Deputetët “rebelë”, po mbajnë të izoluar Kosovën

Intervista

Deputetët “rebelë”, po mbajnë të izoluar Kosovën

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 4 janar 2017 Në ora: 08:25
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ngecja e ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e zi, për shkak të sjelljeve të opozitës, po e rëndon jetën politike në Kosovvë. Haziri e ka vlerësuar si të pafalshme që Kosova të dënohet me mos liberalizim të vizave edhe për një kohë për shkak të sjelljes së një numri të deputetëve, edhe të LDK-së, karshi mosbesimit për ratifikim.

“Bota sot”: Z. Haziri si e komentoni situatën aktuale politike në vend?

Lutfi Haziri: Ky vit shënon një progres sa i përket disa parametrave për zhvillim ekonomik në krijimin e  ambientit dhe në krijimin e hapësirave dhe lehtësimeve fiskale, kushte më të mira për zhvillim në përgjithësi. Edhe raportet ndërkombëtare e kanë ranguar Kosovën, tashmë në krahasim me vendet e regjionit dhe vendet tjera, në pozitë shumë të mirë. Sa i përket çështjeve të sigurisë dhe çështjeve tjera në përgjithësi, Kosova po shënon progres, përveç ngecjes së ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, e cila po kushton me liberalizimin e vizave. Kjo sfidë e shkaktuar nga ana e opozitës po vazhdon ta rëndoj jetën politike edhe më tutje në Kosovë.

“Bota sot”: Si po ju duket propozimi më i ri i Kryeministrit Isa Mustafa sa i përket çështjes së Demarkacionit?

Lutfi Haziri: Besoj që të gjitha matjet të çojnë në përfundimin e njëjtë. Territori i Kosovës është shpallur në kuadër të statusit final dhe Pavarësinë e saj, sipas parimit të territorit të saj të vitit 1974. Ky territor i vitit 1974 është faktik në Kosovë. Demarkimi i kufirit, jo vetëm me Malin e Zi, por edhe me Serbinë ka me qenë njëra nga kokëçarjet që çdo qeveri në të ardhmen mund ta ketë. Por, përfundimisht ne duhet t’i respektojmë për shkak të obligimeve ndërkombëtare gurët e mexhës që Kosova është shpallur dhe është pranuar e pavarur nga shtetet tjera sepse, në fakt, është larg asaj Kosovës reale që ka qenë me territor në ish-Jugosllavi. Por, pozita juridike e Kosovës së vitit 1974 është kjo që është.

“Bota sot”: Ndërkohë që opozita nuk po pajtohet me matjen e sërishme të tokës, a keni arritur t`i bindni deputetët tuaj që janë kundër marrëveshjes që ta pranojnë propozimin e Kryeministrit?

Lutfi Haziri: Është e tepërt të kërkohet që të bindet një deputet i Kuvendit të Republikës për ta votuar një proces politik, një vendim, ligj apo ratifikim. Ata e kanë për detyrë të koordinohen brenda strukturave të partive që si përfaqësues të qytetarëve ta kenë rolin e vet dhe përfundimisht ta mbyllin një proces. Është e pafalshme që në të ardhmen Kosova të dënohet me mos liberalizim të vizave edhe për një kohë për shkak të sjelljes së një numri të deputetëve, edhe të LDK-së, karshi mosbesimit për ratifikim. Ne i kemi mirëkuptuar kur kanë pasur mosbesim ta votojnë kryeministrin Isa Mustafa ose ndoshta i kemi mirëkuptuar edhe për mosbesimin ndaj presidentit kur është zgjedhur, por vazhdimi i këtij mosbesimi ndaj çdo vendimi të proceseve të rëndësishme për Kosovën, është i pakuptueshëm.

“Bota sot”: Kush duhet të jap llogari për mos liberalizmin e vizave për vitin që po lëmë pas?

Lutfi Haziri: Të gjithë ata deputetë që po e pengojnë edhe nuk po marrin pjesë në atë proces. Bile të barabartë janë në moskrijimin e kushteve që ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi të përmbyllet dhe ky kusht i rëndë të largohet në mënyrë që Parlamenti Evropian t’i rekomandojë përfundimisht Këshillit të Ministrave që Kosova të jetë përfituese së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

“Bota sot”: Kur sipas jush do të ndodhë liberalizmi i vizave për Kosovën, derisa këmbanat bien çdo ditë për luftim të korrupsioni?

Lutfi Haziri: Jemi në vija të kuqe. Kosova ka hyrë në vijën e zonave të kuqe sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse nuk përfitohet nga ky momentum i krijuar pas një angazhimi jashtëzakonisht të madh, sakrificës së populli i Kosovës dhe politika e Kosovës e ka bërë karshi liberalizimit të vizave, atëherë viti i ardhshëm do të jetë jashtëzakonisht i vështirë sepse Evropa përballet me zgjedhje të brendshme dhe disa nga shtetet e rëndësishme brenda BE-së janë në procesin zgjedhor që do të shkaktojnë ndryshime edhe të qëndrimeve të politikave. Euroskeptizmi në Evropë po rritet, fatkeqësisht. Kundërshtitë për zgjerim të BE-së, po ashtu, janë të fuqishme. Kosova nuk e ka komoditetin të sillet karshi kësaj situate me komoditet dhe në emër të një kauze të rrejshme të vazhdoj ta pengoj mos marrjen e të drejtës për liberalizim të vizave për popullin e Kosovës.

“Bota sot”: Deputetët e pozitës, fillimisht nuk pranuan diskutimin mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, a mendoni se ky ishte veprimi i duhur?

Lutfi Haziri: Është fatkeq rasti, por mendoj që deputetët duhet të sillen karshi çdo situate me përgjegjësi. Ata le ta vlerësojnë se çfarë sjellje kanë pasur karshi vdekjes tragjike të Deharit në burgun e  Prizrenit, përkundër që po priten edhe më tutje raportet finale të konstatimit të mënyrës se si është ndarë nga jeta Astrit Dehari. Por, vërtetë deputetët edhe kësaj here, sikur çdo rast tjetër, duhet të sillen përgjegjshëm karshi çdo situate, e aq më shumë kur kemi të bëjmë me raste tragjike.

“Bota sot”: Kohëve të fundit, janë shtuar zërat e deputetëve të PDK-së për zgjedhje të parakohshme, cila do të ishte përgjigja juaj, si LDK karshi këtyre zërave?

Lutfi Haziri: Për LDK-në, zgjedhjet nuk janë zgjidhje e problemeve në Kosovë. Duhet t’i qëndrojmë lojal kalendarit zgjedhor, të përgatitemi për zgjedhjet lokale dhe ta përmirësojmë procesin zgjedhor në mënyrë që të jetë proces më i thjeshtë për votuesit, më i besueshëm si rezultat dhe të eliminohet çdo lloj tendence për manipulim eventual. Ne nuk e kemi as komoditetin buxhetor e as politik sa herë që të kërkojnë grupet politike për të dalë në zgjedhje.

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat e fundit të përfaqësuesve të AAK-së lidhur me qeverinë Mustafa?

Lutfi Haziri: AAK ka marrë, në vitin e fundit në veçanti, barrën e kujdestarisë për sulm dhe atak kryeministrit dhe Qeverisë. Unë nuk po mund t’i gjejë arsyet dhe motivet përveç asaj që janë parti opozitare dhe luftojnë për ta luajtur rolin e tyre opozitar. Por, shpesh herë akuzat janë degraduese, ofenduese, e të patolerueshme , të cilat bëhen për konsum publik. Mendoj që partneritetin që LDK e ka pasur me AAK-në në kohët me të vështira dhe respektin e ndërsjellë, nuk bënë të lejohet që disa individë në emër të kësaj partie të vazhdojnë me qenë akuzues dhe denigrues në raporte personale, qoftë me kryeministrin apo me ministra të caktuar. Çdo parti ka të drejtë të jetë kundërshtuese dhe refuzuese me politikat e qeverisë, por jo në rrafshin personal dhe atë familjar.

“Bota sot”: A do të ketë zgjedhje të përgjithshme para vitit 2018?

Lutfi Haziri: Ju thash që ne e kemi një kalendar zgjedhor dhe duhet t’i përmbahemi.  Para vitit 2018 do të ketë vetëm zgjedhje lokale, ndërsa ato nacionale përfundimisht mbahen në vitin 2018.

“Bota sot”: A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje?

Lutfi Haziri: Natyrisht. LDK është e gatshme për zgjedhje dhe nuk i frikësohet votës qytetare. Legjitimitetin tonë politik ne e kemi kërkuar edhe në vitin 1991, 1992, 1998, edhe menjëherë pas luftës në vitin 2000 dhe kemi vazhduar të besojmë si parti e vetme, ndoshta, që zgjedhjet janë ato që e ndërtojnë shtetin dhe legjitimitetin e përfaqësimit politik. Definitivisht, ne nuk barazohemi me frikën për zgjedhje, por nuk besojmë që qytetarët e Kosovës është e nevojshme t’i nxjerrim në zgjedhje sa herë që dikush ka nevojë me dalë në zgjedhje dhe sa herë që dikujt i teket për t’i tejkaluar barrierat e vogla politike.

“Bota sot”: Afera “Pronto”, që u cilësua si skandal shumë shpejt u hesht.  Kush mendoni se duhet të jap llogaridhënie për këtë?  

Lutfi Haziri: Po, me asnjë çështje Kosova nuk ka vazhduar të jetojë më shumë se që ka qenë nevoja. Afera “Pronto 2” është publikuar, është konsumuar dhe tash janë organet e drejtësisë që po merren me atë çështje. Nuk ka nevojë që mediet, portalet e politika të vazhdojnë të merren. Është mirë që t’i lihet organeve të drejtësisë që të merren mbi baza ligjore dhe si e drejtë kushtetuese me zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Bota sot”: Pse sipas jush në 2016, u fol më shumë se kurrë për  vrasjet politike?

Lutfi Haziri: Sepse çdo vit e më shumë është më i rëndë. Mos zbardhja e drejtësisë dhe mos vënia e drejtësisë në vend, çdo ditë, muaj dhe vit bëhet më i rëndë. Jemi 17 vjet pas luftës, edhe më tutje ne po kërkojmë drejtësi, jo në raport vetëm me dhunën politike, e me vrasjet politike, por me çdo lloj vrasje, dhune dhe abuzimi që ka ndodhur pas luftës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni hapin që ndërmori Presidenti Hashim Thaçi, lidhur me letrat drejtuar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjet e vrasjeve të pas luftës, ku bën pjesë edhe atentati ndaj ish Presidentit Ibrahim Rugova?

Lutfi Haziri: Është njëra prej detyrave kushtetuese, që Presidenti i Republikës e ka bërë dhe është kurajuese ushtrimi i kësaj të drejte në mënyrë që të sigurohen organet e drejtësisë që të punojnë në mënyrë të pavarur në zbardhjen e çdo rasti.

“Bota sot”: Këtë vit u përfol shumë edhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale, a besoni se kjo Gjykatë do ta ndryshoj strukturën e skenës aktuale politike?

Lutfi Haziri: Po, nuk duhet të presim që Gjykata Speciale ta ndryshoj strukturën politike. Ne presim që kjo Gjykatë t’i zbardhë rastet dhe të merret me rastet për çka ka marrë mandat edhe me legjislacionin në Kosovë nga Kuvendi i Republikës. Kështu që, ndryshimi strukturës dhe çështjet tjera që lidhen me ndryshim, i takojnë votuesve dhe popullit të Kosovës. Por, Gjykata do ta ketë një rol në zbardhjen e drejtësisë dhe vendosjen e drejtësisë në Kosovë. Unë do të doja shumë që të jetë në rrafshin e atyre që vërtetë kanë probleme serioze me drejtësinë, që edhe në rrethana të luftës ata që kanë probleme, duhet të zbardhen përfundimisht. Nuk e shoh si zgjidhje çështjen në mes një organizate, në këtë rast UÇK-së apo organeve të drejtësisë, por individëve që kanë problem me ligjin dhe organet e drejtësi.

“Bota sot”: Si ndodhi që ende pa u bërë një muaj nga asfaltimi i fazës së parë të rrugës Gjilan-Bujanovc të prishet, saktësisht të çahet?

Lutfi Haziri: Ndërtimi i rrugës Gjilan-Bujanoc është në fazën e fundit të finalizimit të punëve, por edhe më tutje operatori është i obliguar të punojë. Kështu që, ndërtimet eventuale në fazën e  parë të asfaltimit, nuk domethënë që është dëmtim i projektit. Përkundrazi, përmes mbikëqyrjes së përditshme, i detyrojmë ta riparojnë, ta rindërtojnë dhe projekti si i tillë ende është në punime.

“Bota sot”: A do të rikandidoni për kryetar të Gjilanit?

Lutfi Haziri: Ky është mandati i tretë i imi në cilësinë e kryetarit të Komunës. Mendoj se i kam dhënë mjaftë shumë gjilanasve. Nuk do të rikandidoj për kryetar, definitivisht. Në vitin e ardhshëm janë hiç më pak se 29 milionë euro investime publike. Ajo për të cilën e kam marrë mandatin është realizuar, madje janë tejkaluar parashikimet. Gjilani sot nuk është më qytet i harruar e anashkaluar sa u përket investimeve. Tashmë, kam arritur që Gjilanit t'ia rikthej partneritetet ndërkombëtare dhe jam shumë i lumtur për këtë. Ai që do ta marë mandatin në vitin e ardhshëm do ta ketë shumë më lehtë të qeverisë, ngase disa programe janë të siguruara dhe disa të tjera në afat tre vjeçar.

“Bota sot”: A janë qetësuar “gjakrat” në LDK pas përplasjeve që ndodhën muaj më parë?

Lutfi Haziri: Nuk ka pasur asnjë lloj përplasje në LDK. LDK është e qetësuar, është parti e cila ka durim politik dhe ka mirëkuptim për secilin rast veç e veç dhe për secilin angazhim politik. Kështu që , tendencat që dëshiron çdokush ta shohë LDK-në të përçarë dhe të thyer, janë vetëm dëshira që nuk do të realizohen kurrë. 

“Bota sot”: Ka pasur një iniciativë për rikthimin e LDK-së së dikurshme. Kjo ka nisur në Komunën e Obiliqit, ku thuhet se figura të shquara duan t`a kthejnë LDK-në atje ku ishte më herët, si e vlerësoni dhe a keni ju informata rreth kësaj iniciative?

Lutfi Haziri: LDK është aty ku është. Nuk mundet askush as t’i jap atribute, e as t’ia heq. LDK është në prag të shënimit të 27-vjetorit dhe është humbje kohe të merret me tendenca të tilla me çështjet që nuk i përkasin askujt, e aq më pak LDK-së.

“Bota sot”: Si i keni marrëdhëniet me kryeministrin Isa Mustafa?

Lutfi Haziri: Marrëdhenie jashtëzakonisht të mira. Edhe të punës, edhe njerëzore. 

“Bota sot”: A jeni ju i gatshëm për ta drejtuar LDK –në?

Lutfi Haziri: Unë jam njëri prej drejtuesve kryesor të LDK-së. Jam njëri prej tre nënkryetarëve dhe njerëzve kryesor të kryetarit të LDK-së. Nuk di çka duhet më shumë të ketë një autoritet politik sesa me qenë nënkryetar i LDK-së.

“Bota sot”: Cili është Lutfi Haziri, jashtë skenës politike?

Lutfi Haziri: Ai që ka qenë gjithmonë.

“Bota sot”: Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Lutfi Haziri: Atë që e hanë krejt kosovarët.

“Bota sot”: Cila është gjëja që ju nervozon më së shumti?

Lutfi Haziri: Nuk kam diçka të veçantë që mund të më bëj nervoz apo të më nxjerr takti për shkak të natyrës që e kam.

“Bota sot”: Do të zgjidhnit malin apo detin për t`i kaluar pushimet?

Lutfi Haziri: Zakonisht detin.

“Bota sot”: Çfarë do të veçoje më së shumti tek fëmijët e tuaj?

Lutfi Haziri: Angazhimin dhe përkushtimin për shkollë.

“Bota sot”: Po tek bashkëshortja?

Lutfi Haziri: Përkushtimin ndaj familjes, ndaj fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat