“Gazi lotsjellës, nuk është mjet për politikë”

Intervista

“Gazi lotsjellës, nuk është mjet për politikë”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 dhjetor 2016 Në ora: 13:24
Faton Topalli

Deputeti më i zëshëm i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për ngjarjet politike që e përshkruan vendin gjatë vitit 2016.  I arrestuar disa herë nga Policia për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, Topalli ka treguar nëse është penduar për veprimet e tij dhe se a do ta bënte sërish të njëjtën gjë nëse do ti kërkohej sërish.  Deputeti Topalli në intervistën për “Bota sot” ka theksuar se marrëveshja aktuale për demarkacionin me Malin e Zi duhet të rinegociohet, e nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të duhej që çështja të shkojë në arbitrazh ndërkombëtarë.  Lidhur me aktakuzat që do të ngriten nga Gjykata Speciale, Topalli ka thënë se për spastrim etnik dhe gjenocid, nuk do të donte t’i shihte të dënuar madje as kundërshtarët e tij si Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ndërsa, i pyetur për atë se çfarë do të ndryshonte Vetëvendosje nëse do të vinte në pushtet pas zgjedhjeve të reja nacionale, Topalli ka treguar se cila do të ishte gjëja e parë që do të ndryshonte në vend kjo parti.  Deputeti i VV-së, në këtë intervistë po ashtu, ka folur edhe për jetën familjare, librat e preferuar e deri tek pjesa e gatimit, të cilën e ka shumë për qejfi.

Bota sot: Jeni deputeti më aktiv në Kuvendin e Kosovës nga diaspora shqiptare? Ku e gjeni motivin që ju shtyen të bëni gjithë këtë punë?

Faton Topalli:  Dashuria ndaj vendit është frymëzimi im kryesor. Kur flas për dashurinë ndaj vendit, mendoj jo për tokën, por për njerëzit. Vetëm kush i don njerëzit, e don vendin. Kam parë që në vende të tjera njerëzit jetojnë më mirë, janë më të organizuar, kanë më shumë perspektivë, janë më të barabartë dhe mund të bëjnë një jetë me dinjitet. Dëshira ime është që t’i shoh shqiptarët të ecin në një hap me popujt tjerë, të barabartë, të zhvilluar të arsimuar. Kjo ka çmimi e vet. Si qytetar i Kosovës po bëj një pjesë të punës që më takon edhe mua.

Bota sot: Jeni arrestuar disa herë për shkak të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Nëse do të kthenit kohën, a do të bënit sërish të njëjtat veprime në kuadër të kundërshtimit tuaj për marrëveshjet që i konsideroni të dëmshme për Kosovën?

Unë në parim e urrej dhunën në çfarëdo forme që shfaqet ajo. Paqja, dashuria për njerëzit, respekti për secilin qytetar, respekti dhe trajtimi me dinjitet i kundërshtarëve politik, kompromisi për interesa të përgjithshme, janë vlerat që unë përfaqësoj dhe adhuroj. Gazi lotsjellës nuk  ka qenë dhe nuk është mjeti me të cilin do të doja të bëja politikë. Por nëse për të tjerët argumenti politik, Kushtetuta, gjetja e gjuhës së përbashkët për interesa madhore nuk janë vlera, atëherë duhet të përdoren mjetet, të cilat të tjerët i respektojnë. Besoj që kur shkelen interesat fundamentale të vendit, jam i gatshëm të bëjë shumë më shumë se ç’kam bërë deri më tani.

Bota sot: Ju gjithnjë e akuzoni Qeverinë dhe klasën politike për dështimet, a e shihni edhe veten fajtor, si pjesë e institucioneve?

Faton Topalli:  Shikoni, përgjegjësia për veprimet e Qeverisë dhe shumicës parlamentare, ju bie gjithnjë atyre që kanë luajtur rol vendimtarë në implementimin e politikave të caktuara.  Ne si opozitë jemi pjesë e Kuvendit, por jo edhe institucioneve të tjera. Sikur të kishim gjetur gjuhë të përbashkët do t’i ndanim si meritat, ashtu edhe kritikat për punët e këqija apo të mira me Qeverinë. Por kjo nuk ka ndodhur. Qeveria ka shtyrë axhendën e saj pa miratimin e opozitës, prandaj dhe mban përgjegjësinë kryesore për dështimet politike.

Bota sot: Janë bërë një muaj nga vdekja e shokut tuaj, Astrit, ndërsa deri më tani MSH ka suspenduar vetëm katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren? A mjafton kjo sipas jush, apo duhet edhe dikush tjetër të jap përgjegjësi?

Faton Topalli:  Në një vend ku ka përgjegjësi morale, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punëve të brendshme dhe Drejtori i Burgjeve të Kosovës do të duhej të jepnin dorëheqje, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në rastin e Astritit. Përgjegjësia penale vjen pastaj pas ndriçimit të rastit. Astriti u nxor i gjallë nga shtrati i familjes, u vendos në burg dhe u kthye në arkivol. Kush mban përgjegjësi?. Institucionet që nuk e ruajtën, që i bënë akuza të rrejshme politike dhe që lejuan që një qytetar i Kosovës të kthehet nga gjiri i institucioneve në arkivol në shtëpinë e tij.

Bota sot: Kohët e fundit, ka pas deklarime nga zyrtarë të LDK-së për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosje, nëse në VV nuk përfshihen emrat si Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj? A do të ishte e gatshme VV-ja për një koalicion të tillë? Pse sipas jush LDK-së i pengojnë Kurti dhe Molliqaj?

Faton Topalli:  Në fakt mua nuk më janë të njohura deklaratat e tilla, por si z. Kurti ashtu edhe Dardan Molliqaj janë ndër fytyrat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje. Pa ta Lëvizja, nuk do të ishte kjo që është. Jam thellësisht i bindur që për të mirën e përgjithshme si Albini ashtu edhe Dardani, do të ishin të gatshëm të bënin kompromise, por nuk e besoj kur që këtë kompromis mund ta bëj Këshilli i Përgjithshëm, duke më përfshirë edhe mua, i cili vendos për koalicione.  Unë nuk besoj që LDK- ja,  tërësi mund të jetë kundër z. Kurtit dhe z. Molliqajt, por nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë të tillë brenda strukturave drejtuese për arsye të cilat unë nuk i di.

Bota sot: Kryeministri Mustafa së fundmi ka akuzuar opozitën lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, që lidhet direkt me demarkacionin me Malin e Zi, cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Faton Topalli:  Unë e kuptoj që z. Mustafa duhet të gjej një fajtorë. Por lexuesit e gazetës “Bota Sot”, besoj që e dinë se koalicioni qeverisës ka 90 vota dhe shumicën absolute për të vendosur për çdo çështje, edhe për demarkacionin edhe për “Zajednicën”. E pra, si mund të jemi ne përgjegjës për dështim kur përfaqësojmë një pakicë parlamentare?! Në sallën alternative u votua për buxhetin e këtij, pse nuk votuan aty edhe për demarkacionin dhe “Zajednicën”? Ky votim, së paku unë besoj kështu, nuk është bërë për shkak që z. Mustafën në këto dy çështje nuk e mbështesin as deputetët e partisë së tij.

Bota sot: Mitrovica tashmë është ndarë edhe praktikisht me një mur. Si e komentoni këtë fakt?

Faton Topalli:  Muri në Mitrovicë është rezultati i fundit i bisedimeve me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.

Bota sot: Çfarë do të bëhet sipas jush me murin që po ndërtohet në veri të vendit, cili është hapi që duhet ndërmarr Kosova në këtë drejtim?

Faton Topalli:  Hapi i parë do të ishte një deklaratë e Qeverisë, e cila njofton se ndërpriten bisedimet me Serbinë. Hapat tjerë do të vinin pastaj varësisht nga reagimi i Serbisë.

Bota sot: Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialogun politik. A nuk shihni asnjë përfitim të Kosovës nga ky proces?

Faton Topalli:  Bisedimet me Serbinë filluan së prapështi, me mashtrime, me kushtëzime politike dhe nuk i sollën vendit tonë asnjë profit. Palët, sidomos ato që janë kundërshtare, kur hyjnë në bisedime duhet t’i kenë synimet e qarta. Serbia kishte qartësinë e duhur, objektiva të menduara mirë dhe mbronte interesin e saj. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka as strategji, as qëllime të caktuara as dinjitet për t’i mbrojtur interesat e vendit.  Unë mendoj që parimet e përgjithshme do të duhej të ishin baza e bisedimeve. Njohja reciproke e vendeve do të ishte parimi i parë. Mbi këtë parim do të duhej të diskutoheshin pastaj të gjitha çështjet tjera. Ne kemi shumë çështje të pazgjidhura me Serbinë filluar nga dëmet e luftës, pensionet e vjedhura, fatin e të pagjeturve, pasurinë e përbashkët të ish-Jugosllavisë e të tjera për të cilat duhet të bisedojmë, por vetëm pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën si shtet.  Ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për punët tona të brendshme, ashtu siç nuk po bisedojnë serbët me Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë për çështjen e shqiptarëve në Luginë. Për serbët e Kosovës, duhet të bisedojmë me përfaqësuesit e tyre dhe ata nuk jetojnë në Beograd por në Kosovë.  Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi për një trajtim të barabartë të minoriteteve dhe për një integrim që fillon nga poshtë lartë dhe jo të kundërtën.

Bota sot: Tash e  një kohë të gjatë, VV është deklaruar kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ku dhe si e shihni ju zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Faton Topalli:  Ne kemi bërë propozimet tona dhe mendoj që kemi qenë konstruktiv. Marrëveshja aktuale duhet të anulohet. Nëse Mali i Zi është i gatshëm ta rinegocojë, për çka ka dhënë sinjale, kjo duhet të bëhet. Nëse nuk gjejmë zgjidhje të përbashkët, duhet që çështja të shkoj në arbitrazh ndërkombëtar. Kur nuk mungon vullneti politik, problemet gjejnë gjithnjë një zgjidhje.

Bota sot: Si deputet i opozitës, a mendoni  që Kosova po harxhon shumë energji në çështjet si demarkacioni apo dialogu me Serbinë dhe nuk po përmbyll ende disa nga ato që janë cilësuar si prioritete, si formimi i Forcave të Armatosura, rrumbullakimi i shtetësisë në planin ndërkombëtar apo edhe liberalizimi i vizave?

Faton Topalli:  Mjerisht, përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në Kosovë, duke u përpjekur për të implementuar agjendat e tyre personale, futën vendin në një krizë të thellë dhe e larguan vëmendjen nga problemet e tjera të mëdha si ato që i përmendni ju në pyetjen tuaj, pastaj problemin e mungesës së zhvillimit ekonomik, papunësisë së lartë, varfërisë, mungesës së shtetit ligjor e kështu me radhë. Unë tani kam filluar të besoj që kjo shmangie ishte e qëllimtë. Në mungesë të koncepteve për të ecur përpara, Qeveria imponoi protestat dhe gazin lotsjellës. Ne jo vetëm që humbëm kohë, por e sollëm qytetarin e Kosovës në një situatë të papërballueshme. Por, qytetarët janë ata që mund ta ndryshojnë këtë gjendje dhe këtë mund ta bëjnë duke kërkuar zgjedhje të reja dhe duke votuar për ndryshimin.

Bota sot:  Nëse VV-ja do të vinte në pushtet, cila do të ishte gjëja e parë që do të ndryshonte?

Faton Topalli:  Mentaliteti qeverisës. Qeveria e re në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të qeverisë. Mendoj, që vendosja e rregullit do të ishte puna e parë që ne do të duhej ta bënim. Funksionimi dhe respektimi i ligjit janë çështja thelbësore për një shoqëri. Aty ku nuk ka rregullim, aty ku sundon kaosi, nuk ka zhvillim, nuk ka ecje përpara. Në mungesë të rregullimit, pra të implementimit të ligjit, ligjin e bënë “klani pronto”.

Bota sot:  Në janar të vitit të ardhshëm, janë paralajmëruar të ngriten aktakuzat e para të Gjykatës Speciale. Sa mendoni se do të jenë ato sfiduese për institucionet vendore, dhe a do të prekin figura të mëdha politike?

Faton Topalli:  Gjykata Speciale është dorëzim i një pjese të sovranitetit gjyqësor të vendit tonë. Tani ne do të ballafaqohemi me akuza për pastrim etnik, madje edhe gjenocid. Janë larguar me dhunë rreth 1 milionë shqiptar, janë vrarë rreth 13 000 të tjerë, janë dhunuar rreth 20 000 gra dhe vajza të Kosovës, janë shkatërruar rreth 140 000 shtëpi dhe objekte fetare e ne duhet të përgjigjemi për gjenocid dhe pastrim etnik? Unë besoj se këto akuza të Serbisë nuk do të vërtetohen. Unë nuk do të doja, madje as kundërshtarët e mi si Hashim Thaçi e Kadri Veseli të dënohen për vepra të tilla. Por, për veprimet e kundërligjshme të pasluftës, qofshin ato ekonomike, qofshin ato politike herët a vonë,  ata duhet të japin përgjegjësi.

Bota sot:  Cili është komenti juaj lidhur me nismën që ndërmori Presidenti Hashim Thaçi, lidhur me letrat drejtuar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjet e vrasjeve të pas luftës?

Faton Topalli:  Hashim Thaçi ishte për disa vite Kryeministër. Ishte krejtësisht në dorën  e tij që të merrte hapa konkret për zbardhjen e vrasjeve pas luftës. Me sa mua më është e njohur, ai nuk ka ndërmarr ndonjë veprim konkret. Këtë thirrje të tij tani e kuptoj më shumë si një veprim demagogjik se sa një hap konkret për veprim. Kjo thirrje është një dëshmi më shumë për përpjekjet që bën politika për të ndikuar në drejtësi. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të veprojnë edhe pa tutorë politik. Me ardhjen e LDK-së, në pushtet kam menduar se Isa Mustafa kishte më shumë motivacion për të ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim, por edhe ky  ndoqi rrugën e Hashim Thaçit, pra asaj të fshehjes së vërtetës.

Bota sot: Keni punuar edhe si pedagog social si dhe në Shërbimin Psikosocial të Cyrihut në Zvicër. Më mirë si deputet apo pedagog?

Faton Topalli:  Të dy angazhimet kane për qëllim një lloj rregullimi, përpjekje për ndryshim, përparim. Në të dy punët ka edhe shumë konfrontim. Unë i bëj me kënaqësi të dyjat. Pedagog është profesioni im, puna si deputet është ideali im. Derisa tek njëra ndryshon individin, tek tjetra ndryshon shoqërinë.  Të lësh gjurmë si në punën si pedagog, ashtu edhe në atë si deputet është kënaqësi.

Bota sot: Çfarë bën Fatoni në kohën e lirë?

Faton Topalli:  Kam shumë pak kohë të lirë. Unë lexoj, shkruaj, i bie shpesh gitarës para se të flejë dhe shkruaj. Një pjesë të kohës e kaloj me ëngjëllushën time të dashur. E puth, e përqafoj, shëtis me të. Mbesa ka mbushur dy vjet.

Bota sot: Ku jetoni aktualisht ju dhe familja?

Faton Topalli:  Një pjesë e familjes time jeton në Kosovë, pjesa tjetër në Zvicër. Unë jetoj në të dy vendet. Zakonisht kaloj katër ditë në Kosovë dhe tre ditë në Zvicër. Udhëtoj çdo javë.

Bota sot: Cili është libri i fundit që e keni lexuar?

Faton Topalli:  Jam duke lexuar “Testamentin”, e John Grisham. Kaloj shumë kohë në aeroplan dhe o lexoj ligje, o letërsi. Ndonjëherë përgatis edhe ndonjë fjalim. Kadare është shkrimtari im më i preferuar shqiptar.

Bota sot: Njiheni edhe si një kuzhier i zoti, ku e keni mësuar talentin?

Faton Topalli:  Gatimi më pëlqen shumë. Kur kam mysafir, zakonisht gatuaj unë. Specialitet i kam frutat e detit. Kudo që shkoj, pyes për recetat për gjërat që më pëlqejnë. Specialitetet e para i kam mësuar nga nëna ime. I jam shumë mirënjohës që ma nxiti dashurinë për të gatuar. Edhe pse ajo ka kryer vetëm 4 vite të shkollës fillore, ka dhënë një kontribut të çmuar për barazinë gjinore. Prej saj kam mësuar të laj, hekuros, të qep, pastroj dhe ta kuptoj që nuk ka punë që i ka caktuar natyra vetëm për gra apo vetëm për burra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat