Ish-zëvendësministri i MPB-së: Projekti serb mund të nxis luftëra të reja, mjerisht po e përkrah një politikan shqiptar

Intervista

Ish-zëvendësministri i MPB-së: Projekti serb mund të nxis luftëra të reja, mjerisht po e përkrah një politikan shqiptar

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 shtator 2021 Në ora: 10:22
Ushtar i Kosovës

Eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se ideja e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin për “Botën serbe” mund të nxis tensione dhe luftëra të reja në rajon.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Tërnava ka kritikuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, se po e përkrah këtë projekt, duke i lejuar Serbisë dalje në detin Adriatik.

Ai ka folur edhe për armatimin modern, donacion për Kosovën nga Amerika, i cili sipas tij, i dërgon mesazh Serbisë se shteti i Kosovës është i pavarur dhe se SHBA më tutje do të qëndrojë pranë saj.

Image
Hajrullah Tërnava

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, ka treguar sfidat me të cilat do të përballen institucionet e Kosovës, lidhur me strehimin e refugjatëve afganë, duke thënë se nuk do të ketë mosmarrëveshje në nivele të larta.

I pyetur lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Tërnava ka thënë se gjasat për lirimin e tij të përkohshëm nga Gjykata Speciale janë të vogla.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Tërnava, 111 afganët e parë të ardhur në Kosovë janë strehuar në ish-kampin e Bechtelenkas, afër Bondsteel-it. Ku do të mund të vendosen grupet tjera që pritet të vijnë në Kosovë?

Hajrullah Tërnava: Meqë Kosova është një ndër ato shtete që kanë pranuar strehimin e afganëve në Kosovë, tani ky veprim duhet të kryhet në mënyrë më të sigurt dhe të shpejtë, dhe është e kuptueshme që vendosja e 111 afganëve të ndodhë në Bechtelenka, afër Bondsteel-it. Nëse tani grupi i parë u vendos aty, edhe grupeve të tjera do t’iu gjenden vend strehime të sigurta, prandaj, tani për tani nuk është e njohur në tërësi se ku do të vendosen ata që ende nuk kanë ardhur, dhe vendosja e tyre që do të vijnë do të mbetet e sigurt, dhe për këtë janë institucionet e Kosovës që vendosin dhe merren me këto vendosje të refugjatëve afganë.

“Bota sot”: Si duhet të veprojë Kosova, në mënyrë që të parandalojë që talibanë të inflirtuar, të mos kenë mundësi të strehohen në Kosovë?

Hajrullah Tërnava: Meqë Kosova tani është shtet i pavarur dhe i njohur nga 117 shtete, e duke e ditur se shteti ynë i ka institucionet e veta si: ushtrinë, policinë, AKI-në dhe institucionet tjera, prandaj për këto ndodhi se a mos po përvidhet ndonjë taleban-terrorist, duhet t’i heqim këto dilema, sepse sikur e shpjegova, shërbimet që i luftojnë terrorizmin dhe krimet në përgjithësi janë të specializuara për këto veprime. Institucionet e sigurisë do të duhej të jenë gjithnjë të gatshme për më të keqen dhe të ndërmarrin ato masa të luftimit të atyre njerëzve që kanë ardhur për qëllime terroriste e të këqija në Kosovë. Prandaj, shërbimet e zbulimeve duhet të veprojnë në baza ligjore si dhe kushtetuese, në mënyrë që të parandalojnë që talebanë të infiltruar, të mos kenë mundësi të strehohen në Kosovë. Çdo i huaj që kërkon azil apo strehim në shtetin tjetër, duhet t’iu përshtatet ligjeve të atij shteti, prandaj nëse nuk i përshtatet ligjeve të atij shteti gjithsesi mund që të mos i pranohet qëndrimi në shtetin ku ka krijuar strehim si në rastin e Kosovës.

“Bota sot”: Cilat mund të jenë sfidat e Kosovës për këtë çështje dhe si do të ndikojë kjo në aspektin e sigurisë në vend?

Hajrullah Tërnava: Ardhja e një popullate të huaj me shumë ligje dhe kultura të ndryshme ndaj kosovarëve, është e kuptueshme se mund të ketë diferenca dhe ndoshta edhe mos adaptim të shpejt të tyre në vendin tonë. Prandaj, këto mund të jenë sfidat e Kosovës për këtë çështje dhe kjo do të ketë reperkusione në aspektin e sigurisë në vend. Por, sikur e shpjegova më lartë, ne nuk duhet të jemi skeptikë sa u përket këtyre banorëve, sepse ata kanë ardhur nga zori për t’i shpëtuar kokat e veta, prandaj nuk mendoj se do të ketë mosmarrëveshje në nivele të larta.

“Bota sot”: SHBA i kanë dhuruar si donacion Kosovës 55 automjete ushtarake, ndërkohë që flitet se së shpejti vijnë edhe helikopterët. Në Serbi këtë po e shohin si “përgatitje për luftë”. Cili është mesazhi i gjithë kësaj?

Hajrullah Tërnava: Mesazhi i gjithë këtij furnizimi me armatim modern është vërejtje Serbisë, se shteti i Kosovës tani është i pavarur dhe si i tillë do të jetë deri në ekzistimin e tij, dhe se pranë shtetit të Kosovës edhe më tutje do të qëndrojë Amerika. Prandaj, ky armatim është mesazhi ndaj shteteve fqinje që mos të provojnë me ndërhy në Kosovë, sepse mund t’iu ndodhë si Olluja në Kroaci.

“Bota sot”: Si e shihni idenë e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin, për “Botën serbe”? A mund të nxis tensione në rajon ky projekt?

Hajrullah Tërnava: Ideja e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin për “Botën serbe” është një dëshirë e tij, por kjo nuk do të thotë se mund të realizohet ndonjëherë. Kjo i bie se të gjithë serbët do të jenë në një shtet dhe me këtë qëndrim vërehen pretendimet serbe për Serbinë e madhe, e kur dihet qartë se Serbia ishte shkaktarja e luftërave ballkanike të viteve 1990-1999. Gjithsesi se ky projekt mund të nxis tensione në rajon dhe luftëra të reja, por mjerisht ka disa bashkëmendimtarë si Edi Rama që po e përkrahin dhe po lejojnë një dalje në detin Adriatik shqiptar. Ata po i harrojnë ato krime dhe masakra që serbët na i kanë bërë në vitet 1878, 1912, 1999.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për punën e Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë? A ka arritur përparim në luftimin e krimit dhe korrupsionit?

Hajrullah Tërnava: Tani në këtë qeveri mund të themi se vlerësimet janë të tilla që megjithatë po punohet në zbardhjen e të gjitha të këqijave krahasuar me ato qeveri të mëparshme si nga Ministria e Brendshme, ashtu edhe nga ajo e Drejtësisë. Por, pritet që me miratimin e ligjit të Vettingut, edhe më shumë të spastrohen institucionet e Kosovës, nga ato të këqija që ia kanë bërë qeveritë e mëparshme qysh nga çlirimi e deri më tani. Prandaj, kjo mund të konsiderohet si e arritur dhe përparim në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Bota sot”: Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës Ekaterina Trendafilova, ka caktuar përbërjen e panelit që do të vendosë lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Sa janë gjasat për lirimin e tij të përkohshëm?

Hajrullah Tërnava: Një ushtrim i tillë i ankesës është mirë të provohet, pse jo, por gjasat që të arrihen rezultate janë të pakta, sepse gjasat për lirimin e tij të përkohshëm janë të vogla. Një vendim i tillë do ta devalvonte-zhbënte krijimin e Gjykatës Speciale, por megjithatë është mirë të ushtrohet një ankesë e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat