“Interesat e ngushta politike, dështuan liberalizimin e vizave”

Intervista

“Interesat e ngushta politike, dështuan liberalizimin e vizave”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 dhjetor 2016 Në ora: 10:29
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Në një intervistë, ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kreu i Ekzekutivit të Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa ka folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka nënvizuar dështimin e politikës së Kosovës. Sipas të njëjtit,  Kosova për 17 vjet me radhë ndërtoi një kulturë të shkëlqyeshme të unitetit për tema madhore dhe tema që lidhen me interesat e qytetarëve, e që sot nuk po respektohet për interesa të ngushta politike për përfitime të pastra elektorale. Më tej Mustafa, ka vlerësuar se Qeveria që ai drejton, është Qeveria më e suksesshme që nga pas lufta. Ndërsa,  ndërtimi i murit në Mitrovicë, sipas Mustafës, është një provokim me qëllim të prodhimit të konflikteve në politikën e Kosovës. Më tej Kryeministri Isa Mustafa, ka shënjëstruar kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, për mosmbajtje të premtimeve. Ndërsa në fund të intervistës, kryeministri ka përshkruar jetën e tij jashtë kornizave të politikës.

“Bota sot”: Z. Kryeministër, kujt duhet t`i adresohet faji për dështimin e liberalizimit të vizave për këtë vit dhe si do të gjendet zgjidhja për çështjen e Demarkacionit, kur keni përballë gjithë këtë refuzim të opozitës për të qenë bashkëpunues?

Kryeministri Mustafa: Fillimisht më lejoni të theksoj se përtej një fajtori këtu bëhet fjalë për një dështim të politikës kosovare, e cila për 17 vjet me radhë ndërtoi një kulturë të shkëlqyeshme të unitetit për tema madhore dhe tema që lidhen me interesat e qytetarëve, e që sot nuk po respektohet për interesa të ngushta politike për përfitime të pastra elektorale.  Unë vazhdoj të besoj se është koha për reflektim dhe që t’i rikthehemi asaj tradite, t’i shqyrtojmë edhe një herë faktet, qëndrimet e miqve ndërkombëtarë, të Departamentit të Shtetit, të bëjmë matjen e territorit dhe ta adresojmë çështjen e Demarkacionit e t’i hapim udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve. Qeveria është e gatshme për përfarim dhe bashkëpunim me çdo përfaqësues të opozitës dhe të deputetët që kanë dilema në radhët e koalicionit, për të ofruar çdo dokument dhe material nga Komisioni Shtetëror për sqarimin e çështjes dhe për tejkalimin e kësaj situate fiktive. Kjo na hap udhën për lëvizje në BE dhe na e forcon sovranitetin dhe integritetin territorial pasi që na e bën edhe një kufi ndërshtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

“Bota sot”: AAK-ja dhe në përgjithësi opozita e ka quajtur qeverisjen tuaj si më të dështuarën që prej çlirimit të Kosovës, cila do të ishte përgjigja juaj në këtë rast?

Kryeministri Mustafa: Që kjo është Qeveria më e suksesshme që nga paslufta. Dhe këtë e mbështes në fakte, në shifra dhe në rezultate. Në rritjen ekonomike më të lartë në rajon për dy vite me radhë, për buxhetin më të lartë në histori të Kosovës, mbi 2 miliardë euro, për uljen rekorde të papunësisë nga mbi 35 % në 26 %, për nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve dhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, për marrjen e kodit telefonit, për rritjen më të madhe të pensioneve dhe përkrahjes sociale që ka ndodhur ndonjëherë mbi 25 % deri në 70 % për pensionet, për adresimin e çështjes së veteranëve problem 17 vjeçar, për anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, për vlerësimet më të larta ndërkombëtare të FMN-së dhe Bankës Botërore, për reformat që kemi bërë, e për qindra suksese të mëdha që janë arritur gjatë dy vjetëve. Por, një sukses në vetvete është edhe që kemi demonstruar stabilitet institucional e shtetëror dhe lidership politik për të mos lejuar zhytjen e vendit në kaos dhe anarki. 

“Bota sot”: Opozita ka kërkuar Interpelancë mocion ndaj jush, pas vendosjes së murit afër urës mbi lumin Ibër, si e komentoni këtë kërkesë?

Kryeministri Mustafa: Pikë së pari, unë mendoj se muri në veri është ndërtuar pikërisht për të provokuar sjellje të pakontrolluara dhe përplasje ndërmjet politikës kosovare dhe të gjithë ata që si pasojë e murit kanë tentuar të rrëzojnë pushtetin kanë rënë viktimë e këtyre provokimeve dhe kanë dështuar politikisht.
E dyta, muri në veri është joligjor, nuk është pjesë e projektit dhe nuk do të diskutohet në dialog por do të trajtohet e do të rrënohet mbi bazën e ligjit.
Sa i përket transparencës në dialog, mendoj se ka vend që në të të inkuadrohen pjesëtarë të opozitës, të shoqërisë civile dhe që në të ardhmen marrëveshjet e dialogut të implementohet e jo të bëhen sabotime të tilla nga Serbia, siç po ndodhë aktualisht. 

“Bota sot”: Çfarë po e pengon procedimin në Kuvend të ligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës? Si do të arrini ta bindni listën serbe për votimin e këtij ligji?

Kryeministri Mustafa: Forcat e Armatosura të Kosovës, do të krijohen pasi që kemi një Forcë të Sigurisë shumë profesionale e cila garanton të gjitha elementet për një ushtri të ardhshme me standardet më të larta dhe në shërbim të interesave të të gjithë qytetarëve. Deputetët serbë do të binden se Forca e Armatosur e Kosovës është në interes të të gjithë qytetarëve dhe ky transformim do të ndodhë në Kuvend. 

“Bota sot”: Cilat janë sukseset më të mëdha ekonomike të Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas?

Kryeministri Mustafa: Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një standard të paparë deri më tani në reformat dhe zhvillimin ekonomik. Ka rezultate të prekshme në terren. Për dy vite kemi pasur rritje mbi 4 %, më e madhja në rajon, kemi rritje të fuqishme të zhvillimit ekonomik, fuqizim të sektorit privat, ka vazhduar trendi pozitiv i investimeve, ka rënie të ndjeshme të papunësisë nga 35.3% në vitin 2014 në 26.2% këtë vit. Në financa, kemi rezultate në reformat fiskale, duke arritur ndër të tjera edhe përgatitjen e Buxhetit mbi 2 miliardë euro, në koordinim të ngushtë të të gjithë partnerëve të koalicionit. Në fushën e zhvillimit ekonomik është miratuar Ligji për Trepçën, shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Në bujqësi është rritur shumë herë përkrahja për bujqit duke arritur rezultate të mëdha në prodhimtarinë vendore. Ka përmirësime të ndejshme në pylltari dhe në zhvillim rural. Në infrastrukturë është punuar shumë në rrugën për Shkup në autostradën për Pejë, për Mitrovicë dhe po bëhen përgatitjet për nisjen e punës për ndërtimin e autostradës për Gjilan e Podujevë. Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e rikonstruimit e hekurudhës, në zgjerimin e hyrje-daljeve në qendrat kryesore të vendit. Në Tregti dhe Industri ka rezultate evidente për të cilat Banka Botërore e ka renditur Kosovën në raportin e të “Bërit Biznes 2017” disa vende më lartë.

“Bota sot”: Si i komentoni zërat për zgjedhje që vijnë nga partneri juaj i koalicionit PDK-ja dhe  përse nuk ndodhi riformatimi i Qeverisë?

Kryeministri Mustafa: Nuk preferoj të komentoj zëra, por jam i prirë të mendoj mbi bazën e nevojës për proceset. Unë nuk mendoj që zgjedhjet e parakohshme do të ofronin ndonjë ndryshim të madh, përkundrazi do të ishin burim potencial i vonesave duke pezulluar të gjitha proceset e rëndësishme. Ky koalicion ka legjitimitet dhe legalitet të plotë dhe ka nisur procese të rëndësishme të zhvillimit të cilat mund të shtyheshin për muaj ndoshta edhe më shumë në rast, se hyjmë në zgjedhje. Nuk kemi nevojë për trille të tilla politike, të cilat vetëm vënë në rrezik proceset dhe nuk ofrojnë ndonjë kualitet të ri.   Së shpejti do të bëhet edhe plotësimi i vendeve të lira në Qeveri, pasi që kemi pasur prioritete të tjera shumë të rëndësishme së fundi.

“Bota sot”: Presidenti Hashim Thaçi, muaj më parë, me anë të 4 letrave i bëri kërkesë Prokurorisë që të merret me hetimin e disa krimeve të luftës dhe atyre politike që kanë ndodhur pasluftës, cili është mendimi juaj për këtë hap të Presidentit?

Kryeministri Mustafa: Kosova është e përkushtuar për luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha krimeve, kurdo që ato kanë ndodhur. Është obligimi i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që të zbardhin të gjitha rastet dhe drejtësia të vihet në vend. Unë besoj pa asnjë dilemë në forcën e ligjit dhe në institucionet e drejtësisë.

“Bota sot”: A ka përçarje brenda LDK-së? Si i vlerësoni hapat që po ndërmerren nga degë të ndryshme të LDK-së, për kthimin e LDK-së së dikurshme?

Kryeministri Mustafa: Kushdo që ka marrë pjesë në tubimet e fundit të Forumit të Gruas, të Forumit Rinor, në takimet me degë të ndryshme anekënd Kosovës është bindur se në LDK vetëm fjala përçarje s’ka vend. Mund të flitet për debate, vlerë e rëndësishme e LDK-së, por të flasësh për përçarje është shumë joreale. Mijëra gra, të rinj e burra kanë marrë pjesë vetëm në aktivitetet e fundit që kemi zhvilluar. Një potencial i jashtëzakonshëm, një strukturë organizative që po rritet. LDK-ja është një parti bashkëkohore, pjesë e EPP-së, me lidership dhe demokraci të brendshme.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme të Komunës së Prishtinës?
Kush do të jetë kandidat për komunën e Prishtinës në zgjedhjet e vitit 2017?

Kryeministri Mustafa: Besoj se kryetari Ahmeti nuk ka arritur as për së afërmi të realizoj premtimet që i ka dhënë në fushatë. Çdo projekt të premtuar as nuk ka filluar ende. Projekti më i madh që potencialisht mund të realizohet është ai i autobusëve, i cili është bërë realitet falë vendosmërisë së Qeverisë për të zbatuar ligjin se përndryshe do të mbetej edhe më tutje vegël për luftë politike. Në anën tjetër, objekti i Komunës është stërmbushur me militantë partiakë, që përdoren edhe për veprime jo gjithherë demokratike. Ndërkaq, kryetari Ahmeti, gjatë tre vjetëve është marrë me çështje që nuk i takojnë aspak, 90 % të kohës ka analizuar procese që shpeshherë nuk kanë të bëjnë as me Kosovën, se lërë më me Prishtinën.  

“Bota sot”: Për në fund, si është kryeministri Mustafa, jashtë kornizave të politikës? A keni kohë të mjaftueshme që t`i përkushtoheni familjes?

Kryeministri Mustafa: Sa i përket përkushtimit ndaj familjes, me thënë të drejtën bëj përpjekje që të jem afër tyre, e sidomos afër mbesave dhe nipave të mi, me të cilët jam shumë i lidhur edhe pse shihemi më pak se që duhet. Nuk kam kohë të mjaftueshme që t’i përkushtohem pasi që punojmë me orare të tej zgjatura dhe me ngarkesa të mëdha dhe shpesh jemi edhe jashtë vendit. Përpiqem që të shfrytëzoj çdo sekondë me mbesat, me nipat, me fëmijët me gruan por edhe me pjesën tjetër të familjes më të gjerë. Të dielave përpiqem të jem pjesë e jetës së përditshme tradicionale dhe të bëj edhe ndonjë punë shtëpie që kryesisht lidhet me oborrin dhe shtëpinë. Më duhet po ashtu të lexoj shumë, si në fushën e ekonomisë të cilës ia kam përkushtuar pjesën më të madhe të jetës, por edhe në aspektet tjera që lidhen me administrimin, me politikën e jashtme, dhe me të gjitha fushat e qeverisjes demokratike, për të cilat duhet të jem shumë i informuar. Leximi është pasioni por edhe puna ime kryesore tash e 40 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat