Ekskluzivisht për “Bota sot” flet Armend Agolli: Kemi trefishuar votën e LDK-së në Mitrovicë/ Ja ku gaboi Arben Vitia me pandeminë

Intervista

Ekskluzivisht për “Bota sot” flet Armend Agolli: Kemi trefishuar votën e LDK-së në Mitrovicë/ Ja ku gaboi Arben Vitia me pandeminë

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 4 shtator 2021 Në ora: 10:40
Armend Agolli

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, dr. Armend Agolli, ka deklaruar se me ardhjen e tij, është trefishuar vota e LDK-së në këtë qytet.

Ai ka treguar prioritetet e tij për komunën e Mitrovicës, ndër të cilat do të jenë shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.

Po ashtu, Agolli si ish këshilltar i ministrit Armend Zemaj, ka komentuar edhe gjendjen aktuale me pandeminë CoVID-19, ku ka thënë se fajtor për eskalimin e situatës është mos-informimi dhe mungesa e fushatës për inkurajimin e vaksinimit të qytetarëve, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai e ka konsideruar absurde çështjen e kandidimit të ministrit Arben Vitia për kryetar të Prishtinës, pasi sipas tij, Vitia nuk ka ekip të mirë në MSH që do të mund ta menaxhonte si duhet situatën alarmante me pandeminë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Agolli a mund të na tregoni se si erdhi deri tek vendimi që ju të jeni kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Mitrovicës?

Armend Agolli: Unë jam në politikë këtë vitin e fundit, d.m.th kam qenë si këshilltar i ministrit Zemaj dhe aty kam pasur kontaktet e para me kryesinë e dhe udhëheqësinë e LDK-së dhe aty u krijuan rrethanat tjera për të zhvilluar politika shëndetësore. Në atë mënyrë erdhi ideja së pari nga baza ku jam unë në Mitrovicë, që unë të jem kandidat për kryetar komune. Të them të vërtetën, në fillim hezitova sepse profesioni im është mjek dhe po më duhet ta sakrifikoj profesionin për një të mirë më të madhe. Unë kam pasur negociata rreth dy muaj me kryetarin Abdixhiku dhe mandej pasi u plotësuan disa kushte që i kërkova, vendosa që të jem kandidat për kryetar të Mitrovicës. Tash e kam ekipin i cili e ka kryer tani për tani planin. Kemi ndryshime të vogla varësisht prej sondazheve, pasi vazhdimisht jemi duke bërë sondazhe për ta parë në bazë të kërkesave të qytetarëve ndryshon edhe programi, por kryesisht në program tonin do të jetë si prioritet kryesor shëndetësia, arsimi dhe papunësia. Pra aty do të koncentrohem më shumë.

“Bota sot”: I përmendët sondazhet, a mund të na tregoni se si qëndroni në këtë drejtim z. Agolli, a keni shënuar ngritje?

Armend Agolli: Si parti me ardhjen time është trefishuar vota, jemi në rritje vazhdimisht. Kjo është shumë e mirë në krahasim me tjerat që kanë rënie, sidomos me Vetëvendosjen. Jemi duke punuar në atë drejtim që të kontaktojmë sa më shumë me elektoratin, t`i tregojmë kush jemi, pasi një pjesë e popullatës nuk më njeh për shkak që kam jetuar në Suedi, kurse pjesa tjetër më njohin. Por sidomos të rinjtë që nuk kanë pasur probleme shëndetësore më njohin më pak.

“Bota sot”: Si është qeverisur deri më sot me Mitrovicën z. Agolli?

Armend Agolli: Do ta kisha kthyer në “si nuk është qeverisur”, sepse nuk është qeverisur fare. Mitrovica është keq-menaxhuar që 8 vjet. Një Mitrovicë e shkatërruar në çdo aspekt, si në shëndetësi, si në arsim, si në shërbimet publike komunale. Mitrovica kundërmon gjithandej nga plehrat. Një liqe akumulues që është bërë, me të cilin lavdërohet shumë kryetari aktual, është shndërruar në moçal dhe është rrezik që të bëhet një epidemi e malaries atje. Kështu që është një keq-menaxhim sharlatanesk.

“Bota sot”: Cilat janë projektet tuaja kryesore që synoni t`i realizoni në rast se dilni fitues në komunën e Mitrovicës?

Armend Agolli: Besoj që me ekipin që e kam ne do të dalim fitues dhe siç e thash pikë-prioritetet janë shëndetësia pasi unë vi nga ajo fushë mirëpo do të mundohemi që t`i ngrisim në një nivel të dëshiruar, normal të shërbimeve komunale që fatkeqësisht nuk ekzistojnë. Do të merrem shumë me infrastrukturën e qytetit tim, me rrugët që nuk janë as të sinjalizuara. Marrim shembull, po të vijë dikush në Mitrovicë, nuk e di ku është spitali, nuk e di ku është policia. Pra, sinjalet më të thjeshta nuk janë. Të mos flasim për problemet e tjera që janë enorme. Dikush duhet t`ia fillojë që të punojë në këtë drejtim dhe më ka rënë fati mua që t`i filloj dhe t`i mbaroj.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për kundër kandidatët tuaj?

Armend Agolli: Unë nuk do të merrem shumë me kundërkandidatët sepse populli i njeh. Populli e njeh Agim Bahtirin që e ka keqmenaxhuar këtë qytet prej fillimit deri tani. Bedri Hamza vjen prej një partie të kontaminuar, nga një parti me shumë skandale. Një parti,kryetarët e së cilës nëpër komuna udhëhiqen nga qendra. Pra nuk ka pavarësi Bedriu, sepse Bedriu si Bedri është njeri i mirë nuk kam asgjë kundër tij e as kundër Agimit. Mirëpo, të gjithë ata që e keq menaxhojnë qytetin tim janë njerëz me të cilët nuk do të bashkëpunoj.

“Bota sot”: Jeni anëtar dhe mbështetës i hershëm i LDK-së, si e vlerësoni situatën aktuale në parti, me udhëheqjen e re a kanë rënë të themi “gjërat në binarë”?

Armend Agolli: Unë mendoj që Lumiri ka bërë një reformë shumë të mirë në parti. Vetëm me prurjet e reja, ka treguar që po do të punojë. P.sh. në krahasim me Partinë Demokratike të Kosovës e cila nuk ka reflektuar pas humbjes që e ka pasur, LDK-ja ka reflektuar. Kandidatura e Përparim Ramës p.sh është kandidaturë shumë serioze dhe nuk është partiake, është e pavarur, kandidatura e Sibelit në Ferizaj po ashtu është kandidaturë e re, e Ekremit në Podujevë, e Antonit në Prizren, dhe e imja po ashtu. Këto të gjitha janë kandidatura serioze që i trajtojnë problemet në mënyrë serioze, jo në mënyrë kuturu dhe në mënyrë sharlatane.

“Bota sot”: Sipas jush, si do të dalë LDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit?

Armend Agolli: Do të ketë dyfishimin e ri me siguri, do të ketë rritje. Se kush do ta fitojë cilën komunë nuk mund ta them. Por, me punën që jemi duke e bërë dhe sondazhet që po na vinë ne do ta fitojmë Mitrovicën. Gjasat e mëdha janë që të fitohet edhe Podujeva, Prishtina gjithsesi etj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale në nivel të përgjithshëm?

Armend Agolli: Unë do të koncentrohem në nivel të pandemisë. Është një keqmenaxhim këtu fatkeqësisht. Ky ministër i Shëndetësisë e ka ditur që në shtator e kemi këtë pandemi, e ka pasur armën pra vaksinën dhe nuk e ka shfrytëzuar fatkeqësisht. 133 mijë vaksina i hodhëm në pleh tash. Kush po jep përgjegjësi për këtë? Në një shtet normal ministri duhet të jap dorëheqje. 133 mijë jetë do t`i shpëtonte, e ka pasur mundësinë dhe nuk i ka dhënë vaksinat. Unë nuk po them që e ka bërë qëllimisht, por keq-menaxhimi, keqinformimi, mos informimi, mos dalja në debate dhe mos dalja në konferenca shtypi. Sa herë ka dalë ministri Vitia në konferencë shtypi, në krahasim me z. Zemaj që dilte çdo ditë. Mund të ketë edhe fobi nga kamera, por të paktën të dalë dikush nga ekipi i tij. Fatkeqësisht tek ne në Kosovë ende sillet mendimi se në vaksinë është “çipi”, vaksina shkakton sterilitet, vaksina shkakton infeksion, pra kemi dëgjuar teori të ndryshme. E këto teoritë shkencore janë heshtur dhe për shkak të saj nuk kemi vaksinim dhe tash i kemi 133 mijë vaksina të humbura. Kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë dhe e ministrit të shëndetësisë. Vlen të kujtoj këtu ish ministrin Zemaj që punonte pandërprerë, ka qenë punëtor i madh dhe po ashtu na ka dëgjuar neve këshilltarëve.

“Bota sot”: Situata me pandeminë po merr përmasa alarmante, si një mjek me profesion dhe me përvojë, çfarë mendoni se mund të bëhet më tepër në këtë çështje?

Armend Agolli: Janë format se si bëhet kampanja për vaksinim. Duhet së pari të fillohet me media, ne jemi duke i bërë disa broshura për vaksinën nga LDK-ja, pra disa broshura të shkurtra në mënyrë që të shpërndahen shpejt. Pastaj të bëjmë debate shumë nëpër televizione, të merret edhe pala tjetër që është kundër vaksinimit dhe të ballafaqohen me fakte. Të shohim kush janë ata, pse po e bëjnë atë punë, pra duhet të ballafaqohen mendimet. Ky debat nuk është hapur kurrë. Në Suedi prej nga vijë unë qytetari është i “bombarduar”qytetari me informacione për vaksinimin. Në barnatore ka informata, në televizion ka informata. Kjo ka qenë në Suedi prej fillimit të pandemisë dhe ende vazhdon

“Bota sot”: A i ka marrë parasysh propozimet tuaja si profesionist Ministria e Shëndetësisë, pasi keni qenë edhe këshilltar në MSH në qeverinë e kaluar?

Armend Agolli: Fatkeqësisht jo, projektet që i kam pasur në Ministri të Shëndetësisë, ministrit nuk i kanë interesuar. Sidomos për sistemin informativ shëndetësor për të cilin kam qenë përgjegjës. Kemi pasur një projekt shumë të mirë prej Suedisë i cili është ndalë. E keqja e VV-së është që partinë kundërshtare e konsideron armik, jo partner. Ata e kanë zhvilluar këtë mentalitet që partitë tjera janë armiq dhe vetëm ata janë më të mirët dhe për shkak të kësaj jemi ku jemi.

“Bota sot”: Kosova ka hyrë në mesin e vendeve me shkallën më të ulët të vaksinimit, kujt duhet t`i vihet faji për këtë?

Armend Agolli: Sot po lexojmë akuzat ndaj popullit pse ai bëri dasma (!), pa iu shkuar mendja të pyesin, pse u lejuan dasmat nga ministria . Shkaqet pandemisë dhe vdekjes së mbi 200 pacientëve janë këto:-Numri i vogël i tё vaksinuarve, vetëm 10 % e popullatës është vaksinuar , mungesa e vaksinave dhe mungese propagandës sensibilizuese pёr vaksinim, lirimi i masave dhe mungesa e monitorimit e tё respektimit tё masave,lëvizjet e mëdha tё popullsisë...

Vetëm nё aeroport pa asnjë kontroll për PCR provë, janë futur në Kosovë gjatë muajit korrik 340.000 qytetar, kur dihet se variant Delta i virusit Korona ёshtё njëri nga viruset ma kontagioz (ngjitës nga njeriu nё njeri) dhe kjo lëvizje ka bërë qё situata të dalë jashtë kontrolle

“Bota sot”: Kur jemi te kjo çështje, çfarë mendimi keni për kandidimin e ministrit Vitia në garën për Prishtinën, kur dihet se jemi në gjendje pandemie dhe situatë të përshkallëzuar?

Armend Agolli: Në asnjë vend të botës nuk ndodhë kjo. Çka është më absurdja, këta e akuzuan LDK-në që e rrëzoi qeverinë në kohë të pandemisë e këta po e rrëzojnë vet tash. Në këtë kohë nuk bën të ndërrohet ministri pasi e njeh problematikën dhe po ta ndërrojë tash nuk është mirë, pasi nuk ka as ekip të mirë që bën ballë pandemisë, plus edhe po largohet.

“Bota sot”: Kur mund t`i vijë fundi situatës epidemiologjike me pandeminë CoVID-19?

Armend Agolli: Nuk ka fund këtu. Unë po dëgjoj që po thotë “e kemi mbytur virusin” madje këtë e kemi dëgjuar edhe prej IKSHPK-së. Fatkeqësisht virusi do të jetë me ne, do ta kemi gjithmonë sikur gripin e zakonshëm. Mirëpo besojmë shumë që forca e këtij virusi do të bjerë. Do të bjerë me vaksinim, me infektim, ku ne fillojmë ta njohim, i krijojmë “ushtarët” tanë kundër këtij virusi. Pra ne po e marrim një vaksinë ku ekziston virusi i dobësuar dhe po krijohen antitrupa. Me vaksinën e parë rritet 7 herë numri i antitrupave, sidomos tek ata që kanë qenë të infektuar rritet 7 herë e më shumë. Disa befasohen se pse nuk infektohen, jo vetëm me këtë virus, por me shumicën e viruseve 25% e popullsisë së botës nuk i atakon, pse nuk dihet. Mbase mund ta kenë një imunitet pak më të fortë. Tash po shihet që për virusin Delta është mirë të merren vaksinat e kombinuara, të parën Astra zeneca e të dytën Pfizer ose të kundërtën. Këto janë të dhënat më të reja shkencore që fatkeqësisht Ministria e Shëndetësisë nuk po i jep.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat