“Shaip Muja, keqpërdorues i fondit “Vendlindja thërret”

Intervista

“Shaip Muja, keqpërdorues i fondit “Vendlindja thërret”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 janar 2017 Në ora: 08:00
Shaip Muja e Isa Xhemajlaj

Ish-kandidati i Nismës për Kosovën për kryetar të Drenasit Isa Xhemajlaj, ka folur për shantazhet dhe presionin që i është bërë gjatë gjithë fushatës në këtë komunë nga partia në pushtet. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka komentuar edhe lidhur me akuzat që janë bërë në adresë të tij, për emërimin e familjarëve të tij si veteranë pa qenë fare në luftë.

Ai ka akuzuar njërin nga deputetët e PDK-së,  për keqpërdorimin e miliona markave të fondit “Vendlindja thërret”. “Deputeti Shaip Muja është i njohur për shpifje, dhe do të ishte mirë që ai t’i tregojë opinionit se si i ka keqpërdorur milionat e fondit “Vendlindja thërret”. Le të tregojë se ku i shiti komplet pajisjet e spitalit ushtarak që u sollën nga Tirana në Drenas dhe njëherit të sqaroj për familjarët e vet që kanë statusin jo vetëm të veteranit, por edhe të dëshmorit”, ka thënë ai. Ndërkaq,  Xhemajlaj ka komentuar edhe për raportet me motrën e tij, e cila është kryetare e Gruas Demokratike të PDK-së në Drenas.

“Hyrije Xhemajlaj është motra ime dhe në çdo kohë dhe në çdo moment jam në gjendje që nëse ka nevojë, të dhuroj edhe pjesët e trupit tim për të, siç do të bënte edhe ajo për mua. Por konsideroj se po jetojmë në një sistem pluralist, ku secili ka bindjen dhe karrierën e vet, duke mos i ndërhyrë njëri-tjetrit në bindje politike. Mendoj se ky është shembulli më i mirë i demokracisë. E kuptoj se për shumë njerëz që ende në mentalitetin e tyre kanë sistemin komunist, duket e pakuptimtë, por për mua është krejtësisht normale”, ka thënë Xhemajlaj.   Më tej, ky i fundit, në këtë intervistë ka folur gjithashtu edhe për Gjykatën Speciale, murin e ndërtuar në Mitrovicë dhe aferën “Pronto”. Gjithashtu, ai ka treguar edhe anën e tij personale dhe familjare, duke dhënë detaje nga përditshmëria e tij.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për Ramiz Lladrovcin e PDK–së. A i plotësonte ai, sipas jush kushtet për t’u bërë kryetar i Komunës së Drenasit?

Isa Xhemajlaj: Ramiz Lladrovci ka qenë shumë larg rrjedhave dhe realitetit në komunën tonë, sepse me dekada nuk ka jetuar në Drenas. Ai fare nuk ka njohuri për gjendjen sociale, ekonomike dhe gjendjen reale në përgjithësi në komunën e Drenasit.

Bota sot: A ka qenë e vështirë për ju që të vendosnit, për të kandiduar për kryetar të Drenasit, kur dihet që Drenasi është konsideruar si  bastion i PDK-së?

Isa Xhemajlaj: Gjendja e vështirë e banorëve të Drenasit në këto vitet e fundit, më shtyu që para interesave personale, të marr përsipër barrën për të mbrojtur interesin e banorëve të Drenasit. E kam pasur parasysh se është i vështirë kandidimi për kryetar, e sidomos në një komunë, e cila është qeverisur nga njerëzit e një partie, njerëzit e së cilës kanë funksionuar më shumë si grupe bandash, që u kanë shërbyer vetëm interesave personale, klanore dhe partiake në dëm të qytetarit, duke mos respketuar ligjin. Po ashtu edhe papunësia e madhe, uzurpimet e pronave komunale, degradimi i sistemit arsimor, shërbimet e dobëta shëndetësore, punësimet në baza familjare, klanore dhe partiake, favorizimi i kompanive të afërta me pushtetin, ndërtimet pa kritere dhe standard dhe shumë të këqija që iu kanë bërë dhe po u bëhen banorëve të komunës sonë. Në bashkëbisedim me shumë banorë të shtresave dhe profesioneve të ndryshme, kemi marrë vendim për të kandiduar në një komunë që ishte bastion i PDK-së, duke pasur parasysh edhe vështirësitë, që do të më përcillnin në këtë garë.

Bota sot:  Gjatë fushatës në Drenas, keni akuzuar SHIK-un për shantazhim. Me çfarë saktësisht jeni shantazhuar ju nga SHIK-u?

Isa Xhemajlaj: Është për të ardhur keq se sa presione, kërcënime, shantazhe dhe joshje u janë bërë banorëve të komunës së Drenasit gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë kësaj fushate, janë munduar që përmes shpifjeve dhe shkrimeve në disa portale partiake, të krijojnë pasiguri tek votuesi dhe njëherit të largojnë vëmendjen nga problemet reale, me të cilat ballafaqohet qytetari.

Bota sot: Mbetemi sërish tek zgjedhjet që u mbajtën në Drenas. Gjatë garës, ka pasur zëra se Nisma u ka ofruar para votuesve për vota, cila është e vërteta pas kësaj?

Isa Xhemajlaj: E vërteta e kësaj është se partia në pushtet e ka lansuar këtë lajm të rrejshëm, sepse këto që thanë për ne, ata i kanë bërë përmes qeverisë, ministrave, deputetëve dhe kompanive, të cilat menaxhohen nga pushteti lokal dhe qendror. Qytetari e din më së miri se kush e ka blerë votën.

Bota sot:  A e keni pritur tërheqjen e Naim Bazajt nga kandidatura për kryetar të Drenasit? 

Isa Xhemajlaj: Kam qenë i sigurt që Naim Bazaj nuk mund ta vazhdojë garën, sepse partia në pushtet ka të gjitha mekanizmat që ta detyrojë atë të dorëhiqet, për shkak se ka qenë pjesë e klaneve, dhe duke përdorur borxhet që kanë ndaj njëri-tjetrit, tërheqja ka qenë e pritshme.

Bota sot: Sipas jush, a ka punuar sa duhet ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku?

Isa Xhemajlaj: Ish-kryetari i Drenasit nuk ka bërë thuajse asgjë për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investitorëve, ndalimin e ndërtimeve të egra, uzurpimin e pronës private, në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kushteve nëpër shkolla, përkujdesjen ndaj familjeve të varfëra, dhe shumë punëve të tjera që kanë qenë në kompetencë të kryetarit të komunës.

Bota sot: Për çfarë bisedohet më shumë në oda, cila është ajo që është mbajtur “sekret”?

Isa Xhemajlaj: Nëpër oda është biseduar për hallet dhe problemet me të cilat ballafaqohet qytetari i komunës së Drenasit, dhe format e zgjidhjes së këtyre problemeve.

Bota sot: Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, iu ka akuzuar juve, se keni emëruar familjarët tuaj si veteranë të luftës, pa qenë fare në luftë. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Isa Xhemajlaj: Ndihem krenar që familja ime ka qenë e angazhuar në luftën e UÇK-së që nga viti 1997, dhe një nga celulat është formuar në lagjen Xhemajlaj në Arbëri të Epërme, dhe ju them me përgjegjësi të plotë se asnjë familjar i imi nuk ka status të veteranit që nuk ka qenë në luftë.   Deputeti Shaip Muja është i njohur për shpifje, dhe do të ishte mirë që ai t’i tregojë opinionit se si i ka keqpërdorur milionat e fondit “Vendlindja thërret”. Le të tregojë se ku i shiti komplet pajisjet e spitalit ushtarak që u sollën nga Tirana në Drenas dhe njëherit të sqaroj për familjarët e vet që kanë statusin jo vetëm të veteranit, por edhe të dëshmorit.

Bota sot:  Keni qenë pjesëtar i UÇK-së, si e konsideroni ju themelimin e Gjykatës Speciale? Kush mendoni se do të jenë të akuzuarit e parë të kësaj gjykate?

Isa Xhemajlaj: Themelimi i Gjykatës Speciale është pasojë e një politike shkurtpamëse e liderëve tanë. Për mua, kjo gjykatë është selektive, sepse është formuar për të dënuar vetëm njërën palë të përfshirë në luftë. Tanimë është bërë e njohur nga mediat se të akuzuarit e parë të mundshëm, do të jenë bartësit e luftës së UÇK-së.

Bota sot: A besoni se Gjykata Speciale do ta pastrojë skenën politike?

Isa Xhemajlaj: Mendoj, se skenën politike me gjithë këto skandale që po ndodhin dhe po e dëmtojnë rëndë të ardhmen e shtetit tonë në aspektin ekonomik dhe politike, do të ishte mirë ta pastronin gjykatat tona. Por, duke pasur parasysh se këto gjykata janë më shumë në shërbim të individëve dhe klaneve se sa shtetit, jemi në një moment kur fatkeqësisht gjykatat e huaja do ta pastrojnë skenën tonë politike.

Bota sot:  Cili është qëndrimi juaj lidhur me aktakuzën për krime lufte të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur së fundmi ndaj Fatmir Limajt?

Isa Xhemajlaj: Po bëhen 13 vite pas luftës që Fatmir Limaj po përballet me lloj-lloj akuza për krime. Këto akuza po bëhen nga kundërshtarët e tij për ta eliminuar nga skena politike.

Bota sot:  Është raportuar se motra juaj Hyrije Xhemajlaj, është kryetare e Gruas Demokratike të PDK-së në Drenas dhe njëherësh drejtoreshë për shërbime publike në këtë komunë. Çfarë ndenje është që në njëfarë forme të keni si kundërshtare edhe motrën tuaj?

Isa Xhemajlaj: Hyrije Xhemajlaj është motra ime dhe në çdo kohë dhe në çdo moment jam në gjendje që nëse ka nevojë, të dhuroj edhe pjesët e trupit tim për të, siç do të bënte edhe ajo për mua. Por konsideroj se po jetojmë në një sistem pluralist, ku secili ka bindjen dhe karrierën e vet, duke mos i ndërhyrë njëri-tjetrit në bindje politike. Mendoj se ky është shembulli më i mirë i demokracisë. E kuptoj se për shumë njerëz që ende në mentalitetin e tyre kanë sistemin komunist, duket e pakuptimtë, por për mua është krejtësisht normale.

Bota sot: Mitrovica tashmë është ndarë edhe në praktikë me anë të një muri. A duhet të japë dikush llogari për këtë?

Isa Xhemajlaj: Ndarja praktike e Mitrovicës ka filluar që nga viti 1999, kur disa liderë politik të kohës e kanë shpërndarë protestën e parë të pas luftës me premtimin se popullata shqiptare shumë shpejt do të kthehet edhe në veri. Kjo jo që nuk ndodhi, por udhëheqja jonë e papërgjegjshme hyri në bisedime e papërgatitur dhe pa ndonjë plan. Ajo iu nënshtrua planeve të studiuara të Serbisë, dhe si rezultat i kësaj papërgjegjësie erdhi edhe tek ndarja fizike e veriut të Mitrovicës.  Gjithsesi, ata të cilët e sollën ndarjen e vendit dhe humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, herëdo kur do të japin llogari.

Bota sot:  Pjesa më e madhe e politikanëve janë bërë milionerë në një kohë të shkurtër. A jeni ju për hetimin e milionerëve të shpejtë të politikës?

Isa Xhemajlaj: Së pari në Parlamentin e Kosovës, duhet të miratohet ligji anti mafia, që do të mundësonte hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Jam idhtar dhe dëshiroj që sa më shpejtë të bëhet hetimi dhe dërgimi prapa grilave i të gjithë atyre, të cilët në mënyrë të paligjshme u pasuruan në kurriz të qytetarëve të varfër.

Bota sot:  Partititë politike, i  mbajnë të fshehta financat. Të paktën sipas zyrës së BE–së. Pse ndodh kjo, sipas jush?

Isa Xhemajlaj: Në vendet ku nuk sundon rendi dhe ligji, fshehja e financave nga partitë politike bëhet dukuri normale.

Bota sot:  Në 2016, afera Pronto, u cilësua si skandali i vitit. A besoni ju se drejtësia do ta zbardhë këtë rast?

Isa Xhemajlaj: Po të ndodhte afera “Pronto” në një vend tjetër të Evropës, protagonistët moti do të ishin prapa grilave, por meqë jetojmë në Kosovë dhe me këtë sistem gjyqësor që kemi, jam skeptik që drejtësia do të zbardh këtë rast.

Bota sot:  Ju keni punuar edhe në arsim. Më mirë si drejtor shkolle, apo politikan?

Isa Xhemajlaj: Varësisht prej situatave kam qenë dhe do të jem çdoherë në shërbim të vendit dhe qytetarit.

Bota sot: Si e kalon një ditë të lirë, Isa Xhemajlaj?

Isa Xhemajlaj: Zakonisht ditët e lira i kaloj me familje. Poashtu u bëj vizita rrethit të gjerë familjar, shokëve, miqve etj.

Bota sot: A keni ndonjë pasion për të cilin ndani kohë të veçantë?

Isa Xhemajlaj: Pasioni im është shëtitja dhe sporti, në veçanti futbolli.

Bota sot:  Cili është libri i fundit që keni lexuar?

Isa Xhemajlaj: Libri i fundit që e kam lexuar është “Aset e spiunazhit” me autor Allen Dulles.

Bota sot: A e ndihmoni gruan në punët e shtëpisë?

Isa Xhemajlaj: E ndihmoj gruan kur ka nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat