjera shoqërore, si: ekonomia, bujqësia, arsimi, kultura dhe sporti etj.

Mendoj se kemi një kombinim shumë të mirë të përvojës dhe dijes së kuadrove që do ta zbatojnë këtë program, prandaj edhe e konsideroj si programin më gjithëpërfshirës dhe dobiprurës për qytetarët e Drenasit.

“Bota sot”: Ku do të fokusohet qeverisja juaj?

Xhavit Drenori: Qeverisja ime dhe stili im i të udhëhequrit është kombinimi i punës në terren për incizimin e gjendjes, koordinimi dhe bashkëveprimi me qytetarët dhe masat e veprimet brenda kompetencave të qeverisjes lokale. Pra, sinergjia jonë me qytetarin i shtyn proceset përpara, meqë nuk e shohim qytetarin vetëm si votues, por edhe pjesë e bashkëqeverisjes sime.

- Me theks të veçantë jam i fokusuar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, që është shtylla e programit tonë qeverisës, duke pasur faktin se Drenasi lirisht mund të themi edhe në bazë të matjeve se është qyteti prej më të ndoturve në Evropë, edhe atë me ndotës shumë të rrezikshëm, kryesisht nga shkritorja e Ferronikelit, që funksionon në afërsi të madhe me qendrën e qytetit dhe duke i shkelur vazhdimisht standardet sa i përket ndotjes.

- Meqë gjendja në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe ekonomi nuk ka shënuar përparime të dukshme, edhe këto problematika do të kenë fokus të veçantë gjatë qeverisjes sime, në mënyrë që të lëvizim përpara. Ndërlidhur me këto sfera dhe projeksionet tona si “Green për Drenas”, ne do të angazhohemi për ekonomi, bujqësi që favorizon prodhimet bio dhe subvencionimin e tyre, politika anti-GMO dhe ushqim të shëndetshëm, investime në hapësira për sport dhe rekreacion të popullatës, ndaljen e dëmtimit të pyjeve si pasojë e prerjes së pakontrolluar dhe pyllëzimi apo gjelbërimi i sa më shumë sipërfaqeve, si dhe veprime tjera jo shumë të kushtueshme nga aspekti buxhetor, mirëpo në benefit direkt të qytetarit.

“Bota sot”: Sa janë gjasat që ju ta fitoni këtë mandat?

Xhavit Drenori: Në inercionin e ndryshimeve pas zgjedhjeve nacionale, si dhe lodhjen e qytetarëve me premtime të parealizuara dhe trajtimin e tyre si pjesë e një komune-bastion, gara do të jetë e ngushtë dhe e baraspeshuar. Pres të ketë gjithsesi balotazh, ndërsa unë veç jam fitues sepse si kandidat po promovoj diçka të re dhe për të cilën nuk punohet shumë nga politika kosovare, as e nivelit qendror e as atij lokal, pra promovoj një program qeverisës që në bazament ka çështjet mjedisore. Rezultati im në garën për Kryetar është i ndërlidhur edhe me vetëdijesimin e qytetarit lidhur me rëndësinë e politikave mjedisore, të njohura si politika “green” (të gjelbërtit), që janë në fillimet e tyre tek ne, por që në rajon dhe Evropë janë dominuese. Në rrugëtimin tim gjithnjë kam ndërmarrë veprime që kanë qenë në dobi të qytetarit të Drenasit, për qeverisje pa korrupsion dhe nepotizëm, kështu që e njëjta politikë do të jetë prapë në fokus timin. Edhe në rast koalicionesh paszgjedhore apo cilido që të jetë rezultati, ne do të vazhdojmë me motivim edhe më të madh të punojmë në këto çështje, meqë kemi plane afatgjata.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e kryetarit aktual Lladrovci në Drenas?

Xhavit Drenori: Punës së kryetarit aktual i shkon titulli një komedie të Shekspirit-“Shumë zhurmë për asgjë”. Pra, vjen në pushtet me pompozitet dhe anashkalim të bazës partiake, me premtime megalomane e të pabazuara në realitet, dhe tani qytetarët i kanë para sysh rezultatet dhe dështimet në raport me premtimet e dhëna, kështu që e kanë shumë të lehtë vlerësimin e punës së tij dhe dhënien ose jo të votës pas 5 vitesh qeverisje në Drenas. Unë e vlerësoj si një qeverisje me autokraci, të dështuar në menaxhimin e shumë sferave, me disa “rezultate” që do të arriheshin me secilin kryetar i cili menaxhon një buxhet të caktuar, me pazare të dyshimta politike me qëllim të mbytjes së zërit opozitar në Drenas, e shumë çështje tjera skandaloze.

Një qeverisjeje të tillë nuk ka pse t’i jepet edhe një shans tjetër nga qytetarët!

“Bota sot”: Cilat janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Drenasit?

Xhavit Drenori: Problemet kryesore të qytetarëve të Drenasit, e me të cilat do të merremi bashkërisht në vijim të angazhimit tonë si Iniciativë Qytetare janë:

- mjedisi (ajri, toka, uji) shumë i ndotur, që është një “condicio sine qua non” apo kusht i domosdoshëm për jetë normale dhe aktivitete tjera. Sidomos, është alarmante situata me ndotjen nga Ferronikeli dhe trajtimin e heshtur të kësaj problematike nga qeverisja komunale.

- stagnimi ekonomik dhe ndërlidhur me këtë papunësia.

- mungesa e investimeve jashtëbuxhetore (nga jashtë Kosovës) dhe involvimi i pakët i diasporës në zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit në komunën tonë

- Pavarësisht që mendohet si komuna “me asfalt deri në oborre” dhe infrastrukturë të rregulluar, kjo është një iluzion, sepse e kundërta vërtetohet sapo të kalosh Kronin e Mbretit dhe të hysh në territorin e komunës sonë. Prandaj, një nga detyrat do të jetë monitorimi i cilësisë së projekteve të kryera, ku ka prej tyre që figurojnë si punë të kryera e në fakt janë askund (ujësjellësi i 22 fshatrave, ku edhe gypi mungon nëpër kanale) dhe finalizimi i atyre të mbetura në gjysmë.

- Ndërtimet e reja, rrjedhimisht rritja e numrit të banorëve në qendër, si dhe punimet infrastrukturore të tejzgjatura, e kanë ngulfatur komunikacionin aty, kështu që duhet një analizë profesionale dhe zgjidhje adekuate, qoftë nga aspekti teknik, por edhe ai mjedisor.

“Bota sot”: Nëse shkoni në balotazh, me kë do t’i bashkoni forcat për ta mposhtur Lladrovcin?

Xhavit Drenori: Synimi ynë primar nuk është se si ta mposhtim Lladrovcin, nëse e ka përkrahjen fer dhe pa shantazhe të qytetarëve, le të qeverisë edhe 20 vite! Nëse e kërkojnë Lladrovcin, aty do ta kenë, por edhe nëse kërkojnë alternativë shumë më të mirë, unë bashkë me Iniciativën time jemi aty për t’i treguar secilit se si qeveriset me korrektësi dhe duar të pastra! Balotazhi do t’i kishte bashkuar forcat e ndryshimit dhe opozitarizmit progresist kundër qeverisjes së deritashme autokrate dhe pa invencion. Pjesa e të pakënaqurve që janë ndarë nga PDK po ashtu mbetet të vendosin se a do t’i dërgojmë në histori bastionet apo si do të vazhdojmë tutje!

- Këtu e humb kuptimin edhe termi bastion, i cili dihet se përfaqëson një institucion ose person që mbron fuqishëm dhe mbështet parime, qëndrime apo aktivitete të caktuara për të cilat qëndron fort! Por, ne në Drenas duhet t’i bashkojmë forcat që në mënyrë demokratike dhe me votë të pastër të ndryshojmë realitetin nga një bastion i varfërisë e moszhvillimit, i korrupsionit, nepotizmit, autokracisë së kryetarit, qeverisjes me shantazhe etj. të kthehemi në një bastion të zhvillimit, ndryshimit pozitiv, qeverisjes në të mirë të qytetarit, pra një bastion i përparimit. Këtë e meritojnë qytetarët e Drenasit!

“Bota Sot”: Si e shihni qeverisjen Kurtit në vend?

Xhavit Drenori: Mendoj se përkrahja e fuqishme që e ka marrë ndërlidhet me faktin e pritshmërive të rritura të qytetarëve. Mendoj që është në fazën e konsolidimit të qeverisjes, prandaj edhe shohim punë e veprime të mira, njësoj siç ka edhe gabime e lëshime që nuk do të donim të ndodhin. Aq shumë ka probleme të grumbulluara në qeverisjet e 20 vjeçarit të fundit, saqë mendoj që populli nuk do të ketë durimin të pres gjatë për të parë ndryshimet për të cilat ka votuar. Pra, qeverisja Kurti mundet shumë lehtë ta vë veten në cajtnot (si në shah), kur ke ide e plane çfarë duhet bërë, por të mungon koha! Është humbur shumë kohë në këtë vend për çështje që nuk e përmirësojnë jetën e qytetarit, prandaj koha është ajo më e vlefshmja që qytetarët më nuk ta japin blanko!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat