Flet Hyrie Dobrunaj, gruaja që synon ta udhëheq Deçanin e ‘burrave’, tregon pse duhet votuar atë me 17 tetor

Intervista

Flet Hyrie Dobrunaj, gruaja që synon ta udhëheq Deçanin e ‘burrave’, tregon pse duhet votuar atë me 17 tetor

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 gusht 2021 Në ora: 13:20
Hyrie Dobrunaj

Hyrie Dobrunaj nga LDK do të jetë kandidate për qytetin e Deçanit, duke qenë kështu kandidatja e vetme grua për këtë komunë.

Ajo në një intervistë për “Bota sot”, ka folur rreth gjendjes aktuale politike në vend.

Dobrunaj ka deklaruar se si e vetmia grua kandidate e kësaj komune, është privilegj dhe nder për të, madje ajo thotë se për herë të parë deçanasit kanë para vetës një person me përvojë 30 vjeçare.

Më tej ka treguar edhe rreth programit qeverisës, ajo ka potencuar se programi ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve, dhe me trajtim të barabartë të projekteve për të gjithë.

Tutje ka folur edhe për problemet me të cilat ballafaqohet kjo komunë, ajo potencoi se njëri ndër faktorët kryesor është trajtimi i ujërave të zeza, gjë që të cilën e kanë thënë dhe ekspertët të cilët kanë kryer analizat e ujit të pijes.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jeni e vetmja grua kanadidate në garën për kryetar të Komunës së Deçanit. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Hyrie Dobrunaj: Fakti që jam e vetmja grua, është privilegj dhe nder që më është besuar nga subjekti im politik. Por, në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi shtesë që këtë garë mos ta bëj vetëm për veten dhe për subjektin tim, por për të gjitha ato gra e vajza të reja të cilat në të ardhmen do të kenë dëshirë dhe ambicie, do t’i bind ato që është e mundur.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet e 17 tetorit në Deçan?

Hyrie Dobrunaj: Pritjet e mia me të drejtë janë të mëdha, sepse për herë të parë Deçani dhe deçanasit kanë para vetes një person i cili punë të parë nuk e ka postin e kryetarit, por ka përvojë 30 vjeçare në udhëheqje dhe menaxhim. Deçani ka nevojë urgjente për ndryshim dhe ndryshimi vjen vetëm me ne.

“Bota sot”: A mendoni se do të ndryshojë bindja se në Deçan udhëheqin vetëm burrat?

Hyrie Dobrunaj: Unë do ta bëj punën time me përkushtim, iu mbetet në dorë deçanasve ta dëshmojnë një gjë të tillë.

“Bota sot”: Po në përgjithësi për LDK-në në komunat tjera, cilat janë pritjet?

Hyrie Dobrunaj: Të njëjtat pritje i kam për LDK-në anë e kënd Kosovës, jemi i vetmi subjekt politik i cili është i dëshmuar se di të ndërtojë shtet dhe vetëm me ne ruhet dhe zhvillohet shteti ynë.

“Bota sot”: Cili është programi juaj për Deçanin, çfarë ndryshimesh mendoni të bëni?

Hyrie Dobrunaj: Programi jonë ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, trajtim të barabartë të projekteve për të gjithë jo vetëm për votuesit e një subjekti, këtë ndryshim qytetarët do ta shohin që nga ditët e para të qeverisjes.

“Bota sot”: Me çfarë problemesh ballafaqohet kjo komunë?

Hyrie Dobrunaj: Komuna jonë ballafaqohet me shumë probleme, por problemi i ujërave të zeza ka që 17 vite që zvarritet dhe mashtrohen qytetarët, trajtimi i këtij problemi do të jetë prioritet.

“Bota sot”: Së fundmi në Deçan ndodhi rasti i helmimit të shumë banorëve të atjeshëm. Cili është mendimi juaj për këtë dhe si duhet shmangur situata të tilla?

Hyrie Dobrunaj: Pikërisht trajtimi i ujërave të zeza është edhe një ndër faktorët kryesorë që e kemi këtë gjendje me ujin e pijes në Deçan. Këtë e kanë thënë dhe ekspertët të cilët kanë kryer analizat e ujit të pijes dhe është për keqardhje qasja e institucioneve komunale ndaj këtij problemi.

“Bota sot”: Pse qytetarët e Deçanit duhet të votojnë për ju?

Hyrie Dobrunaj: Qytetarët e Deçanit duhet të votojnë për ndryshim, për jetë më të mirë për fëmijët e tyre, për barazi qytetare, këto janë të drejta bazë elementare njerëzore të cilat na mungojnë tash e 19 vite. Qytetarët e Deçanit duke votuar për ne votojnë për ndryshim, mirëqenie dhe ardhmëri.

“Bota sot”: Numri i rasteve me Covid është rritur së fundmi. Sa ekziston rreziku i një izolimi tjetër dhe si duhet shmangur ai?

Hyrie Dobrunaj: Për këto dy pyetje e kam mendimin tim, por meqenëse për të parën mund të paragjykoj e për të dytën mendimin e kanë dhënë deputetët e parlamentit të Kosovës të cilët janë të thirrur për atë punë. Unë i mbështes qëndrimet e LDK-së, sa ju përket këtyre dy çështjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat