Lladrovci flet për keqpërdorimet e fondit “Vendlindja thërret”, Krasniqin e Zekën

Intervista

Lladrovci flet për keqpërdorimet e fondit “Vendlindja thërret”, Krasniqin e Zekën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 janar 2017 Në ora: 08:29
Ramiz Lladrovci

Kryetari i ri i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili doli fitues nga balotazhi i 18 dhjetorit, ka folur për prapaskenat e fushatës zgjedhore. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Lladrovci ka komentuar edhe akuzat për keqpërdorimin e parave nga fondi “Vendlindja thërret”, si dhe debatin e ashpër me ish-bashkëluftëtarin e tij të UÇK-së Jakup Kransiqi.  Lladrovci gjithashtu, ka folur edhe për akuzat për kërcënimin dhe padinë nga gazetari Milaim Zeka, duke treguar edhe se si do të veprojë në këtë situatë. “Pse ishte i përzgjedhuri i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli? Kush i ofroi tregti me poste? A ndihet ai i rrezikuar kur udhëton jashtë vendit meqë emri i tij figuron në listën e Interpol-it në bazë të flet-arrestit të lëshuar nga Serbia më 2004?  A është Lladrovci për hetimin e milionerëve të shpejtë të politikës? Cili është Ramiz Lladrovci jashtë skenës politike?”. Të gjitha këto pikëpyetje, gjejnë përgjigje në intervistën e Lladrovcit.

Bota sot: Pse kishte shumë pakënaqësi në degën e PDK-së në Drenas?

Ramiz Lladrovci: Pakënaqësitë e trumbetuara në medie për degën e PDK-së në Drenas, fare nuk qëndrojnë. Sigurisht e dini se shërbimi diplomatik më ka larguar nga zhvillimet lokale, por realiteti dhe pasqyrimi i gjendjes së degës në medie fare nuk janë as të përafërta.

Bota sot:  Pse ju zgjodhi juve kryetari i partisë Kadri Veseli si kandidat për kryetar të Drenasit dhe jo Xhavit Drenorin apo Naim Bazajn?

Ramiz Lladrovci:  Sigurisht, kryetari Veseli, kryesia por edhe dega e PDK-së në Drenas, kanë pasur parasysh gjendjen në Drenas pas dënimit të padrejtë ndaj kryetarit të komunës, por edhe performancën për kryetarin e ardhshëm.

Bota sot:  Çka ju favorizoi juve kundrejt kandidatëve tjerë dhe çka do t’i ofroni më shumë Drenasit se sa ata?

Ramiz Lladrovci:  Ndoshta përvoja ime në TMK, pastaj në krye të Kabinetit të ish-Kryeministrit, por edhe përvoja në mandatin tim parlamentar dhe diplomaci, kanë qenë elemente ndoshta të domosdoshme për të parin e Drenasit.

Bota sot:  Ku e kanë bazën akuzat e Jakup Krasniqit?

Ramiz Lladrovci:  Nuk do të komentoja akuzat e tij, sepse qytetari ia dha përgjigjen mjaftueshëm, sepse padrejtësisht ai dhe shumë të tjerë kanë provuar ta nxijnë atmosferën, por edhe situatën e zgjedhjeve në Drenas. Qytetari e demantoi me kulturën e tij dhe hoqi çdo dilemë në rregullësinë e zgjedhjeve, sepse ato mund të konsiderohen shembullore jo vetëm për vendin tonë.

Bota sot:  Keni akuzuar Milaim Zekën se “ai është spiuni i misioneve ndërkombëtare, si UNMIK-u e EULEX-i". Ku e mbështetni pohimin tuaj?

Ramiz Lladrovci:  Nuk do të merrem as me të, sepse për ato që i thanë kundër meje dhe kundër PDK-së gjatë fushatës, ua tregoi qytetari vendin. Edhe ato që i kam thënë pas fitores, ishin reagim ndaj fyerjeve të ulëta ndaj meje, familjes time dhe të kaluarës time që nuk janë çështje fushate. Asnjë qytetar nuk e kam fyer as nuk e kam nxitur të bëhet kundër tjetrit, kam ofruar program për qytetarin dhe tash merrem me realizimin e tij.

Bota sot:  Gazetari Milaim Zeka ka ngritur padi kundër jush për një sërë kërcënimesh, që sipas tij janë serioze dhe po e rrezikojnë jetën e tij. Ai madje thotë ta ketë dorëzuar në Polici edhe dokumentin që e dëshmon inicimin e këtij rasti . Si do t’i përgjigjeni kësaj padie?

Ramiz Lladrovci:  As para fushatës, as në fushatë e as pas fitores, nuk kam kërcënuar askënd. Kam marrë mandat t’i ofroj qytetarit projekte zhvillimore dhe kjo është përgjigja ime ndaj shpifjeve të tilla. Kushdo që më njeh e di se unë nuk kërcënoj.

Bota sot:  Xhavit Drenori ju ka akuzar juve që duke u fshehur pas lavdisë së vëllait tuaj Fehmiut, keni keqpërdoruar para të shumta pas luftës, të mbledhura për luftën e UÇK-së? Cili është përgjigjja juaj për këtë cështje?

Ramiz Lladrovci:  Të tilla spekulime të ulëta kishin qëllime të fitonin pikë duke më përgojuar. Kurrë emrin e lavdishëm të vëllait tim nuk e kam lakuar askund, aq më pak në garë politike. Unë kam integritetin tim dhe të kaluarën time që janë thelbësore për besimin e qytetarit të Drenasit.

Bota sot:  A jeni i gatshëm të deklaroheni para Prokurorisë dhe të pastroni emrin tuaj lidhur me këto akuza të kundërshtarëve tuaj?

Ramiz Lladrovci:  Akuzat e tilla nuk kanë kurrfarë vlere, sepse ato kurrë nuk do të kenë efekt kundër të kaluarës time. Sepse po ata që krijuan trillime të tilla, së pari kërkuan bashkëpunim e pastaj edhe më ofronin koalicion, më ofronin edhe vota jo zyrtarisht dhe dëshironin të bënin tregti për poste. Të gjitha i kam hedhur poshtë, sepse unë kisha nevojë për besimin e qytetarit e jo trillimet e shpifjet ndaj kundër kandidatëve. Madje atyre as të vërtetat e tyre nuk ua kam thënë, Drenasi i njeh, e patë si kaluan të gjithë së bashku.

Bota sot:  Si e komentoni ndalimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze me urdhër-arrest të Serbisë?

Ramiz Lladrovci:  Ish-kryeministri Haradinaj është pjesë e lavdisë së UÇK-së dhe çdo akuzë ndaj tij do të hidhet poshtë si e pabazuar, sepse lufta e tij dhe çlirimtarëve ishte e pastër dhe në pajtim me normat ndërkombëtare.

Bota sot:  A ndjeheni edhe ju të kërcënuar kur udhëtoni jashtë vendit meqë në listën e flet-arresteve të lëshuara nga Serbia në vitin 2004 figuron edhe emri juaj?

Ramiz Lladrovci:   Në asnjë rast nuk ndjehem i rrezikuar, sepse ata që kanë sajuar lista të tilla janë burimi i së keqes, andaj, rruga jonë nuk varet nga këto akuza të pabaza.

Bota sot:  Keni qenë pjesëtar i UÇK-së, si e konsideroni ju themelimin e Gjykatës Speciale? Kush mendoni se do të jenë të akuzuarit e parë të kësaj gjykate?

Ramiz Lladrovci:  Nuk merrem me paragjykime as me supozime. Lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër.

Bota sot:  Pjesa më e madhe e politikanëve janë bërë milionerë në një kohë të shkurtër. A jeni ju për hetimin e milionerëve të shpejtë të politikës?

Ramiz Lladrovci: Kategorizimet e tilla janë të paqëndrueshme. Le të merret ligji me çfarëdo supozimi, jo vetëm për origjinën e pasurisë, por edhe secili çfarë pune bën dhe për kë punon. Institucionet përgjegjëse le t’i bëjnë hetimet për secilin që nuk i dihet origjina e pasurisë. Edhe kjo është pjesë e çmimit kur je person publik.

Bota sot:  Cila është strategjia që do të duhej të ndiqte Qeveria dhe institucionet e Kosovës për murin e ndërtuar nga serbët në Mitrovicë?

Ramiz Lladrovci:  Muri shpresoj të hiqet.

Bota sot:  Është raportuar për keqpërdorime të shumta në konkurset për plotësimin e vendeve të punës për mësimdhënës në Komunën tuaj? Cila është strategjia që do të ndiqni për të larguar nepotizmin në arsim?

Ramiz Lladrovci:  Kam premtuar respektim dhe zbatim të ligjit, edhe për çështjen e punësimeve jo vetëm në arsim, por edhe në segmentet tjera nëse ka ankesa.

Bota sot:  Pse e ndaluat ndërtimin e një fabrike (të duhanit) në fshatin tuaj Gllanasellë?

Ramiz Lladrovci:  Për herë të parë po dëgjoj nga ju të ketë pas iniciativa të tilla të ndërtimit të një fabrike të duhanit në Gllanasellë.

Bota sot:  Cili është Ramiz Lladrovci jashtë politikës?

Ramiz Lladrovci:  Jetoj në vendlindje, jam prind i katër fëmijëve, krenar me familjen, por edhe me miqtë, shokët dhe të kaluarën time.

Bota sot:  Si e kaloni kohën e lirë?

Ramiz Lladrovci:  Kohën e lirë e kam shumë të kufizuar, por e shfrytëzoj për vizita familjare dhe qëndrimin me prindërit e mi.

Bota sot:  A keni ndonjë hobi që i kushtoni kohë të vecantë?

Ramiz Lladrovci:  Jo, ndoshta pemishtes i kushtoj më shumë vëmendje.

Bota sot:  Cili është libri i fundit që e keni lexuar apo jeni duke e lexuar?

Ramiz Lladrovci:  Libri që jam duke lexuar është “Ngritja e një shteti” e Enver Hoxhajt.

Bota sot:  A i ndihmon Ramizi bashkëshortes në punët e shtëpisë?

Ramiz Lladrovci:  Normal që i ndihmoj, kur kam mundësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat