Hoxhaj: Dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohjen e shtetit të Kosovës

Intervista

Hoxhaj: Dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohjen e shtetit të Kosovës

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 09:58
Enver Hoxhaj

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj flet në bisedë me DW për kodin telefonik, dialogun me Serbinë, (mos)zbatimin e marrëveshjeve, sfidën e njohjeve të reja për Kosovën e bashkëpunimin në koalicionin qeveritar.

Deutsche Welle: Zoti ministër, si e shihni ju marrëveshjen e arritur që Kosova të ketë kodin e saj telefonik? Ka mendime se me këtë kod nuk është forcuar shtetësia e Kosovës, por është mundësuar kthimi i Serbisë në Kosovë?

Enver Hoxhaj: Kodi telefonik është pa dyshim një zhvillim i rëndësishëm, pasi forcon identitetin shtetëror të Kosovës në suazat ndërkombëtare. Por Kosova do të ketë njëkohësisht edhe përfitime financiare. Mjerisht Serbia e ka shtyrë një kohë të gjatë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, sepse ajo është arritur në vitin 2013. Por besoj se deri më 15 dhjetor, ne do ta kemi kodin e ri telefonik të Kosovës. Kjo është ndër arritjet e rëndësishme në dialogun Kosovë-Serbi. Por ne jemi në përgjithësi të shqetësuar me faktin që Serbia nuk po i realizon në kohë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Deri tani në këtë dialog janë arritur 33 marrëveshje, por disa prej tyre nuk janë realizuar fare dhe në opinion është krijuar përshtypja se nga ky dialog po përfiton vetëm Serbia. Pra cili është qëllimi juaj në këtë dialog?

Dialogu në fillim i ka pasur tri qëllime. Qëllimi i parë ishte normalizimi i gjendjes në veri të Kosovës. Besoj se zgjedhjet e vitit 2013, integrimi i katër komunave të veriut në sistemin tonë politik dhe përmirësimi i gjendjes së sigurisë, janë meritë e dialogut. Qëllimi i dytë është arritja e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, ku bëjnë pjesë edhe marrëvshjet për lirinë e lëvizjes, njohjes së vulave doganore që mundëson eksportin e mallrave të Kosovës në Serbi dhe përmes Serbisë në vendet tjera. Dhe qëllimi i tretë është avancimi i agjendave evropiane, që Kosova të lëvizë drejt BE-së. Para dialogut ne kemi pasur një raport platonik me BE-në. Ndërsa vitin e kaluar e kemi nënshkruar dhe ka filluar zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Nga ky dialog ka përfituar Serbia por edhe Kosova. Por ne jemi të shqetësuar që Serbia po përpiqet të promovojë një lloj diplomacie si ajo sovjetike në dialog. ..

...që do të thotë?

Arrihen marrëveshje, nënshkruhen marrëveshje, mandej ka prapë negociata për marrëveshje të njëjta, ka përpjekje për devijimin e marrëveshjeve të nënshkruara... dhe e gjitha kjo i ngjan kohës së Luftës së Ftohtë. Do të thotë, Serbia po përpiqet që pala negociatore të lodhet, të rraskapitet dhe të humbë durimin, me qëllim që të mos realizojë marrëveshjet e nënshkruara. Këto shqetësime i kam ngritur në bisedimet me autoritetet e BE, sepse marrëveshjet po nënshkruhen, por nuk po realizohen.

Fakt është që disa prej marrëveshjeve nuk po zbatohen. Por shtetasve të Kosovës më së shumti u intereson liberalizimi i vizave. Kur do të hiqen vizat?

Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që me partnerët dhe miqtë tanë në Bruskel të gjejmë zgjidhje pozitive. Por Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha obligimet e saj, ndër të cilat është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Duhet të shohim nëse deri në fund të vitit e plotësojmë këtë kusht dhe e ratifikojmë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, që do të mundësonte edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Mendoj se nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të mbeten të izoluar. Por institucionet e Kosovës duhet t'i përmbushin obligimet e veta.

Sa të vërteta janë pohimet e kryetarit të parlamentit Kadri Veseli, se Mali i Zi do të ishte i gatshëm që të kërkojë nga BE-ja, që demarkimi i kufirit të hiqet nga lista e obligimeve për liberalizimin e vizave?

Ajo që mund të them është që ne kemi pasur dhe kemi kontakte dhe komunikim të përhershëm me BE-në. Çdo mbështetje nga Mali i Zi është e mirëseardhur. Por Brukseli është ai që vendos për liberalizimin e vizave. Me Malin e Zi ne kemi raporte të shkëlqyeshme. Mali i Zi i ka mbështetur gjithmonë kërkesat e popullit të Kosovës dhe Podgorica ka mirëkuptim për domosdoshmërinë e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Por nuk mund të them se cili do të jetë roli i Malit të Zi në këtë proces, sepse Brukseli ëtshë ai që vendos.

Një kërkesë tjetër për liberalizimin e vizave është edhe lufta kundër korrupsionit. Por kjo luftë do të jetë tepër e gjatë, kur merret parasysh gjendja me korrupsionin në Kosovë?

Unë nuk mund të jap vlerësime për qëndrimet e BE, por me sa kam kuptuar nga takimet me zotin Hahn dhe të tjerë, ata mendojnë se Kosova ka bërë një përparim të madh në luftën kundër korrupsionit. Prokuroria, gjyqësia dhe policia e Kosovës kanë bërë një progres të madh në adresimin e 33 rasteve për korrupsion. Kushti i vetëm, i cili është përmendur në vizitën e fundit të zotit Hahn për lëvizjen pa viza, është ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Pra ky është kushti i vetëm që ka mbetur.

Kur jemi tek ajo që "ka mbetur", në vendnumëro ka mbetur edhe procesi i njohjeve të Kosovës. Çfarë po bëni ju për shtimin e njohjeve, në veçanti për njohjet nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën?

Kur flasim për njohjet e këtyre pesë vendeve, mund t'ju them se deri më tash kam pasur takime me ministrat e jashtëm të Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros. Ne jemi të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim, pa njohjen nga këto pesë vende. Ne po angazhohemi që edhe këto vende ta njohin Kosovën. Ne kemi konktate të përhershme me Athinën, me Bukureshtin dhe Bratisllavën - më të shpeshta se me Qipron dhe Spanjën. Mendoj se me përparimin në dialog, në raportet me BE-në dhe me njohjet e tjera që mund të ndodhin nga vendet jashtë Evropës si dhe me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, edhe këto vende gradualisht do të ndryshojnë qëndrimet. Në vitin 2013, dy nga këto pesë vende kanë qenë shumë afër njohjes së Kosovës. Por politika e jashtme e një vendi varet shumë nga zhvillimet e brendshme. Ndërkohë në këto vende ka pasur zgjedhje dhe janë bërë ndryshime, qe do të thotë se është influencuar edhe procesi i njohjes së Kosovës.

Cilat janë këto dy vende?

Kjo çështje i takon tani historisë. Por besoj se së shpejti do të ketë njohje të disa vendeve të rëndësishme evropiane jashtë BE-së dhe ato vende kanë një peshë të madhe. Do të ketë lajme interesante gjatë këtyre javëve të ardhshme.

T'i kthehemi dialogut me Serbinë: cili është qëllimi juaj përfundimtar në këtë dialog?

Dialogu duhet të kalojë në një fazë tjetër, sepse objektivat bazike pothuajse janë përmbushur. BE-ja ka qenë promovues i idesë që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje obligative para antëtarësimit në BE. Ndaj ka ardhur koha të kalojmë në zbërthimin e këtij procesi për marrëveshje obligative mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër hapat e parë konkret që duhet bërë është largimi i preambulës nga kushtetuta e Serbisë, ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë. Duhet të fillojë edhe procesi i demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi jetik i Kosovës është që ajo të anëtarësohet në OKB dhe të bëhet njohja e dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë. Pa anëtarësim në OKB dhe pa njohje të dyanshme, dialogu nuk ka kurrfarë kuptimi.

Do të thotë: qëllimi juaj përfundimtar është njohja e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete?

Natyrisht sepse burimi i konfliktit ka qenë politika hegjemoniste e Serbisë në raport me Kosovën për më shumë se një shekull dhe jo çështjet teknike. Konteksti rajonal ka ndryshuar këto dy-tri vitet e fundit dhe në rajon kemi një involvim më të fuqishëm të Rusisë. Ndaj është në interesin e partnerëve perëndimorë dhe në interesin e dy vendeve tona, që Serbia dhe Kosova ta njohin njëra-tjetrën. Si hap i parë në këtë drejtim do të ishte anëtarësimi i Kosovës në OKB. Mendoj se ka ardhur koha që Prishtina dhe Beogradi të lëvizin në një fazë tjetër të dialogut.

A keni frikë nga forcimi i influencës ruse në Serbi por edhe në Kosovë?

Rusia nuk ka ndonjë ndikim në Kosovë për arsye historike dhe kulturore, sepse ne jemi populli më proevropian dhe proamerikan në Evropë. Ndërsa ndikimi rus në Serbi është në rritje. Rusia ka një bazë ushtarake në Nish të Serbisë, që nga viti 2011 dhe kjo bazë shihet si një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Fakti që presidenti Nikoliq dhe ministri i Jashtëm Daçiq kanë një naracion të ri me Rusinë, në Kosovë shihet si kërcënim. Por nëse i shohim në kontekstin e zhvillimeve në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, forcimi i rolit rus paraqet rrezik edhe për rajonin.

Pasi që e përmendët Nishin, ku së fundi ka qenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lidhur me këtë vizitë ka pasur shumë komente. A keni ju konsultime me Shqipërinë për paraqitjen e përbashkët në rajon dhe më gjerë, apo jo?

Ne kemi një koordinim shumë të mirë unë çdo ditë dëgjohem me homologun tim Bushati. Konsultime dhe koordinime kemi çdo ditë. Pritjet e Kosovës janë që Kosova të anëtarësohet në BE. Nëse dikush më pyet, se cilat janë shtetet që mund të kontribuojnë më së shumti në këtë drejtim, unë them se ato janë aktorët global që kanë një peshë shumë të madhe. Unë jam realist dhe e di se cila është pesha e secilit vend. Por marrëdhëniet Shqipëri - Kosovë janë të shkëlqyeshme dhe kjo nuk varet nga deklaratat e ndonjë kryeministri apo ministri të jashtëm.

Një pyetje konkrete dhe një përgjigje të shkurtër ju lutem: do të ketë vitin e ardhshëm zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë apo jo?

Raportet mes partnerëve të koalicionit PDK- LDK janë jashtëzakonisht të mira. Qëndrimi ynë është që të kemi kontuinitet dhe që zgjedhjet të mbahen në kohën e parashikuar. Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë ndonjë temë që po e trajtojmë në parti apo qeveri. Ne jemi vend demokratik dhe në partitë tona mund të ketë mendime të ndryshme. Por ne duam të kemi qëndrueshmëri dhe stabilitet në koalicion dhe në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat