“Marrja dhe dhënia e dijes, e domosdoshme sa frymëmarrja!”

Intervista

“Marrja dhe dhënia e dijes, e domosdoshme sa frymëmarrja!”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 shkurt 2017 Në ora: 16:59
Daut Demaku

Teoria e mendimit pozitiv nuk është edhe aq e njohur ndër ne, ndonëse si shqiptarë jemi listuar në mesin e popujve më optimistë në botë. Shkrimtari Daut Demaku, është thuajse i vetmi që me anë të shkrimeve të cilat i publikon vazhdimisht si me anë të librave, ashtu edhe nëpër rrjete sociale, na tregon mbi këtë teori.

“Mendimi pozitiv e ndërton jetën e vetëdijshme. Kjo do të thotë e bën jetën e njeriut mrekulli ose parajsë tokësore”, ka thënë Demaku gjatë intervistës për gazetën “Bota sot”.

“Bota sot”:  Kur keni filluar të merreni me mendim pozitiv, nga lindi ideja dhe pse?

Daut Demaku: Mua më ka interesuar gjithnjë letërsia, e brenda këtij interesimi, për mua ka qenë qenësore t’i mësoj ligjet e mendjes së personazhit. Pa njohjen e plotë të ligjeve të mendjes, qysh do të bëhet skalitja e PERSONAZHIT letrar? Ta marrim një shembull: ngjyra e barit është e gjelbërtë! A e shohin të gjithë njësoj këtë ngjyrë? Çfarë ngjyre ka bari për njeriun e sëmurë, apo për njeriun e gëzuar, për njeriun e dashuruar, për njeriun e deprimuar, për plakun e lodhur apo për fëmijën? E shihni: janë të paktën njëmijë nuanca të ngjyrës së gjelbër, që krijuesi duhet t’i dijë, nëse do të ketë lexues?

Prandaj, interesimi për të mësuar, këtu e gati katërdhjetë vjet më parë, më dha energji të thellohem në majat e dijes botërore. Aty gjenden përgjigjet. Kur nuk i gjejmë përgjigjet në veten tonë (e aty janë gjithmonë), atëherë duhet t’i kërkojmë tek të tjerët.

“Bota sot”:  Çfarë është të menduarit pozitivisht dhe sa mendojnë njerëzit pozitivisht në Kosovë?

Daut Demaku: Mendimi pozitiv e ndërton jetën e vetëdijshme. Kjo do të thotë e bën jetën e njeriut mrekulli ose parajsë tokësore. E kundërta është jetë në ferrin tokësor. Konkretisht kjo e vërtetë duket kështu: secili njeri, nga lindja deri në vdekje, rrugën e jetës – duhet ta kalojë. Të mençurit e bëjnë jetën lojë, hare, gëzim, dashuri, harmoni… Të marrët e bëjnë jetën vuajtje, vaj, kritika, ngatërresa, shkatërrime, luftë – pa e pasë asnjë ditë e asnjë çast të qetë e të lumtur. E ajo rrugë duhet të kalohet, patjetër. Në cilën mënyrë – kjo është zgjidhja e uindividit.

Ju thoni: sa mendojnë njerëzit pozitivisht në Kosovë? Unë nuk e di sa mendojnë pozitivisht, sepse nuk e kam asnjë statistikë, por çfarë jete bëjnë njerëzit në Kosovë – dëshmon gjendja që kemi.

“Bota sot”:  A merrni letra nga lexuesit që i pëlqejnë shkrimet e tua dhe a keni ndonjë rast që të kanë treguar se përmes shkrimeve tuaja kanë marrë vendime të rëndësishme në jetë të tyre ?

Daut Demaku: Nëse përgjigjem, në këtë pyetje, në të dy rastet: sa letra marr nga lexuesit dhe sa njerëz kanë përfituar nga shkrimet e mia, atëherë – do të KORITEM.

“Bota sot”:  Rinia në Kosovë më shumë janë fiksuar nëpër rrjete sociale, çfarë duhet bërë që të mos humb vlera e të lexuarit?

Daut Demaku: Asgjë nuk duhet të bëjmë. Nuk jemi në diktaturë t’i komandojmë shijet e njerëzve... Për ta ruajtur vlerën e leximit  duhet të krijohen libra të mirë. Reklama më e shëmtuar e librit është – libri i dobët!

“Bota sot”:  Kultura e leximit të njerëzve në Kosovë, në cilën shkallë është

Daut Demaku:  Hipni një ditë në një autobus në cilindo relacion të Kosovës dhe numëroni sa njerëz janë duke lexuar brenda në autobus dhe statistikën e të lexuarit në Kosovë e gjeni në çast, e për ta kuptuar mire bëjeni të njëjtin test kudo nëpër vendet e Europes ose gjetiu dhe krahasimi vjen vetë!

“Bota sot”:  Jeni një ndër shkrimtarët më të dashur për lexuesit, si e ndjeni veten para lexuesve tuaj?

Daut Demaku: Nuk ka vlerë më të lartë se t’i pranosh njerëzit ashtu siç janë dhe të prezantohesh para njerëzve ashtu siç je, i natyrshëm dhe i vërtetë. Pikë.

“Bota sot”:  Cilat lloje të librave tuaja janë lexuar më shumë?

Daut Demaku: Të gjitha rekordet e leximit i ka thyer romani im “Magjia e urtisë”

“Bota sot”:  Keni përkthyer disa vepra nga shkrimtarë të huaj në gjuhën shqipe, a kanë nevojë lexuesit shqiptarë për më shumë përkthime të librave nga gjuhë të ndryshme?

Daut Demaku: Asnjë popull nuk është ishull i vetmuar që i mjafton vetvetes! Marrja dhe dhënia e dijes është e domosdoshme sa frymëmarrja!

“Bota sot”:  Çfarë mendoni cilët janë shkrimtarë që lexohen më shumë në Kosovë, të huaj apo vendorë, nëse janë të huaj pse ndodh kjo?

Daut Demaku: Në Kosovë lexohen librat e mirë, origjinal dhe të përkthyer. Lexuesi do të lexojë libër të mençur, nuk lodhet shumë për autorin, a është vendor apo i huaj!

“Bota sot”: Si duhet rikthyer besimin te rinia e diplomuar e të papunë?

Daut Demaku: Në ekonominë e tregut, gjatë një shekulli pune, mesatarja e ndryshimit të PROFESIONIT– është 7 herë. Cili është ai fakultet që të aftëson për shtatë profesione të ndryshme?

Njëzet mijë jurist në Kosovë, ku do të punësohen? As një Amerikë nuk mund t’i absorbojë të gjithë. Njerëzit e vetëdijshëm duhet të shkollohen e aftësohen për nevojat e tregut të punës, e jo për t’u krekosur me një diplomë – letër pa vlerë!

“Bota sot”:   Në mënyrën e të menduarit pozitivisht, a mund ta ndryshojmë gjendjen tonë politike, kulturore dhe ekonomike?

Daut Demaku: Gjendja politike, kulturore, ekonomike dhe të gjitha gjendjet të tjera – do të ndryshojnë kur të NDRYSHOJË VETË NJERIU.

Pa ndryshimin e njeriut, pa ndezjen e dritave të mendjes, pa vetëdijësimin e plotë të individit – kurrë, kurrë, kurrë – nuk do të ketë jetë cilësore! Vuajtja, varfëria dhe mjerimi do të vazhdojnë edhe me mijëra vjet, derisa njeriu të detyrohet ta ndryshojë vetveten.

“Bota sot”:   Gabimi më i madh që mund ta bëjë një njeri në jetë?

Daut Demaku: Të mos e njeh vetveten dhe të mos e ndryshojë vetveten!

“Bota sot”:   A ekziston dashuria, ç’është ajo sipas jush?

Daut Demaku: Dashuria është dimension i dytë i jetës njerëzore, fenomeni më i fuqishëm dhe më gjithëpërfëshirës i jetës, që – thënë të vërtetën – ne nuk e njohim. Dhe, për mungesë njohjeje së dashurisë, ne, me këto mendjet tona që jetojnë në cektinë – dashurinë e përkthejmë si seksualitet, sepse aq dimë dhe aq kuptojmë!

“Bota sot”:   Armiku më i madh i njeriut?

Daut Demaku: Vetë njeriu! Kurrë, askund, asgjë – nuk mund t’i bëj askush  më keq e më zi njeriut - se që mund t’ia bëj njeriu vetvetes!

“Bota sot”:  Si duhet menaxhuar suksesi dhe si duhet të sillemi në rast të dështimit?

Daut Demaku: Suksesi është i rrezikshëm kur të arrihet pika kulmore. Atëherë shtrohet pyetja: çka tash? Dështimet nuk janë problem, sepse çdo dështim është një pushimore para fitoreve të reja.

“Bota sot”:   Mosbesimi apo vetëbesim i tepruar ndaj vetës?

Daut Demaku: Të dyjat janë të dëmshme. Mosbesimi të ngurtëson, të betonon në vend dhe s’ka ecje përpara. Vetëbesimi i tepruar të hedh përtej qëllimit.

“Bota sot”:  Cilat janë 5 karakteristikat e tjetrit?

Daut Demaku: Po të mirresha me karakteristikat e të tjerëve, do të isha njeriu më i marrë në botë. Nuk po arrijë të thellohem në njohjen e karakteristikave të mia...

“Bota sot”:   Si është një ditë perfekte, sipas teje?

Daut Demaku: E vetmja ditë, që mund të quhet perfekte, është dita kur ke arritur të mësosh ta njohësh vetvetën.

“Bota sot”:  Në ditët e sotme shumica e njerëzve bashkëjetojnë, sipas jush është më mirë bashkëjetesa apo martesa?

Daut Demaku: Deri më sot njerëzimi nuk ka zbuluar institucion më të mirë e më të fuqishëm se familja. Pa martesë nuk ka familje.

“Bota sot”:  Libri, filmi apo interneti, cili prej këtyre duhet zgjedhur, ku qëndron dallimi?

Daut Demaku: Edhe libri, edhe filmi edhe interneti, kur kanë vlera kreative, të kënaqin dhe të përmbushin, kur janë pseudo vlera apo vlera të dobëta – asnjëra nuk të duhet gjë prej gjëje.

“Bota sot”:   A ka kritikë të mirëfilltë letrar?

Daut Demaku: Jo. Madje, qysh po shkojnë punët,  as që do të ketë.

“Bota sot”:   A është shtypi i lirë sot?

Daut Demaku: Qysh jo! Madje është aq i lirë sa, me vetë dëshirë, bëhet shërbëtor dhe rob i dikujt!

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për palgjiaturën, a keni pasur raste që janë plagjiatuar shkrimet tuaja?

Daut Demaku: Plagjiatura është HAJNI. Kush thotë që në Kosovë ka hajna e hajni? Lëre fare.

“Bota sot”: Cila është frika më e madhe e shkrimtarit kur ikin vitet?

Daut Demaku: Shkrimtari i vërtetë e ka një frikë: injorancën dhe injorantët. Injoranca është si orteku që rrënon qytete. Të tjerat janë renda ligjeve normale të natyrës njerëzore që nuk prodhojnë kurrfarë frike.

“Bota sot”: Kriza më e madhe në Kosovë, ekonomike apo sociale?

Daut Demaku: Kriza më e madhe në botë është kalimi i pragut nga injoranca e dija – në vetëdije! Kur të kalohet ky prag, këputen zinxhirët e robërisë shpirtërore dhe njerëzit ndërtojnë jetën e dinjitetshme. Deri atëherë – vuajtja vazhdon – deri në pafundësi. Me mendjen në terr, pa vetëdije të plotë, mos ta rrenë mendja kënd se mund të kalojë nga vuajtja – në lumturi.

“Bota sot”: Mesazhi juaj për të rinjtë?

Daut Demaku: Nëse keni dështuar nuk do të thotë se jeni dështak. Nuk kam njohur kurrë njeri të suksesshëm që nuk ka dështuar asnjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat