Ish-këshilltari i lartë në DASH sulmon Grenellin: E turpshme sjellja e tij; S’kanë kuptim më bisedimet nëse Vuçiq nuk e bën këtë gjë

Intervista

Ish-këshilltari i lartë në DASH sulmon Grenellin: E turpshme sjellja e tij; S’kanë kuptim më bisedimet nëse Vuçiq nuk e bën këtë gjë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 gusht 2021 Në ora: 22:08
Richard Grenell

Drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, David Phillips, ka thënë se nuk pret shumë nga takimi i ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet në shtator në Bruksel.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Phillips ka thënë se nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nuk shkon në takim i gatshëm për ta njohur Kosovën, nuk kanë kuptim më diskutimet.

Ish-këshilltari në Departamentin amerikan, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që të bëjë publike listën me personat e zhdukur dhe të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim.

Eksperti amerikan, ka kërkuar po ashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshirje më proaktive dhe ushtrim presioni ndaj Vuçiqit për ta njohur Kosovën.

Ai ka sulmuar ish-ambasadorin amerikan për dialogun Richard Grenell, duke e quajtur të turpshme sjelljen e tij në fushatën për Donald Trump me serbo-amerikanët.

Image
Eksperti amerikan David Phillips

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Phillips, takimi i ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, do të mbahet në fillim të shtatorit. Çfarë mund të pritet nga ky takim?

David Phillips: Unë nuk pres shumë. Nëse Vuçiq nuk ndryshon mendje dhe nuk vjen në takim i gatshëm për ta njohur Kosovën të tërë dhe të lirë, nuk ka shumë kuptim për një diskutim tjetër të dhimbshëm.

“Bota sot”: Presidenti serb Aleksandër Vuçiq po refuzon të diskutojë gjenocidin serb kundër shqiptarëve në dialog. Çfarë duhet të bëjë kryeministri Albin Kurti nëse Vuçiq kundërshton vazhdimin e dialogut me këtë qasje?

David Phillips: Kryeministri Kurti duhet të sigurojë një listë të të gjithë personave të zhdukur. Lista duhet të bëhet publike dhe ai duhet të kërkojë nga Serbia që të paguajë kompensim për familjet shqiptare të Kosovës që humbën të dashurit ose iu shkatërruan pronat.

“Bota sot”: Ju keni propozuar që SHBA të dërgojë një delegat presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi. A mendoni se një gjë e tillë do të përshpejtonte arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis dy vendeve, duke pasur parasysh se edhe gjatë administratës së Donald Trump, marrëveshja përfundimtare nuk u arrit me të dërguarin Richard Grenell?

David Phillips: Ka pak mundësi për një marrëveshje nëse SHBA nuk përfshihet më në mënyrë proaktive dhe ushtron presion mbi Vuçiqin në mënyrë që ai të pranojë njohjen reciproke. Pas Afganistanit, administrata e Bidenit do të jetë në kërkim të një suksesi në politikën e jashtme. Duhet ta bëjë prioritet dialogun Kosovë-Serbi.

Grenell nuk ishte i dërguari special i SHBA-së. Ai ishte i dërguari special i Serbisë. Sjellja e tij në fushatën për Trump me serbo-amerikanët ishte e turpshme. Tani ai po përpiqet të bëjë biznes në Serbi. Turp për të!

“Bota sot”: Si e komentoni bashkëpunimin e Kosovës me SHBA në strehimin e afganëve në Kosovë? Pse SHBA zgjodhi Kosovën dhe Shqipërinë për të ndihmuar në këtë rast dhe a besoni se Kosova do të ketë kapacitet për t'u përballur me këtë çështje?

David Phillips: 98 vende kanë rënë dakord të pranojnë refugjatë afganë. Është nder të ndihmosh afganët e zhvendosur gjatë momentit të tyre të nevojës. Shqiptarët e Kosovës e dinë se si është të zhvendosesh nga konflikti i dhunshëm.

“Bota sot”: Si e shihni afërsinë e kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, ndërsa ne nuk po shohim përafrimin e tij me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti?

David Phillips: Kryeministri Rama duhet të përdorë marrëdhëniet e tij të mira me Vuçiqin për të inkurajuar fleksibilitet dhe kompromis.

“Bota sot”: Cili është komenti juaj për idenë e "Botës Serbe", e cila është shpallur tash e një kohë nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin?

David Phillips: Tingëllon gjë e tmerrshme dhe e keqe, e populluar nga kriminelë lufte dhe gangsterë.

“Bota sot”: A duhet që Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi t'i bashkohen "Ballkanit të Hapur"?

David Phillips: “Ballkani i hapur” nuk është zëvendësim për integrimin euroatlantik. “Ballkani i hapur” mund të jetë shtesë e integrimit në BE dhe NATO, por jo në vend të tij./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat