Garë e ‘nxehtë’ në Drenas, Ajazi flet për largimin nga PDK-ja dhe iniciativën e tij – paralajmëron humbjen e Lladrovcit

Intervista

Garë e ‘nxehtë’ në Drenas, Ajazi flet për largimin nga PDK-ja dhe iniciativën e tij – paralajmëron humbjen e Lladrovcit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 tetor 2021 Në ora: 22:35
Driton Ajazi

Zgjedhjet lokale janë afruar. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e zhvillimit të tyre, me 17 tetor.

Mirëpo, për dallim nga komunat e tjera, ku partitë politike kanë mbështetur qëndrimet e degëve të tyre në komuna, këtë gjë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk e ka bërë në qytetin e Drenasit.

Pasi, kjo parti nuk e vlerësoi dhe mbështeti vullnetin e zyrtarëve të degës së saj në këtë komunë, për kandidmin e Driton Ajazit për kryetar, por e rikandidoi sërish kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

Ajazi në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për sfidat dhe largimin e tij nga PDK.

Po ashtu, ai tregoi edhe planet, programin dhe arsyen e kandidimit të tij për kryetar të komunës së Drenasit.

Kandidati nga iniciativa “Demokratët për Drenasin” e kritikoi ashpër Ramiz Lladrovcin, të cilin edhe e akuzoi për keqqeverisje dhe abuzim të pushtetit, duke ia përmendur disa nga premtimet të cilat nuk i ka realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Driton Ajazi: Situata politike në Kosovës, me situatën që është krijuar në veri nuk është situatë e kënaqshme, sepse veprimet që janë ndërmarrë për çështjen e Mitrovicës, duhet të koordinohen me gjitha partitë politike, duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, pastaj të merren veprime.

Pasi që me këto veprime individuale apo kokë në vete mund të bëjmë dëm në raportet me aleatët tanë ndërkombëtar, të cilët na kanë mbështetur tash e 21 vite.

“Bota sot”: Ju jeni kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, cila ka qenë arsyeja që i keni hyrë kësaj gare?

Driton Ajazi: Arsyeja pse unë jam pjesë e garës zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit është sepse me 5 qershor dega e PDK-në Drenas më ka nominuar që të jem unë kandidat për kryetar të komunës së Drenasit. Ndërsa, pas disa debateve dhe diskutimeve në qendër, nuk e kanë përfillur vullnetin e strukturave të degës dhe e kanë rikandiduar prapë kryetarin aktual. Pastaj, ne si struktura të degës jemi organizuar në formatin e ri politik “Demokratët për Drenasin” , ku tani jam pjesë e garës me nismën “Demokratët për Drenasin” me numër 182.

“Bota sot”: Ju më herët keni qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, madje ju keni marrë përkrahje nga dega e PDK-së në Drenas për kandidaturën tuaj, por që më pas niveli qendror i partisë ua mohoi të drejtën për kandidim. Si e keni përballuar këtë fazë dhe cilat kanë qenë sfidat gjatë kësaj periudhe?

Driton Ajazi: Ne gjatë takimeve që i kemi pasur, jemi munduar me i dhënë arsyet tona se pse kryetari aktual nuk bën të rikandidohet përsëri dhe për këtë arsye edhe kam pasur mbështetje e shumicës ose mbi 75 për qind të strukturës se degës, Këshillit Drejtues dhe kryetarëve të nëndegëve që unë të jem kandidat nga radhët e PDK-së.

Mirëpo, qendra vendosi t’i mbyll sytë dhe të mos i dëgjojë shqetësimet e strukturave dhe elektoratit dhe vazhdoi me të.

Tani për ne ishte mjaft sfiduese, pasi është dashur që të organizohemi nga zeroja. Së pari, të përgatisim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që t’i kapin afatet ligjore për tu certifikuar, ku ne e arritëm një gjë të tillë.

Pastaj, përgatitëm një listë mjaft konkurruese me profesionist të të gjitha lëmive, ku rreth 15 prej tyre janë magjistër shkencash, ndërsa ka inxhinier, jurist, ekonomist dhe të të gjitha profileve, ku besoj se do iu gjejnë zgjidhje çdo preokupimi të qytetarëve të komunës së Drenasit, gjatë mandatit tonë 4 vjeçar.

“Bota sot”: A ju ka thirrur ndonjë zyrtarë i lartë i PDK-së për t’ua sqaruar vendimin e tyre?

Driton Ajazi: Po, ata realisht na kanë ftuar në takim si kryesi e degës që t’i diskutojmë këto çështje, mirëpo nuk kemi arritur gjuhë të përbashkët, sepse kërkesa e tyre ka qenë që të vazhdojnë me rikandidimin e kryetarit aktual.

Kjo gjë për neve ka qenë e papranueshme dhe tani më i kemi ndarë rrugët dhe ne jemi alternative e vetme për qytetarët e komunës së Drenasit.

Sepse, elektorati i devotshëm i Partisë Demokratike në Drenas më beson mua dhe jo kryetarit aktual që ka abuzuar me pushtetin, gjatë qeverisjes 5 vjeçare në Drenas.

“Bota sot”: Kundër kandidati juaj dhe kryetari aktual Ramiz Lladrovci ka hedhur kohë pas kohë disa kritika ndaj jush, si i komentoni ato?

Driton Ajazi: Kryetari aktual tanimë është në panikun e humbjes që e pret në zgjedhjet e 17 tetorit, dhe ai po mundohet që me kritika dhe postime të tij ta dezinformojë publikun.

Por, tanimë qytetarët e Drenasit e kanë të qartë mashtrimin dhe qeverisjen e tij pesë vjeçare, ku gjatë qeverisjes së tij nuk kemi parë asgjë që vlen të theksohet, qoftë edhe një projekt të vetëm, pasi vetëm ka abuzuar me pushtetin dhe besimin e qytetarëve të komunës së Drenasit.

Do të thotë nuk e ka realizuar asnjë nga premtimet e dhëna, siç kanë qenë: sigurimin e ujit të pijshëm për 22 fshatra të komunës së Drenasit, ku nuk e ka realizuar, në aspektin e zhvillimit të politikave në arsim ku ka premtuar që të ketë shujtë ditore për ciklin e ultë, gjë të cilën nuk e ka bërë. Madje, ka fyer inteligjencën e qytetarëve të Drenasit duke premtuar që do të ndërtojë tramvaj, ku në qytetin tonë nuk ka të siguruar as transport të rregullt publik.

Tani qytetarët e Drenasit e kanë kuptuar se e gjithë qeverisja e tij ka qenë mashtrim dhe për këtë mashtrim do ta marrë ndëshkimin në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Bota sot”: A besoni se do ta mposhtni Lladrovcin, i cili tani ka dy mandate që qeverisë në komunën e Drenasit?

Driton Ajazi: Unë dhe të gjithë pjesëtarët e formatit tonë politik “Demokratët e Drenasit” dhe me listën tonë, që është mjaft profesioniste, jemi duke bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme dhe angazhimin në teren në mënyrë që të arrijmë fitore pa balotazh.

Sidoqoftë ne jemi të përgatitur edhe nëse shkojmë në balotazh, mirëpo po e them edhe njëherë që fitorja do të jetë pa diskutim e jona, sepse qytetarët e Drenasit e kanë kuptuar keqqeverisjen dhe keq menaxhimin pesë vjeçar, për këtë arsye ata kësaj radhe do të votojnë ndryshe dhe do ta votojnë “Demokratët për Drenasin” dhe mua si kandidat për kryetar që t’i prij komunës për katër vitet e ardhshme.

“Bota sot”: Cilat janë tri prioritet tuaja në programin qeverisës?

Driton Ajazi: Disa nga prioritet e programit tim qeverisës janë:

Sigurimi i ujit të pijshëm për të gjithë fshatra e komunës së Drenasit, sepse elementi kryesor për të zhvilluar një jetë normale qytetarët tanë është uji dhe pikërisht ky mungon në shumicën e fshatrave apo rreth 60 për qind të banorëve iu mungon uji i pijshëm.

Si prioritet kryesor do të jetë sigurimi i ujit të pijshëm.

Pastaj në aspektin e arsimit ne mendojmë që të kemi një arsim cilësor, ku përmes pavarësimit të shkollave dhe digjitalizimit të tyre, përzgjedhjes së stafit profesional dhe të zhvillimi të një fondi të veçantë për mësimdhënës dhe nxënës të dalluar, ne dëshirojmë që përmes këtyre pikave ta kthejmë cilësinë ne arsim, dhe jo siç është vepruar me logjikën ku drejtorët dhe stafi i mësimdhënëse më shumë janë përdorur për fushata zgjedhore dhe aktivitete politike, se sa për mësimdhënie në shkolla, për çka edhe janë të thirrur.

Si dhe, prioritet tjetër për mua do të jetë shëndetësia , pasi që jemi në pandemi dhe më shumë se kurrë na nevojitet koncentrimi, rreth organizmit tonë në aspektin shëndetësor.

Kur e them këtë, e them me përgjegjësi të plotë, sepse këtu nevojitet një ndërhyrje e shpejt që të riaktivizohen qendrat familjare, ku në këtë moment që jemi duke biseduar gjatë kësaj keqqeverisje që ka ndodhur, rreth 7 ambulanta nuk janë funksionale në fshatra të ndryshme, siç janë: Nekovc, Abri e Epërme, Gradicë, Doborshevc, etj., ku banorët e këtyre fshatrave duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra në Drenas ta marrin një injeksion apo një infuzion. Dhe, ne me ardhjen në pushtet do t’i riaktivizojmë këto qendra mjekësore, në mënyrë që të gjithë ata që janë të prekur me covid dhe sëmundje të tjera, t’i kryejnë shërbime më afër shtëpive të tyre dhe të mos bëjnë kilometra për të kryer një shërbim.

Kemi edhe shumë projekte dhe prioritete tjera, siç janë projektet për bujqit, infrastrukturën, ekonominë, etj.

Ku të gjitha këto janë të matshme, të përballueshme me kosto financiare dhe ne presim vetëm që qytetarët ta marrin besimin me 17 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat