“17 vjet pas lufte, Kosova mbetet peng i bandave të veriut”

Intervista

“17 vjet pas lufte, Kosova mbetet peng i bandave të veriut”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 janar 2017 Në ora: 15:38
Time Kadriaj

“Gjendja politike aktuale në vend është e rëndë dhe po rëndohet dita ditës.  Ju e dini se ky vit ka qenë një vit i rëndë në Kosovë, sepse janë nënshkruar dy marrëveshje të dëmshme, marrëveshja e demarkacionit dhe asociacionit të komunave serbe. Këto marrëveshje kanë ardhur si rezultat i mos transparencës së qeverisë karshi këtyre marrëveshjeve, sepse marrëveshje të tilla është dashur të debatohen në Kuvendin e Kosovës dhe të ketë një konsensus politik dhe jo të  shkohet dhe të debatohet e të nënshkruhen marrëveshjet pa informata të tilla”.

Kështu është shprehur Time Kadriaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”. Sipas të njëjtës, marrëveshjet për Demarkacionin dhe Asociacionin tashmë kanë rënë,  sepse për Asociacionin e komunave serbe Gjykata Kushtetuese e ka dhënë verdiktin e vet final, ku secili nen i kësaj marrëveshje është në ndesh me nenet e kushtetutës së Kosovës, ndërsa edhe me Demarkacionin kanë rënë të gjitha faktet e paraqitura nga  Komisioni Shtetëror.

Bota sot: Cili është vlerësimi juaj për gjendjen aktuale politike në vend?

Time Kadriaj: Gjendja politike aktuale në vend është e rëndë dhe po rëndohet dita ditës.  Ju e dini se ky vit ka qenë një vit i rëndë në Kosovë, sepse janë nënshkruar dy marrëveshje të dëmshme, marrëveshja e demarkacionit dhe asociacionit të komunave serbe.  Këto marrëveshje kanë ardhur si rezultat i mos transparencës së qeverisë karshi këtyre marrëveshjeve, sepse marrëveshje të tilla është dashur të debatohen në Kuvendin e Kosovës dhe të ketë një konsensus politik dhe jo të  shkohet dhe të debatohet e të nënshkruhen marrëveshjet pa informata të tilla. Në Kuvendin e Kosovës është debatuar dhe nxjerrë një rezolutë, por ka rezultuar se ato marrëveshje janë nënshkruar veçse para kësaj rezolute dhe kjo ka qenë një mashtrim për Kuvendin e Kosovës dhe për deputetët e Kosovës që kanë kërkuar transparencë në procesin e bisedimeve të marrëveshjeve të arritura. Dhe tash ju e dini se nuk ka funksionuar Kuvendi dhe kemi pasur probleme, përplasje pozitë opozitë dhe gjithë kësaj situate po i shtohet duke e rënduar edhe muri në Mitrovicë, që po e ndan Kosovën.

Bota sot: A vazhdoni të kundërshtoni marrëveshjen e demarkacionit dhe asociacionit të komunave serbe?

Time Kadriaj: Ne e konsiderojmë që këto dy marrëveshje kanë rënë, sepse për asociacionin e komunave serbe Gjykata Kushtetuese e ka dhënë verdiktin e vet final, ku secili nen i kësaj marrëveshje është në ndesh me nenet e kushtetutës së Kosovës.  Njëjtë mendojmë edhe për Demarkacionin, sepse është zhvilluar një debat ku komisioni qeveritar dhe komisioni i ekspertëve të pavarur janë ndeshur dhe kanë bërë ballafaqimin e fakteve, ku ka rezultuar se me demarkimin Kosova humbë 8 mijë hektarë tokë dhe më pas kësaj ka pësuar seanca, ku ne si opozitë pas 6 muajsh  që e kemi abstenuar me punën e Kuvendit për shkak të këtyre marrëveshjeve,  jemi kthyer në seancë sepse është proceduar ligji për demarkacionin dhe ka pasur të votohet dhe Qeveria është detyruar ta tërheqë këtë marrëveshje të demarkacionit pa u votuar sepse në fakt nuk i ka pasur votat dhe kjo jo vetëm falë deputetëve të  opozitës por edhe falë deputetëve të pozitës të cilët kanë investiguar kanë hulumtuar vetë dhe janë bindur se vërtetë se kjo marrëveshje është e dëmshme. Mos të flasim edhe për protestat e njëpasnjëshme të qytetarëve të Kosovës që kanë qenë protestat më ë mëdha që mbahen mend pas lufte dhe nënshkrimin e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës që janë kundër këtyre marrëveshjeve.

Bota sot: Demarkacioni është një nga kushtet për liberalizim te vizave. A duhet të ratifikohet demarkacioni që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë?

Time Kadriaj: Unë jam pjesë e komisionit parlamentar  për stabilizim asocim dhe për integrime evropiane dhe kohëve të fundit kemi pasur shumë vizita edhe jashtë Kosovës, në Strasburg, Berlin, Bruksel dhe e kemi shpjeguar çështjen e demarkacionit. Kosova nuk është dhe ne nuk jemi kundër demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi, sepse çdo shtet duhet t’i ketë kufijtë e vet, por ne jemi kundër kësaj forme të demarkimit, formën si e ka bërë komisioni qeveritar dhe që po kundërshtohet dhe kemi thënë që është e padrejtë, madje e kemi pasur shefen e BE-së në takim dhe kam thënë se Kosovës po i bëhen standarde të dyfishta tash për çështjen e liberalizimit të vizave, sepse ne e kemi kundërshtuar se Kosova është në një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën dhe në fakt atyre po iu jepet liberalizimi i vizave ndërsa Kosovës jo dhe nëse e bëjmë krahasimin, as Gjeorgjia, as Ukraina janë vende që ka luftë, që shkelen në mënyrë drastike të drejtat e njeriut, që nuk i kanë të përcaktuara vijat kufitare dhe ne nuk po marrim liberalizim të vizav.  Kjo është shumë e pakuptimtë, e kemi thënë në Bruksel dhe vazhdojmë ta themi, se është e pakuptimtë që Kosova është një vend shumë pro evropian dhe evropian e të sanksionohet në këtë formë, vërtetë s’ka kuptim. Çështja e Demarkacionit ka qenë si kriter monitorues dhe jo obligues dhe ne në fakt se kemi kuptuar se si nga një kriter monitorues ka dalë dhe është bërë obligues, është e pakuptimtë.

Bota sot: Një kusht tjetër është edhe luftimi i korrupsionit dhe sipas sondazheve te fundit përqindja është mjaft e madhe. Pse mendoni se nuk po luftohet duke e ditur se edhe ky është kusht për liberalizimin e vizave?

Time Kadriaj: Këto shkojnë barazim, luftimi i krimit dhe korrupsionit shkojnë barabartë me demarkacionin, sepse edhe nëse sot e kishim bërë demarkimin, atëherë Kosova do të mbetej pa liberalizim sepse nuk po luftohet krimi dhe korrupsioni. E kam potencuar, se fajin për luftimin e krimit dhe korrupsionit e ka edhe EULEX –i, të cilin po e mandatojmë dhe detyra e EULEX-it është kryesisht të merret me gjëra të tilla dhe është dashur ta bëjë, e ka përgjegjësinë e vet në këtë raport. Për çështjen e liberalizimit të vizave janë edhe shumë çështje të pathëna, të cilat po e pengojnë. Është çështja e migrimit ilegal që ka ndodhur kohëve të fundit e shtetasve të Kosovës në mënyrë ilegale dhe ndoshta kjo nuk po potencohet as e shkruar as zyrtarisht, por na është thënë se është frika që Kosova nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka bërë që njerëzit të kenë një jetë më të mirë dhe po mendojnë që me liberalizim të vizave Kosova do të zbrazet dhe rinia do të gjejnë perspektivë për një jetë më të mirë në vendet evropiane dhe është çështja e përgjithshme që po zhvillohet në Evropë, luftërat në Siri, vrulli i emigrantëve që po lëvizin nga një vend në një vend tjetër, megjithatë nuk ka arsyetim, sepse ne sa jemi diku 1.8 milion banorë dhe po i liberalizon dy vende me shumë probleme shumë të mëdha që kanë dhe numër më të madh të banorëve se sa Kosova, është një pikëpyetje të cilën duhet ta gjejë qeveria jonë, që është neglizhente në punën në këtë drejtim sepse shpesh na është thënë se s’po lobohet mjaftueshëm në vendet anëtare të BE-së dhe kjo eksplicit është detyrë e qeverisë me ministritë përkatëse të cilat ishte dashur të lobojnë, po ashtu të aktivizojnë edhe deputetët dhe komisionet parlamentare. Shumë gjëra kur kemi shkuar i kemi thënë në këtë drejtim dhe janë befasuar me unitetin e deputetëve sa i përket agjendave evropiane dhe është dashur që njësoj sikur komisioni për integrime evropiane edhe komisionet tjera të veprojnë. Është detyrë e Qeverisë dhe mendoj se nuk ka bërë punë të mjaftueshme në këtë drejtim.

Bota sot: Kur sipas jush qytetarët mund të shpresojnë për liberalizim?

Time Kadriaj: Në vitin 2016 nuk ndodhi sepse po dalim kritere dhe është e pakuptimtë që Isa Mustafa po gjen pretekst për ta sulmuar opozitën se është fajtore, sepse fajtore është qeveria sepse është detyrë e tyre, që t’i kryejë detyrat dhe obligimet që i cakton. E keni dëgjuar se ka pasur gatishmëri të qeverisë së Malit të Zi që të zgjidhet problemi i demarkacionit, bile dhe kanë ftuar edhe të bisedojnë për çështjen e demarkimit, që të hiqen ato dilema sepse ne Malin e Zi e kemi shtet fqinj, vend mik i shqiptarëve, ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndoshta me dialog, do të mund të arrihej marrëveshja që të shqyrtohet e gjithë kjo dhe tash prapë s’po e kuptojmë lojën e fundit të Isa Mustafës që pretendon të formojë një komision që në bazë ë hartave kadastrale të përcaktohet sërish kufiri. Nuk duhet ta mashtrojmë as veten as popullin e Kosovës, por duhet të merren hapa konkret me qeverinë e Malit të Zi në mënyrë që të caktohen kufijtë sepse jam deputete që vij nga rajoni Deçanit,  Pejë dhe i dimë ato vende, kufiri në fakt gjithmonë ka qenë në Qakorr dhe te kulla e Zhlepit dhe ashtu do të mbetet. Nuk  ka kompromis dhe Kosova nuk do të detyrohet më të bëjë kompromise për diçka të vogël, qoftë edhe për liberalizim të vizave dhe nëse ne tash gjunjëzohemi përpara këtij presioni qeveritar ndoshta edhe ndërkombëtar, çka do të ndodhë me Kosovën kur do të detyrohen të bëjmë demarkimin e kufirit me Serbinë.

Bota sot: A mund të shpresojnë qytetarët për lëvizje të lirë këtë vit?

Time Kadriaj: Mendoj,  që nëse mobilizohen të gjithë karshi detyrave dhe obligimeve që kanë. Është një proces i vonuar dhe populli i Kosovës nuk duhet të ngelet peng i një qeverie që po i zvarritë këto procese.

Bota sot: Çfarë mendoni për murin në veri të Mitrovicës. A do ta ketë fatin e njëjtë me urën?

Time Kadriaj: Gabim i radhës i qeverisë. Por po çuditem,  se edhe për të kundërshtuar një diçka që po e cenon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës qeveritarët po gjejnë shkas edhe po sulmojnë opozitën. Ne jemi qytetarë të Kosovës, jemi deputetë të Republikës së Kosovës dhe momentin që e marrim një mandat ne e japim betimin dhe kur jepet betimi i deputetit thuhet që me çdo kusht do ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë. Ne duhet të sillemi dhe të veprojmë si shtet, jemi Republikë e pavarur dhe konform kësaj ne duhet edhe të veprojmë. I vetmi reagim për murin që po ndërtohet paligjshëm në urën e Ibrit është e Ministrisë së Ambientit e cila ka konstatuar se është një ndërtim pa leje. Unë nuk e kuptoj pse po zvarritet një gjë e tillë  është ndërtuar diçka pa leje dhe sovraniteti i shtetit nuk bën të shtrihet veç në pjesën ku jetojnë qytetarë por duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe është e pakuptimtë që 17 vjet pas luftës ne të jemi peng i veprimeve i bandave që veprojnë në veri e që janë të lidhura me Serbinë dhe tash është e pakuptimtë që të kërkohet për murin që është ndërtuar ilegalisht në shtetin tonë, prapë të bisedohet me Serbinë dhe në procesin e bisedimeve ky veprim e ka dërguar rëndë procesin e bisedimeve dhe pas këtij veprimi ne mendojmë se nuk ka asnjë logjike që të vazhdohet të bisedohet me Beogradin dhe kur kanë filluar bisedimet është menduar se do të bisedohet për çështje teknike dhe jo për çështje politike dhe dita ditës ky proces po degradon.

Bota sot: Cili do te jetë ndikimi i Gjykatës Speciale në politikën e Kosovës?

Time Kadriaj: Ne e kemi kundërshtuar formimin e një gjykate të tillë, sepse kemi menduar se është e padrejtë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e shenjtë dhe e drejtë,  sepse ne e kemi një atdhe, atdheu jonë është Kosova dhe ne jemi detyruar që bash nga këta njerëzit që kanë ngritur aktpadi ta mbrojmë vendin tonë. Serbia është ajo që e ka nisur luftën, që ka kryer krime, që ka shkatërruar ekonomi familjare, ekonomi shtetërore, që ka vrarë pleq, plaka që ka dhunuar mbi 20 fëmijë e gra, për të cilat askush nuk është dënuar dhe për një shtet që i ka kryer të gjitha këto terroret, në të gjitha ish republikat e ish Jogusllavisë në Slloveni, Kroaci, masakra e Srebrenicës, nuk po formohet një gjykatë e tillë dhe po formohet në Kosovë, kjo nuk e ka asnjë kuptim.

Bota sot: A është fajtore drejtësia në Kosovë, meqë iu imponua Kosovës një Gjykatë Speciale?

Time Kadriaj: Po. Ne kemi menduar që të formohet në Kosovë, ne nuk jemi që të mbrohen ata që kanë kryer krime por jo të përdhoset një luftë e shenjtë.

Bota sot: Sa do të dëmtohet imazhi i UÇK-së, nga ballafaqimi i figurave të luftës me një gjykatë të llojit të tillë? A ka pasur nevojë  UÇK-ja, të pastrojë emrin e saj me anë të kësaj gjykate, siç janë deklaruar zyrtarë të lartë të shtetit?

Time Kadriaj: Do të dëmtohet imazhi i UÇK-së për shkak, se disa media botërore kanë shkruar se është formuar Gjykata Speciale për krimet që ka kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa dihet që kemi pasur edhe të akuzuar të tjerë që e kanë mbrojtur denjësisht luftën e shenjtë të UÇK-së në gjykatën e Hagës, bile zotëri Haradinaj që është një rast që s’ka ndodhur asnjëherë në gjykatën e Hagës, të lirohet njëherë i pafajshmi, të riaktivizohet lënda edhe njëherë dhe të ballafaqohet  përsëri me drejtësinë ndërkombëtare dhe përsëri ka dalë i pafajshëm. Njëjtë ka ndodhur edhe me ushtarët e tjerë të UÇK-së, që janë kthyer të pafajshëm në Kosovë dhe në fakt mendoj se ky është një proces dhe fajtore për këtë janë gjykatat tona që nuk janë të pavarura dhe kryesisht politika që nuk i lejon t’i kryejnë detyrat e veta si duhet në mënyrë që gjyqësori të kryejë punën e vet dhe të mos lejojë të ketë gjykatë speciale në Kosovë.

Bota sot: A keni informacione se kush do të preket nga Gjykata Speciale?

Time Kadriaj: Jo. duke pasur parasysh se shpesh në media jepen emra, nuk mund të dimë derisa nuk ngriten aktakuza. Nuk mund të paragjykojmë se kush mund të preket, derisa nuk ngritën aktakuzat e para.

Bota sot: Vendi që disa muaj është në një krizë institucionale. Si do të mund të dilet nga kjo situatë sipas jush?

Time Kadriaj: Kjo qeveri e madhe me numra shumë në fakt, që kur po duhen nuk po i ka këta numra, një qeveri e cila nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit për këtë mandat qeverisës, i ka sjellë vetëm të këqija, Gjykatën Speciale, Asociacionin, Demarkacionin dhe tash degradimin e bisedimeve,  ndërtimin e murit duke e ndarë fizikisht Kosovën dhe me gjithë ata numra nuk ka mundur ta formojë forcat e sigurisë të Kosovës, s’po mundet ta votojë as buxhetin edhe pse kanë mbi 86 vota dhe në seanca plenare nuk kanë kuorum kur mungon opozita dhe detyrohen t’i shtyjnë seancat ose mbledhjet e komisionit. Dita ditës po degradohet situata.

Bota sot: A duhet të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme?

Time Kadriaj: Mendoj, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Mendoj se zgjedhjet janë zgjidhje dhe mandati duhet t’i kthehet popullit në mënyrë që populli të sjellë një risi tjetër në skenën politike ose një rezultat tjetër në skenën politike, sepse gjithmonë nëse bazohem në vendet e rajonit, në Maqedoni për shembull, ku ka krizë politike, zgjedhjet janë zgjidhja.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për rastin Dehari. A është politizuar kjo çështje?

Time Kadriaj: Ne kemi kërkuar që të ketë transparencë dhe llogaridhënie në procesin se si është menaxhuar rasti Dehari, momenti kur është gjetur ai, deklaratat e papërgjegjshme të zyrtarëve policorë, shkarkimi, por me vonesë i disa zyrtarëve për këtë rast, kemi kërkuar transparencë dhe kemi kërkuar seancë të jashtëzakonshme për rastin Dehari, për hir të opinionit që ta dijë se si ka ndodhur ajo vdekje, për hir të familjes Dehari dhe partnerët e koalicionit nuk kanë nënshkruar, nuk e kanë shprehur atë gatishmëri që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, edhe pse kemi pasur mbi 20 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, të cilat janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, dhe të cilat ligjërisht e obligojnë Kuvendin e Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme.

Bota sot: Çka mendoni, pse u hesht afera e shumë përfolur “Pronto” ? Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për këtë?

Time Kadriaj: Kanë qenë publike po mendoj se prokuroria është dashur të merret me këtë rast kanë qenë me ditë të tëra nga një rast nga dy raste, ka pasur dhe protesta nga njerëz që kanë kërkuar që gjyqësori dhe prokuroria të merret me këtë rast dhe deri tani nuk kemi parë që kanë bërë diçka. Është kompetencë e Prokurorisë dhe decidivisht në bazë të atyre xhirimeve që janë bërë, përgjimeve, të veprohet. Ka qenë i ftuar në prokurori për këtë rast zotëri Adem Grabovci dhe s’ka pasur ndonjë rezultat. Presim që prokuroria ta kryejë punën e vet dhe ndoshta del me ndonjë verdikt.

Bota sot: Të flasim pak për jetën private. Si është Time Kadriaj jashtë politikës?

Time Kadriaj: Unë me profesion jam mjeke. Meqenëse karrierën e kam filluar si mjeke në periudhën e sistemit paralel, kur gjithçka ka qenë degraduar në Kosovë, institucionet kanë qenë të mbyllura për mjekët shqiptarë dhe popullatën shqiptare. Unë e kam filluar punën në shoqatën “Nëna Terezë” dhe po vazhdoj kështu. Pastaj kur jam bërë deputete, kam qenë pjesë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi tash e kam ndryshuar pak. Punoj, kthehem në bazë, punoj shumë në bazë, jam në kontakt me njerëz, kam pasion të ndihmoj njerëzit, pasi edhe profesionin e kam mjeke. Pastaj kam aktivitete. Jam anëtare e kryesisë së AAK-së, angazhimet në Kuvend, komisionet, tryeza dhe  më e mira është që mundohem të jem e afërt me njerëzit që më kanë përkrahur dhe vazhdojnë të më përkrahin, njëjtë të ruhet kjo traditë sepse e kam përkrahjen e njerëzve. Jemi deputet që jemi zgjedhur nga populli dhe duhet të jemi për popullin.

Bota sot: A po keni kohë të mjaftueshme t’i përkushtoheni familjes?

Time Kadriaj: Mundohem, edhe pse është një dinamizëm i jetës, mundohemi. Unë çdo fundjavë, mos të them çdo të dytën fundjavë, veç nëse nuk jam në Kosovë, se jam me familjarët, motrat, vëllain, vazhdoj me qenë me ta.

Bota sot: Prej sa anëtarësh përbëhet familja juaj?

Time Kadriaj: Jo shumë, meqenëse një pjesë e familjes janë jashtë, kanë dalë më herët dhe në Kosovë më ka ngelur një vëlla me gruan dhe një vajzë, motrat tjera janë të martuara me familje dhe shumica janë jashtë Kosovës.

Boa sot: A ju ka thënë ndonjëherë ndokush,  lëre politikën?

Time Kadriaj: Jo. Ndonjëherë është një lodhje si tash kjo situata e rëndë politike dhe është stresuese dhe emocionuese, sepse e sheh që s’po mundesh të bësh diçka dhe nuk je në nivel detyrës, shqetësohesh se e sheh se çfarë po ndodh. Kosova që e kemi sot nuk është Kosova që e kemi ëndërruar ose Kosova për të cilën janë vrarë shumë djem dhe vajza në luftën e Ushtrisë Çlirimtare, ose nuk është Kosova për të cilën janë burgosur mijëra njerëz si të burgosur politik, nuk është Kosova që kemi ëndërruar, kemi luftuar. Është e pa pritshme gjithë kjo situatë që po ndodh në Kosovë dhe normalë që është dëshpëruese që ndonjëherë të vjen të thuash se po e braktis krejtësisht Kosovën, megjithatë prapë është vendi jonë dhe duhet të qëndrojmë këtu e të kontribuojmë deri në momentin e fundit. Në politikë kam filluar herët, na e ka imponuar politika që si fëmijë, si nxënëse të përfshihem për shkak të padrejtësive, 81, 89 më pas 97, 98, 98, jemi detyruar si gjeneratë që të merremi me politikë dhe tash jemi mësuar, politika na flenë në shpirt dhe jemi mësuar me këtë aktivitet, me këto angazhime dhe ndoshta një jetë statike me një punë të thjeshtë se di sa do të mundnim, ndoshta për gjeneratat e reja është më ndryshe sepse po rriten në një situatë krejt tjetër, më të lehtë, që kanë si zgjedhje të përfundojnë një fakultet, të kenë një vend pune dhe të merren me angazhime të  tjera, sportive, kulturore e artistike. Por, mirë që kanë ardhur këto ditë për gjeneratat e reja, që së paku ata të kenë një jetë më të lehtë.

Bota sot: Nëse nuk do të merreshit me politikë, në çfarë fushe do të punonit?

Time Kadrija: Nëse nuk do të merresha me politikë, do të isha mjeke. Fatmirësisht unë kam qenë mjeke para luftës dhe kam qenë specializante në gjinekologji dhe pas luftës e kam vazhduar, pasi gjatë luftës e kam ndërprerë specializimin. Sigurisht që do të kisha vazhduar me këtë.

Bota sot: Çfarë prisni për vitin 2017 në politikë? 

Time Kadriaj: Po më duket vit i vështirë, mendoj se duhet të jetë vit zgjedhor. Vit i zgjedhjeve nacionale dhe lokale që do të mbahen në vitin 2017. Shpresoj, se me zgjedhje të vijë një Qeveri më e përgjegjshme që të jetë në shërbim të popullit, që në qeveri të jenë njerëz të pa korruptuar dhe njerëz që nuk kanë të kaluar korruptive, sepse shpesh mendoj që edhe ndërkombëtarët edhe presioni dhe rastet e lëndëve në gjykata të mos jenë të shantazhuara dhe të gjithë qeveritarët ta dinë se duhet të jenë në shërbim të popullit dhe të mendojnë për perspektivën e vendit dhe jo asnjëherë të bëjnë kompromise në kurriz të territoreve dhe të popullit të Kosovës.

Bota sot: Një mesazh për të gjithë lexuesit e gazetës “Bota sot”

Time Kadriaj: “Bota sot” e ka një histori më të hershme të veprimit, para lufte dhe ka vazhduar edhe pas lufte. Korrektësia e gazetës është ajo më e mira. Mendoj se të gjithë gazetarët duhet të jenë profesionistë. Mua gjithmonë më pengon që gazetat ndonjëherë dalin me akuza ose vlerësime, para se të dalin vendimet nga një prokurori ose një gjykatë. Puna profesionale, e pavarur, pa anime politike ndaj një apo tjetër subjekti politik, e bën një gazetë më të dashur dhe më të besueshëm për lexuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat