Jakup Krasniqi flet për raportet me Thaçin e Gjykatën Speciale

Intervista

Jakup Krasniqi flet për raportet me Thaçin e Gjykatën Speciale

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 janar 2017 Në ora: 12:01
Jakup Krasniqi

Ish-kryeparlamentari i Kosovës dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për ngjarjet aktuale në vend. Ai ka thënë, se pret që koalicionit të Nismës me AAK-në, t’i bashkohen të gjitha partitë politike e individët me ndikim shoqëror që janë në kërkim te ndryshimit për një qeverisje ndryshe në Kosovë.

Ndër të tjerash, Krasniqi ka theksuar se tani për tani është i pamundshëm luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni që është një ndër kriteret që nuk janë plotësuar për liberalizimin e vizave.  

Ai e ka quajtur si gjënë me jo serioze kërkesën e kryeministrit Isa Mustafa për formimin e një komisioni për demarkacionin me Malin e Zi, duke theksuar se Demarkacioni duhet t’i shkojë Kuvendit për refuzim e tek pastaj krijohen kushte për formim të ndonjë Komisioni. Duke komentuar katër letrat e presidentit Hashim Thaçi, Krasniqi ka thënë se gjëja më e mençur për Presidentin do të ishte, të mos përzihej në punët e Prokurorisë. 

Ai ka theksuar se pa keqpërdorimin e pronës dhe të parasë publike, politikanët në Kosovë nuk mund të bëhen oligarkë.  Ndërsa, aktakuzën për krime luftë ndaj Fatmir Limajt, Krasniqi e ka quajtur përndjekje, e cila sipas tij po i bëhet nga bashkëluftëtarët e tij të ngushtë! Në intervistë, ish-kryeparlamentari ka folur edhe për raportet me ish-shefin e tij Hashim Thaçi.

Bota sot:  Keni theksuar disa herë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për krizën politike. Tani në kohën kur janë shtuar edhe më shumë zërat për zgjedhjet të jashtëzakonshme në nivel nacional, me cilën parti do të preferonte koaliconin Nisma për Kosovën?

Jakup Krasniqi: Nëse merren parasysh të gjitha zhvillimet e viteve të fundit në Kosovë, si ato të natyrës politike e zhvillimore në Kosovë, e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet, zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne një situatë të tillë, nga rrethi vicioz që kemi hyrë, vendit orientim mund dhe duhet t’i japin,  vetëm qytetarët e Kosovës.  Sovranit duhet të merr më shumë përgjegjësi për ndryshim. Ne e kemi një koalicion me AAK-në, presim që këtij koalicioni t’i bashkohen të gjitha partitë politike e individët me ndikim shoqëror që janë në kërkim të ndryshimit për një qeverisje ndryshe në Kosovë. Ndryshimi po e kërkon një bashkim të fuqishëm. Me ketë koalicion qeverisës, degradimi i çdo gjëje nuk do të ketë ndalje.

Bota sot:  Si e shihni kërkesën e kryeministrit Isa Mustafa për formimin e komisionit për demarkacionin me Malin e Zi?

Krasniqi: Ajo është gjëja, më jo serioze që mund ta thoshte një Kryeministër në një situatë siç është e jona. Në gjendjen në të cilën jemi, Demarkacioni duhet t’i shkojë Kuvendit për refuzim e tek pastaj krijohen kushte për formim të ndonjë Komisioni. Në këtë rast, Komisioni ekzistues duhet të shpërndahet dhe të krijohej një Komision i ri. Rrugë tjetër ligjore nuk ka. Daljen nga kjo situatë po e pengon qeveria dhe koalicioni qeverisës.

Bota sot:  Si e vlerësoni hapin që ndërmori Presidenti Hashim Thaçi, lidhur me letrat drejtuar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjet e vrasjeve të pas luftësë

Jakup Krasniqi: Prokuroria, sipas Kushtetutës është institucion i pavarur dhe funksionon mbi bazën e ligjit. Letra e Presidentit i thotë Prokurorisë, vazhdoni me të vjetrën se mirë e keni edhe pse unë po ju them bëni diçkaë! Gjëja më e mençur për Presidentin do të ishte, të mos përzihej në punët e Prokurorisë. Tani më dihet që ndërhyrjet në Sistemin e Drejtësisë e kanë sjellë Gjykatën Speciale.

Bota sot:  Të ndalemi pak, te rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Janë bërë më shumë se një muaj nga vdekja e tij, ndërsa deri më tani MSH ka suspenduar vetëm katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizrenë A mjafton kjo sipas jush, apo duhet edhe dikush tjetër të jap përgjegjësi?

Jakup Krasniqi: Përgjegjësia është krejt politike e aspak administrative. Largimi i njerëzve nga puna, është për t‘i lënë njerëzit pa të ardhura e asgjë më shumë. Ata njerëz duhet t’i kthehen punës. Drejtuesit politikë duhet të dorëhiqen. Kjo si u veprua në këtë rast është me i qitë hi syve opinionit publik, gjoja se po bëjmë diçka. Këtu duhet të ketë më shumë përgjegjësi politike.

Bota sot:  Si  e vlerësoni miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së?

Jakup Krasniqi: Ishte diçka si “kofini pas të vjelave”. Me Rezoluta nuk mbrohet asnjë vlerë. Rezoluta ishte për të mashtruar opinionin, bile një opinioni tepër të ngushtë.

Bota sot: Në janar pritet të nis funksionimin Gjykata Speciale. Kush mendoni se do të jenë të akuzuarit e parë të kësaj gjykate?

Jakup Krasniqi:  Se kush do të jetë nuk e di, por kjo është pak e rëndësishme. E rëndësishme është se është ngritur një Gjykatë Speciale mbi bazën e në raporti të ngritur mbi gënjeshtra te tmerrshme siç është “Trafikimi i organeve” për çka sipas Prokurorit Viliamson nuk ka dëshmië! Tani i mbetet GJS të thotë fjalën e saj. Ajo çka do të jetë e dhimbshme do të jetë e ardhmja e UÇK-së si vlerë. Kur të shkruhet historia pas 100 vjetësh mbi bazën e dokumentave gjyqësore, do të shkruhet si për një grupacion që ka bërë krime lufte. Sot po shkruhen “histori” “shqiptare” sipas dokumentave të huaja për Zogun e Toptanin, jo ashtu si i njohim, por ashtu si nuk ishin e si nuk i njohim. Kështu do të jetë tepër vështirë ta njohim historinë tonë kombëtareë! Këto veprime të sotme qyqare do ta bëjnë UÇK-në jo vlerë, por antivlerë. Përgjegjësia për këtë është e atyre që Kosovën po e përdorin si mburojë të interesave personale. Frikësohem, pasojat do të jenë të mëdha.

Bota sot: Si e shihni problemin që Qeveria e Kosovës nuk po mundet të sigurojë mjete për pensionet e veteranëve të luftësë A duhet të verifikohen edhe një herë listat apo si duhet të veprohet në këtë rast?

Jakup Krasniqi: Listat janë bërë nga një Komision Qeveritar. Nëse askush nuk jep përgjegjësi politike e ligjore për Listat e fryra të Veteranëve, Qeveria e Kosovës duhet t’i gjen burimet financiare. Prokuroria e Shtetit, që paguhet nga paraja publike, duhet të bëjë një hetim të gjerë e të thellë. Po kjo Prokurori që kemi është e pa aftë për t’i luftuar veprimet kriminale e korruptive që janë të shfaqura fuqishëm në ketë vend. Së paku kështu ishte deri më tani.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me aktakuzën për krime lufte të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur ndaj Fatmir Limajt?

Jakup Krasniqi:  Tani më nuk mund të flasim për një akuzë, por për një përndjekje. Rasti Limaj, për historinë e drejtësisë, besoj jo vetëm te ne, do të mbahet mend si rasti më sui generisë në drejtësinë evropiane të pas viteve ’50 të shekullit XX dhe fillim shekullin XXI. Është e dhimbshme edhe për një fakt tjetër. E gjithë kjo përndjekje po bëhet nga bashkëluftëtarët e tij të ngushtëë!

Bota sot: Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni ishte një ndër kriteret që nuk janë plotësuar për liberalizimin e vizave. A ekzistojnë mundësitë që të realizohet ky kriter, kur dihet se në krye të institucioneve kyçe janë të njëjtët njerëz që e kanë favorizuar korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Jakup Krasniqi:  Jo vetëm që është e vështirë, por tani për tani është e pa mundshme. Këta njerëz që e kanë sjellë vendin në ketë gjendje, vështirë që mund ta bëjnë, pasi nuk mund të luftojnë kundër vetvetes! Ndryshimi në qeverisje është i domosdoshëm! Vonesa jo vetëm në liberalizimin e vizave është duke ardhur me fajin e këtyre partive të koalicionit, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve, me ndonjë pauzë të pa rëndësishme kanë qeverisur në të dy nivelet e qeverisjes.

Bota sot:  Politikanët janë shtresa më e pasur në Kosovë. Si e bënë këtë pasuri, vallë me disa rroga shteti që dalin vetëm për të mbajtur familjen?

Jakup Krasniqi: E pata thënë një herë në Kuvend, kur deputetët garonin për kryetarë komunash, se të ardhurat si deputetë i kishin më të mira sesa të ardhurat e kryetarit të Komunës. Edhe të ardhurat e ministrave ishin e janë më të vogla se ato të deputetit, por secili vrapon pas postit të ministritë! Pra është e qartë, se pa keqpërdorimin e pronës dhe të parasë publike, politikanët nuk mund të bëhen oligarkë.

Bota sot:   A keni komunikim me ish shefin tuaj, Hashim Thaçin?

Jakup Krasniqi: Kur takohemi në ndonjë pritje, përshëndetemi!

Bota sot:  A po vijoni t’u qëndroni deklaratave të mëhershme se Thaçi, kontrollon të gjitha institucionet e shtetit?

Jakup Krasniqi: Tani kam një mendim pak më ndryshe. Në kapjen e institucioneve të shtetit, janë bashkuar edhe krerët e partive të koalicionit qeverisës.

Bota sot: Cilat janë përgjegjësitë për të cilat duhet të japë llogari legjilativi aktual?

Jakup Krasniqi: Legjislativi është kupola e institucioneve të shtetit. Llogaria është e ligjvenësve para zgjedhësve të tyreë! Por derisa zgjidhen deputetë e deputete pse janë të filanit apo të fistekut e jo mbi bazën e veprës së tij apo saj, nuk mund të kemi e as të kërkojmë ndonjë llogari nga ligjvënësit. Kuvendi si institucion më i lartë i shtetit, nga legjislatura në legjislaturë është degraduar shumë.

Bota sot: Kush nga ministrat aktualë, duhet të përballet me drejtësinë për manipulim me ekonominë e Kosovës për interesa të caktuara?

Jakup Krasniqi: Po të isha Prokuror do të hulumtoja mbi bazën e të gjeturave nga Auditori i Përgjidhshëm dhe mekanizmat e tjera që kemi krijuar e që nuk janë duke i kryer punët e tyre ligjore e Kushtetuese.

Bota sot:  Ju shikojmë, që jeni shumë aktiv në jetën politike. Ku e gjeni energjinë?

Jakup Krasniqi: Energjitë i gjejë në dashurinë që kam për kombin dhe atdheun. Në dashurinë e përkushtimin që e kam për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Shtet, ku qytetarët do të ndjeheshim mirë me vendin e kombin e tryre!

Bota sot:  Si e kaloni kohën e lirë dhe sa i kushtoni kohë familjes?

Jakup Krasniqi: Kam pak kohë të lirë. Kur e kam e shfrytëzoj për lexim e shkrime për aktualitetin politik. Familjes i kam shumë borxhe! Sidomos u kam shumë borxhe prindërve që nuk u bënë kurrë rehat me mua, natyrisht për arsyeje politike. Por, ju kam shumë borxhe edhe gruas e fëmijëve. Politika, për dikë sjell vështirësi, për një shumicë sjell edhe privilegje e pangopësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat