Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit: Jemi në garë për fitore, ja pse duhet të më votojnë

Intervista

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit: Jemi në garë për fitore, ja pse duhet të më votojnë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 shtator 2021 Në ora: 17:50
Nazim Gagica

Nazim Gagica do të jetë kandidat për kryetar në komunën e Gjilanit. Ai në një intervistë për “Bota sot”, ka folur lidhur me gjendjen aktuale politike në vend.

Gagica ka deklaruar se AAK në mandatin e parë kishte dy drejtori, madje nga të gjitha matjet përfshirë edhe ato ndërkombëtare, i nxjerrin si drejtoritë me perfomancën më të mirë. Ai thekson se nuk kemi pasur asnjëherë telashe me ligjin, as si të dyshuar dhe as si dëshmitarë.

Ai shton se nga këto zgjedhje pres një fushatë fer dhe presim fitore, sepse në garë jemi për të fituar, madje ai thotë se, në të gjitha komunat në të cilat ka qeverisur AAK, sot janë komuna kampione për zhvillim në secilin segment të jetës, dhe përveç kësaj, Aleanca në Gilan ka listën më profesionale.

Gagica gjithashtu ka përmendur disa nga projektet që do t’i shqyrtojë nëse zgjidhet kryetar komune, ai potencoi se më së shumti rëndësi do t’i kushtojë zhvillimit në vendet rurale, përveç kësaj, ai tha se rëndësi do t’i kushtojë edhe krijimit të kushteve për investitorët e huaj.

Përveç këtyre, Gagica ka deklaruar edhe për gjendjen pandemike, ai ka thënë se për parandalimin e përhapjes së Covid, do ta kryejmë punën tonë me përkushtim të plotë, gjë që e kemi dëshmuar edhe në këtë mandat, por, sipas Gagicës, një komunë me aq shumë territor dhe popullsi dhe ta ketë vetëm një qendër vaksinimi është për të ardhur keq, sepse qytetarët duan të vaksinohen, por nuk ka as termine të lira, sepse ka mungesë të vaksinave.

I pyetur se cilat janë pritjet e AAK-së në këto zgjedhje në përfshirje më të gjerë, pra duke i përfshirë edhe komunat tjera, Gagica gjithashtu ka potencuar se, në të gjitha ato komuna ku ka qeverisur AAK, kanë ndodhur zhvillime pozitive, madje ai thekson se, vizioni i AAK-së është i tillë, andaj edhe në këto zgjedhje AAK do t’i fitojë edhe disa komuna të tjera, sepse sipas tij, në këto zgjedhje, janë ofertat më serioze.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Gagica, si e vlerësoni qeverisjen e deritashme në komunën e Gjilanit?

Nazim Gagica: Ndryshimi në Gjilan veçmas dhe përgjithësisht në Anamoravë, është i dukshëm. Kjo ka ndodh fal përkushtimit të ish-kryeministrit Haradinaj i cili riktheu vëmendjen kah ky regjion i harruar nga të gjitha qeveritë e kaluara duke mos i dhënë asnjëherë përgjigje negative projekteve infrastrukturore për Gjilanin dhe Anamoravën.

“Bota sot”: Sa keni arritur t`i përmbushni prioritetet tuaja në mandatin që tashmë po përfundon, duke qenë se keni bashkëqeverisur me LDK-në?

Nazim Gagica: Në mandatin e parë AAK kishte përveç drejtori, edhe nënkryetarin e Komunës, ndërsa në këtë mandat që shpejt do të përfundoj, kishim dy drejtori. Të gjitha matjet qoftë nga organizata vendore por edhe ato ndërkombëtare, i nxjerrin si drejtoritë me performancën më të mirë, madje në nivel kombëtar. Aleanca në bashkëqeverisje në Gjilan ka krijuar një standard të ri të qeverisjes, standard ky që vështirë se do të mundët dikush ta ndryshoj. Janë mësuar tanimë qytetarët tanë.

“Bota sot”: A mendoni se qytetarët janë ndarë të kënaqur me punën tuaj gjatë mandatit që po mbaron?

Nazim Gagica: E thash pra, organizata me renome e kanë vlerësuar me notë maksimale punën tonë në dikasteret që kemi drejtuar. As unë si drejtor i Arsimit, dhe as kolegu im Selami Xhemaili si drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përveç që kemi qenë në krye të detyrës dhe pranë qytetarëve, nuk kemi pasur asnjëherë telashe me ligjin, as si të dyshuar e as si dëshmitarë. Pra, mendoj unë se qytetarët presin edhe më shumë dhe me të drejt dhe këtë do ta bëjmë në vazhdimësi.

“Bota sot”: Si ka qenë komunikimi me opozitën në komunë, sa keni arritur që t`i adresoni apo t`i zgjidhni problemet e ngritura?

Nazim Gagica: Roli i opozitës është që ta përcjellë punën e pushtetit, pra pozitës. Kjo ka ndodh në Gjilan. Një fakt është i pamohueshëm; Gjilani ka kulturë politike pavarësisht bindjeve. Bashkëpunimi ka qenë korrekt, ndonjëherë ka kërkesa nga opozita të cilat edhe sikur të ishin ata në pushtet nuk do të kishin mundësinë buxhetore t’i realizonin, por siç thash, ky është roli i opozitës dhe gjithnjë të qenit në opozitë të jep një komoditet për tu shprehur, ndonjëherë me vend, e shumë herë për kalkulime politike.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja për zgjedhjet e 17 tetorit?

Nazim Gagica: Pres një fushatë fer dhe korrekte ashtu siç dinë të bëjnë qytetarët e Gjilanit. Presim fitore, zaten për të fituar jemi në garë.

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet t'i besojnë AAK-së në Gjilan?

Nazim Gagica: Aleanca në të gjitha nivelet e qeverisjes e ka dëshmuar se fjalën e dhënë e konsideron kontratë me qytetarët. Në të gjitha komunat në të cilat ka qeverisë për një ose dy mandate, sot janë komuna kampione për zhvillim në secilin segment të jetës. Në qeverisjen nacionale, kryeministri Haradinaj ka bërë punë të mëdha, vendime të cilat do të kenë efekte të përjetshme në interes të vendit. Përveç kësaj, Aleanca në Gjilan ka listën më profesionale, si oferta më serioze. Këtë nuk e themi vetëm ne, po e thonë qytetarët madje edhe kundërshtarët politik. Listë e cila përveç që është gjithëpërfshirëse dhe me ardhje të reja, ka njerëz me përvojë të gjatë profesionale dhe politike.

“Bota sot”: Cilat janë projektet që do t'i shqyrtoni më me prioritet nëse zgjidheni kryetar komune?

Nazim Gagica: Rëndësi do t’i kushtojmë zhvillimit të vendeve rurale, aty ku prodhohet dhe jo thjeshtë vetëm konsumohet. Pos kësaj, Gjilani ka ende pjesë të cilave u mungon infrastruktura bazike, e cila krijon kushtin e parë për zhvillim. Po ashtu, rëndësi do t’i kushtojmë krijimit të kushteve për investitorë të huaj sepse Gjilani është vend interesant për investime sepse është qendër lidhëse me shumë komuna tjera, veçmas me Luginën.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për kundër-kandidatët tuaj?

Nazim Gagica: Është në traditën e Aleancës që të komunikohet dhe të qeveriset me qytetarët. Nuk parapëlqejmë të flasim për kundërkandidatët, për asnjërin prej tyre. Ne kemi programin dhe ofertën tonë të cilën do ta shpalosim me kohë para qytetarëve. Respektojmë secilin kundërkandidat, porse është shumë e natyrshme që jo të gjithë ta kenë dijen e përvojën, vullnetin e përkushtimin për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve tanë.

“Bota sot”: Cilat hapa do të ndërmerrni për parandalimin e përhapjes së covid në komunën tuaj?

Nazim Gagica: Pandemia Covid-19 është problem me të cilin përballet madje me vështirësi e gjithë bota. Edhe shtetet më të fuqishme dhe më të zhvilluara. Nga përgjegjësia jonë si nivel lokal, do ta kryejmë punën tonë me përkushtim të plotë, bile e kemi dëshmuar edhe në këtë mandat duke qenë pjesë e qeverisjes.

“Bota sot”: Si e komentoni punën e qeverisë Kurti deri më tani?

Nazim Gagica: Kemi dy lloje të punës; të mirë dhe jo të mirë, për të mos thënë të keqe. Pritjet e qytetarëve ishin të mëdha, madje shumë më të mëdha se kurdo herë më parë. Kur pritjet janë të mëdha, zhgënjimi është shumë i madh. Po ndodh zhgënjimi, fatkeqësisht. Në emër të ç‘kapjes së shtetit, u kap ai, madje shumë shpejtë dhe shumë rëndë. Nepotizmi u thellua, imazhi i shtetit u dobësua, u ndalën projektet për Komunat, dhe gjitha këto e bëjnë qeverinë Kurti si qeveria më e dobët dhe më e dëmshme e të gjitha kohërave.

“Bota sot”: Çfarë po bën komuna e Gjilanit për ta menaxhuar situatën aktuale me COVID-19, e cila është e rënduar dukshëm?

Nazim Gagica: Asgjë më shumë se komunat tjera, sepse fuqia e Komunës është kjo që është. Problemi nuk qëndron tek komunat, telashe kemi me qeverisjen nacionale. Një komunë me aq shumë territor dhe popullsi ta ketë vetëm një qendër vaksinimi, sinqerisht është për të ardhur keq. Qytetarët duan të vaksinohet, si e vetmja formë për ta fituar luftën me virusin, nuk ka termine të lira sepse ka mungesë të vaksinave. Situata e krijuar kërkon mobilizim të gjithmbarshëm dhe duke i kapërcyer bindjet politike.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e përgjithshme politike në vend?

Nazim Gagica: Pa dashur të jem subjektiv, Kosova nuk e ka merituar një trajtim të tillë çfarë realisht po bëhet nga Qeveria Kurti. Kanë ardh në pushtet duke e luftuar me të gjitha format secilën qeveri, duke premtuar shumë, në fund rruga e tyre deri këtu doli të ishte thjeshtë mashtrim, akuzat për secilën qeveri paskan qenë thjeshtë mashtrim, si dhe u dëshmua që këta njerëz jo që nuk janë shpresa e vendit, por janë e keqja e tij. Kosova është dëmtuar shumë qoftë në rrafshin e brendshëm, edhe në atë të jashtëm. Lirimi nga detyra i shumë ambasadorëve dhe mos emërimi i të rinjve me kohë, ka krijuar telashe të mëdha në përfaqësitë e shtetit tonë në shumë vende të botës. Kjo sjellje e qeverisë në raport me shtetin, është thjeshtë arrogante dhe e dëmton imazhin e tij karshi botës. Qeveria Kurti po bënë përpjekje me i përvetësua meritat e qeverisë Haradinaj, vendimet e së cilit edhe sot po prodhojnë lajme të mira për Kosovës, rasti i fundit automjetet ushtarake nga Amerika për Ushtrinë e Kosovës. Pra, Kosova ka dështuar thuajse në çdo segment, sepse është fol shumë kohë e për shumë procese, ndërsa tani jo që nuk ka përparim, por e keqja është se po përballemi më dështime edhe më të rënda, siç është dialogu me Serbinë, heqja e tarifave për produktet serbe dhe dëmtimi i prodhuesve dhe prodhimit vendor, thellimi i përçarjeve me shtetin shqiptar, mungesa e vullnetit të qeverisë për të thelluar bashkëpunimin me ShBA-të sidomos në procesin e dialogut etj.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet e AAK-së për zgjedhjet e 17 tetorit në përfshirje më të gjerë, pra edhe në komunat tjera?

Nazim Gagica: Aleanca udhëheq sot me shumë Komuna në të cilat ka ndodh zhvillimi. Nuk është rastësi që secila prej komunave që udhëheqë Aleanca, shpallen kampione. Pra, është dashtë të ndodh diçka e mirë në to për tu vlerësuar kësisoj. Përveç kësaj, edhe në ato komuna që Aleanca ishte në bashkëqeverisje, kanë ndodhur zhvillime pozitive, sepse vizioni i Aleancës është i tillë; për qytetarët. Jam shumë i bindur se Aleanca do të dal fituese e zgjedhjeve në komunat që sot i udhëheq, përveç kësaj do të fitojë edhe në disa të tjera. E them kështu sepse kandidatët për kryetar të komunave si dhe lista për Kuvendet Komunale nga Aleanca, janë ofertat më serioze në këtë proces zgjedhor. Programi që ofron Aleanca, është zhvillimor dhe i realizueshëm. Programi ynë ofron zgjidhje për secilën kërkesë dhe nevojë të qytetarëve, prandaj besojmë në fitore në shumicën e komunave ku garojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat