Flet Armend Zemaj: Ja fajtori për vrasjet politike e Gjykatën Speciale

Intervista

Flet Armend Zemaj: Ja fajtori për vrasjet politike e Gjykatën Speciale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 janar 2017 Në ora: 14:30
Armend Zemaj

“Me forcimin e kapaciteteve institucionale dhe arritjen e marrjes sq të të gjitha dosjeve nga e kaluara do ishte më se e nevojshme që këto dosje të hapen, të trajtohen me ligj ashtu siç i kanë trajtuar të gjitha vendet postkomuniste dhe nga e cila do të përfitonin qytetarët e ndershëm apo edhe do të pastrohej skena nga gjithë ata që i kanë shërbyer regjimit në dëm të interesave të qytetarëve të këtij vendi”. ka thënë deputeti Armend Zemaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”

Bota sot: Cili është vlerësimi juaj për gjendjen aktuale politike në Kosovë? A ka ngërç politik?

Armend Zemaj: Aktualiteti politik në rrethanat e tanishme tregon, jo vetëm tranzicionin e stërzgjatur nëpër të cilin po kalon Kosova, por edhe krijimin e një klime, e cila nuk dallon angazhimin politik në përcaktim të dallimeve konceptuale në atë që dallohet si interes nacional. Andaj nuk mund ta cilësoj se ngërç politik, por një stabilitet i brishtë i cili ka dhënë nuancë të asaj që shpesh thuhet se nuk ka pjekuri të plotë politike e cila përkundër dallimeve konceptuale apo ideologjike do duhej që gradualisht të mbizotërojë logjika shtetformuese me anë të së cilës do zhvillohej vendi por edhe konkurrenca politike dhe do të ishte dhënë alternativë për zgjidhjen e çështjeve të caktuara.

Bota sot: Cila është mënyra për kalimin e kësaj gjendje?

Armend Zemaj: Duhet kulturë, politikë, qasje tjetër pa dallim politik, për hir të interesave të vendit. Ngërçi, bllokada, mosbashkëpunimi është targë shtesë për qytetarët e vendit andaj, përkushtimi dhe thirrja ime është parimore që luftën politike ta shndërrojmë në konkurrencë të debatit dhe ideve progresive. Atëherë edhe kur kemi disbalancë politike të krijuar në çfarëdo momenti, zgjidhjet do jenë më të lehta, kështu e shoh tejkalimin e çfarëdo ngërçi apo diskutimi politik.

Bota sot: A duhet të kalojnë marrëveshja e Demarkacionit dhe ajo e Asociacionit?

Armend Zemaj: Janë dy tema që lidhen me zhvillimet e këtyre dy viteve që lidhen edhe me situatën që unë e apostrofova më lart. Dy çështje, të cilat janë bërë pengesë në mos zhvillimin e rregullt të seancave dhe komisioneve të Kuvendit, në kuadër të cilave shumë çështje të cilat janë prioritet i zhvillimit të vendit, janë neglizhuar apo edhe janë prolonguar në shtyrje të afateve të domosdoshme. Pavarësisht dallimeve, këto çështje duhet të marrin përfundimin korrekt dhe shumë serioz të spektrit politik. Brenga e potencuar nga shumë faktorë se dyshohet se Demarkacioni nuk është në rregull, duhet të ketë angazhim konkret në qartësimin e gjithçka që është ngritur nga banorët dhe qytetarët e asaj pjese. Çdo zgjidhje duhet të jetë konform kërkesave të banorëve të trevës së Rugovës dhe pjesës tjetër që theksohet. Kjo është dëshmuar se duhet të ketë konsensus dhe trajtim me serioz se sa ajo që kemi parë deri më tani. Për asociacionin, fjalën e vetë e ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresoj që në këtë frymë të ruajtjes së rregullimit shtetërore edhe Qeveria do të vendosë me procedim të mëtutjeshëm.

Bota sot: Si e vlerësoni iniciativën e Kryeministrit për Demarkacionin?

Armend Zemaj: E kam potencuar vazhdimisht, se çdo iniciativë me transparencë dhe vullnet qe i jep qartësim të saktë kësaj çështje duhet të shikohet në aspektin pozitiv, nëse matja e territorit bëhet konform shqetësimeve dhe dallimeve që ekzistojnë dhe trajtohen nga ekspertë dhe njerëz që kanë njohuri, profesionalizëm dhe mbi të gjitha nga ata që njohin të dy anët e kufirit, mendoj që duhet të shikohet pozitivisht por gjithnjë duke ruajtur pozicionin e qartë të definimit të territorit tonë, sigurisht duke pasur parasysh qe kemi të bëjmë me një vend, i cili sikurse që është Mali i Zi nuk ka paraqitur ambicie ndaj territorit tonë.

Bota sot: Mosratifikimi i Demarkacionit a  e rrezikonin liberalizimin e vizave apo krimi i organizuar dhe korrupsioni?

Armend Zemaj: Përcaktimi im në gjithë këtë vite më së shumti krahas atij partiak ka qenë avancimi i legjislacionit në fushën e drejtësisë apo edhe në përgjithësi krijimin e një ambienti ku krimi dhe korrupsioni do të luftohen në mënyrë permanente dhe me guxim intelektual. Kjo është edhe një ndër parakushtet kryesore që duhet të tregojë seriozitet dhe rezultate afirmative Kosova për integrim në familjen e madhe të BE-së, kjo detyrë qoftë edhe si kusht i vendosur tani për liberalizim nuk bën që të jetë temë kalimtare por detyrë serioze në çdo nivel institucional. Prandaj, nuk dallime asnjëra nga tjetra nga seriozitetit i kërkuar në trajtimin e të dy çështjeve të apostrofuara.

Bota sot: Mendoni se liberalizimi do te ndodh ne vitin 2017?

Armend Zemaj: S’ka të bëjë ky me mendim, është kërkesë dhe nevojë e përditshme prandaj kërkohet klasë e përgjegjshme politike, mbi të gjitha njerëz të cilët kanë marrë detyra dhe këto detyra e obligime duhet t’i kryejnë me devotshmëri. Pa këtë angazhim dhe pa këto rezultate mund të them se mbeti vetëm te shpresa se si do na trajtojnë shtetet evropiane.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për rastin Dehari? A është politizuar ky rast, apo thjesht një pjesë të madhe të deputetëve, nuk u intereson zbardhja e këtij rasti?

Armend Zemaj: Një rast tragjik i humbjes së jetës së një të riu në institucionin e shërbimit korrektues i cili mori kahje të trajtimit jodinjitoz të humbjes së jetës së një të riu aktivist politik. Së pari u tregua se kemi shumë probleme dhe shumë zbrazëtira institucionale në hallakat e sistemit të përgjithshëm të drejtësisë ndërsa subjektit të cilit i takoi Dehari, skajshmërisht e përdori për politikë sulmuese pa bërë dallimin mes humbjes së jetës së një të riu dhe të bërit politikë opozitare. Kjo la shije të keqe tek qytetarët e vendit si rast tragjik por me mungesë të drejte të trajtimit institucional dhe politik. Deputetët njëzëri ishin të interesuar, që rasti të zbardhet dhe të mos politizohet, njëherësh duke kërkuar edhe llogari ndaj çdo lëshimi që ka ndodhur apo edhe nëse faktohet secila përgjegjësi qoftë edhe ajo penale. Ky rast po ashtu tregoi se besimi në institucione është lënduar tej mase por edhe është tentuar që të përdoret për një atak të vazhdueshëm në zbehjen e rëndësisë së pavarësisë së organeve të sigurisë dhe drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre sipas ligjit dhe mandatit që kanë.

Bota sot: Kush mendon se do të preket më shumë nga Gjykata Speciale?

Armend Zemaj: Ligji për krijimin e Gjykatës Speciale është miratuar mbi bazën e një hetimi të një prokurori kredibil ndërkombëtar për dyshimet e ngritura për krimet e supozuara që kanë ndodhur në vitet e luftës por edhe pas saj. Andaj, përcaktimi i veprave dhe përgjegjësisë për t’u ndjekur do jetë ndaj gjithë atyre që supozohet që kanë kryer këto krime. Nuk kam ndonjë paragjykim për emra të përveçëm por tendenca e disa qarqeve që kanë theksuar se po gjykohet lufta e UÇK-së nuk qëndron, por do ketë gjykime për individë apo grupe të cilat kanë keqpërdorur pikërisht edhe këto tri shkronja që të kryejnë veprime kriminale për të cilat drejtësia vendore nuk ka mundur ta thotë fjalën e vetë. 

Bota sot: A ka pasur nevojë  UÇK-ja, të pastrojë emrin e saj me anë të kësaj gjykate siç janë deklaruar zyrtarë të lartë të shtetit?

Armend Zemaj: Absolutisht jo, kjo s’ka të bëjë me emrin e pastër të UÇK-së, sepse ajo është dëshmuar me përcaktimin dhe vullnetin e pastër të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo është thënë më shumë për konsum të brendshëm politik ndoshta edhe në mungesë guximi për të demaskuar çdo gjë që disa individë kanë bërë duke u thirrur edhe në vetë emrin e UÇK-së. Neve kemi nevojë që drejtësia ta thotë fjalën e vetë ndaj çdo krimi që ka ndodhur dhe nga kush ka ndodhur. 

Bota sot: Ka pasur zëra që  nga PDK -ja, do të ketë numër më të madh që do të hetohen nga gjykata speciale. A është ky shkaku që disa deputetë të kësaj partie po dalin kundër LDK-së?

Armend Zemaj: Janë spekulime, janë thjeshtë më shumë parafrazime ditore dhe të cilat do të përdoren deri sa të fillojë ky proces, shpesh shihet edhe si luftë politike, por, për të cilën unë mendoj që është e gabuar. Më e rëndësishmja është që drejtësia duhet të sqarojë dhe të bie vendim meritor për të gjitha viktimat, andaj pak është problem se kush atakohet apo nga kush do të përdoret. Të gjithë këta zëra në fund të fundit do ta gjejnë veten para një obligimi që lufta politike dallohet nga drejtësia dhe pastërtia që duhet të kenë individë të caktuar.

Bota sot: A është fajtore drejtësia kosovare meqë iu imponua Kosovës një gjykatë speciale?

Armend Zemaj: Është pjesë e përgjithshme e asaj që kritikohet si mos punë dhe mos guxim profesional që të ballafaqohemi me vendimet e vështira dhe të cilat kërkojnë drejtësi. Sigurisht që është pjesë e fajit të përgjithshëm si politika ashtu edhe në atë që i ka takuar organeve të drejtësisë që ta bëjnë papritur faktorin ndërkombëtar që të bëjë detyrat tona.

Bota sot: Sa ekzistojnë mundësitë që Gjykata Speciale ta pastrojë skenën politike të Kosovës?

Armend Zemaj: Skena politike pastrohet me vullnet të qytetarëve dhe të institucioneve tona që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe rendin kushtetues. Mos përkrahja për njerëz dhe struktura të cilat, janë pasuruar apo edhe kanë kryer vepra penale do arrijë nivelin e krijimit të pastërtisë institucionale dhe politike në vend. Por ka mundësi që individë të ashtuquajtur të fortë të kapen nga drejtësia ndërkombëtare dhe sigurisht nëse shpallen fajtorë nuk do kenë mundësi që të vazhdojnë të jenë pjesë e pozitave institucionale në Republikën e Kosovës .

Bota sot: Kush është fajtor për mos zbardhjen e vrasjeve të pasluftës?

Armend Zemaj: Fajtor kryesor është vullneti politik që në mënyrë permanente dhe me mbështetje konkrete ndaj institucioneve të drejtësisë të arrijë që këto krime makabre me prapavijë politike të zbardhen dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. Kjo ka treguar edhe një lëshim të institucioneve ndërkombëtare që kanë pasur kompetencë ekzekutive në fushën e sigurisë e drejtësisë që të zbardhin të gjitha vrasjet për motive politike. Kjo tregon që koha po kalon dhe s’duhet të kërkohet fajtori pse nuk janë zbardhur, por të shtohet trysnia ndaj të gjithë atyre që kanë përgjegjësi që të bëjnë sa më shpejtë zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve.

Bota sot: Sa ka shpresë që këto krime, do të zbardhen nga Gjykata Speciale?

Armend Zemaj: Mund të jenë pjesë e trajtimit edhe nga Gjykata Speciale, por për hir të vendit tonë dhe të gjithë atyre burrave dhe grave patriote, që u vranë në pabesi në rrugën e tyre të punës dhe angazhimit për pavarësi më e mira do ishte që vetë shteti dhe organet tona ta thonë fjalën e vet. Kjo do ishte edhe një ngushëllim për familjet e tyre, rrethin dhe bashkëpunëtorët, por edhe për vendin tonë që ata me krejt mundin dhe potencialin u angazhuan por që jeta e tyre u ndal në mënyrë të padrejtë nga kriminelë dhe ideologji kriminale vetëm e vetëm pse ishin të dashur dhe të përkrahur në populli ë Kosovës.

Bota sot: A duhet të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme?

Armend Zemaj: Zgjedhjet e parakohshme nuk kanë treguar nga e kaluara se kanë afruar ndonjë zgjidhje të mirë, sidomos kur mandatet nuk

kanë shkuar deri në fund, andaj duhet të krijohet një frymë ku respektohen afatet zgjedhore dhe vetëm në situata kur kemi jo stabilitet të theksuar duhet menduar në zgjedhje të parakohshme. Por, edhe kjo është një çështje e cila duhet të vlerësohet dhe të vendoset me një konsensues të gjerë e sidomos duke mos anashkaluar edhe partneritetin dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtare.

Bota sot: Sa janë të vërtetë zërat, se ka përçarje mes koalicionit qeverisës?

Armend Zemaj: Ka dallime, ka ide te ndryshme por ka edhe zëra kundërshtues që për mendimin tim janë normale, por ekziston një marrëveshje dhe e cila është përkrahur nga shumica e të dy palëve dhe që kanë një program për ta implementuar. Kurdo që krijohet bindja nga ata që kanë vendosur për këtë koalicion dhe shihet që zërat kundërshtues janë në shumicë është mirë që të analizohet vazhdimi apo mosvazhdimi i këtij koalicioni aktual.

Bota sot: A keni informacioni pse po vonon riformatimi i Qeverisë? 

Armend Zemaj: Nuk kemi informata se si është biseduar apo shikuar forma e ndonjë formatimi të Qeverisë, ajo çka është parë e nevojshme dhe e kahmotshme është numri i madh i zyrtarëve të Qeverisë, diçka e cila më shumë ka krijuar hapësirë për mos punë dhe mos llogaridhënie se sa punë dhe angazhim efektiv. Nevoja për reflektim dhe ndonjë rifreskim është parë e nevojshme sidomos pas mandatit dyvjeçar por e cila siç duket akoma ka mbetur vetëm në nivel diskutimesh.

Bota sot: Duke e marrë parasysh, se politikanët janë kategoria më pasur në Kosovë, a duhet të hetohej mënyra, se si është bërë kjo pasuri, pasi dihet e kaluara ekonomike e një pjesë të politikanëve?

Armend Zemaj: Është krijuar opinioni se politikanët janë kategoria më e pasur, shpeshherë edhe opinioni ka  të ardhura më të larta. Por, unë vlerësoj se ekziston dallimi mes atyre që kanë krijuar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe në me adute korruptive dhe nga ata që kanë krijuar pasuri në mënyrë të ligjshme e që janë pjesë e politikës. Kjo edhe ka krijuar një figurë të keqe dhe duke mos bërë dallime edhe pse jam i bindur se duke marrë parasysh që Kosova është vend i vogël, çdo qytetarë e di, se çdokush si dhe qysh e ka krijuar gjithë atë pasuri. Unë besoj që me avancimin e legjislacionit dhe forcimit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit çdokush që ka krijuar pasuri të paligjshme do të jetë pjesë e trajtimit hetimor por edhe të ndëshkimit ligjor nga organet kompetente në pjesë të përgjegjësisë së ngritjes së transparencës e kanë edhe mediumet e pavarura nga politika dhe të cilat demaskojnë politikanët që e dinë që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo e ndihmon edhe qartësimin por edhe punën e organeve të drejtësisë.

Bota sot: A është i nevojshëm për Kosovën ligji antimafia?

Armend Zemaj: 
Duhet ta kemi një ligj i cili e rrit efikasitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë me masa konkrete por edhe duke marrë praktikat më të mira të vendeve perëndimore. Sa më i saktë dhe më i zgjeruar që të jetë legjislacioni antimafia apo anti dukurive negative tregon përkushtimin dhe sigurinë që të kemi institucione dhe individë me pastërti ligjore e morale. Besoj që me miratimin e një ligji të tillë edhe fryma kundër këtyre negative do të jetë me progresive dhe më efikase.

Bota sot: A duhen të hapen dosjet e ish sigurimsave?

Armend Zemaj: Një çështje e nevojshme por edhe kompleksive duke marrë parasysh trajtimin e atyre dosjeve të cilat janë hartuar. Por me forcimin e kapaciteteve institucionale dhe arritjen e marrjes se të të gjitha dosjeve nga e kaluara do ishte më se e nevojshme që këto dosje të hapen, të trajtohen me ligj ashtu siç i kanë trajtuar të gjitha vendet postkomuniste dhe nga e cila do të përfitonin qytetarët e ndershëm apo edhe do të pastrohej skena nga gjithë ata që i kanë shërbyer regjimit në dëm të interesave të qytetarëve të këtij vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat